Elvira Dones është e para intelektuale e re që, për t’iu bindur një instinkti lirie dhe duke i paraprirë kohës, vendos të braktisë Shqipërinë në vitin 1988, duke përfituar nga një udhëtim pune në Itali të autorizuar nga Regjimi i kohës. Bëhet fjalë për një thirrje biografike që do të gjejë jehonë të gjerë në romanin Senza Bagagli, maja e ajsbergut e një migrimi fatesh që, pas pak vitesh, do të ishte orientuar në drejtim të Vendeve Perëndimore.
Në gjashtë romanet që ka shkruar Dones – një bërthamë që momentalisht përfaqëson sintezën e veprave kryesore të saj – përdorimi i gjuhës italiane nuk takohet që në fillimet e prodhimtarisë, por maturohet përgjatë rrugëtimit. Në fakt, Dones në debutimet e veta shkruan vetëm në shqip, madje edhe pasi prej vitesh ndodhej në Zvicër, vendi ku ishte strehuar përkohësisht. Në vijim po sjell një rindërtim të publikimeve të veprave te saj dhe përkthimeve të para në gjuhën italiane: Dashuri e huaj i përket vitit 1997 (përkthyer nga Alma Molla ne vitin 1998 nën titullin Senza Bagagli); Yjet nuk vishen kështu është e vitit 2000 (përkthyer në italisht nga Elio Miracco me titullin Sole bruciato në vitin 2001 dhe rishikuar nga vetë autorja); Ditë e bardhë e fyer e vitit 2001 (përkthyer në italisht nga vetë Dones në vitin 2004 nën titullin Bianco giorno offeso); Më pas heshtja e vitit 2004 (përkthyer nga Rovena Troqe, me rishikimin e vetë shkrimtares, me titullin I mari ovunque në vitin 2007). Pas një qasjeje të përjetuar gjatë rishikimit të punës së përkthyesve të veprave të veta, Dones mbërrin në gjuhën italiane me dy romanet e fundit, Vergine giurata (2007) dhe Piccola guerra perfetta (2011). Pra, në një situatë të tillë, me qëllimin e përkufizimit të veprave të Dones si italofone, siç mund te shihet, rendësi kryesore i duhet dhënë Bianco giorno offeso, Vergine giurata dhe Piccola guerra perfetta, pasi bëhet fjalë për krijime të ideuara, të përshtatura e të shkruara drejtpërsëdrejti në gjuhën italiane në vijim të vullnetit të autores.
Personazhi i preferuar nga Dones është një vajzë e cila maturon një ndërgjegje personale nëpërmjet një rrugëtimi shpeshherë të dhimbshëm e të ushqyer nga kujtime e rindërtime të së shkuarës. Protagonistja e saj tipike i shikon gjërat në mënyrë gati të shkëputur nga vetëdija; ajo është e zhvendosur, madje duket sikur po e inkuadron veten nga sipër në momente të caktuara. Vajzat e Dones – por jo vetëm, nëse mbahen parasysh figurat mashkullore të Bianco giorno offeso – dallohen për një veprimtari introspektive të theksuar. Nëpërmjet pozicioneve të ndryshme rrëfimtare që këmbehen mes tyre, duke u alternuar edhe me momente në të cilat vetë personazhet rrëfejnë në vetën e parë, bëhemi dëshmitarë të një procesi mendor kompleks ku personazhi nuk jeton në të tashmen e vendit ku ndodhet, por e imagjinon dhe projekton veten tjetërkund. Nëse dëshirojmë t’i përmbahemi një sqarimi të natyrës naratologjike, mund të thuhet se ekziston një bollëk vizionesh të gjalla, të sjella duke përdorur teknikën e reflektorit të stilit Henry James, por, në to mbizotëron tendenca për t’u distancuar nga veprimiper t’i dhënë më shumë hapësirë dëshirave dhe kujtimeve të së shkuarës. Kjo sjellje medituese është tipike për fenomenologjinë e mendimit që shfaqet si tek Hana-Mark-Hana Doda e Vergine Giurata, edhe tek Rea e Nita në Piccola Guerra Perfetta, edhe te Klea Borova në Senza Bagagli.
Rindërtimi i një identiteti të ri femëror
Një nga këndvështrimet kritike më të përdorura në bibliografi për leximin e teksteve të Dones ka qenë ajo e trupit dhe e përcaktimit të një identiteti të ri, edhe – dhe mbi të gjitha – seksual, tek protagonistët e saj. Padyshim, te Dones kjo temë përbën një nyje veçanërisht të qëndrueshme, në të cilën shkrihen përcaktuesit e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ballkanike – prej nga vijnë shumë nga heroinat e saj – me joshjet e reja, të mishëruara nga një lloj shoqërie perëndimore më e lirë, më e predispozuar ndaj pranimit të çdo tipologjie raporti. Romani që qendërzohet më tepër në këtë temë është pa asnjë hezitim Vergine giurata. Në atë histori – e cila ka një bazë edhe etnografike edhe në njëfarë mënyre dokumentare mbi një normë specifike të Kanunit – rindërtohen rrethanat psikologjike në të cilat maturohet fillimisht transformimi nga grua në burrë i protagonistes Hana, dhe, më vonë, pas plot katërmbëdhjetë vjetësh, rikthimi në një identitet plotësisht femëror. Hana, siç e kërkon e drejta zakonore, e cila për shumë kohë ka përfaqësuar ligjin në viset veriore të Shqipërisë, shndërrohet në burrneshë, pas një betimi të vetëdijshëm. Pra Hana transformohet në Mark duke fituar privilegje dhe detyra burrërore pas zhdukjes së një anëtari mashkull të familjes. Ajo heq dorë rrënjësisht nga feminiliteti i saj; fillon të veshë pantallona të gjata, pi duhan dhe alkool në prani të njerëzve të tjerë dhe asgjë nga këto nuk përbën skandal, pasi për komunitetin ajo tani është e barazvlefshme në të gjitha aspektet me një burrë.
Ideja se një kod i tillë arkaik, tribal dhe mizor në përmbajtet e tij kryesore, i lejonte gratë jo vetëm të hiqnin dorë nga lindja e fëmijëve, por edhe të bëheshin burra nga ana shoqërore, duke i lejuar në këtë mënyrë të vishnin një rol thelbësisht të barabartë me atë të mashkullit dominues, mund të përmbledhë në vetvete një parim thuajse revolucionar për disa aspekte. Shoqëria tradicionale shqiptare, veçanërisht në trojet veriore, ku është ambientuar një pjesë e Vergine Giurata, ka qenë për shekuj me radhë një shoqëri patrilineare, e themeluar mbi një koncept patriarkal të familjes ku e gjithë përgjegjësia mbahej nga kreu. Një lloj dominus feudale i gjithëfuqishëm, që administronte të mirat dhe merrte të gjitha vendimet, duke i nënshtruar figurat femërore ndaj një funksioni ekskluzivisht shërbyes dhe riprodhues.
Hana mishëron një rebelim simbolik me zgjedhjen e tranzicionit gjinor. Tiparet e saj karakteriale, të cilat shfaqen në Tiranë në disa episode që i paraprijnë vendimit të marrë pas vdekjes së xhaxhait, Gjergj Doda, flasin për një figurë tashmë të zhytur në mënyrë të përkryer në atë miks kokëfortësie, mbylljeje dhe këmbënguljeje që duket të jetë arketipi i zakonshëm i sjelljes malore në ato zona. Një sjellje e përcaktuar nga një vullnet i hekurt dhe në të njëjtën kohë e raportuar si e çuditshme, gati anormale. Në roman gjejmë një rrethanë të veçantë që ka të bëjë me kafshët dhe që lispet të tregojë një marrëdhënie të qartë midis një zgjedhjeje kundër natyrës si ajo e Hanës, dhe disa devijimeve në zakonet e viçave, qenve dhe dhive. Në skenat rurale të kullës së Rrnajës, sjelljet e kafshëve janë pothuajse gjithmonë të karakterizuara nga panatyrshmëria. Një viç që në mënyrën e vet imiton këndimin e gjelit në tre të mëngjesit; një qen që çiftëzohet në mënyrë të zhurmshme me delet; një cjap kokëtrashë që vjen rrotull pa kuptim dhe urinon mbi këpucët e padronit së tij. Janë të gjitha detaje që na bëjnë ta mendojmë Rrnajën jo vetëm si një vend ku arsyeja gjen një të drejtë të çuditshme banimi, por edhe si një mikrokozmos ku logjika e përditshmërisë është jashtë kontrollit.
Megjithatë, betimi i virgjërisë në këmbim të së drejtës për të jetuar si burrë i lejon Hanës, në jetën e saj të dytë, t’i arratiset menaxhimit mashkullor ndaj të cilit do të kishte qenë e destinuar pas vdekjes së Gjergjit. Hana, duke u deklaruar publikisht Burrneshë, fiton një status social në të cilin i lejohet të ndajë hapësirat me anëtarët e tjerë të klanit dhe të mbajë – nëse lind nevoja, edhe të përdorë – një armë. Duke veshur plotësisht funksionet e kryefamiljarit, sakrifica e kryer i garanton asaj autonomi dhe respekt. E ardhmja e saj, pa atë zgjedhje, do të kishte qenë veç nënshtrim ndaj një mashkulli tjetër. Prandaj, Hana e paguan çmimin e saj me vetëdije të plotë për të mos iu nënshtruar një zgjedhe që do t’a kishte asgjësuar.
Sapo arrin në Shtetet e Bashkuara, në atë fazë të evolucionit që do të përfaqësojë jetën e saj të tretë, Hana fillon të rimëkëmbë veten përmes një sërë ritesh të vogla që do ta çojnë drejt instinkteve dhe impulseve natyrore seksuale. Hapi që duhet bërë është aq i madh saqë personazhi, si një refrain i vërtetë, nuk bën gjë tjetër veçse kërkon kohë; pra krijon lehtësira në mënyrë që natyra e saj e fshehur prej vitesh të rilindë gradualisht. Nëpërmjet akteve të ndrojtura të autoerotizmit dhe përmes momentit vendimtar të përballjes me sipërfaqen reflektuese të pasqyrës – pasyrë që Hana-Marku nuk e zotëronte në kullën e Rrnajës – personazhi rikthehet grua, duke zbuluar një trup të lidhur më në fund me dëshirën.
Romani si dokument
Pozicioni mbizotërues i zgjedhur nga Dones për të krijuar rrëfime është ai i gërmimit të një hapësire private për personazhet e veta brenda një fakti me rëndësi historike ose historiko-antropologjike. Para se të krijojë tregimin, Dones shpesh i nënshtrohet një faze dokumentimi në të cilën mbledh ide dhe të dhëna konkrete që do t’i ripunojë më pas në një kornizë fiktive. Marrëdhënia mes faktit real e dëshmues dhe atij narrativ është mjaft e ngushtë. Kontribuon, në një vizion të tillë të letërsisë, vlera e përkushtimit nga pikëpamja sociale, sipas një engagé ideal që rrjedh nga dekada të ndryshme dhe që sot mungon. Duke komentuar parathënien e Roberto Saviano për Piccola guerra perfetta, Dones, në një intervistë, thekson:
«Credo che ci accomuni un certo tipo di letteratura impegnata, una visione della letteratura in funzione della società, in funzione di quello che succede, in funzione all’investigazione sulle nostre terre complesse. La sua Italia, la sua Napoli. La mia Albania, la mia Tirana, i miei Balcani. L’orrore e la bellezza dei Balcani, come l’orrore e la bellezza di Napoli, del sud Italia, dell’Italia stessa».
[«Mendoj se na bashkon një lloj letërsie e përkushtuar, një vizion i letërsisë në funksion të shoqërisë, në funksion të të asaj që ndodh, në funksion të zbulimit të trojeve tona komplekse. Italia e tij, Napoli i tij. Shqipëria ime, Tirana ime, Ballkani im. Tmerri dhe bukuria e Ballkanit, si tmerri dhe bukuria e Napolit, e Italisë së Jugut, e vetë Italisë».]
Pra, letërsia e konceptuar para së gjithash si një akt në favor të një kuptimi dhe në favor të një komuniteti; një mesazh në të cilin të përqendrohen aftësi të analizimit dhe studimit të së tashmes, aftësi që kanalizohen drejt një leximi të ndërgjegjshëm të fenomeneve bashkëkohore, pra të ngjarjeve që ndodhin në menjëhershmërinë e drejtpërdrejtë të kohërave në të cilat do të vendoset më pas rrëfimi. Çdo roman i Dones përmban një transfigurim të ngjarjeve me rëndësi të konsiderueshme historike ose dokumentare: vitet e fundit të diktaturës komuniste në Shqipëri dhe rënia e regjimit të Hoxhës (Senza bagagli); trafikimi i skllaveve të seksit që mbërritën në Itali nga vendet e Europës Lindore në vitet 1990 (Sole bruciato); fenomeni i burrneshave në veri të Shqipërisë (Vergine giurata); konflikti etnik në trojet e Kosovës (Piccola guerra perfetta). Edhe atje ku kjo vëmendje duket se zbehet, veprojnë, në sfond, traumat e diktaturës së tmerrshme të Videlës në Argjentinën (I mari ovunque) e Amerikës së Jugut dhe mizoritë e luftës guerile midis trupave të përgjithshme dhe FARC në Kolumbi (Bianco giorno offeso).
Vihet re, shpeshherë në fabulat e Dones, një tension që dëshiron të raportojë – nëpërmjet regjistrit të kronikës – faktet brenda një relacioni të rregullt ku emra dhe data reale luajnë një funksion mbështetës thelbësor. Kjo rrethanë nuk duhet të habisë pasi shpirti i dytë i shkrimtares është ai i gazetares, duke qenë se ka punuar që në moshë shumë të vogël në redaksi e kanale televizive. Në ato kontekste pune ngjarja merret, kuptohet, zbërthehet në aspektet e saj të përgjithshme dhe ribashkohet duke ndjekur fillin e një sekuence që duhet të komunikojë te publiku momentet më thelbësore. Është, në njëfarë mënyre, logjika e dokumentarëve, të cilën Dones e njeh shumë mirë, pasi disa prej tyre i ka realizuar vetë. Nevoja për të gjetur një bazë të fortë dëshmie manifeston nevojën për të vërtetën. Një ideal që mund të përkufizohet si i lajmeve, në të cilin një element i fabulës, i rremë dhe i kontaminuar gjithmonë me dimensionin e reportazhit, nuk i përmbush asnjëherë i vetëm funksionet e tregimit, por merr mbështetje nga rrethana të verifikueshme që kanë ndodhur realisht.
Një diasporë globale. Trilogjia e dhimbjes
Ndjeshmëria artistike e Dones dhe vizioni i saj i patundur mbi gjërat dhe dukuritë letrare, i lejuan të kuptonte shpejt se temat e shqiptarisë dhe rimarrja e tyre në një çelës biografik ose etnografik mund të rezultonin një thikë me dy tehe, që mund ta pozicionin zërin e saj në një kontekst shumë të ngushtë dhe tepër të lidhur me origjinën dhe të kaluarën. Prandaj, Trilogia del dolore, e shkruar midis viteve 2000 dhe 2004 dhe e përkthyer më pas në Itali, në intervale të rregullta trevjeçare nga një vepër në një tjetër, midis 2001 dhe 2007, duhet kuptuar në këtë këndvështrim.
Në një periudhë relativisht të shkurtër, Dones i jep jetë Yjet nuk vishen kështu (2000, Sole bruciato në 2001), Ditë e bardhë e fyer (2001, Bianco giorno offesso në 2004) dhe Më pas heshtja (2004, I mari ovunque në 2007). Gjëja e parë që bie në sy në këtë trilogji është raporti shpeshherë konfliktual me titujt origjinalë. Për këdo që ka një njohje minimale të gjuhës shqipe, përkthimet fjalë për fjalë në italisht do të kishin dhënë rezultate figurative më interesante. Le stelle non vestono così, sintagmë që hasim shumë herë në tekst dhe që gjendet edhe në ditarin e së gjorës Leila, do të kishte qenë një zgjidhje më e mirë nga ana stilistike krahasuar me alternativën e zgjedhur nga Feltrinelli, që, me Sole bruciato, sposton fushën metaforike te referimit drejt një tautologjie me kuptim të paqartë. E njëjta shkëputje nga titulli origjinal, këtë herë më produktive dhe e kërkuar nga vetë autorja gjatë rishikimit, vihet re tek Dopo il silenzio që shndërrohet në I mari ovunque. Në këtë rast, joshja e detit dhe thirrja shqetësuese drejt pafundësisë së tij, paraprijnë dëshirën e vdekjes që ndjen protagonisti Andrea, i cili përfundon duke u vetëvrarë pikërisht në breg të detit, pasi ka medituar disa herë t’i japë fund jetës për shkak të depresionit.
Pra, Dones vendos në qendër të kërkimit të saj njohës çështjen diasporike, duke devijuar nga një gjeografi e afërt ballkanike për të përfshirë më gjerësisht ndjenjën e çrrënjosjes dhe shqetësimin individual që vetëm migrimi i detyruar mund të shkaktojë. Ajo ndërton një meditim në tre kohë pasuese të njëra-tjetrës dhe të lidhura nga një logjikë që gjen çlirim në burimin e fluksit te ndërgjegjes dhe monologut të brendshëm. Nëse e kaluara dhe historitë personale të personazheve që përbëjnë trilogjinë – Selena, Leila, Soraia, Minira, Blanca, Andrea dhe Iliri, i vetmi variant mashkullor shumë interesant – tregojnë për brazda të thella në psikikën e tyre, për fat të keq, nuk rezulton aspak mikpritës as konteksti në të cilin këtyre vajzave – të gjithave, pa përjashtuar asnjërën, pavarësisht prejardhjes së tyre shoqërore – iu duhet të marrin në dorë frerët e ekzistencës së tyre të copëtuar. Nuk është një rastësi që pas Italisë, ajo që shërben si sfond është Zvicra e pasur dhe e akullt, një vend që i hap me mëdyshje dyert për fluksin migrator dhe nuk humbet asnjëherë rastin për të nënvizuar bezdinë që shkaktojnë të ardhurit e rinj, të cilët shihen si jashtëtokësorë të vërtetë në një shoqëri që nuk dëshiron asesi të zgjerojë rrjetën e komunitetit të saj.
Është gjendja prej të mbijetuarish ajo që përforcon dhimbjen e këtyre personazheve. Edhe brenga e ndarjes nga personat e afërt me të cilët deri pak kohë më parë ishin të lidhur ngushtë, që fillon t’i bëjë vend vetes brenda mërgimtarit, i detyruar të vuajnë më tej. Mungesa – e shtëpisë, e dashurive të kultivuara dhe të shijuara në anën tjetër – mbetet aty dhe nuk shërohet. Kjo trilogji romanesh di të izolojë, në kontekste të ndryshme por duke përdorur situata analoge, figurën e një refugjati të ekzistencës, që i ka shpëtuar me mund vdekjes, por jo vetvetes. Në atë moment ai përpiqet të nisë sfidën në drejtim të diçkaje më të madhe se vetja; angazhohet në një ushtrim të arsyes në të cilin pyet veten: pse. Është momenti në të cilin fati i diasporës globale të fundit të mijëvjeçarit prezanton llogarinë e vet; kush e merr, shpesh, mund veçse të humbasë.
Përktheu nga italishtja Kriselda Beqaj
Veprat kryesore të Elvira Dones
Senza bagagli, Besa Editrice, Nardò (Lecce) 20123 (Besa 1998). Titulli origjinal Dashuri e huaj, 1997, përkthyer nga shqipja nga Alma Molla.
Sole bruciato, Feltrinelli, Milano 2001. Titulli origjinal Yjet nuk vishen kështu, 2000, përkthyer nga shqipja nga Elio Miracco.
Bianco giorno offeso, Interlinea, Novara 2004. Titulli origjinal Ditë e bardhë e fyer, 2001, përkthyer nga shqipja nga Elvira Dones.
I mari ovunque, Interlinea, Novara 2007. Titulli origjinal Më pas heshtja, 2004, përkthyer nga shqipja nga Rovena Troqe.
Vergine giurata, Feltrinelli, Milano 2007.
Piccola guerra perfetta, Feltrinelli, Milano 2011.
Bibliografia Kritike
ALUSHI Sonila, La guerra è la conseguenza del fallimento dell’essere umano, intervista a Elvira Dones, in «Albania News», 23 maggio 2011.
CAMILOTTI Silvia, Piccola guerra perfetta di Elvira Dones: le donne tra centralità ed emarginazione, in Aa. Vv., Attraverso i confini del genere, Atti del Convegno tenutosi alla Facoltà di Sociologia di Trento, 23-24 febbraio 2012, a cura di BELLE Elisa, POGGIO Barbara e SELMI Giulia, pp. 513-526.
CARMINA Claudia, Monete false. Le contraddizioni del capitalismo occidentale nella narrativa di Elvira Dones e Anilda Ibrahimi, in «Narrativa», n. 42, 2020, pp. 141-152.
FEDERICI Anna, Autopsia dell’animo : la migrazione nei romanzi di Elvira Dones, Ornela Vorpsi e Anilda Ibrahimi, in «Linea@editoriale» 3, 2011, pp. 79-94.
KARP Karol, Cultura e viaggio. Vergine giurata di Elvira Dones, in «Echo des études romanes», n. XI, 2015, pp. 147-157.
KARP Karol, La figura femminile nel romanzo Piccola guerra perfetta di Elvira Dones, in «Studia Romanistica», n. 16, 2016, pp. 75-85.
KARP Karol, Tra Danimarca, Svizzera e Italia. La visione poliprospettica del viaggio nella prima fase della produzione migrante di Elvira Dones, in «Studia Europaea Gnesnensia», n.17, 2018, pp. 131-152.
MAUCERI Maria Cristina, Oltre il muro: dramma personale e nostalgia conflittuale in Dashuri e huaj di Elvira Dones, in Aa. Vv., La storia nella scrittura diasporica, a cura di SINOPOLI Franca, Bulzoni, Roma 2009, pp. 85-107.
MINORI Viviana, La memoria culturale albanese nella scrittura migrante: Vergine giurata, dal romanzo al film, in «El Ghibli, Rivista di Letteratura della Migrazione», 13 ottobre 2017.
MINORI Viviana, Elvira Dones: case study della letteratura italofona, in «La macchina sognante», n. 9, dicembre 2017.
PELLEGRINI Franca, Traslazioni narrative: strategie di mediazione in Vergine giurata di Elvira Dones e in Rosso come una sposa di Anilda Ibrahimi, in Il confine liquido, a cura di BOND Emma e COMBERIATI Daniele, Besa Editrice, Nardò Lecce 2013, pp. 149-166.
RADI Lidia, Scrittori senza frontiere: il caso di Elvira Dones, in «Critical Multilingualism Studies», n. 6:1, 2018, pp. 74-94.