More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDriton Fejzullahu: Semantika dhe metafizika e vdekjes në romanin e Adil Ollurit

    Driton Fejzullahu: Semantika dhe metafizika e vdekjes në romanin e Adil Ollurit

    Tanatosi–Erosi

    Vdekja është një nga temat e parapëlqyera të botëkuptimit njerëzor, atë e hasim si trajtesë të veçantë që nga mitologjia greke, ku ajo ishte përligjur në mënyrë simbolike dhe ishte emërtuar si perëndia Tanatos (vdekja), që ishte në një konflikt me perëndinë Eros (dashurinë), ku vdekja dhe dashuria përbënin balancën dhe disbalancën njerëzore. Dy kategoritë ekzistenciale jeta-vdekja, përbëjnë preokupimin më të madh  primordial të individit në raport me botën dhe jetën. Ato sa janë të ndërlidhura mes njëra-tjetrës, po aq janë edhe të ndara. Një trajtim prehistorik mbi trikotominë jetë-vdekje-pavdekësi e gjejmë edhe te poema epike “Epi i Gilgameshit”, ku heroi kryesor i kësaj poeme vihet në kërkim të pavdekësisë, pasi ai nuk kishte menduar për vdekjen deri  kur vdiq miku i tij i ngushtë Enkidui.

    Njeriu ishte i pari që mendoi për vdekjen, dhe rrjedhimisht vdekja del të jetë mendim. Në vazhdimësi vdekja ishte preokupimi i njeriut. Ballafaqimi i njeriut me vdekjen e ka bërë atë të krijojë mekanizma të shumtë të reagimit përmes mediumeve të ndryshme; filozofike, letrare, artistike, historike etj. E thënë me gjuhë poetike, vetëm vdekja është e pavdekshme. Secila vdekje ka lënë gjurmë jo vetëm te individi, por edhe te kolektiviteti, dhe si e tillë ka pasur paradigma të ndryshme në epoka e periudha të ndryshme. Shpikja e përjetësisë ose jetës pas vdekjes, ka qenë shpikja më ngushëlluese për njeriun, kjo shpikje rrënoi kuptimin që kishte ndërtuar vdekja në  diskurset antike greke. Mesjeta e ka zhveshur secilin diskurs antik, me eskatonin e saj, që rrëfente për fundin, pra fundin e vdekjes, dhe një “rilindje metafizike” të njeriut, dhe kështu përfundimisht vdekja u diskualifikua.

    Semantika tekstuale

    Që nga titulli i romanit “Vdekja e Omerit”,  autori na paralajmëron për vdekjen, si temë që rrëfen  dhe na rrëfehet përmes romanit. Që në fillim të romanit, i jepen informacione lexuesit se ai duhet të përgatitet për këtë vdekje. Pra, autori e pajis me vdekje protagonistin dhe e tërë ngjarja rrëfehet në raport me këtë vdekje. Vdekja në këtë roman, vije si predestinim metafizik. Edhe pse i bartur në kohë, predestinimit nuk mund t’i ikë askush dhe asgjë. Linja e rrëfimit në këtë roman nuk është lineare. Kjo intencë është e qëllimshme nga ana e autorit dhe si e tillë rezulton si e suksesshme, sepse lexuesi mund ta lexojë veprën si tërësi, por edhe si tregime të veçanta, siç është rasti me “Gudulisja”, si tregim i mëvetësishëm. Në këtë roman dominon rrëfimi që vjen prej disa perspektivave, nga tregimtari i gjithëdijshëm që është autori, pastaj me tregimtarin karakter që përbëhet nga Omeri-Muja, si dhe tregimtari sekondar-dëshmitar, që janë dëshmitarët e shumtë të vrasjes së Omerit. Ky roman, flet për një ngjarje- vrasje, e cila edhe pse kishte dëshmitarë, nuk u zbardh asnjëherë për shkak të dështimit të organeve të drejtësisë, si dhe ndikimit të pushtetit të oligarkisë. Muja është simboli i një oligarku që posedon shumë pushtet, që kishte arritur të korruptojë tërë spektrin politik, të joshë, të tundojë dhe të instrumentalizojë akterë të politikëbërjes. Si i tillë ishte në krye të hierarkisë së pushtetit, pushtet ky që derivonte nga paraja. Ngjarja është e dhënë në një topos urban, siç ndodh rëndom në realitetin tonë social, ku i forti dhe i pasuri kontrollon gjithçka që nga organet e rendit, të drejtësisë dhe të qeverisë. Vdekja e Omerit është manifestim dhe pësim për protagonistin, i cili përfaqëson secilën vrasje të pasluftës që nuk është zbardhur asnjëherë dhe si rëndom gjithmonë ekzistojnë thashetheme të ndryshme mbi dhe për këto vrasje.

    Vdekja mitike-vdekja fizike

    Vdekjes si tematikë dhe si trajtim nuk ka mundur t’i ikë as autori i romanit “Vdekja e Omerit”. Autori me shumë finesë dhe rezonim letrar e historik e trajton vdekjen si kronologji historike, që buron nga “Këngët epike” ose “Cikli i Kreshnikëve” me subjekt Omerin, të birin e Mujës, si dhe modelin e ngjashëm arketipal të Omerit dhe të Mujës, të cilët janë të rikontekstualizuar dhe ritematizuar përmes romanit. Omeri si subjekt i “Këngëve Kreshnike” dhe Omeri i romanit “Vdekja e Omerit” kanë një predestimin të ngjashëm, janë të dënuar me vdekje. 

    Omeri– fitnesi

    Autori i romanit është përkujdesur për lexuesin dhe në të njëjtën kohë për tipologjinë e tij. Ndoshta kjo kërkesë është krejt metaforike për ta cytur lexuesin ose për ta futur atë në grackën e të lexuarit. Padyshim se një lexues “naiv” i cili nuk posedon një bagazh leximi, do ta lexojë këtë roman vetëm si rrëfim për vdekjen e një të riu, i cili quhej Omer, por të cilit i mungojnë aludimet dhe njohja mbi “Ciklin e Kreshnikëve”. Omeri i përshkruar nga autori, për lexuesin “naiv” është një individ që çdo ditë frekuenton qendrat e fitnesit, ku kushtimisht lexuesi i ri për nga mosha, ose përvoja, Omeri do t’i ngjasojë me ndonjë bodybuider. Cili është funksioni i qendrave të fitnesit, dhe si e përshkruan autori Omerin? Them se fitnesi duket si fabrikë kapitaliste e riciklimit të trupit, krijimin e omerëve bashkëkohorë, të përshkruar me saktësi nga autori i veprës, si tipa muskulozë, të dhënë shumë pas trupit, pas aparencës. Sot lexuesi lëngon nga humbja e fantazisë, krahasimet i gjen gjithmonë e më afër, në realitetin objektiv. Për t’i ikur arbitraritetit, mund të themi romani se “Vdekja e Omerit” mund të lexohet dhe do të lexohet nga lexues empirikë, të cilët mund të gjejnë material të jashtëzakonshëm të rrëfimit, përshkrimit, si dhe rikontekstualizimit. Ky roman mund të lexohet nga perspektiva të ndryshme, siç do të jepet në vazhdimësi ai lexim.

    Muja i legjendave dhe Muja si legjendë (Muja ky thithës metafizik)

    Muja si  personazh i legjendave që udhëhiqte agallarët e Jutbinës, ishte i pajisur me fuqi mbinatyrore, e cila e bënte atë të pamposhtur, sepse kishte pirë qumësht nga qenie mitike, siç ishin zanat. Kurse, Muja i romanit, që udhëhiqte dymbëdhjetë oligarkë ose mujsharë, kishte fuqi kapitaliste që ishte paraja, sepse kishte thithur shumë tenderë, që e bënte thithësin më të madh “metafizik” të vendit tonë. Po ta bëjmë një lexim dhe krahasim psiko-ktritik të protagonistëve “dytësorë”  mund të themi se te Muja i legjendave kemi një shenjim i cili hapë shtigje të reja të interpretimit, ku sipas përcaktimeve frojdiste, ai gjendej në stadin psikoseksual të zhvillimit oral, që na lë të kuptohet se “Këngët epike” ishin krijime që shprehnin domenin libidinal të Mujës, në simbiozë me qenie tjera mitike (zanat). Pra, thithja e Mujës ishte një thithje me burim libidinal, që nuk plotësonte kërkesën bazike të urisë, por thithja ishte burim  tashmë  i kënaqësisë, që në të njëjtën kohë e pajiste me forcë të mbinatyrshme vet Mujën. Zana dhe qumështi ishin elemente fantastike që prodhonin halucinacione të ndryshme, siç ishte ai i hedhjes së gurit në një largësi tejet të madhe.  Ky lexim na lë të kuptohet se “Këngët epike” ishin polisemike dhe si të tilla mund të prodhojnë shumësi të leximeve të cilat duan më shumë angazhim dhe përkushtim me anë të ndonjë studimi specifik. Ngjashëm autori  në romanin “Vdekja e Omerit” na lë hapësirë interpretimi psiko-kritik të protagonistit “dytësor” të Mujës.  Nëse do ta interpretonim Mujën e romanit, sipas stadeve frojdiste, mund të themi se ai kishte bërë avancim dhe kapërcim sa i përket stadeve psikoseksuale. Muja ishte thithës profesionist, anti-doti i tij vështirë se mund të gjendej, andaj profeksionizmi i tij edhe ana origjinare buronte nga trashëgimia mitike. Muja i romanit, s’kishte të ndalur në procesin e thithjeve, pra ishte thjeshtë tip i pangopur. Ai thithte në të majtë e nën të djathtë, çfarëdo që i dilte përpara. Ishte tejet i shkathët si nga ana orale dhe ajo anale.  Dhe nga këto shkathtësi mund të konkludojmë se biri i tij Omeri vuante nga kompleksi edipian. Dhe në këtë kontekst, ai nga frika e kastrimit, nga pamundësia e luftimit të atit, i dha fund jetës së tij, jo si arketipi i tij mitik, por përmes mjeteve rrethanore, pra përmes over-dozës.

    Pra, romani “Vdekja e Omerit” mund të lexohet nga shumë perspektiva, të cilat e sfidojnë secilin lexues-krijues-kritik. Nga leximi im krejt subjektiv, mund të them se kulminacioni i këtij romani qëndron tek pjesa e emërtuar “Gudulisja” që flet për të qeshurën, ku autori ballafaqon me shumë finesë vdekjen dhe të qeshurën, si dy pika kundërthënëse. “Gudulisja” për mua është pika më kulminante e romanit. Njeriu prej se filloi të mendonte për vdekjen ose prej që shpiku vdekjen, minoi komedinë dhe të qeshurën. Që nga antikiteti deri në postmodernitet u bë luftë permanente për ta minuar e minimizuar komedinë, komiken, të qeshurën dhe buzëqeshjen. E krahasuan, e emërtuan e definuan si të panevojshme, të dëmshme për njeriun, duke i dhënë konotim negativ. Përse njeriu sot, në shoqërinë tonë ka nevojë më së shumti për qeshje, apo buzëqeshje të sinqertë e jo qeshje ironike apo skizofrenike, sepse të tillat janë manifestime postraumatike. Qeshja në romanin “Vekja e Omerit” është shpallje lufte ndaj morbiditetit, ndaj falsitetit, si dhe seriozitetit të tepërt. Gudulisja është instrumenti më efikas për ta nxjerrë njeriun e shoqërisë nga gremina e vërtetësisë. Përmes qeshjes, njeriu do të arrijë të demistifikojë dhe të delegjetimojë struktura rigjide dhe represive që luftuan të qeshurën.

    Konkluzionin mbi romanin “Vdekja e Omerit” do ta përmbyllja me shprehjen: vetëm vdekja është e pavdekshme.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË