More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDr. Fabio M. Rocchi: Një shkrimtar pa biografi. Rrëfimi impersonal i Darien...

    Dr. Fabio M. Rocchi: Një shkrimtar pa biografi. Rrëfimi impersonal i Darien Levani.(Udha e dorës, E: 10)

    Rubrika mbi narrativën italofone me prejardhje shqiptare rifillon me shtatë episodet e fundit pas një periudhe pauze të dakordësuar me redaksinë e Ex Libris, si pasojë e impenjimeve të mia në Sallonin e XXXV të Librit në Torino dhe si pasojë e disa përkthimeve nga shqipja në italisht, të cilat do të shfaqen në tregun botues mes fundit të vitit 2023 dhe fillimit të vitit 2024.

    Rasti i Darien Levani pasuron padyshim reflektimet që po kryej mbi narrativën italofono-shqiptare. Në figurën e tij gjejmë shembullin e një autori i cili ka ditur të largohet menjëherë nga pritshmëritë e shtëpive botuese, dhe që, përkundrazi, ka vendosur një linjë të vetën, origjinale dhe koherente, në një rrugëtim rritjeje që ka përshkuar disa zhanre. Sepse, në fakt, nëse do të donim të veçonim një karakteristikë të përbashkët të gjithë narrativës italofone me prejardhje shqiptare, do të ishte pikërisht ekspozimi i eksperiencës personale të jetës, shumë shpesh e modeluar mbi temat kyç të fenomenit migrator. Braktisja e shtëpisë dhe e atdheut; udhëtimi në det; fati i përbashkët i vështirë për t’u përballuar; bashkëjetesa problematike me etni të tjera; impakti i përballjes me simbolet e kapitalizmit, duke filluar nga produktet e supermarketit; inserimi i mundishëm në një rrjet social, atë italian, pak të prirur jo aq për të mirëpritur sa për të integruar të huajin me të drejta të barabarta; rikuperimi, shpeshherë përmes kujtimit të figurave prindërore dhe atyre familjare në përgjithësi, i traditave të një toke antike, të pamundura të fshihen sidomos në momente kur më së shumti dëshirohet të harrohen. Këto – bashkë me shumë të tjera – janë disa nga pikat nevralgjike mbi të cilat është ndërtuar shumë prej letërsisë dëshmuese italofone, me një këmbëngulje që – nëse shkojmë të shikojmë temat – vazhdon trajektoren e vet akoma sot, ndërkohë që rezultatet cilësore dhe kontributet e origjinalitetit po bëhen gradualisht më të dobëta, për shkak të romaneve që nuk i shtojnë asgjë trashëgimisë së teksteve që ekziston prej dy dekadash.

    Për hir të së vërtetës, ky fiksim i situatave narrative, në të cilat ambientimet dhe fatet përfundonin duke u mbivendosur në mënyrë gjithnjë e më shqetësuese, u diktua mbi të gjitha nga vullneti i disa figurave të botës së marketingut – i redaktorëve në radhë të parë –  të cilët identifikonin, në përzierjen midis ekzotizmit dhe diasporës së fillimit të mijëvjeçarit, një formulë me sfond social veçanërisht të përshtatshme për të arritur një sukses shitjesh të vogël, por të sigurt. Nga një moment i caktuar e në vazhdim, do të thosha që nga fillimi i viteve Dymijë, dukej se tregu – dhe mekanizmat që i sillen rrotull – kishte dekretuar një ligj të pashkruar sipas së cilit një lloji prejardhjeje biografike duhej t’i korrespondonte një skemë narrative e caktuar. Në rastin konkret, toka e prejardhjes ishte Shqipëria, një vend me një ideologji të padepërtueshme komuniste pas krahëve, të përfunduar prej pak vitesh me rrëmuja në shesh dhe një dekompensim të rëndësishëm ekonomik që kishte gjunjëzuar përfundimisht popullsinë. Një kornizë veçanërisht tërheqëse brenda së cilës të vendosej një fabul “ballkanike”.

    Darien Levani, nga ana tjetër, avokat i shkëlqyer penal që ushtron prej vitesh profesionin në Itali, ka dashur që në fillim t’i japë një konfigurim tjetër eksperiencës së tij si shkrimtar. Ai është çliruar në mënyrë inteligjente nga ajo që mund të transformohej shumë shpejt në një këmishë force – aq shtrënguese sa t’i shndërronte historitë e tij në joautentike – duke gjetur dimensionin e vet krijues, ende në zhvillim do të thosha.

    Ndërtimi i një identiteti: shkrimi pa biografi.

    Ndërkohë që me eksperienca të tjera shkrimi kuptimi i dimensionit biografik rezulton thelbësor për rindërtimin e etapave krijuese që kanë çuar në lindjen e romanit, me Darien Levani ky rreth vicioz ndërpritet sapo lind, që me veprën e tij të parë, të titulluar Solo andata, grazie (2010, i ripublikuar në vitin 2017 nga Besa Editrice). Në atë roman vëmendja largohet nga obsesionet e një historie të mbyllur, individuale, për t’u fokusuar shumë më tepër te «njerëzit e humnerës», siç thotë nëntitulli, pra te një pjesë e madhe e shoqërisë italiane të fillimit të mijëvjeçarit, në të cilën, më pak fatlumët, me origjinë të huaj kryesisht, nuk arrijnë të kenë një vend pune të qëndrueshëm dhe garancitë e duhura në botën e punës.

    Gjendja prej «extra», prej objekti misterioz që shikohet me dyshim dhe të cilit duhet t’i qëndrohet larg, nuk i përshtatet protagonistit i cili vëzhgon gjithçka që i kalon para syve me logjikë e cinizëm: dy emra që përshkruajnë saktësisht shifrën stilistike të shkrimtarit Levani. Në një moment mbërrin edhe një përcaktim për këtë lloj mënjanimi të sjellshëm – gjuhësor, kulturor, madje edhe hapësinor, me lagje të posaçme dedikuar funksionit të prjashtimit – të tjetrit: «Më parë ai bar ishte gjithmonë bosh, nuk shkonte askush. Tani ankohen sepse është plot me të huaj, dhe, nuk dihet pse, ky fakt i bezdis. Sepse nuk janë të huaj normalë, janë ekstra-komunitarë. Dhe për ekstra-komunitarë nuk nënkuptohen amerikanët apo zvicerianët, por shqiptarët, moldavët dhe marokenët» (f. 90). Vëzhgimi antropologjik është qëndrimi që mbizotëron në këtë lloj shkrimi, ndërkohë që janë funksionalizuar, në një dimension më të gjerëm disa copëza biografike të rinisë së Levanit si person; këto copëza janë prezente por nuk duhen interpretuar në një kuadër të thjeshtuar të përkimit me realitetin. Nëse diçka – si në çdo proces shkrimi me cilësi letrare – ka kaluar nga realiteti në faqet e librit, kjo nuk duhet t’i interesojë në mënyrë maniakale lexuesit. Përkundrazi, duhet kërkuar ekzkluzivisht funksioni për të cilin është futur ai detaj në strukturën narrative, e cila, për nga natyra, transformon atë që ndodh për ta kthyer në gjest narrativ. Vetëm në këtë mënyrë një roman mund të kuptohet në dimensionin e tij perspektiv të rrëfimit, duke ndarë identitetet e shumëfishta të narratorit nga ai unik dhe fizik i autorit. Bëhet fjalë për dy statute krejtësisht të ndryshëm, mbi të cilët, fatkeqësisht, mbizotëron ende një konfuzion diletant që përfundon duke dëmtuar konsumimin efektiv të tekstit. Nga ana tjetër, refuzimi për çdo formë aderimi në një anëtarësim ripohohet në mënyrë të përsëritur në Solo andata, grazie, në të cilën protagonisti përpiqet t’i bëjë hapësirë vetes brenda mjediseve që duket se parashikojnë praninë e tij vetëm si krahë pune me kosto të ulët. Në një pasazh si ky më poshtë mund të kuptojmë refuzimin e një brezi, atij të lindur në Shqipërinë e viteve 1980, për t›u identifikuar madje edhe me atë që po ndodh në atdhe: «Përpjekjet tuaja, mënyra se si Tirana po përpiqet të bëhet një qytet normal, na lënë krejtësisht indiferentë. Asgjë që është atje nuk na përket, jo më» (f. 49). I pezulluar në një tokë të askujt, ky brez të rinjsh, ndryshe nga ai që ishte protagonist i diasporës së parë shqiptare, kërkon vetëm të kuptojë dinamikat shoqërore që e përfshijnë për të gjetur një hapësirë mbijetese. Jo vetëm kaq. Në atë që mund të konsiderohet një ndërgjegjësim breznor – i shprehur në një roman që nuk dëshiron të jetë roman denoncimi por që arrin gjithsesi t’i përplasë në fytyrë lexuesit të vërtetën mbi racizmin e fshehur italian – një ndjenjë mbizotëron në të gjitha reagimet e protagonistit: zemërimi. Është zemërimi i atij që nuk pranon padrejtësinë e të qënit i konsideruar i ndryshëm, minoritar në një farë mënyre. Ekziston një tension, madje edhe i natyrës fizike, i cili zhvillohet sa herë që personazhi përballet me një refuzim. Dhe është pikërisht kjo arsyeja për të cilin titulli aludon për një biletë kthimi në atdhe, vetëm vajtje këtë herë, pa mundësi përsëritjeje. Protagonisti ka mbërritur në Itali; e ka jetuar; ia ka kuptuar shtrëmbërimet; dhe ka përfunduar duke e mohuar, duke e konsideruar një tokë jomikpritëse, në kundërshtim me stereotipet e kota dhe mbi të gjitha antihistorike që kanë karakterizuar atë retorikë të ndërtuar për përdorimin dhe konsumimin e mitit të mikpritjes italiane.

    Një akt i tillë ka çrrënjosur keqkuptimin e mundshëm të një lidhjeje mes shkrimtarisë së Levani dhe një mitologjie me orientim migrator, fenomen i vërtetë middlebrow i viteve Zero në Itali. Në veprën pasuese, Il famoso magico qukapik, nuk qe rastësi që shkathtësia e Levanit u shfaq menjëherë në kërkim të mundësive të mëtejshme. Në një lloj apologu me prejardhje nga Orwell, ndarja drastike e botës në dy hemisfera të dominuara nga ideologjia kishte projektuar në skenë një tip të çuditshëm protagonisti, Glauko, spektator dhe aktor i disa riteve shoqërore destabilizuese. Në krah të tij një personazh tjetër, Eduart, misterioz, i thellë, i aftë për të bërë gjykime të kësaj natyre: «Ajo që kemi evoluar … nuk jemi ne, raca njerëzore siç besojmë shpesh, por vetëm bota. Kemi transformuar botën dhe këtë ndryshim e kemi shkëmbyer për evolucion të vetvetes» (f. 40). Në këta dy libra, shumë të ndryshëm në ambicie dhe shtrirje narrative, do të doja të vija në dukje – siç mendoj se rezulton – një konstante domethënëse: atë të një shkrimi që nuk heq dorë nga të kuptuarit e lidhjeve të fshehura midis fenomeneve të ndryshme; një shkrim që është përpjekur që në eksperiencat e para të kapërcejë një numërim të thjeshtë të fakteve për ta veshur me kuptime më të gjera.

    Shkrirja e dy zhanreve të suksesshme si mjet hulumtimi i shoqërisë bashkëkohore italiane.

    Historia e letërsisë italiane e viteve Dymijë nuk mund të jetë se një histori e ndërtuar mbi konceptin e zhanrit narrativ. Është fakt të konstatohet se sistemi editorial sot, si asnjëherë më parë ka mundur të ndikojë, dhe shumë shpesh ta çojë prodhimin bashkëkohor në drejtim të një ndarjeje sektoriale të theksuar. Në sistemin e zhanreve – i ndërtuar mbi një specializim artizanal të shkrimtarëve, të aftë të replikojnë shumë herë vetëm një tipologji të caktuar historie – një nga risitë më spektakolare ishte përhapja e narrativës së hetimit me sfond noir si aset letrar i mëvetësishëm, qoftë në tregun botues, qoftë në debatet akademike. Siç mund të shihet, ekzistojnë dy arketipe të hershme (detective story e Shekullit të Nëntëmbëdhjetë e zonës anglosaksone dhe noir që zhvillohet mes letërsisë e kinemasë përgjatë gjysmës së parë të Shekullit të Njëzetë) të cilët janë tërhequr derisa janë shkrirë në një hibrid shumë interesant për t’u analizuar.

    Nisim me detective story. Kohët dhe mënyrat që kanë sjellë transformimet e saj progresive në një sukses kaq të gjerë në Itali nuk janë lineare. Zhanri policesk italian, megjithëse me një identitet të vetin, pati një zhvillim gati statik në gjysmën e dytë të Shekullit të Njëzetë. I konsideruar, shumë më tepër se në vendet e tjera, një zhanër “i ulët”, nuk pati prodhime me vlerë të madhe letrare si në Francë apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas eksodit në vitet Tridhjetë të Shekullit të Njëzetë, në vijim të një operacioni editorial të suksesshëm të ndërmarrë nga shtëpia botuese Mondadori për të cilin asaj tipologjie të fabulës iu asociua ngjyra giallo (e verdhë) e kopertinave, zhanri policesk u zhvillua në forma kryesisht tregtare, rrallëherë të pasura në thellësi. Përveç disa përjashtimeve të vogla (një shembull është romani gjenial Il nome della rosa i Umberto Eco i vitit 1980), zhanri policesk ngeli në kufijtë e kanonit letrar deri në vitet Nëntëdhjetë kur u rizbulua dhe nxorr në dritë nga një new wave e vërtetë që i dhuroi prestigj dhe autoritet – një prestigj e autoritet që ndonjëherë shkonte përtej aftësive letrare efektive të teksteve. Do të doja të kujtoja, me respektin e duhur për të ndjerët, suksesin tregtar të shkurtër e tepër të famshëm të komikut Giorgio Faletti, i ricikluar si shkrimtar giallo dhe i cilësuar për pak kohë si «Shkrimtari më i madh i Italisë» (Antonio D’Orrico, në «Sette», insert i Corriere della Sera, 4 nëntor 2010).

    Në njëzetëvjeçarin e përfshirë mes viteve 1990 dhe 2010 asistojmë, pas fillimeve shumë të stilizuara, në një kthesë cilësore. Me fjalë të tjera, nuk bëhet fjalë më për të shkruar gialli për qëllime konsumi dhe argëtimi. Afirmohet, pothuajse spontanisht, një galaktikë e re dhe shumëformëshe, në të cilën aspekti më evident i rrëfimeve të reja kriminale të viteve Nëntëdhjetë – të ripunuara dhe normalizuara në vitet Zero – është raporti me realitetin ekonomik, politik dhe social të Italisë. Diskurset për krimin e organizuar, për marrëdhëniet midis çështjeve publike dhe private, për korrupsionin dhe për një sistem drejtësie kronikisht të pamjaftueshëm dhe jokonsistent (nëse jo të korruptuar), janë absolutisht qendrorë në klimën e Republikës së Dytë. Në këtë kuptim është i rëndësishëm të thellohet variacioni mes së tashmes dhe së shkuarës, vlerën e kujtesës dhe historisë kolektive në noir italian, një tjetër shtyllë referimi këtë herë e huazuar nga narrativa, por edhe nga kinemaja e fillimit dhe më pas mesit të Shekullit të Njëzetë. Një raport, ai mes kujtesës, historisë e krimit, që rrëfehet në Itali nga eksperienca e shkrimtarisë së Giorgio Scerbanenco – akoma shumë afër rrëfimeve qetësuese të policeskut klasik – si edhe nga gialli të tjerë, të pajisur me një dozë letrare padyshim më të lartë, si Pasticciaccio i Gadda (Quer pasticciaccio brutto de via Merulana, 1946 e 1957) dhe Il giorno della civetta i Sciascia (1960), paraardhës i vërtetë i zhanrit për metodën e kompozimit të rimarrë – edhe pse me variacione të pafundme – nga mikrokozmosi i komisarit Montalbano, i krijuar në të njëjtin ambientim siçilian nga pena e mjeshtrit Camilleri.

    Përdorimi i filtrit policesk bëhet – në një sfond metropolitan të tipit noir dhe në përputhje me imagjinarin kolektiv të fillimit të mijëvjeçarit – një mënyrë jashtëzakonisht efikase për të përshkruar pushtetin dhe format në të cilat ai degëzohet fshehtas. Së fundi, rezultate të tjera kanë të bëjnë me konceptin do të thosha pasolinian të një fashizmi të përhershëm, ende të infiltruar me kokëfortësi në aparatin gjyqësor shtetëror, për të cilin krimi dhe korrupsioni janë rreptësisht funksionalë për ushtrimin e pushtetit. Në këtë drejtim ka shkruar një rrëfimtar i shkëlqyer si Carlo Lucarelli (Albergo Italia, 2014), në fazën e tij më të mirë, i cili tregon për një Shtet (me aparatin e tij gjyqësor) nga i cili fashizmi nuk është spastruar kurrë. Ndërsa tema e kujtesës dhe problematizimi i së kaluarës e i së vërtetës janë në qendër të romaneve të Massimo Carlotto, veçanërisht ato që përmbajnë Marco Buratti, aliagatorin, si protagonist. Hetuesi, viktimë e një gabimi gjyqësor që e detyron të kryejë shtatë vite burg, në një farë kuptimi ndjek modelin e detektivit hard boiled të noir, por me dallime thelbësore që e transformojnë personazh margjinal dhe humbës.

    Një tjetër vepër që më duket thelbësore është Romanzo criminale i De Cataldo (2002) që rimerr çështjet e Bandës së Magliana duke i romanzuar dhe ofruar një arkitekturë narrative veçanërisht të përshtatshme për transpozimin kinematografik; në fakt libri ndiqet nga një film dhe seri televizive e suksesshme.

    Nëse kam rindërtuar, në mënyrë të detajuar edhe pse skematike, arkeologjinë e një zhanri shumë fatlum, është sepse doja të dilte në pah kompleksiteti i traditës së rikuperuar nga operacioni letrar i kryer nga Darien Levani. Në fakt, kur arrin te Toringrad, në vitin 2016, Levani ndryshon tërësisht faqe krahasuar me eksperiencën e Solo andata, grazie dhe Famoso magico qukapik. Për herë të tretë, në tre libra të ndarë, përballon çështjen e prodhimit të historisë duke adoptuar një këndvështrim të ndryshëm, ashtu siç është i ndryshëm modaliteti i riferimit nëpërmjet së cilit vendos ta bëjë. Më duket se ndërgjegjësimi për mekanizmat e zhanrit është menjëherë shumë i lartë: te Toringrad gjejmë peripeci, goditje skene, një impenjim diturak të suspense, një sfond metropolitan të degraduar, herë herë jomikpritës, bashkë me figurat e botës së natës që dalin nga fundi, prostitutat të parat.

    E sërish. Kufijtë midis së mirës dhe së keqes janë mjegulluar në mënyrë të përshtatshme, së bashku me dekantimin e një lloji anti-heroi që njihet mirë në universin noir. Ai i mishëruar nga protagonisti Drini, individualist, pa rrënjë, i zhgënjyer dhe jo i pastër, i pajisur ama me një prirje të fortë drejt arsyetimit dhe mbi të gjitha me një kod të vetin sjelljeje e moral. Drini është një djalë shqiptar, student universiteti, i cili tashmë është zhvendosur në veri të Italisë. Arrestimi i kunatit të tij, Petrit, i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike, e detyron të afrohet me botën e krimit dhe të përballojë rreziqe. Paralelisht me këtë histori – që e shtyn Drinin të zhvendoset nga Torino dhe nga drejtimi i lokalit të natës, Toringrad, në Milanon e jetës së mirë dhe kokainës, duke i dhënë kështu historisë një efekt të lavdueshëm shumëllojshmërie – zhvillohet hetimi, pikë ndërthurjeje mes dy zhanreve, të cilët hibridizohen në këtë mënyrë me synim analizën spektrografike mbi shoqërinë për të cilën po flisja, duke rindërtuar traditën e tridhjetë viteve të fundit për këtë lloj krijimtarie. Pra, nuk mjafton të kuptuarit e ethos të atij që më parë kishte qenë prototipi i gangster – mendoni për shembull Scarface të Hawks të vitit 1932. Dhuna, e lidhur me parimin e vetëafirmimit, i atribuohet brezit të shqiptarëve të vjetër, para atij të Drinit. Na përcillet gjithashtu, dhe mbi të gjitha, përshkrimi i një shoqërie që fsheh nën aparencën e saj sëmundjen e parasë dhe të krekosjes për ushtrimin e pushtetit. Ky gjest përshkrues shoqërohet me reminishencën e detective story. Kush e ka tradhtuar Petritin, kush e ka spiunuar? Envér? Në këtë rast nuk janë as komisari as polici – megjithëse njëri prej tyre është shumë i zoti, një marshall i karabinierëve që tenton të fusë në kurth djalin pa sukses – që kryejnë hetimin, por vetë protagonisti, i cili ka kaluar në mënyrë ta paqartë nga ana e “të këqinjve”.

    Lind, nga kjo distoni e perspektivës, analiza e strukturës shoqërore italiane e kryer nga Drini, me një vështrim që vjen nga jashtë dhe për rrjedhojë është i aftë të gjykojë më objektivisht sesa një vendas. Sidomos në mendimet e tij – të sjellë nëpërmjet teknikës së diskursit indirekt – e dëgjojmë teksa përshkruan «ekuilibrat e bazuar në hipokrizi» që duket se ushqejnë komunitetin italian (fq. 18-19). Një dimension, ai i kritikës sociale, që për më tepër, siç e pamë, nuk i ka munguar asnjëherë rrëfimtarit Levani.

    Mbi mekanizmat e procesit mediatik. Tavolo numero sette.

    Romani i fundit i shkruar e publikuar në gjuhën italiane nga Darien Levani është Tavolo numero sette i vitit 2019. Në këtë libër konvergojnë përvetësimet e maturuara mbi formën noir, të hibridizuar, siç pamë, në mënyrë personale me arketipin e Shekullit të Nëntëmbëdhjetë të dedective story. Me këtë rrëfim Levani arrin të prekë disa pika nevralgjike të historisë italiane të viteve të fundit, duke dimonstruar jo vetëm ta njohë në thellësi, por edhe ta ketë asimiluar në obsesionet e saj. Krahas cilësisë së një historie të mirëndërtuar, bindëse dhe të menaxhuar nga çdo këndvështrim me pjekuri të dukshme narrative, shfaqet një reflektim i vazhdueshëm lidhur me karakterin mediatik të lajmit në shoqërinë e sotme. Korniza përbëhet nga një eskamotazh që ruan njësitë e kohës, vendit dhe veprimit të kujtesës aristoteliane: një dasëm, në tavolinat e së cilës ulen personazhet e ndryshëm. Tema kryesore e bisedës rievokon një lajm (krimi i Castelbuono) të ndodhur disa muaj më parë: një vrasje e dyfishtë autori i së cilës ende nuk është zbuluar. Ekziston një i dyshuar, mbi fajësinë e të cilit ekzistojnë tregues të ndryshëm, por pas një kohe të shkurtër ai çlirohet nga akuzat. Pozicionet e opinionit publik, të ndarë në dy pjesë mes atyre që besojnë në fajësinë dhe atyre që besojnë në pafajësinë e të dyshuarit në fjalë, ringjallen përmes opinioneve të raportuara në tavolinën numër shtatë, që është ajo ku është ulur protagonisti. Institucioni i martesës, i nënkuptuar si një konvencion shoqëror i rraskapitur i bazuar në pranimin e gënjeshtrës, përfaqëson një objektiv të parë polemik të rrëfimit, ndërsa një paratekst padyshim bashkëkohor lehtëson rikuperimin e mëvonshëm të copëzave të historisë. Lajmet e publikuara në revista dhe portale online, videot e ngarkuara në Youtube dhe përdorimi i dukshëm i dimensionit virtual të jetës shoqërore sot e bëjnë edhe më realiste situatën në të cilën zhytet lexuesi.

    Nga teknika e mirë te letërsia e mirë, shumë shpesh, hapi është i shkurtër. Për këtë arsye, duke nënzivuar veçanërisht ambientimin e krimit në një kohë të ndryshme nga ajo e diskutimit që ndodh muaj më pas, do të doja t’i njihja merita Levanit për menaxhimin e kohëve narrative. Nuk bëhet fjalë vetëm për një zgjatje të suspense. Duket sikur autori dëshiron të na dërgojë një mesazh mbi menjëhershmërine kompulsive me të cilën jemi mësuar të reagojmë mbi një lajm përhapja e të cilit ndodh në vetëm pak minuta. Në epokën e informacionit jomaterial, tregohemi të paaftë të dekantojmë një fakt, të distancohemi prej tij për ta vlerësuar ftohtë, me arsyetimin e duhur. Përkundrazi: i lejojmë të na dehë menjëherë dhe me të njëjtin ankth të furishëm krijojmë një mendim, në një hark kohor të pamjaftueshëm për të mbledhur informacione shtesë që do të na ndihmonin të kuptonim. Nga ky konstatim,  lind një të dytë, edhe më depërtues: Levani ka reflektuar thellë mbi pasqyrimin mediatik që u është bërë disa dënimeve italiane, dhe, për këtë arsye – ndoshta me një deformim profesional që ka pasuruar bagazhin e tij të njohurive mbi temën –  ka konsideruar të përshtatshme të tranferojë në faqet e një libri përafrimet e kryera, duke rindërtuar një lloj deliri të shpërthyer brenda një komuniteti që shpejt është transformua në publik, duke zbuluar jo pak herë voyeurismi sadiste.

    Erica e Omar; Marta Russo; krimet e Cogne, Erba e Garlasco; zhdukja e Yara Gambirasio; prita e ngritur ndaj Sara Scazzi; vrasja absurde e Marco Vannini. Kronika e zezë e jetës reale të Vendit, në tre dekadat e fundit, ka ditur të ripropozojë, me periodicitet shqetësues, ngjarje tragjike e njëkohësisht katartike. Duket sikur në atë moment manifestimi i dhunës – që kujton teoritë e René Girard mbi dhinë shlyese – mbulon në mënyrë simbolike kuptime më të gjera se rrethanat e krimit në vetvete, duke i dhënë mundësi një shoqërie të tërë të shfryjë pulsime të fshehura.

    Në këtë seri lidhjesh na çon historia më mature e shkruar sot për sot nga Darien Levani, i cili, mes një kalimi e një tjetri, nuk resht se reflektuari mbi temën e vërtetë të ngritur nga romani: marrëdhënia e instauruar sot mes demokracisë e drejtësisë. Ndërkohë që brezi i mesit, ai i tridhjetë e dyzetë vjeçarëve duket i paaftë të marrë një qëndrim etik e logjik të besueshëm, të peshuar nën dritën e një arsyetimi që nuk lind nga emotiviteti, dy përjashtime të vendosura në distancë të konsiderueshme gjeografike, në sistemin e personazheve të vendosura në skenë nga autori, arrijnë të vënë rregull e të dallohen për shpirt moral e kritik, sipas virtyteve që janë të njëjtat që mbrohen nga teksti – por që nuk i përkasin unit rrëfyes të ri, protagonist në mënyrën e tij e njëkohësisht plotësues në histori. Bëhet fjalë për Dr. Camillo Bordin, gjykatës i moshuar i Gjykatës së Lartë (Cassazione) tashmë në pension, mbrojtës i një etike e një disipline të brendshme tashmë të humbura përgjithmonë; dhe për shtatëmbëdhjetë-vjeçaren Deborah, e shkathët, mendjemprehtë, dedektivja e vërtetë që zgjidh, falë deduktimeve të saj, rastin e vrasjes së dyfishtë të Castelbuono, e ngelur e padënuar deri atë moment.

    Edhe nga kjo gjetje narrative e ndërgjegjshme del në pah aftësia e Levanit për të luajtur me stilemat e zhanrit, me guston për t’i përmbysur së brendshmi, nisur nga një vetëdije e fortë e mekanizmave nëpërmjet të cilëve krijohen histori bindëse. Ndaj, jam shumë kurioz të shikoj cila do jetë lëvizja e tij e radhës; edhe për faktin se nuk jam i bindur që struktura policesko-hetuese me sfond noir është i vetmi habitat i mundshëm për aftësitë e tij shprehëse.        

    Përktheu nga italishtja: Kriselda Beqaj Rocchi

    Shënime bibliografike

    Vepra të Darien Levani të publikuara për herë të parë në gjuhën italiane

    Solo andata, grazie, (2010), Besa, Nardò (Lecce) 2017

    Il famoso magico qukapik, Odoya, Bologna 2011

    Toringrad, Edizioni Spartaco, Caserta 2016

    Tavolo numero sette, Edizioni Spartaco, Caserta 2019 

    Lexime Kritike

    Aa. Vv., Guida alla letteratura noir, a cura di CATALANO Walter, Odoya, Bologna 2018.

    Aa. Vv., Storie condivise nell’Italia contemporanea. Narrazioni e performance transculturali, a cura di MENGOZZI Chiara e COMBERIATI Daniele, Carocci, Roma 2023.

    MENEGHELLI Donata, Finzioni dell’io nella letteratura italiana dell’immigrazione, in «Narrativa», n. 28, 2006, pp. 39-51.

    MENGOZZI Chiara, Strategie e forme di rappresentazione di sé nella letteratura italiana della migrazione, in «Italies», n. 14, 2010, pp. 381-399.

    MENGOZZI Chiara, Narrazioni contese. Vent’anni di scritture italiane della migrazione, Carocci, Roma 2021.

    TIRINANZI DE MEDICI, Carlo, Il romanzo poliziesco italiano, 1964-2007: la memoria tra noir, enigmi e post-fascismo, in «Belphegor» n. 3/9, 2009, pp. 43-49.

    VIGNUZZI, Ugo, La lingua del giallo all’italiana tra mimesi e tradizione, in Aa. Vv., Perugia in giallo 2009. Indagine sul poliziesco italiano, a cura di CACCIAGLIA Norberto e PISTELLI Maurizio, Donzelli, Roma 2012, pp. 77-92.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË