More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDr. Feride Papleka: Paralele midis Qosjes dhe Fuentes

    Dr. Feride Papleka: Paralele midis Qosjes dhe Fuentes

    Gjatë leximeve të mia në Qendrën George Pompidou, më ra në dorë libri La Frontière de verre (Kufiri prej xhami) i  shkrimtarit meksikan Karlos (Carlos) Fuentes, roman në nëntë tregime, botuar në Meksiko më 1995 dhe përkthyer në Francë më 1999. Libri shpreh një patriotizëm të madh, një dashuri për popullin meksikan që jeton në një tokë kufitare, dikur tokë e Meksikës e pushtuar nga Amerika e Veriut. Ai është një himn për atdheun, për tokën e të parëve, një rivlerësim moral i tij, njëlloj idealizmi pa asnjë tepri dhe një luftë e pamëshirshme kundër mediokritetit që i sjell aq e aq të këqija mbarëvajtjes së jetës, tërë shoqërisë. Disa personazhe kanë vese të mëdha, nuk e kuptojnë kohën dhe shpeshherë bëhen kundërhistorikë.

    Pas atij leximi, menjëherë më shkoi  mendja te kryevepra e Rexhep Qosjes Vdekja më vjen prej syve të tillë, 13 tregime në një, botuar në Prishtinë më 1974 dhe përkthyer në Francë më 1994 me titull  La Mort me vient de ces yeux-là, një epope tragjike për një shkrimtar që jeton mes shqiptarëve “popull i ndaluar”, në tokën e vet në ish-Jugosllavi, një bashkësi e kërcënuar edhe nga një robëri e dytë, nga medikroiteti. Goditja e brendshme që përjeton heroi qendror si pasojë e mungesës së lirisë dhe e moskuptimit, është “shkatërrim i projektit të qenies” sipas Sartrit, një pengesë thuajse e pakapërcyeshme për të bërë një zgjedhje themelore të lirë, të atillë që mund të ndihmojë në lulëzimin e unit që çon pastaj në realizimin e personalitetit. Robëria shpirtërore solli një mënyrë të veçantë shkrimi te Qosja, i cili përmes heroit të tij shkrimtar pasqyron ndër të parët në letërsinë shqipe edhe meditimet për aktin e shkrimit letrar, si funksion themeltar për zgjimin e nënvetëdijes.

    Parashtrim

    Letërsia e krahasuar është degë e kritikës letrare që vë përballë veprës letrare një ose disa vepra të tjera dhe zbulon afri që shfaqen në praktika dhe kultura të ndryshme shkrimore. Me anë të analizave vihet në dukje aftësia e kulturave për të prodhuar vepra me lidhje të reja duke u nisur nga trashëgimia e përbashkët imagjinare, vëzhgohet dialogu ndërtekstor dhe ndërgjinor i veprave letrare, trajta e ligjërimit, forma e rishkrimit të miteve antike e të përrallave, përkthimi me ndryshimet dhe ngjashmëritë mes gjuhëve dhe shumë e shumë veçori të tjera. Aftësia për të « ndërtuar krahasime», – sipas terminologjisë që përdor një studiues kanadez, – të cilat marrin parasysh ndryshimet, po aq sa edhe ngjashmëritë e letërsive dhe kulturave, « është një kusht parësor » për të nxjerrë përfundime të vlefshme dhe për të vënë në praktikë një shkencë të vërtetë ndërdisiplinore. Veç kësaj, krahasimi është një mënyrë e funksionimit të mendjes njerëzore, i domosdoshëm për përparimin e njohjes në të gjitha fushat.

     Studimet kritike rreth imagjinares ripohojnë strukturimin “materialist” ose figurativ të një teksti letrar, i cili përpunon perceptimin tonë për botën. Forma e të shprehurit ftillon idenë e funksionit komunikues të ligjërimit, por rrëfimi i lidhur me fakte të nxjerra nga jeta është cilësi e romaneve jetëgjata që shndërrohen në vepra klasike, ashtu si ka ndodhur me veprat në fjalë. Në letërsinë e krahasuar horizonti pushon së qeni i kufizuar, sepse republika universale e letrave sendërtohet në një kozmos të ri krijues.

    1 Kufiri prej xhami (La Frontière de verre), është roman me nëntë tregime që nyjëtohen rreth historisë së jetës së personazhit kryesor dhe disa personazheve çelës, të cilët takohen nga rastësia e jetës ose nga lidhjet e gjakut, në kufirin mitik, vend i të gjitha grindjeve problematike, i të gjitha lakmive. Historia e tyre nuk mund të shkruhej ndryshe, përveçse si një roman me rrëfime që i bashkon një ide e fuqishme: vetëdija kritike e shoqërisë meksikane. 

    Kufiri që ndan Meksikën nga ShBA-ja, përgjatë lumit që e quajnë Rio Grande në njërën anë dhe Rio Bravo në anën tjetër, është një kufi dramatik. Njeriu i tregtisë së ndjenjave njerëzore, Don Leonardo Barroso, një bashkëpunëtor i “pushtuesit”, sepse ajo tokë kufitare dikur ka qenë e Meksikës, “i nënshtruar vullnetar” për privilegje, do të shprehej Qosja, me një mungesë të madhe në karakter, i lidh interesat e tij me ata tregtarë amerikanë, të cilët shfrytëzojnë dobësinë e popullatës së një vendi të varfër, në një tokë amerikane, por që ka qenë dikur territor i Meksikës. Carlos Fuentes në të nëntë rrëfimet bën që të gjallojë në sytë e lexuesit një popullsi kufitare, shpesh e ardhur nga zonat më të varfra të Meksikës për të mbijetuar. Rrëfimi bëhet në një sfond nostalgjik, shumë prekës se ky jug i ShBA-së ishte tokë e Meksikës, por që për fat të keq mund edhe të kishte mbetur djerrë nga përtacia e bashkëvendësve të vet. Lexuesi e imagjinon romanin si një skenë dramatike, ngjarjet e së cilës i përjeton sikur të merrte pjesë vetë në të. Rrëfimtar virtuoz, autori luan njëherësh me imagjinatën, me gjuhën e me ironinë dhe merr në duar frenat e një historie që na çon në të gjitha labirintet e jetës kufitare, duke zbuluar edhe të pathënat.

    Pamjet e shumta të këtij romani i lejojnë Fuentes  të shpalosë një galeri regjistrash shkrimi, nga stili më poetik, në gjuhën e folur të përditshme, duke u shndërruar në ithtar të përzierjes së kulturave dhe gjuhëve. 

    2 Vdekja më vjen prej syve të tillë,  është roman me trembëdhjetë tregime, që përbëjnë një histori të vetme me episode tragjikomike, në të cilën përshkruhet lufta e brendshme me përmasa metafizike që lidhen në mënyrë marramendëse me kuptimin e ekzistencës. Xhezairi i Gjikës, personazhi qendror i romanit, përballet me pengesa të forta si dhe me ndërveprimet e çuditshme midis njeriut dhe mjedisit në të cilin jeton.

    Në këtë roman, Qosja shtron pyetjet e mëdha të epokës që kanë të bëjnë me moralin shoqëror, me dashurinë, me traditën, me kohën, të shprehura në një formë të re letrare. Nuk është fjala për një formë të dorës së dytë nga ato që i sjellin harmoni të jashtme objektit të kërkimit, as për gjinitë letrare dhe kufijtë mes tyre. Fjala është për të vërtetën artistike të vështruar në mënyrën më të plotë të mundshme.Rruga e vetme për autorin në këtë vepër ishte të mendohej njëherësh lënda dhe qëllimi, fjala dhe mjetet shprehëse, forma dhe idetë.

    Xhezairi, simbol i lirisë është kundër robërisë shtetërore të ngritur në sistem, por është edhe kundër çdo lloj robërie tjetër që e detyron të mbyllet në vetmi e të shkëpusë përditë e më tepër lidhjet me botën që e rrethon. Kriza e tij psikologjike arrin kulmin kur sheh në ëndërr nëpërmjet një makthi vegullimtar sesi përgjuesi dhe mbikëqyrësi i tij, Danjolli i Sherkës, kërkon të dijë edhe çfarë shkruan.Tërheqja që ushtrojnë te personazhi shkrimtar fuqitë irracionale, makthet dhe nënvetëdija, tregojnë për një vullnet të shkatërruar mes një bote kaotike. Ligjërata e çekuilibruar në hetuesi vërteton më së miri arsyetimin e tij të turbulluar, që është si rekuiem për rënien e njeriut që dëshiron thjesht të jetojë i lirë dhe ta vëjë dhuntinë për fjalën e shkruar në shërbim të shoqërisë. Por, e keqja rri zgjuar dhe për për ironi të fatit, vitet më të mira të jetës së tij, vite që janë të pakthyeshme, ikin me kërcënime, përndjekje dhe me burgim. Kjo është karakteristikë për shoqëritë e mbyllura, totalitare që bëhen të pakuptueshme për vetjet që janë në pararojë.

    Autori, një vizionar i guximshëm, në trembëdhjetë tregime përshkruan kështu një histori shqiptare  të vështruar nga kënde të ndryshme familjare, shoqërore e shtetërore. Tërë arti i romancierit përmblidhet në marrëveshjen midis vizionit të tij dhe realitetit. Lexuesi sheh edhe si derdhet pa mëshirë një vështrim ironik e sarkastik mbi dukuritë negative, të cilat njollosin dhe mbytin pa reshtur origjinalen dhe të bukurën.

    Ka një lojë filozofike të besueshme kur thuhet se romani i “krijon” personazhet, po aq sa personazhet e “krijojnë” vetë romanin. Sepse “Romani e ka shoqëruar njeriun që në fillimet e epokës moderne,- shkruan Milan Kundera, në librin Arti i romanit – dhepasioni për të njohur botën ka bërë që ai të shqyrtojë jetën konkrete […][1].  Këtë pasion shkrimtari e shfaq kryesisht në ligjërimin e personazhit letrar, i cili është qenie e trilluar. Qosja del si eksperimentuesi i një forme të veçantë në fushën e romanit. Stili i tij ndryshon prej modeleve tradicionale. Vepra është unike dhe koherente, domethënë me një vazhdimësi të ngjarjes, pavarësisht nga forma fragmentare e zgjedhur posaçërisht prej autorit. Përmes rrëfimit fragmentar veprohet si me dritëhijet që sjellin kontrastin në pikturë. Në kopertinën e katërt të botimit që ka bërë Gallimard, mes të tjerash shkruhet : « La Mort me vient de ces yeux-là, një roman i shkurtër me një bukuri madhështore…».

     Që nga hyrja e tij në letërsi ky prozator e ka përdorur formën e rrëfimit për t’iu përshtatur subjektit. Ngjarja herë-herë e tejkalon autorin dhe futet në një kuptim universal: një histori lirie që përfundon me vdekje.

    Ngjashmëritë

    1 Qosja dhe Fuentes vendosin në qendër të veprave të tyre çështjen e ligjërimit në një hapësirë të pushtuar.

    2 Të dy autorët janë shkrimtarë që u përkasin vendeve të ndryshme, por i bashkon  shqetësimi si protagonistë të kohës së tyre.

    3 Fragmentarizmi i romaneve është pasqyrë e fragmentarizmit të jetës.

    4 Të dy autorët nisen nga një element i realitetit për të ushqyer fiksionin e tyre.

    5 Thurima e romaneve me disa rrëfime i ngjan një drame konkrete të jetës njerëzore përballë ashpërsisë së botës që nganjëherë shkon deri në barbari.

    6 Simbolika e mungesës së lirisë është e pranishme në veprën e të dy autorëve.

    7 Autorët e vendosin ngjarjen në një kuadër hapësinor të trilluar

    a Qosja në Vajazan, emër i sajuar prej tij që do të shfaqet më vonë edhe në krijime të tjera letrare, ashtu si do të shfaqen edhe disa personazhe, dëshmi e një organizimi sintetik të veprës së tij.

    b Fuentes në një tokë kufitare midis Meksikës dhe Sh.B.A-së. 

    8 Në të dyja romanet personazhet qarkullojnë nga një rrëfim në tjetrin, natyrshëm duke ushqyer ngjarjen kryesore; çdo personazh është bartës i historisë së vet.

    9 Rrëfimet janë rrëfime të paqetësisë, flasin për kushte të veçanta të jetës së njeriut të mbërthyer nga çështje ekzistenciale.

    10 Tekstet janë manifeste kundër tiranisë shtetërore. 

    11 Nëpërmjet zërave të ndryshëm që mbivendosen, lexuesi bëhet dëshmitar i metaforës së  fuqishme: raporti i njeriut me pushtetin.

    12 Mungesa e lirisë krijon rrethana që e bëjnë jetën vështirë të jetueshme:

    a Përndjekja te Qosja

    b Aventurizmi te Fuentes.     

    13 Romanet kanë nga një antihero: Danjolli i Sherkës dhe Don Leonardo Barroso.

    14Të dy autorët shfrytëzojnë konfliktin:

    a Qosja, konfliktin midis Shqiptarëve e Serbëve dhe mes Shqiptarëve me njëri-tjetrin.

    b Fuentes, konfliktin midis Amerikanëve e Meksikanëve dhe mes Meksikanëve me njëri-tjetrin.

    15 Ngjarjet e romaneve përbëjnë një fenomen të vërtetë shoqëror.

    16 Kohësia në gjirin e strukturave rrëfimtare të romaneve përshkohet nga ideja universale se liria është ajo e mirë që sipas Monteskjesë “bën që të lulëzojnë të mirat e tjera”. 

    17 Në këta romane shpesh ndërthuren ëndrrat me imagjinatën.

    18 Të dy autorët janë të vetëdijshëm për rolin e tyre në shoqëri, kanë një shkrim të vetvetishëm.

    19 Në rrëfime sundon ironia dhe humori i zi.

    18 Veprat kanë një antagonizëm të shprehur:

    a Qosja: Shtet-Artist.

     b Fuentes: Të varfër-Të pasur.

    20 Romanet kanë frymë filozofike.

    21 Që në titull ata zgjojnë kureshtjen e lexuesit:

    a Vdekja më vjen prej syve të tillë, me fjalën vdekje.

    b Kufiri prej xhami, me fjalën kufi.  

    22 Subjekti i romaneve i ndërthurur në disa histori të vogla, zbulon dalëngadalë, në mënyrë mjeshtërore idenë e krizës së unit në kontradiktë me botën e jashtme. 

    23 Romanet përshkruajë dhunën shtetërore:

    a Dhuna ndaj Shqiptarëve, shkelja e të drejtave qytetare, te Qosja.

     b Dhunë ndaj Meksikanëve, puna e papaguar, te Fuentes.

    24 Romanet shtrojnë pozitën e gruas në shoqëri; fati i saj është tragjik. 

    a Te Qosja: Rudina, Trashja, Afitabja, Rina…

    b Te Fuentes: Michelina, Marina, Jozefina. Audrey…

    25  Arti shkrimor te të dyja romanet është arti i thyerjes, i relievit, i ndërprerjes, i shijes për një ligjërim epik, në të cilin bukuria  përftohet nga fjala dhe veprimi.

    26 Romanet në fjalë shtrojnë temën e padrejtësisë historike: Kosovë, Meksikë.

    27 Autorët kanë shije për një shkrim me strukturë muzikore simfonike; të duket se  ngjarja nxiton drejt fundit si në një vdekje të paralajmëruar.       

    28 Ata shpalosin një shkrimësi që e vë lexuesin në mendime.

     29 Ata shquhen për përdorimin e simboleve: pena te Qosja; kufiri te Fuentes.

    30 Të dy autorët ndalen te orët e zymta të historisë për të zbuluar burimet e së keqes.

    31 Vdekja është e pranishme në të dyja romanet.

    a Te Qosja: personazhi kryesor vdes papritur, si rrjedhim i kushteve të rënda jetësore

    b Te Fuentes: shumica e personazheve vdesin në një akt terrorist. 

    32 Romanet janë polifonike me satirë shoqërore.

    33 Ato shquhen për përdorimin e stileve të ndryshme në rrëfime të ndryshme.

    34 Ata kanë frymë poetike që në titull: Vdekja më vjen prej syve të tillë dhe Kufiri prej xhami

    35 Romanet janë përsosje e formës si themeli i imagjinatës dhe i përshtatjes me materien rrëfimtare.

    Përfundim

    Ngjashmëritë janë tipologjike, përkime në kërkim të formave dhe ideve të reja dhe duhet të shënoj se Qosja e ka botuar librin e vet 21 vjet para Fuentes, madje 22, po të marrim parasysh edhe botimin e tij në disa numra të revistës Jeta e Re, më 1973. Kjo tregon se ai është integruar që në fillimet e krijimtarisë letrare me përpjekjet europiane e botërore për ta pasuruar letërsinë me forma të reja. Romani i kompozuar me tregime apo rrëfime që ushqejnë ngjarjen kryësore, është një tip i veçantë romani, i cili u praktikua me sukses nga Qosja. Vëzhgues i thellë, ai e pasuron energjinë krijuese edhe me një kureshtje të madhe intelektuale që i karakterizon personazhe të veçanta të veprës së tij letrare.

    Veprat e shquara artistike jetojnë me kuptimin që u jep lexuesi. Ato i përkasin të ardhmes. Në çdo vepër të përkryer duket sikur tingëllon ora e apoteozës së historisë.


    [1]  Milan KUNDERA, Arti i romanit (L’art du roman), Paris, Gallimard, 1986, f. 20.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË