KreuUncategorisedDr. Klara Kodra: Individualiteti krijues i një poeti filozof, Nuri Plakut

Dr. Klara Kodra: Individualiteti krijues i një poeti filozof, Nuri Plakut

Shumica e poetëve shqiptarë bashkëkohës e shkrin zërin e vet në një kor  të gjerë hermetik dhe pas – hermetik (ka edhe  një  pakicë poetësh që i  qëndrojnë besnikë realizmit, një lloj realizmi modern).

Çuditërisht poetët  shqiptarë e kanë  realizuar më mirë  veten në  pesëdhjetëvjetorin e diktaturës, kur ishin në luftë  të vazhdueshme me censurën  dhe vetëcensurën  dhe u duhej të mbroheshin përmes gjuhës së Ezopit. Lufta  estetike dhe  “e nëndheshme” me drejtimin  zyrtar të realizmit  socialist  i bëri paradoksalisht më të fortë  talentet e vërteta duke thyer  pseudotalentet dhe talentet  mediokër si era  që shuan  zjarret e vogla dhe u jep flakë  zjarreve të mëdha (Përjashtojmë  figura të tilla si Camaj  që e zhvilluan krijimtarinë e tyre jashtë atdheut).

Atmosfera e lirisë  relative e tridhjetëvjetorit  të fundit (në mes të dy shekujve) u  ka dhënë  jetë  pak  luleve  të  mirëfillta  lirike me një ngjyrë dhe një aromë të vetën.  Midis tyre përfshihet edhe Nuri Plaku, i cili dallohet për një  veçanti të poezisë së vet  që lëshon aromë  deti dhe ullinjsh dhe ka një problematikë ekzistenciale  dhe një  vulë  shqiptare.

Umberto Saba  që ishte edhe vetë  një poet  hermetik tepër  origjinal, thoshte: “Poetët, siç e dinë  të gjithë,  janë  egocentrikë. Për  ta bota  e jashtme ekziston, veçse rrotullohet  kryesisht  rreth vetes së tyre”.

Filozofët (metafizikë) kishin bërë një hap më shumë në rrugën e tyre: ishin “egokozmikë”.

Në poezinë e Nuri Plakut  ndërthuren  egocentrizmi i un-it lirik dhe ego-kozmizmi  i poetit  filozof.

Një veçori e këtij  poeti është  shkurtësia e vjershave të tij që ngjajnë si  fryte të intuitës lirike të ekzaltuar  nga Benedeto Kroçe[1]*. Kjo shkurtësi shpreh  thellësi mendimi poetik të strukturuar  me një  konçizitet të lavdërueshëm.

Fjalët  çelësa në poezinë e Plakut  janë; udhë, zjarr, dru, dhe, fushë, ulli, kryq, këmbanë, kalë, flutur. Këto fjalë pikturojnë  peizazhe  të caktuara, po shprehin edhe një afsh  vullkanik të fshehur  nën një  cipë  akulli dhe një  frymë  mistike, ca  tradicionale, ca  kozmike. 

Poeti shkruan në vargje  të lira që shprehin dëshirën e tij për liri  formale, po nganjëherë  ndeshim  në to  ndonjë  rimë,  të çelur  si lule  vetmitare.

Një veçori  grafike  e këtyre  poezive  është përdorimi  i fillimit të  fjalëve  me gërmë të  vogël në titujt  e tyre  si për ta zbehur  kështu në ndonjë  farë  mënyre  shkëlqimin e formës ose si  për të vënë, po  të  duam  të shprehemi me fjalët  e D’Anuncios[2]* (dhe të  ungjillit të Mateut) “pishtarin  nën shinik”.

Nuk është e qartë  nëse kjo  gjë  bëhet nga  modestia e poetit apo nga  dëshira  për të  evidencuar  më tepër përputhjen midis  mesazhit  dhe formës  në poezinë e tij, kështu  që po ia lemë  lexuesit ta gjejë  zgjidhjen e kësaj enigme.

   Dihet se  drejtimet e shumta  letrare të shekullit të kaluar (si, bie fjala, futurizmi dhe surealizmi) e përdornin  drejtshkrimin mjaft lirisht.  

Nuri Plaku  është një poet midis  modernizmit dhe pasmodernizmit, hermetizmit dhe pas – hermetizmit, errësisë dhe qartësisë. Vargjet e poezive të tij, ndonëse, siç thamë, mund të  karakterizohen si “të lira” janë të organizuara  në strofa, distike, katërshe, me të rrallë strofa  gjashtëshe.

Këto strofa kanë një veçori  befasuese: lidhen midis tyre përmes fjalës së fundit të rimuar të vargut të fundit që luan rolin e fjalës çelës (bie fjala, varfëri – fëmijëri; shtrat të zjarrtë vetëtimash – vdekjes sime). Ky procedim i shërben  muzikalitetit karakteristik që e dallon poezinë e Plakut, në dukje  larg nga organizimi ritmik tradicional.

Në të vërtetë rima nuk është e huaj për vargun e lirë si dëshmon vepra e shumë poetëve që në dukje kanë flakur vargonjtë e traditës.

Ky fryt i  vonshëm i evolucionit të poezisë (rima  në fakt u shfaq  pas vargut të bardhë të përdorur në lashtësi) vazhdon ende të shijohet nga lexuesit, duke ia shtuar shijen vargut aktual, qoftë ai edhe i lirë.

Lirikat  e Nuri Plakut  dallohen për një  mbyllje  shpërthyese  që transmeton  thelbin e  mesazhit  të autorit, një mesazh  njerëzor  dhe plot  vlera. Sepse  poeti  në këtë  atmosferë  krize  të vlerave, beson  në qenien e këtyre  vlerave, dashurinë për njerëzit, gruan, familjen, natyrën.

Pjesë integruese e poezisë së tij  është  malli për  fëmijërinë, një fëmijëri më tepër  e ëndërruar  se e jetuar,  fëmijësh të pjekur  para kohe, të ngjashëm  me kukulla “pa fëmijëri”.

 …………………….

  E ne lodheshim

  Duke vrapuar nëpër ëndrra

  Derisa lodhja na bëhej djersë

  E djersa na bëhej kollë

  E nga kolla

  Pështynim varfëri.

  Një ditë

  E pamë veten se ishim

  Kukulla të rritura

  Pa fëmijëri.

Nuri Plaku  ka një  poezi  erotike  të vetën  që i  këndon  vajzës  dhe gruas  në bukurinë e saj fizike dhe shpirtërore, më të simbolizuar se të  vizatuar, më të sintetizuar se sa të  analizuar. Është  një  poezi  që u  shmanget  teprimeve  erotike, shumë  të përhapura  në poezinë  shqiptare bashkëkohëse, të lidhura  me thyerjen e tabuve  tradicionale, po edhe  që synojnë  ta tërheqin  vëmendjen e  lexuesve. Poezia e Nuri Plakut është  një  poezi e një spiritualiteti  fisnik.

Mund të shtohet se poeti u takon  autorëve të rrallë  që i këndojnë  dashurisë bashkëshortore. Ai vizaton  në një  nga poezitë më të mira  të  këtij vëllimi (kafe  turke  në mesnatë)  një figurë  gruaje  që është  shoqe  besnike  dhe ndan  me poetin  çdo të  fshehtë, që, midis  aromës së kafes dhe pagjumësisë së ndarë me burrin e jetës së saj, e  bukur edhe me  flokët e saj të  thinjur,  ëndërron  tok me  bashkëshortin të ardhmen  që  ndrit  në sytë e fëmijëve  të tyre.

 …………………………………………………………………….

 Teksa avujt e kafes e thinjin mesnatën tonë të përbashkët

  Dhe thinjat e saj bëhen simotra të flokëve tanë të zbardhur.

  Ani grua

  Ne jemi pjesë e një bote në fluturim dhe s’duam asgjë tjetër

  Veç të jemi gurë sinoresh në udhën e gjatë të brezave,

  Shkruar me gjakun dhe qumështin e të parëve tanë.

  Ndoshta vjen një zog pylli të qendrojë një çast mbi ne,

  Të shkrifërojë me sqep pëndët e lodhura në stuhitë e qiellit

   E të cicërijë një këngë të thjeshtë zogjsh

   Kjo është pamje e bukur grua, për një gur – njeri

Dhe ne do ta shijojmë atë në të nesërmen tonë,

Nëpërmjet syve të përmalluar të fëmijëve tanë.

Ani, grua!

Dora jote në supin tim

Ma shenjtëron këtë natë të pagjumë.

Poezia e Nuri Plakut dallohet për dramaticitet por, megjithatë  nuk  derdhet  në pesimizëm ekzistencial. Kjo poezi  me frymëmarrje të gjerë  ka edhe një ngjyresë  shqiptare që shfaqet  në peizazhet  karakteristike dhe  përmes  zakoneve (dasma  dhe varrime).

Mund ta përmendim vjershën ku  shpërthen mallkimi i  një  nuseje “dasma e thyer”me shprehjen; “o të vraftë orizi i dasmës sime!” apo vjershën tjetër, “vau i  Jagodinës” që u kushtohet shtatë nuseve (vetë numri i tyre është fatidik) që mbyten tragjikisht gjatë ritualit të vajtjes  për ujë.

Mund të përmendim edhe vjershat që i kushtohen “arixhiut” me “llautë” ose “shtriganes së fshatit” figurë njerëzore dhe njëkohësisht mitike ose “arixheshkës që këndonte  formulat e fatit”.

Në  poezinë e Plakut ndeshim atë model organizimi semantik të fjalës poetike që është përkufizuar si simbol objektiv dhe Bartesi e quan  si “përmbysje në njohjen e  natyrës që thekson  jo-vazhdimësinë e saj”, në kontrast me harmoninë të ëndërruar nga romantikët.

Zoti që do të mund të vinte rregull në këtë jo-vazhdimësi dhe fragmentarizëm s’është aq mungues  sa i largët. Poeti dëshiron  ekzistencën e tij, po s’është i sigurt për të. Nganjëherë Nuri Plaku i referohet  Krishtit dhe simbolit të tij, Kryqit, shpreh dhimbjen  e vet për kryqëzimin  e përditshëm të njerëzve dhe krijon një  “bibël” të vetën njerëzore  dhe të shkrirë me natyrën.

Poezia e Nuri Plakut është vizive, në peizazhet e tij lule, pemë dhe zogj kanë emrin e tyre të veçantë dhe të saktë: trëndafila, lulekuqe, pisha, plepa, qiparisa, ullinj, lejlekë, guguftu, pulëbardha, gjela, harabela; janë të pranishëm edhe “vëllezërit e vegjël” të njeriut:, kuaj, lepuj, flutura, milingona, një mace vetmitare. Këto peizazhe kanë ngjyrat e veta: e kuqe, e verdhë, e gjelbër, e kaltër, bardhë, ngjyra reale dhe simbolike.

Disa lirika mbajnë erë det: Plaku u takon  poetëve të rrallë shqiptarë që i këndojnë  detit,  po i këndon në mënyrën e vet, ndryshe nga poetë si Fatos Arapi dhe Agim Mato.

Mund të  thuhet  edhe se kjo  poezi  është auditive, meqenëse,  edhe nëse është strukturuar në vargje të lira, ka një muzikalitet të çuditshëm të vetin. Lirika  e Plakut  është një lirikë mendimi  që mund  të përkufizohej  si “e  gurtë”, po të mos përmbante  një “zjarr” potencial  dhe të  mos ishte  përherë  gati  të shkrepte  shkëndija.

Jo rastësisht, një nga  fjalët çelësa  të kësaj  poezie është zjarr dhe përsëritet  si titull në poezi të ndryshme.

Ky autor  dallohet edhe për  një pasuri  të veçantë  figurash që e befasojnë gjithnjë lexuesin: metafora,  simbole dhe krahasime që ofrojnë  me njëra tjetrën dukuri nga  më të ndryshmet, konkrete dhe abstrakte. Në  shumicën e rasteve, poeti  godet në shenjë me këto figura të reja dhe të guximshme: “hëna e holluar” e “pirë  nga nata”, “bohçja e nënës”, “mbushur  me hapat” e poetit, selvia që është “një shatërvan i blertë shpirtrash”, “lidhësat e këpucëve” të  thurura  me “këngën e gjelave të parë”, “kryqi i zi” prej  “mjegulle”, “shegët e ….. gjakut”, vathët ….. “milingona të argjendta”, ………………. prilli “i gëlltitur”.

Simbolet e kalit  dhe të  fluturës janë polivalente. Metafora më e habitshme është “trëndafili i kuq” te poezia “brinja e mbjellë”që duhet  të shënonte  vdekjen e poetit. Kjo metaforë  ia kalon, për mendimin  tonë  “shkëmbit të bardhë” të  Karduçit[3]*.

Kërkoj një adresë të kaltër ikjesh

Fshehur nën krahët e zogjve

Të më çojë

 Në një shtrat të zjarrtë vetëtimash.

 Do të shqyej brinjën time nga trupi

 Ta mbjell atje

 Të mbijë prej saj

 Një bisk i bukur gruaje.

 E do të pres

 I përgjeruar mbi të

 Derisa të çelë

 Trëndafili i kuq

 I vdekjes sime.

Mbase këto afrime  të guximshme  dëshmojnë për dëshirën  e poetit për të rivendosur një harmoni  dhe koherencë  të natyrës  përmes jo – vazhdimësisë që  shndërrohet në  vazhdimësi.

Në mungesë të  një perëndie  metafizike  kjo detyrë  i takon  poetit  demiurg. Pasuria e  shumëngjyrshme e figurave i jep një shije të veçantë poezisë së Plakut, po  në disa raste rrezikon të krijojë një ndjenjë ngopjeje te lexuesi si mbingarkesa e gjellëve me kripë.

Ky shndërrim i një cilësie në një të  metë  takohet  në shumë  nga poetët  e sotëm shqiptarë, sidomos  hermetikë dhe shkaktohet  nga një  pasion i  papërmbajtur për figurat.

Poezia e Plakut  është, në  thelbin e vet,  moderne  dhe elitare, megjithatë  ka disa pika  kontakti  me poezinë  popullore kryesisht  përmes figurave (që  s’janë  megjithatë  të thjeshta dhe të qarta si në  folklor) dhe ndonjë  element etnografik.  Kjo dëshmon  një herë e më tepër  për rrënjët e tij shqiptare ndaj të  cilave poeti  me gjithë frymën  kozmike të tij, është  i lidhur fort.


[1] * Filozof dhe studiues letërsie  i shquar italian.

[2] * Poet, dramaturg dhe romancier dekadent i njohur italian. “Pishtari nën  shinik” është titulli i një  tragjedie  të tij.

[3] * Aludohet për një sonet të poetit nobelist italian Karduçi ku vdekja  emërtohet “shkëmb i bardhë”.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË