More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDr. Fabio M. Rocchi: Stereotipe me prejardhje ballkanike: mbi dy veprat e...

    Dr. Fabio M. Rocchi: Stereotipe me prejardhje ballkanike: mbi dy veprat e para të shkrimtarit Elvis Malaj. (Udha e dorës, E: 9)

    Elvis Malaj lindi në Shqipëri, por u rrit dhe formua – edhe në aspektin shkollor – në Itali. Në vijim të kësaj eksperience personale, duhet të vendoset pra në një kategori të dallueshme nga kanuni i autorëve që po kërkoj të rindërtoj përmes rrugëtimit të rubrikës Udha e Dorës. Kemi të bëjmë me një zë që përmban të dy imagjinarët, atë shqiptar të origjinës dhe atë italian të mbërritjes, nën një këndvështrim të ndryshëm krahasuar me autorë si Kubati, Dones, Vorpsi, Ibrahimi, Spanjolli apo Dedja. Fakti që ka përfunduar studimet në Itali dhe që ka përjetuar nga afër mekanizmat dhe profilin shoqëror të saj që në moshë të vogël, e bën atë jo vetëm të veçantë, por, mbi të gjitha, më të afërt me një ndjeshmëri italiane jashtëzakonisht bashkëkohore. Për momentin ai ka shkruar vetëm dy vepra, një përmbledhje me tregime të shkurtra me titull Dal tuo terrazzo si vede casa mia (Racconti Edizioni, Romë 2018) dhe një roman, Il mare è rotondo (Rizzoli, Milano 2020). Pavarësisht kësaj, duke konsideruar veç të tjerash moshën e re, më duket se jemi në prani të një zëri mjaft interesant, neto prej disa reflektimeve që dëshiroj të ndaj mbi mekanizmat botues që dallojnë tregun e librit në këtë fazë.    

    Veçoritë e zhanrit të shkurtër: të rrëfesh të rinjtë në kufi mes dy botëve.

    Siç kemi parë në shumë raste – për Ornela Vorpsin, për Alketa Vakon dhe për Arben Dedjan – zhanri i shkurtër ka përfaqësuar një alternativë ndaj romanit, i aftë të zhvillojë potenciale narrative komplementare dhe të ndryshme krahasuar me fabulën romanceske e tradicionale. Edhe Malaj debuton me tregime, duke na dhuruar një përmbledhje, Dal tuo terrazzo si vede casa mia, e cila, mes meritave të tjera, mban edhe një rekord të jashtëzakonshëm. Është në fakt vepra e parë italofone që hyn në dymbëdhjetë librat e përzgjedhur për finalen e çmimit prestigjioz Strega, e prezantuar nga një skedë e Luca Formenton. Në këtë përmbledhje është e dukshme loja mes brigjeve të dy anëve të Adriatikut. Në një mënyrë thuajse lineare, historitë e vendosura në Shqipërinë në tranzicion alternohen me fragmente të jetës në të cilat shqiptarët dhe italianët e brezit të ri përpiqen të bashkëjetojnë në mozaikun e nderlikuar social të Italisë së fillimviteve Dymijë. Në këtë libër debutues, Malaj transferon të gjithë freskinë e përshtypjeve të tij prej Millenial në një terren të paeksploruar deri atëherë. Në fakt, janë të rinjtë e sapo dalë nga faza e adoleshencës ata që marrin hapësirë e shprehin mendimet dhe aspiratat e tyre. Historive të ambientuara në Shqipëri u korrespondon vështirësia për t’u çliruar nga shkretimi i post-regjimit dhe disa trashëgimi kulturore të rrënjosura thellë. Ndërsa skenarit italian i delegohet detyra e përshkrimit të disa tensioneve të lidhura me multikulturalizmin në rritje, i cili, me mbylljen e shekullit të nëntëmbëdhjetë, ka qenë një faktor i vërtetë risie – dhe ndonjëherë tensioni – në një shoqëri që deri pak kohë më parë jetonte e strukur në një mirëqenie të përgjithshme.

    Dy tregime, ndër të dymbëdhjetët që Malaj ka shkruar, spikasin për pjekuri dhe arritje figurative. Në Scarpe, dy personazhe margjinale, në një qytezë të humbur periferike, luftojnë kundër kufijve të jetës që po i zë në kurth, duke përpunuar një dëshirë emancipimi iluziv përmes ndërrimit të këpucëve që Dedës i rrinë ngushtë dhe Fatmirës së re i mungojnë totalisht. Ajo përfundon duke iu dhënë djalit, i cili e çon në shtrat me një hile, duke i premtuar pikërisht blerjen e atyre që janë shndërruar në një status simbol të vërtetë në Shqipërinë e ndryshimit. Ndërsa te Il televisore, i ambientuar në Itali, një televizor i vjetër katodik braktiset nga dy rumenë pranë një koshi plehrash. Familja e protagonistit, Bashkim, e merr me vete për pak kohë, por, në fund të tregimit, objekti – dikur teknologjik dhe tani i pavlefshëm – bëhet burim sherri mes Bashkimit dhe dy djemve me ngjyrë. Kalimi nga një dorë në tjetrën i televizorit të rëndë e të padobishëm tregon në mënyrë shumë efikase kryqëzimin e popujve dhe etnive që jo rrallëherë përplasen në Italinë e melting pot.  Kjo aftësi e Malaj – që vetëm sa u prek me këta dy shembuj – për të bërë të flasin objekte në pamje të parë të parëndësishëm, përkthehet në teknikë shprehëse në momentin që historia shndërron këta objekte në simbole të një kuptimi më të gjerë. Bëhet fjalë pa dyshim për një mjet tregimtar tërheqës, i aftë për t’i ofruar lexuesit pamje të realizmit social të arrira e të pajisura me personalitet përshkrues. Megjithatë, për fat të keq, siç do të shohim në vazhdim, një nga prerogativat që e bënte atë më interesant pas shkrimit origjinal, duket se humbi rrugës, në momentin kur Malaj kaloi nga forma e shkurtër në një arkitekturë më të zhvilluar: atë të romanit.

    Të qëndrosh mes dy brigjeve. Il mare è rotondo.

    Në prag të pandemisë, në vitin 2020 doli në treg nga shtëpia botuese Rizzoli romani i parë i Elvis Malajt, Il mare è rotondo.

    Stili thelbësor që kishte karakterizuar përmbledhjen e tregimeve konfirmohet, ndonëse jo në mënyrë aq të shkëlqyer sa kishte ndodhur në kohën e debutimit. Një ndryshim tjetër, më thelbësor, me tregimet: te ato, një vështrim i ndarë mes dy botëve, asaj italiane dhe asaj shqiptare, i jepte jetë një shkëmbimi ndërkulturor në distancë, në një lojë përvojash plotësuese. Ndërsa te romani, vëzhgimi spostohet tërësisht në tokën e Malajt dhe Italia veç evokohet herë pas here. Decentralizimi i veprimit ndikohet ndoshta nga disa stereotipe tipike të vizionit perëndimor mbi Ballkanin – personazhe të egër, akte të papritura dhune, stanjacion para-modern, armiqësi e hapësirës arkitekturore dhe urbane – por vështrimi i autorit mbetet në shumë aspekte aderues ndaj realitetit, me meritën e mëtejshme të përshkrimit të ngjarjeve të një faze historike, atë të fillimviteve Dymijë në Shqipëri, e cila ende nuk kishte pasur përfaqësimet e duhura në letërsinë italofone.

    Te Il mare è rotondo kam rigjetur padyshim talentin tregimtar që më kishte goditur në tregimet e para. Duke treguar edhe fabulën herë pas here, do të dëshiroja të përqëndrohesha në disa referenca ndërtekstuale që mund të gjenden mes dy veprave, në përpjekjen për të përvijuar disa konstante të imagjinarit të Elvis Malaj. Nga ana tjetër, ato tregime përbëjnë një rezervuar idesh, të cilat më pas rimerren në roman, në disa raste përmes rishkrimeve mjaft të përpikta.

    Dimensioni i fragmentit dhe aftësia për të mbajtur gjithmonë të lartë ritmin e rrëfimit, falë teknikës së colpo di scena, e bëjnë leximin e këtyre 230 faqeve të rrjedhshëm dhe të këndshëm. Në nëntëmbëdhjetë kapituj tregohen disa episode nga jeta e të riut shqiptar Ujkan. Djali dëshiron të shkojë në Itali, por, pasi mbërrin pak metra larg plazhit, gati për t’u hedhur nga varka që e transportonte përgjatë Adriatikut, vendos të kthehet mbrapsht. Në Shkodër, në qytetin e tij, bie në dashuri me Irenën, një vajzë kontroverse, e mbyllur në vetvete dhe shpesh e prirur ndaj reagimeve të dhunshme.

    Në mes, një grup i ngushtë miqsh: shkrimtari Sulejman, Gjoka – djali i një biznesmeni, dhe Bashkimi i cili ishte transferuar në Itali dhe do të duhej të përfaqësonte ndërmjetësin për mbërritjen e Ujkanit. Ditët e këtij të fundit përhumben në tentativa pa qëllim: një aktivitet sipërmarrës i ndërtuar rreth grumbullimit të hekurit, pritja për një nisje të dytë drejt Italisë, dhe, mbi të gjitha, afrimi problematik ndaj Irenës, e cila shpeshherë e refuzon pas marrëdhënieve të shpejta seksuale. Tema e vajzës konfliktuale, me psikologji komplekse, ishte shfaqur disa herë në përmbledhjen e vitit 2018. Për shembull, tregimi Mrika parashikon në disa sekuenca takimin mes dy protagonistëve, i qendërzuar rreth magnetizmit të lëvizjeve të trupit të vajzës, vërejtur gjatë udhëtimit me biçikletë.

    Në raportin mes zgjerimit të kohës dhe ironisë me të cilën çmitizohen arsyetimet e personazheve gjejmë kuptimin që i transferohet në mënyrë implicite mbiemrit Ballkanik, që shoqëron romanin në kopertinë. Disa stilema kondensohen në situata groteske, ato që filmat e Emir Kusturicës kishin sjellë në vëmendje në fund të viteve 1990. Rikthehen të paprekura disa figura të pamundura bashkë me kaosin marramendës të veprimeve pa një teleologji të qartë. Në një transpozim ideal kinematografik, shumë nga skenat e Il mare è rotondo do të mund të montoheshin vetëm me shoqërimin ritmik të klarinetës dhe tubave të The no smoking orchestra.

    Personazhi jo koherent, i ndërtuar mbi motivin e rrethores që mban titullin dhe që shpreh semantikën figurative të romanit, nuk bën gjë tjetër veçse rrotullohet pa qëllim rreth vetes. Kjo «sindromë», që e kthen gjithmonë Ujkanin në pikënisje, përmbledh një paaftësi për të shkuar më tej (f. 70). Por nuk kemi të bëjmë me një gjendje që prek vetëm protagonistin. Është një antropologji e tërë që vuan prej saj, ndërkohë që fsheh brenda një formë dhimbjeje. Malaj zgjedh të mos e shprehë me ngjyrat e dramës, sepse nuanca e tij e preferuar është ajo e absurdit. Autori heq dorë nga çdo tentativë epike, edhe në skenat në dukje më të komprometuara me rrezik vdekjeje, si ato të rrahjeve të cilave u nënshtrohet Ujkani. Parehatia, qoftë edhe ekzistenciale, shprehet nëpërmjet ndërtimit të situatave paradoksale, të cilat rezultojnë më pak djegëse për shkak të përdorimit të regjistrit të ironisë.

    Këtë poetikë të së palogjikshmes e ka mishëruar në mënyrë perfekte një personazh dytësor, kantautori Shpat, i cili vendos të vetëvritet gjatë një koncerti në shesh, duke shkrepur një pistoletë në gojë. Shpati mbijeton, ndërsa një spektator në një pallat pranë skenës humb jetën, i goditur nga një plumb qorr endacak, i cili vetëvrasësit Shpat vetëm sa i shpoi faqen.

    Uria që Ujkan duket se ushqen së bashku me Irenën për Italinë çmitizohet nga më shumë se një detaj. Shfaqet në tekst një kundërvënie polemike dhe e heshtur, që flet në mënyrë të pakontestueshme, duke sjellë imazhe jo fort inkurajuese. Edhe pse projekti i protagonistit –  jorealist dhe i penguar nga një sërë ngjarjesh të papritura që vonojnë me mjeshtëri përmbylljen e tij –  është të largohet përgjithmonë nga Shqipëria dhe të kërkojë fatin e tij në vendin e mirëqenies së supozuar, nga një sërë të dhënash mund të thuhet se Italia ngjan më tepër me një tokë të premtuar të rremë. Armiqësore që në skenën e parë, ajo ku forcat e policisë presin në plazh emigrantët që sapo janë hedhur në ujë nga gomonia, në rrëfimet e mikut të tij Bashkim, të transferuar prej vitesh dhe të integruar në sistemin italian të punës, gjejmë konfirmim të kushteve të pakëndshme: paragjykimet; vajza të pafrenuara dhe të llastuara nga mirëqenia atërore; klientët arrogantë në kërkim të një justifikimi për të shkaktuar telashe; mungesë parash; sekuestrime të detyruara.

    Kur Ujkani mëson për falimentimin e hotelit që duhet ta priste me kontratë pune, i apelohet besës, respektit të shenjtë të fjalës së dhënë, e kuptuar edhe si një lidhje ligjore në të gjitha aspektet. Bashkimi i përgjigjet: «Çfarë po flet,  Ujkan? Bëhu serioz, jemi në shekullin e njëzetë e një, besa nuk ekziston më. Pastaj, këtu nuk ka ekzistuar asnjëherë, është vetëm në folklorin shqiptar» (f. 217) [«Ma di che parli, Ujkan? Sii serio, siamo nel Ventunesimo secolo, non esiste più la besë. Poi qui non c’è mai stata, quello è solo folclore albanese» ]. Romani i Malajt zbërthen në distancë ëndrrën e supozuar italiane duke e projektuar në një skenar shkretimi që përfshin edhe rrafshin moral. Siç e kishte parashikuar Ornela Vorpsi në tregimet e saj (Bevete cacao Van Houten, Einaudi 2005), ekziston një forcë që gërryen nga brenda mitin e Vendi të Bukur që mirëpret dhe ofron mundësi. Në një tablo akoma më pak optimiste dhe më pak të hapur ndaj temës së integrimit, krahasuar me atë të tregimeve të Dal tuo terrazzo si vede casa mia, Malaj e zhvendos fokusin në një kontaminim negativ midis dy sistemeve kulturorë shumë të ndryshëm në letër, por që tashmë janë bërë të ngjashëm.

    Afrimi, nëse ndodh, është i një natyre globalizuese dhe kapitaliste. Trashëgimia kulturore e realiteteve individuale gjeografike – në këtë rast Kanuni i lashtë, kodi që kishte rregulluar së pari zakonet e së drejtës shqiptare, i përmendur disa herë në roman edhe në një çelës parodik – rrafshohet në një këndvështrim ekskluzivisht ekonomik. Për këtë arsye e kam gjetur jashtëzakonisht efektiv faktin që të vetmet referenca mbi një tekst të nënkuptuar si udhëzues etik janë ato që i drejtohen një manuali teknikash shitjeje: një lloj Bible e re e sjelljes.

    Në fund, sharmi i Italisë reduktohet në pak gjëra, të gjitha me natyrë materiale: prestigji i makinave, i evokuar nga gërmat në targa. Karamelet Made in Italy, të cilat vlejnë më shumë dhe mund të përdoren si mall shkëmbimi. Edhe në këtë detaj rikthehet Malaj i tregimeve, i aftë të përshkruajë disa objekte me një kapacitet të jashtëzakonshëm empatik, duke i veshur me një hijeshi hipnotike – këpucët e Dedës, televizori i braktisur, kravata me motiv lulesh që do të rimerret sërish te romani, në episodin e Fadilit në autobuz (f. 129-132).

    Struktura e Il mare è rotondo, megjithatë, gjen në një prej pikave të saj të forta – lehtësia ëndërrimtare e fragmentit – edhe një dobësi të nënkuptuar. Për një roman, linja narrative rezulton herë pas here dispersive, e dominuar më shumë nga natyra episodike sesa nga një arkitekturë faktesh të ndërlidhur në drejtim të një qëllimi.

    Filli që mban së bashku kapitujt përfaqësohet nga ndjekja e lodhshme e Irenës nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, nga ripërpunimi i disa mësimeve të përfshira në manualin e teknikave të shitjes të cilit i referohesha më sipër; ana tjetër bëhet klienti. Këmbëngulja dhe patundshmëria stoike përballë refuzimeve janë armët për të depërtuar mbylljen. Falë këtyre parimeve rudimentare anglo-saksone, Ujkan përpiqet të kapërcejë rezistencën e Irenës, në tentativën për ta bindur të krijojë një marrëdhënie të qëndrueshme me të. Strategjia e bindjes bazohet në një vlerë të vetme: vendosmërinë e shitësit.

    Kur mungojne pak faqe nga fundi i romanit, shfaqet një burrë misterioz, i cili mbyll disi rrugëtimin, duke u dhënë fakteve një rrethore kuptimore. Kohë më parë ai kishte takuar Ujkanin djalmosh dhe i kishte “shitur”, i vetëdijshëm se nuk do të merrte kurrë para në këmbim, manualin e shitjes. Në vijim të kësaj ngjarjeje te Ujkani lindin disa bindje ekzistenciale të cilat e kanë bërë natyrën e tij shumë të ngjashme me atë të shitësit.

    Duket një pasazh i parëndësishëm, madje edhe jo plotësisht i zgjidhur, por, sipas këndvështrimit tim, është çelësi për të kuptuar të gjithë historinë, ose më saktë, detaji që të lejon të interpretosh në mënyrë më komplekse një fabul që në pamje të parë duket shpërthyese dhe jo e prirur ndaj rikompozimit. Shfaqja e burrit të panjohur ka konotacionet e një figure joshëse, pothuajse demonike. Ai transferon, pa kërkuar kompensim, impulsin e një ndryshimi kulturor e vleror. Pa dashur të thellohem në një lexim tepër ideologjik që vetë natyra e tekstit nuk lejon, ky ndryshim nuk është gjë tjetër veçse kalimi nga sistemi komunist dhe stalinist fort i dëshiruar nga diktatori Enver Hoxha në atë perëndimor, në të cilin nga viti 1991 e në vazhdim ka mbizotëruar progresioni i «tregut të lirë», siç ka marrë vesh edhe një komunitet në margjinat e strukturës shoqërore, ai i ciganëve (f. 103). Ky tranzicion, i cili zgjati rreth njëzet vjet në Shqipëri, transformoi rrënjësisht çdo moment të jetës kulturore e shoqërore dhe e projektoi vendin me shpejtësi marramendëse në shekullin e njëzet e një. Kapitalizmi i vonë global ka filluar të zërë vend edhe këtu, duke bërë hapa të mëdhenj në afirmimin e vlerave të tij, të lidhura me blerjen dhe shitjen e objekteve. Merita e romanit qëndron në kapjen, në mënyrë implicite dhe të rafinuar, e kuptimit më të thellë të këtij pasazhi, duke e përkthyer atë në imazhe që lejojnë edhe një zhvendosje në drejtim të një leximi alegorik.

    Nuk është rastësi që tregtia e Ujkanit dhe Sulejmanit lind në një magazinë. Të dy nisin të grumbullojnë materiale hekuri dhe bakri me synimin për t’i rishitur me çmime të favorshme. Shpërdorimi i asetit të pashfrytëzuar gjen një rifunksionalizim të menjëhershëm në një lëvizje rrethore, e cila këtë herë ka të bëjë me mallin dhe kapacitetin e tij të pashtershëm për t’u bërë sërish ekonomikisht produktiv. Historia e këtyre aspekteve dhe e një pjese të Shqipërisë që ka filluar të ndryshojë fytyrë, mund të lexohet edhe si një lloj dokumenti historik, i plotësuar me datime. Në vitin 2009 përfundon një nga veprat e para publike kombëtare, “Rruga e Kombit”, që lidh edhe sot Durrësin me Kosovën, duke kaluar nga Shkodra. Infrastruktura përmendet shprehimisht në momentin e inaugurimit të saj. Për shkak të vjedhjes së disa metrave guard rail – burim hekuri pa kosto – Ujkani dhe Sulejmani përfundojnë në burg ku takojnë figurën e një presidenti nopran (ndoshta edhe Sali Berisha), i cili dialogon me ta e në fund detyrohet t’i lirojë.

    Në këtë atmosferë me nuanca progresivisht të zymta, aq sa mund të bëjnë të mendosh për një kthesë noir, po i afrohemi përfundimit, të paparashikuar nga ndonjë ngadalësim i ritmit. Pak para se Ujkani, ndoshta gjatë një ëndrre me sy hapur, të ndezë një cigare pasi ka përplasur – dhe ai bashkë me të – me shpejtësi furgonin e tij kundër barrierave Ambasadës Italiane, romani gjen një fund të papritur, të dominuar nga regjistri i nonsense. Dhe aty, në sfond, së bashku me titrat finale, duket sikur po dëgjon në kreshendo kontratempin e një pjese muzikore të Kusturicës.

    Hije editoriale: figura e redaktorit.

    Elvis Malaj është një zë që më pëlqen ta lexoj, një nga ata shkrimtarë që ka padyshim shumë për të thënë. Por, përshtypja ime është se rrugëtimi i tij i shkurtër tashmë është shënuar nga një lloj involucioni i nënkuptuar; një ndalesë që i ka zhvendosur tonet empatike dhe autentike të tregimeve drejt një stili më të llogaritur – dhe për rrjedhojë më pak të besueshëm – në momentin që ka kryer kalimin në formën e romanit. Nuk është e vështirë të spekulosh se çfarë mund të ketë ndodhur. Kushtëzimi i tregut botues sot – veçanërisht në Itali – është urgjent dhe pushtues. Një autor, nëse nuk është jashtëzakonisht i suksesshëm dhe nuk ka shifra stratosferike në anën e tij, nuk është i lirë të shkruajë atë që dëshiron. Madje, shtoj që nuk është i lirë të shkruajë si të dojë. Duket një paradoks, që bie ndesh me atmosferën e lirisë që shoqëron rrëfimin e aktit krijues në letërsi prej Romantizmit e në vazhdim; e megjithatë, faktet janë këto.

    Shtëpitë botuese që zgjedhin të përqendrohen te një autor i parashtrojnë gjithmonë personit të interesuar që ai do të mbështetet nga një profesionist, një figurë që do të ketë detyrën të korrigjojë stilin, në një farë mënyre ta homologojë atë me kërkesat që konsiderohen më së shumti në modë. Do të jetë kjo figurë – jo autori – që do të mbikëqyrë fazat e hartimit, duke miratuar ose modifikuar apo rishkruar disa pjesë. Kjo është figura e redaktorit. Nuk po merrem të analizoj nëse ky fenomen është i drejtë apo i gabuar. Besnik ndaj etikës së ndërmarrjes që ka karakterizuar vitet e formimit të brezit tim, nga njëra anë do të doja të nënvizoja se kushdo që investon para në një sektor kaq të vështirë sot sa ai i kulturës, ka të drejtën e plotë të kujdeset për fitimet e tij. Megjithatë, nga ana tjetër, si dashamirës i letërsisë, nuk mund të mos denoncoj rrafshimin e pashmangshëm që sjell kjo praktikë. Është një rrafshim i stilit dhe i përmbajtjes që shumë shpesh sakrifikon origjinalitetin e zërave dhe rezultateve narrative, në emër të një mendimi unik jo fort mirë të papërcaktuar, me prejardhje anglo-saksone.

    Kush është redaktori? Një figurë hibride, gjithnjë e më shumë jo eksperte në letërsi, që ka nocione marketingu dhe që kujdeset të kontrollojë tendencat tregtare në Shtetet e Bashkuara dhe në pjesën tjetër të Evropës, duke tentuar edhe një lidhje me zhanre televizive e filmike me sukses të mundshëm serial. Gjithçka disponohet në mënyrë rreptësisht të klasifikueshme sipas paletës së fincioneve të suksesshme: aksion, komedi, dramë, horror, mister, romantik, thriller, fantazi. A nuk na kujton të gjithëve kjo listë menunë e platformave kryesore të streaming me pagesë? Po; dhe situata nuk do të ndryshojë. Nevojat komerciale po formësojnë me forcë pothuajse të gjithë letërsinë që prodhohet çdo vit në Itali. Atëherë? Për t’u kthyer te Malaj, dhe te redaktorët: të krijohet përshtypja se në një moment tregu ka parashikuar një kuti, një hapësirë ​​tw posaçme për pritshmëritë e grumbulluara ndaj këtij lloj zëri. Në fund të fundit, një rrethim nga i cili ai nuk do të mund të lëvizë më. Çfarë mund të presim nga një djalë shqiptar që është shpërngulur në Itali në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare? Mund të funksionojë – kjo është folja e përdorur nga menaxherët e marketingut kur një produkt ka, të paktën teorikisht, potencialin për të shitur – një histori ballkanike: ndonjë personazh i krisur, ndonjë alkoolik, pak tregenda, pak pakujdesi, personazhe jashtë kontrollit, pak humor, një palë të ndenjura pas të cilave të vrapohet,  pak seks, një humbës që nuk realizon asgjë por ngelet gjithsesi simpatik. Skena të para tashmë në filmat e Kusturicës, i cili nga fundi i viteve Tetëdhjetë dhe Nëntëdhjetë arriti të bënte të njohura për publikun ndërkombëtar aspekte të caktuara të shoqërisë ballkanike, duke përdorur një regjistër tejet surreal dhe grotesk, të animuar nga një frymë satirike që kishte shumë më tepër kuptim në atë kohë sesa sot.

    Nëse Malaj – siç sugjerohej nga debutimi – kishte për të na thënë shumë më tepër se ajo që tregoi në romanin e tij të vetëm për momentin, do të duhet të dijë ta zbulojë me kalimin e kohës, ndoshta duke u çliruar të paktën pjesërisht nga ky përqafim editorial që për disa aspekte mund të përkufizohet vdekjeprurës. Përndryshe, nëse përvoja e tij do t’i atribuohet tërësisht kushtëzimeve të vendosura nga redaktori i radhës, do të vazhdojë të nxjerrë libra në seri, lehtësisht të ndryshëm, por të gjithë të pozicionuar në të njëjtat koordinata. Monotematikë për vokacion, të ngjashëm me veten e tyre për kontratë, derisa dikush të lodhet duke i prodhuar pasi ka arritur tirazhin limit të parashikuar për atë lloj autori.

    Përktheu nga italishtja Kriselda Beqaj

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË