More
    KreuLetërsiBibliotekëDr. Pashko R. Camaj: Panairi i Parë i librit shqip në New...

    Dr. Pashko R. Camaj: Panairi i Parë i librit shqip në New York

    Albanian BookFest, një nismë historike e lindur nën kujdesin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, po shënon një moment që shumëkush e ka pritur prej kohësh: kthimin e librit shqip në zemër të diasporës. Për herë të parë në Shtetet e Bashkuara, libri shqip ngrihet në piedestal jo si një kujtim i largët që merret me vete nga udhëtimet në Shqipëri, por si një realitet i prekshëm, i gjallë, i afërt. Ky festival nuk është thjesht një panair, por një akt themelor, një hap i parë i një rruge që synon të ndërtojë një urë të qëndrueshme ndërmjet brezave, kulturës sonë dhe identitetit shqiptar në tokën amerikane. Ai është një nismë që e vendos Vatrën sërish në pozicionin që ka mbajtur historikisht falë figurave të ndritura si Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kristo Dako, Qerim Panariti, Xhevat Kallajxhiu, Arshi Pipa e tjere: avangardë e vlerave, arsimit, letërsisë dhe shpirtit shqiptar.

    Ideja u lind nga një boshllëk i madh në jetën kulturore të komunitetit shqiptaro-amerikan. Për dekada me radhë, lexuesit shqiptarë në SHBA janë detyruar të presin vizitat në atdhe për t’u furnizuar me libra. Gjenerata të tëra janë rritur pa pasur pranë letërsinë e vendit të tyre, pa mundësinë të prekjen botën e Kadaresë, Fishtës, Camajt, Markos, Meksit, Mustafajt, Kongolit, Zhitit, Blushit e dhjetëra autorëve të tjerë. Në këtë realitet, lindi mendimi se diçka e madhe duhej nisur—diçka që do të sillte librin shqip te lexuesi shqipfolës këtu ku ai jeton, studion, punon dhe rrit familjen e tij. Kjo ide u përqafua menjëherë nga Vatra dhe udhëheqja e saj, duke shënuar nisjen e një projekti që synon të kthehet jo vetëm në një festë vjetore, por në një traditë që do të trashëgohet brez pas brezi.

    Albanian BookFest është një dëshmi e forcës së bashkëpunimit në diasporë. Organizata studentore shqiptare pranë universiteteve më të mëdha amerikane, shoqatat patriotike, shkollat shqipe, autorët e diasporës dhe shkrimtarët janë bashkuar për një qëllim të vetëm: t’i japin librit shqip vendin që meriton. Ky bashkim, i rrallë dhe frymëzues, tregon se komuniteti ynë ka potencial të jashtëzakonshëm kur punon i bashkuar, kur mban gjallë lidhjen me rrënjët dhe kur sheh kulturën si mision kombëtar.

    Interesi i madh nga shtëpitë botuese, më prestigjioze të Shqipërisë, Kosovës dhe viseve shqiptare—Onufri, Toena, Buzuku, Dukagjini, Fishta e shumë të tjera—e ngre akoma më lart peshën e këtij festivali. Disa prej tyre do të marrin pjesë personalisht në SHBA, të tjera do të dërgojnë stenda të plota librash, por e rëndësishme është që për herë të parë, pas kaq dekadash mungesë, lexuesit tanë këtu do të kenë akses të drejtpërdrejtë në botimet më të fundit, në letërsinë më të mirë, në frymën e gjuhës shqipe që i bashkon të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.

    Ky festival libri nuk është i destinuar të jetë një ngjarje e vetme. Është krijuar me synimin e qartë për të ndërtuar një traditë të re, të fuqishme, të qëndrueshme. Është menduar si një gur themeli i një epoke të re kulturore për diasporën. Si ideator i këtij projekti, uroj që Albanian BookFest të shndërrohet në një aktivitet vjetor që do të udhëtojë edhe në qytete të tjera amerikane, aty ku komuniteti shqiptar është i gjallë, i pranishëm dhe në rritje. Nëse Noli e Konica do të ishin mes nesh sot, ata do të ndiheshin krenarë duke parë se si Vatra vazhdon të jetë, si dikur, zëri dhe ndërgjegjja kulturore e shqiptarëve në Amerikë.

    Pikërisht për këtë arsye Albanian BookFest është më shumë se një panair libri. Ai është një moment kur diaspora jonë po vendos themelet e një trashëgimie që do të zgjasë për breza. Një hap i parë që do të hapë dyer të reja, që do të krijojë lidhje të reja, që do të frymëzojë fëmijët tanë të lexojnë në gjuhën e të parëve, që do të mbajë të gjallë një kulturë që ka jetuar përmes shekujsh. Kjo nismë i fton shqiptarët nga afër e nga larg të bashkohen në një festë të librit, të gjuhës dhe të shpirtit shqiptar. Është një ftesë për të ndarë gëzimin e librit, për të qenë pjesë e historisë, për të kontribuar në fillimin e diçkaje që do të lërë gjurmë dhe do të kthehet në një pasuri kulturore për komunitetin tonë në Amerikë.

    Albanian BookFest është ëndrra që po merr formë, është zëri ynë i përbashkët, është gurthemeli i një trashëgimie që do të krenohemi t’ua lëmë brezave që vijnë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË