More
    KreuLetërsiBibliotekëDy legjenda nga Namik Dokle

    Dy legjenda nga Namik Dokle

    Vallëzim me hënën

    Nuk e di sesi e kishin fshatrat e tjerë, por ne në Gorëi njohim Perritë tona edhe me emër. Ishin tri: Ilina e Shishtavecit, Jelica e Brodit dhe Borjana e Borjes. Kanë qenë vajzat më të bukura të gjithë Gorës e u kishte shkuar zëri edhe tejembanë  nëntë  bjeshkëve. Kur kërcenin  ato, thoshin, dheu nën këmbët  e tyre ngazëllente, lulet e livadhit, ku shkelnin ato, gjallëroheshin e shumoheshin, krojet e bjeshkëve, thoshin, e shtonin gurgullimën dhe i pëshpëritnin fjalë të ëmbla barit. Por edhe yjet, thoshin, ndaleshin për t’i parë, ndërsa gjarpri dilte nga guri për të dëgjuar këngën e tyre.

    Dhe thonë pastaj që një natë, kur po kërcenin te lëmi i Vejselit, u foli Hëna, dhe ato e ftuan në valle, por ajo u vuri kusht që t’i bënin një palë rroba Gore, që edhe ajo të zbukurohej me to. Dhe e lanë të kërcenin natën, kur hëna të ishte e plotë.

    Jelica nga Brodi, Ilina nga Shishtaveci dhe Borjana u takuan në Igraleshnik, nën Blirin e Madh. Nuk kaloi shumë kohë dhe shkrepat e livadhet e Gjallicës morën ngjyrë floriri, ndërsa retë mbi Kallabak u bënë flokënajë argjendi.

    “Doli!”, thirri Jelica dhe kërceu si drenushat e bjeshkës së fshatit të saj.

    “Mirë se të vijë!”, tha Ilina, me zë të butë si pëshpërima e Rekës, që shkon përmes fushës së Shishtavecit.

    Borjana piu një gllënjkë ujë, që e kishte mbushur në Topillo, çezma më e mirë e gjithë Gorës. Por të tria ishin në merak, sepse, sado që u përpoqën, nuk arritën të bënin rrobat për Hënën. Disa thonë ngaqë nuk ia dinin masën, të tjerët se nuk pranoi asnjë djalë të shkonte në Prizren për të blerë bojërat që të ngjyenin fijet për të endur rrobat dhe ca të tjerë tregonin si më të sigurt se, kur Borjana vuri vekët për të endur rrobat dhe e pyetën çfarë po bënte, ajo, shumë e qetë dhe e sigurt, tha se po endte rrobat e Hënës; atëherë erdhi si rrufe e vetëtimë i ati dhe i theu e i dogji vekët…

    “Ku janë rrobat e mia?”, pyeti Hëna.

    “Nuk i bëmë dot!”, iu përgjigjën të tria me një gojë.

    “E po mirë”, u tha Hëna, “lakuriq unë, lakuriq edhe ju.”

    Ato ngrinë nën dritën e bardhë të Hënës. Ndjenë të ftohtë brenda dhe jashtë, në shpirt e në zemër, e për t’u ngrohur filluan të kërcejnë pa e çarë kokën, nëse do të ulej apo jo Hëna të kërcente bashkë me to. Hëna u ul në kurorën e blirit dhe drita e saj u derdh si ujëvarë argjendi mbi vajzat. Jelica filloi të zhvishej e para, pastaj Borjana dhe Ilina në fund. Kur u përshfaqën gjokset e tyre të bardha, Hëna e ndjeu veten ngushtë, ndjeu se iu mpak drita, prandaj u ul edhe më poshtë… edhe më poshtë… derisa ciku në pubisin e mëndafshtë të vajzave që, në atë grimherë, po merrte ngjyrë të trëndafiltë. Borjana zgjati dorën dhe e kapi, e tërhoqi lehtas dhe në valle u bashkuan katër hëna që ndriçuan sa një diell. Ishte një dritë pabesueshmërisht e ngrohtë, e ëmbël, e bukur dhe derdhej nëpër gjithë trupin e vajzave, nga balli te gusha, nga sytë te kërthiza, nga buzët te pubisi, nga gjokset te këmbët, që mbanin ritmin e asaj valleje të paparë ndonjëherë në botën e Tokës dhe as të Qiellit.

    Nuk e kuptuan sesi shkoi koha në atë vallëzim me Hënën, derisa dëgjuan gjelat e parë të Borjes, dhe pas tyre qentë e Oreshkës përballë, që po përndiqnin natën me të lehura. Hëna, sikur të mos kishte qenë asnjëherë mes tyre, ishte përsëri në qiell dhe i vështronte me kërshëri.

    Kur u kthyen në shtëpitë e tyre, vajzat u përballën me të njëjtën pyetje:

    “Ku ishe gjithë natën?”

    “Zbritëm Hënën në tokë dhe hodhëm valle me të!”, ishte e njëjta përgjigje në tri fshatra të Gorës. Ata që dëgjuan, u çmeritën. “Na qenkan përhënur vajzat!”

    Jelicën e përzunë nga shtëpia dhe ajo, derisa vdiq, brodhi me dhitë e egra të Brodit nëpër shkrepa e shpella. Askush nuk e mori vesh me çfarë ushqehej, por një çoban delesh i atyre bjeshkëve bënte be e rrufe se e kishte parë duke mjelë dhitë e egra. Për Ilinën nuk u mor vesh si e qysh, por një pasdite e gjetën të mbytur në lumin e fushës së Shishtavecit, të cilin, që atë ditë e sot e quajnë “Reka e Ilinës”.

    Ndërsa Borjana, pas zallamahisë në shtëpi, nuk dihet pse pati një dëshirë të papërballueshme të fuste në gojë dy-tri qershi dhe, meqë në atë kohë piqeshin vetëm kokrrat e qershisë te shkëmbi mbi përroin e Xhaferrit, u nis e shkoi atje. Askush nuk kishte guxuar të ngjitej në qershi deri atë ditë, sepse ajo ishte rritur mbi një shkëmb të rrëpirët, që u kallte tmerrin edhe djemve më të guximshëm të fshatit tonë. Borjana, thonë, u ngjit vetë në shkëmb dhe këputi një degë qershie, hëngri disa kokrra dhe pastaj ra teposhtë si thëllëzë e vrarë, por me krahë të hapur. Disa thonë që iu morën mendtë, të tjerë thonë që u hodh vetë, por më të shumtit tregonin se kishin parë Hënën që e mbajti në krahë derisa e zbriti në fund të humnerës dhe aty u shua si një yll që bie nga qielli.


    Foli koka e prerë…

    Ai ishte më i bukuri i Gorës.

    Ajo ishte më e bukur se ai.

    U dashuruan dhe u martuan; bënë një dasmë të madhe, sipas traditës së lashtë të krahinës. Në mëngjesin e dasmës, ende pa dalë drita, ai shkoi në oborrin e saj për ta zgjuar, me meloditë e curleve dhe lodrave, nga gjumi i fundit i vajzërisë dhe për ta ftuar atë natë në ëndrrën e parë të nusërisë.

    Bënë dashuri vetëm një natë. Në mëngjesin tjetër i erdhi thirrja që të shkonte ushtar në ushtrinë e madhe të Sulltanit, që sundonte edhe mbi fshatrat, livadhet, pyjet, bjeshkët dhe lumenjt e Gorës. Nusja e re i përgatiti kalin për udhën e gjatë. Nëna i bëri gati bukën. Motra shkoi në bjeshkë që të mblidhte bar tërfili për kalin e vëllaut. Një këngëtar i bjeshkës, kur e pa, këndoi:

    “Moj Morava, mjegull e përgjakur,

    Pse kaq herët lulet i ke vyshkur?”

    “Kaloi vajza mbi mua e zbathur

    Barin e tërfilit duke mbledhur.

    Do ia çojë tërfilin kalit t’bardhë

    Rrug’ e largët vllaut t’i shkojë mbarë…”

    “Ha, o kalë, o kali im i bardhë,

    Rrugë të gjata sot ke për të marrë,

    Në nëntë bjeshkë nuk ke për t’u ndalë,

    Nëntë lumenj t’përgjakur do kalosh,

    N’ato troje t’verdha do të shkosh…”

    Trimi ngjeshi armët, i hipi kalit dhe hodhi vështrimin e fundit mbi sytë e përlotur të nënës, motrës dhe nuses së tij të re. Dhe u tha:

    “Nëna ime, bëhu nënë edhe për nusen. Motra ime bëhu motër për nusen time. Dhe ti, e dashura ime, më jep besën që do më presësh e nuk do t’i hedhësh sytë mbi djem të tjerë, nuk do të dalësh te çezma e fshatit se ata të spërkatin me ujë e të turbullojnë mendjen, nuk do të shkosh te lëmi ku lozin vejanët se ata të tallin e të shushatin, as në shtëpitë e vejushave se të qeshin dhe të përflasin.”

    U nis e ato mbetën pa lëvizur, nëna si qyqe, nusja dallëndyshe e motra si trishtil i verdhë.

    Kaluan tre vjet pa një lajm. Nëna u rrudh nga plakja. Motra u shëmtua nga dhembja. Nusja u mpak nga trishtimi e trarët e shtëpisë zunë të kalben nga lotët e saj. Në krye të tre vjetve djali u kthye nga lufta, me plagë në trup dhe në shpirt. Nëna doli në krye të shkallëve të shtëpisë. Mbushur pezm dhe mllef, i tha:

    -Erdhe, o biri im i shkretë?!

    -Pse më pret me ato fjalë, nënë e dashur?

    -Nga lufta ndoshta vjen me lavdi, por këtu turpin do të gjesh.

    -Ç’thua, nëna ime?

    -I the nuses të mos dalë te çezmja? Ka dalë sa ka dashur dhe është spërkatur me djemurinë për shtatë palë qejfe. I the të mos shkojë te lëmi i vejanëve? Ka shkuar dimër-verë, është shushatur dhe hallakatur. E porosite të mos takohet me vejushat? Drekë e darkë është takuar me to dhe fjalët e hallkut janë bërë sa birat e gardhit e thashethemet janë bërë mullar.

    -Mos, moj nëna ime, çfarë më thua?! Lufta trupin ma coptoi, fjala jote shpirtin ma përvëloi…

    Nxorri shpatën, atë shpatë që kishte prerë koka ushtarësh armiq, e vringëlloi dhe i preu kokën nuses së tij, për të cilën e kishte përvëluar malli dhe kishte kujtuar çdo ditë të parën dhe të fundit natë që kaloi me të. Koka e nuses u rrokullis dhe ndaloi në shkallën e fundit.

    Dhe foli koka e prerë:

    “Ç’bëre, o shpirti im?! Si e preve kokën që aq shumë të deshi? Si m’i shkretove sytë e bukur që asnjë ditë nuk e ndalën të qarën për ty. Shiko trarët e shtëpisë që po kalben prej lotëve të mi. Pyete motrën tënde a ta kam mbajtur besën që të kam dhënë, a kam dalë te çezma me djemtë, te lëmi me vejanët a në oborret e vejushave. Unë të desha aq shumë, o pëllumbi im, vetëm një Zot e di sa të kam dashur dhe sa të kam pritur…”

    E pyeti motrën dhe ajo i tha të vërtetën për nusen e tij besnike.

    Mali u shemb, bjeshka u bë terr, dielli u shua dhe në sytë e tij mbeti vetëm koka e prerë që nuk fliste më. E ktheu shpatën nga vetja, e nguli tej e tej zemrës dhe tha fjalët e fundit në këtë botë:

    -E mjera nënë! Nuk deshe dy dashuri, hap dy varre tani…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË