More
    KreuLetërsiBibliotekë"Dy orë me veten", tregim nga Besnik Manushi

    “Dy orë me veten”, tregim nga Besnik Manushi

    Duke pikasur në largësi nga dera vijat e florinjta të librit vura re se e kisha patur për një kohë të gjatë në të njëjtin vend. Librin e harrova mbi tavolinën e vogël të kafes pasi xhezveja e madhe e kafes e mbushur me çaj më shpërqëndroi kur filloi të stërpikte pllakën e nxehtë dhe të bënte një zhurmë në formë avulli.

    Mu desh ta përmblidhja veten dhe të nisesha në destinacion, kujtesa e zhbëri atë moment dëshire për lexim. Duhet të nisesha tek dhëmballa dhe të respektoja orarin ose do degdisesha në një dentist tjetër. Oraret me sa duket janë të shenjta për ta, për mos thënë të florinjta.

    Po sikur ta merrja me vete, hesitova,

    Ku ta lexoja në makinë? Tek dentisti me gojën hapur?

    Po, tek dentisti, duke pritur sa të më vinte rradha. Pastaj ngjyra e artë e vijave baroke! Më mirë të presi derisa të kthehem.

    Gjithçka kisha dashur ato ditë ishte ta lexoja të paktën një faqe. Dukej shumë solemne. Vetëm fakti që ta mendoje, kortezia ndaj një libri. Më duket e padrejte ndaj një libri. Ndërkohë që kisha lexuar disa libra të tjerë këtë as kisha arritur sikur t’i lexoja faqen e parë.

    Kjo është surreale, nuk më kish ndodhur kurrë. 1 faqe dy kafshata mollë, çfarë më thotë mendja kështu?

    Një ditë për shembull isha duke lexuar një libër tjetër, mbas 30 faqeve lexim nga mesi vura re librin e parë të hapur në faqen e parë. Ku e gjeti, tani që u lodha pak nga sytë-thashë me vete.

    Pastaj kureshtja për librin që kisha në dorë mu shtua. Por një moment sikur e detyrova veten ta merrja atë libër në dorë dhe ta lexoja. Vazhdova tek faqja e parë tek paragrafi i dytë, s’e di ku e kisha lënë, por pasi pashë që gjërat s’po lidheshin nga fundi, u detyrova të kthehem përsëri tek paragrafi i parë. Kjo më shkaktoi bezdi dhe një lodhje që aty për aty u përkthye në përgjumje. Sytë u mbyllën vetë në një çlirim të pashpjegueshëm të kraharorit, gati sa nuk e ndjeja se aty mund ta prekje shpirtin.

    Ende s’kisha hapur sytë mirë dhe ndjeva një energji të fortë që të bën të ndjehesh i gjallë dhe me dozën e leximit që kisha bërë, mu duk e udhës që atë energji ta shfrytëzoja diku tjetër dhe jo për të lexuar përsëri.

    Në trup sikur e ndjeva ujin e liqenit te Merhojës, një melhem që shëron plagët kur kridhesh në të, apo i zmadhon ato në largësi.

     Po sikur ta marr me vete, s’e di, shenjtëria e një libri të bën të mendosh shpesh për vendin ku do e lexosh, si do e lexosh dhe a është ai vendi i përshtatshëm liturgjik. Me ujin që të rrjedh nga të katër anët dhe tokën e përbaltur nga uji që bie prej trupit tim, do kishte shumë pak shenjtëri në një altar të tillë.

    Së fundi dhe ora po ikte dhe e gjitha kjo për fajin e faqes së parë.

    E di shumë mirë që po e kalova faqen e parë ai libër i ka orët e numëruara.

    Faqja e parë ishte një barrierë e madhe, ishte barriera e nisjes, ishte barriera e vetëmohimit.

    Të gjithë e kanë provuar dilemën e faqes së parë apo paradoksin e faqes së parë. Nëse ti nuk kalon faqen e parë ti nuk ke për ta lexuar kurrë atë libër. E nëse e kalon faqen e parë, zëre se e ke mbaruar atë libër.

    Dhe në luftën time me dilemat, nuk kisha një bilanc pozitiv, prandaj masa e krahasimit nuk më bënte punë në këtë rast.

    Faqja e parë është tortura e vërtetë e një ëndërrimtari. Ajo është kufiri i çdo të vërtete, e çdo historie në një libër.

    Mbetem i shtangur kur mendoj se nuk kam një përgjige të hë për hëshme se kur do ta prek atë libër përsëri tashmë që duart i kam mbi timon dhe që nuk e di se çfarë ka në faqen e dytë, ndërkohë që i jam kthyer kaq herë faqes së parë sa më përzihet çdo herë që e mendoj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË