More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDr. Fabio M. Rocchi: Kujtesa dhe veta e dytë. Koha, teknika dhe...

    Dr. Fabio M. Rocchi: Kujtesa dhe veta e dytë. Koha, teknika dhe këndvështrimet në librat e Durim Taçi. (Udha e dorës, E: 11)

    Durim Taçi është shqiptar nga lindja, por është bërë tashmë bergamask, duke qenë se jeton në Italinë e veriut që prej fillimit të viteve 2000. Ka studiuar filologji në Tiranë dhe kjo përgatitje solide, e pasuruar me kalimin e viteve nga eksperienca të tjera (të kryera në fushën e skenarit letrar dhe mendimit filozofik, për shembull), i ka lejuar padyshim të afirmohet si përkthyes i shkëlqyer nga gjuha italiane në atë shqipe, duke maturuar, mes të tjerash, një raport dialektik me autorë të kalibrit të Italo Svevo dhe Alberto Moravia. Jo vetëm kaq: Taçi përkthen vazhdimisht libra të narrativës shqiptare bashkëkohore në italisht. Falë kësaj situate të privilegjuar dygjuhësie, ka arritur të zhvendoset, duke filluar nga viti 2016, drejt krijimtarisë narrative. Veprat e tij, përgjatë këtyre shtatë viteve të fundit, na lejojnë të identifikojmë një seri të pasur konstantesh, në të cilat, çështja e teknikave të rrëfimit të përdorura shoqërohet me një reflektim të qëndrueshëm mbi tema universale dhe narratologjike si: funksioni i kujtimit; marrëdhënia mes subjektit dhe kohës; përpunimi i zisë dhe i zhdukjes; përshtatja e strukturave stilistike me situatat e zhanrit.

    Mes kujtesës, ripërpunimit të dhimbjes dhe një konceptimi të ri të kohës në letërsi: zëri i narratorit i lakuar në vetën e dytë.

    Ndërkohë që akti i rrëfimit shfaqet – në rastet më neutrale – në një transpozim të një vullneti të përfaqësuar nga një fabul, për Durim Taçin gjërat kanë rezultuar shumë më komplekse në rastin e dy romaneve të shkruar në një hark të ngushtë kronologjik, ndërmjet viteve 2020 dhe 2021. Edhe pse bëhet fjalë për dy libra të ndarë, dhe, për rrjedhojë, të animuar nga nevoja pjesërisht të ndryshme, prirem gjithsesi t’i konsideroj si një lloj diptiku, në të cilin njëri është frymëmarrje përgatitore për tjetrin, dhe ku – me koherencë formale – e njëjta teknikë, siç do ta shohim në vijim, i ofron mbështetje rrëfyesit në gjatë perkthimit të historisë në fjalë.  Në Extra time (2020) dhe në Una presenza che sfugge (2021), në fakt, pozicioni i këndvështrimit nuk i delegohet unit rrëfyes, që shprehet në vetën e parë; as nuk i besohet rrëfyesit të gjithëdijshëm i cili, falë privilegjit të njohjes totale dhe vertikale të historisë, tregon ngjarjet në vetën e tretë. Zgjedhja origjinale dhe në njëfarë mënyre tjetërsuese e adoptuar nga Taçi në këto dy romane është përdorimi i një tu (ti), i një seconda persona (veta e dytë), i cili rrëfen sikur t’i shoqëronte e komentonte përgjatë një transmetimi live të gjithë personazhet, pa përjashtuar askënd. Kjo aftësi vëzhgimi nuk kufizohet në të tashmen, por zhvendoset edhe në të shkuarën, duke u transformuar në cilësi prapavepruese që zbulon mendime, ngjarje e ndjenja të vendosura larg aktualitetit.

    Çfarë i dhuron rrëfimit ky decentralizim i pazakontë dhe origjinal? Në radhë të parë, shndërron në një hapësirë mendore tejet të veçantë atë marrëdhënie që krijohet gjithmonë mes rrëfyesit dhe lexuesit, duke zvogëluar distancat e shtypur sa më shumë perspektivën mbi një “reflektor” (the reverberator, siç e nënkuptonte Henry James) të përfshirë në mënyrë intime, në përputhje me ndjeshmërinë e atyre që jetojnë dhe vuajnë faktet. Ky rregull, që vlen qoftë për babain protagonist të Extra Time, qoftë për Donat Dora në Una presenza che sfugge, përfshin shpesh aktin e të kujtuarit. Memoria bëhet kohë pezull mes dy ekstremeve, atij kur ka ndodhur ngjarja dhe atij në të cilin rijetohet dhe përpunohet, shpeshherë nëpërmjet një dhimbjeje të brendshme torturuese. Rikuperimi i kujtimit rëndohet nga përdorimi i rrëfyesit tu, i cili i vë në dukje konturet dhe i projekton në botën e jashtme ndjesitë, sikur t’i rinovonte e ripërpunonte vazhdimisht. Në këto zhvendosje kohore në të cilat rrafshit të ngjarjeve faktike i mbivendoset ai i reflektimeve subjektive, dy romanet kompozojnë kapitull pas kapitulli një linjë të vetën narrative, qëllimisht të fragmentuar dhe ndërtuar mbi mungesën e marrëdhënieve të qëndrueshme. Në Una presenza che sfugge, gjatë kulmit të periudhës së parë të pandemisë, intelektuali Donat i ndohdhur larg familjes, është në prag të humbjes së babait dhe në krizë të plotë me të shoqen. Për më tepër, është kujdestar i një të dënuari me arrest shtëpie me të cilin është i detyruar të ndajë banesën e duhet të menaxhojë edhe raportin me Martën, një mikeshë e vjetër, përkthyese, e cila dëshiron të mbërrijë në Berlin për të rievokuar vitet e shkuara. Ndërsa në Extra time, në një vajtje-ardhje të vazhdueshme mes Italisë e Francës jugore, një baba i hidhëruar për humbjen e parakohshme të të birit njëzetëvjeçar ripërshkon fazat e romanit të vet familjar, të dominuar nga shqetësimi dhe në luftë me vetveten në mënyrë që logjika të mbizotërojë ndaj emocionalitetit të atij që ngjason me një pelegrinazh të vërtetë të arsyes.

    Në këtë drejtim, lind nevoja e një paranteze biografike të shkurtër, e cila nuk duhet në asnjë mënyrë të ndihmojë kuptimin e librave të autorit, por që, përkundrazi, dëshiron të vërë plotësisht në dukje cilësitë e tyre njerëzore e shkrimore. Është një parantezë e ankthshme, të cilën e hap me respekt dhe, nëse më lejohet, me shumë përkushtim, duke qenë se veç të tjerash, së fundmi jam bërë edhe vetë baba. Humbja e të birit, më 1 tetor 2011, ka shenjuar përvojën e personit fizik. Por rrëfyesi – i cili nuk përkon me identitetin real të Durim Taçit; e nënvizoj për ata që nuk kanë nocione narratologjike apo nuk janë në dijeni të teorisë së unit të ndryshëm të postuluar nga Marcel Proust në reflektimin mbi çfarë do të thotë të shkruash – ka ditur të gërmojë në brendësi të situatës deri në atë pikë sa ka nxjerrë prej saj një koncept filozofik të jashtëzakonshëm, e mbi të gjitha funksional për aktin e të krijuarit histori.

    Kushdo që i afrohet një leximi të kujdesshëm të Extra Time bëhet menjëherë i vetëdijshëm se si thellësia narrative e romanit (vepër në të cilën dinamika e asaj dite dramatike rishikohet më nga afër, veçanërisht në kapitullin e njëzetë) është e pajisur me një kompleksitet të madh. Personazhi i munguar ende jeton, në kujtesë, sigurisht, por edhe në atë dimension të veçantë hapësinor që pikërisht tu tipik i zërit narrativ të Tacit ka ditur të sajojë. Ai jo vetëm shihet nga protagonisti, por madje vëzhgon edhe ai vetë; menaxhon praninë e tij nëpërmjet epifanive që ndodhin në një hapësirë ​​extra – çelës i vërtetë simbolik duke filluar nga titulli – dhe, në një alegori të shkëlqyer, vazhdon të jetë i pranishëm edhe pas zhdukjes; bindshëm dhe në mënyrë të pashtershme, vazhdon të ekzistojë. Fizika e përkohshmërisë hapësinore që dallon realitetin duket e anuluar, e tejkaluar, për t’i lënë vendin një marrëdhënieje të llojit mendor mes të djeshmes dhe të sotmes, një marrëdhënie e re dhe më e frytshme. Këtu gjejmë një nga arritjet më të qëndrueshme të Taçit rrëfyes dhe narratolog, frut i studimeve dhe shtjellimeve autentike: nëse kujtimit i caktohet një kohë extra, atëherë, një kohë e re, e shkëputur nga lineariteti kronologjik, shfaqet në çfazimin midis së shkuarës dhe së tashmes; në një moment të caktuar fenomeni i prekshëm zgjerohet për të mirëpritur gjestin e tregimit, duke i caktuar një dimension anormal, pezull, veçanërisht të përshtatshëm për krijimin e një lloji të caktuar letërsie – asaj që nuk udhëhiqet nga obsesioni i realizmit. Nisur nga fakti i fabulës – dhe nga fakti privat – reflektimi merr përmasa më të gjera, konture në të cilat zhvendosja kohore ka një funksion mbizotërues pikërisht sepse lind nga një reflektim i tipit racionalo-filozofik.

    Nuk është sigurisht një rastësi që epigrafi i Extra time është marrë nga një pasazh i njohur i Agostino d’Ippona, në të cilin filozofi ngre pikëpyetje mbi kohën: « […] unë e di çfarë është koha, por kur më pyesin, nuk di ta shpjegoj». Kjo frazë sibilinike përmban një apori e cila fsheh një të vërtetë mbi kufizimet e perceptimit njerëzor: ne nuk jemi në gjendje as të përpiqemi të përkufizojmë esencën e kohës. Nuk dimë cila është koha që secili prej nesh ka në dispozicion në këtë botë. Nuk dimë – akoma – me siguri prej sa kohësh ekziston raca njerëzore. Madje nuk dimë as kohën totale që ka në dispozicion gjithë njerëzimi dhe planeti. Letërsia duket se është një nga mënyrat, ndër të paktat të mundshme, nëpërmjet të cilës mund të provohet të konturohet ky variabël, për nga natyra i pamatshëm. Vijnë në mend disa faqe të dendura të shkruara mbi këtë çështje nga Paul Ricoeur, në Tempo e racconto:

    «Koha bëhet kohë njerëzore në masën në të cilën artikulohet në mënyrë narrative; nga ana tjetër, rrëfimi është domethënës në masën në të cilën përshkruan veçoritë e përvojës së përkohshme. […] Që teza ka karakter rrethor është e pamohueshme. […] Rrethi midis rrëfimtarisë dhe përkohshmërisë nuk është një rreth vicioz, por një rreth i saktë » (RICOEUR: I, 15).

    Në këto rreshta shfaqet qartësisht tema që përshkon Tempo e racconto, vepra më ambicioze e Paul Ricoeur (1913-2005, hermeneutik e mbi të gjitha filozof), në të cilën kondensohen interpretimi i tekstit, fenomenologjia dhe ekzistenca. Objektivi i librit është të demonstrojë identitetin strukturor mes historiografisë dhe tregimit trillues mbi bazën e nevojës së të vërtetës që karakterizon të dyja mënyrat narrative. Tregimit, në frazën e cituar më sipër, duket se i njihet një stabilitet kohor më i madh, i ndërtuar mbi binarët mbajtës të një strukture narrative të renditur në mënyrë kronologjike; koha, në të kundërt, mund të organizohet e artikulohet në mënyrë narrative, por është më tranzitore, e shkëputur nga ato lidhje shkak-pasojë tipike të një ekstroversioni realist të fjalës. Narrativa e Durim Taçit – në mënyrë të menduar e programatike – më duket se i përmbahet polit të kohës duke zhvlerësuar tregimin, pra, duke mos i caktuar një rol primar fabulës tipike të Shekullit të Nëntëmbëshjetë, të përbërë nga fazat klasike aristotelike të prezantimit: zhvillimi, kulmi, epilogu. Taçi është spontanisht në kërkim të lidhjeve të reja, në gjendje të zbulojnë një tjetërkund logjik, duke analizuar ndjesi emocionale-konjitive.

    Një element i mëtejshëm që vlen si shumëfishi më i vogël i përbashkët mes teorive të Ricoeur dhe narrativës së Taçit të viteve 2020-2021 mund të gjendet në riferimin që të dy i bëjnë mendimit të Agostino. Përkohshmëria agostiniane është analizuar thellësisht nga Ricoeur, nëpërmjet një reflektimi që përfaqëson çelësin e mendimit të Agostino. Koha ndodhet brenda shpirtit, koha është shpirti, siç mendonte edhe Plotino më herët. Por, Plotino i riferohej shpirtit të botës, ndërsa për Agostino koha fillon e mbaron me atë kafshë të çuditshme, unike mes të tjerave, që konsideroi problemin e matjes së kohës: njeriu. Vetëm në brendësi të mendjes njerëzore koha mund të formohet, të bëhet një entitet nomad, e krijuar në tranzit, e matur jo në të qenurit por në rrjedhshmërinë, në evoluimin e saj. Të lexosh Taçin të dhuron pikërisht këtë vetëdije.

    Për t’u transferuar tani nga rrafshi filozofik në atë narrativ, në leximin e këtyre dy romaneve vihemi përballë një serie të fragmentuar imazhesh në të cilat kapërcimet mes së shkuarës e së tashmes, shpesh të palidhura mes tyre e të papërgatitura nga ndonje tranzicion, aludojnë për përcaktimin e një hapësire të mëtejshme, në të cilën, pikërisht në ndërveprimin mes së djeshmes e së sotmes, mund të gjendet përkufizimi, edhe pse përafrues, i konceptit të kohës. Në atë pikë, tregimi – që për shumë autorë përbën objektivin e vetëm që duhet ndjekur me çdo mjet – kalon në plan të dytë, bëhet pretekst, i sakrifikuar për hir të një lidhjeje të thellë me një përkohshmëri irreale, përkohshmëria e vënë në dukje nga rrëfyesi tu dhe nga memoria e ripërpunuar.

    Ndërtimi i një libri fiction nëpërmjet potencialeve të formës së shkurtër: Da un’altra porta.

    Ndërkohë që Extra time dhe Una presenza che sfugge duhen konsideruar, siç thamë, dy kanata të së njëjtës derë altari, të pikturuara me mjeshtëri e të menaxhuara përmes një logjike të ashpër sipas së cilës autori nuk i lejon kurrë vetes të mbizotërohet nga emocionet, por dominohet, në kërkim të një dimensioni alternativ në të cilën të mundë të marrë jetë letërsia, përmbledhja e tregimeve Da un’altra porta (2023) përfaqëson, nga ana tjetër, një fazë të mëtejshme e më pragmatike në rrugëtimin e Taçit rrëfyes. Këtu gjejmë disa stilema tipike të një komukimi më të menjëhershëm – dhe më të lexueshëm – i aftë të tregojë një histori sipas një aderimi me standardet e sistemit të zhanreve.

    Nëse në të kaluarën – me përjashtim të Codice Kanun, romani i debutimit për të cilin do të flas shkurtimisht në vazhdim – prirja e rrëfimit kalonte nga mohimi i një linje kryesore të zhvillimit të ngjarjeve, këtu, struktura e historive të ndryshme është gjithmonë qartësisht e dukshme. Përmbledhja përbëhet nga dymbëdhjetë tregime, por nuk është thjesht – siç ndodh shpesh – montim i shkrimeve të publikuar më herët nga autori e të organizuar më pas kuturu, rreth një fragmenti që bëhet eponim. Përkundrazi. Në këtë rast është e nevojshme të flitet për një sens kompleks libri, pra për një njësi të përgjithshme organike në të cilën prozat ​​gjejnë vendin e vet sipas një modeli strukturor krejtësisht të dallueshëm. Zbulohen disa konstante tematike që lejojnë grupimin e tregimeve sipas katër linjave kryesore: kujtimi i Shqipërisë së përshkruar në periudhën komuniste (La radiostazione; L’abito);  ekzaltimi i dinjitetit të të rinjve, në veçanti i vajzave shqiptare që hyjnë në kontakt me shoqërinë perëndimore pas emigrimit (Da un’altra porta; La badante; Ti amo, Giovanni); përshkrimi i Shqipërisë së pas vitit 1991, pra i Shqipërisë së tranzicionit (One up; La Dollìa); dhe linja më e qëndrueshme, ajo e animuar nga mekanizmat e dedective story, në të cilën «kërkimi» (i së vërtetës, i një fajtori, i një kuptimi, i një koke turku, i një viktime) bëhet term sa qëndror aq edhe teknik, duke i dhënë jetë hetimeve që përbëjne trungun kryesor të fabulës (Il cavallo rosso di Tare Çela, Sulle tue orme dhe të cituarit më sipër L’abito, One up dhe La Dollìa). Eksplorimi mbyllet me disa proza ​​sugjestive, të cilat ngelen jashtë kësaj ndarjeje të organizuar sipas temave dhe përfaqësojnë – për të përdorur një term të dashur për poezinë – fragmente ekstravagante: La casa degli uomini; Le castagne; La finestra.

    Siç vihet re, këtë herë, reflektimi mbi një lloj “shqiptarie” nuk është pretekst përkujtimor, por një temë kyçe që pushton vizionin e rrëfimtarit deri në kushtëzimin e tij, në kërkim të detajeve funksionale për rindërtimin e një sfondi të besueshëm. Një ideal i ri, më pak inovativ krahasuar me shembujt e mëparshëm por më efikas në montimin e fabulës, lakohet përgjatë rrjedhës së rrëfimit nëpërmjet detajeve të shumta. Këto detaje përshfaqin pasurinë folklorike ballkanike dhe disa zakone e rituale me vlerë etnografike. Introspeksioni, i favorizuar nga mekanizmi i zhvendosjes së përkohshme, zëvendësohet këtë herë nga shija për historinë e pastër, duke zbuluar aftësi tregimtare që akoma nuk ishin shfaqur plotësisht. Në fakt, dy romanet e periudhës ’20-’21 nuk ishin matur akoma në krijimin e strukturave diegjetike me frymëmarrje të gjerë, të populluara nga personazhe tërësisht realistë e të mbajtur së bashku nga një ndërthurje e fortë. Përkundrazi, siç e pamë, vizioni episodik dhe epifanik i momenteve të unit të filtruara nga kujtimi përbënte fokusin e tregimit. Ama rikthehen, si stilema të rrjedhura nga një qëndrim koherent ndaj aktit narrativ, distonitë kohore – ato që Gérard Genette quante «anakroni» (GENETTE: 83-95) – dhe rrëfimi i vendosur në vetën e dytë njëjës, ai TU që gjendet në plot pesë prej dymbëdhjetë tregimeve totale të përmbledhjes (Il cavallo rosso di Tare Çela, Da un’altra porta, Sulle tue orme, La finestra, La radiostazione). Edhe në këtë rast, Durim Taçi demonstron një vetëdije formale shumë të evoluar. Falë futjes së tregimeve të nivelit të dytë – pra tregimeve të përfshira në një strukturë më të madhe, e cila mbart me vete përmbajtjen e saj parësore – krijon korniza mbi të cilat tërhiqet vëmendja e lexuesit, në një lojë ndërthurjesh e vonesash të mbajtur gjithmonë në ekuilibër. Për më tepër, Taçi citon traditën, ekspozon livre de chevet vetjakë – që janë të shumtë, duke qenë se Taçi është mbi të gjitha një lexues entuziast dhe i zjarrtë – duke forcuar atë vlerë të pamohueshme që qëndron në thellësi të konceptit të kanonit.

    Prirja për një rrëfim investigativ, e frymëzuar nga shembujt e detective story dhe akoma më shumë nga nënzhanri i spy-story, ishte shfaqur që në Codice Kanun me rezultate shumë interesante që fillonin nga hakmarrja e gjakut për t’u transferuar më pas tjetërkund, falë ngjarjeve me natyrë politike dhe ndërkombëtare që ndiqnin njëra-tjetrën. Në këtë aspekt, dallohen disa analogji mes këtij romani dhe tregimit Sulle tue orme. Prandaj, është për t’u theksuar se si me Da un’altra porta Taçi arrin të pasurojë fjalorin vetjak të variablit të situatave nga të cilat niset për të krijuar histori, duke implikuar në kërkimin e vet edhe skema të tjera, si ato të evokuara nga thrilleri për të zhvilluar në këtë mënyrë një gërshetim ngjarjesh të tipit policesk – apo, gjithsesi fortësisht të përqëndura në një nyje kuptimi që duhet zgjidhur – e duke përdorur metodat tipike të suspense bashkë me vonesën në zbulimin e së vërtetës.

    Prandaj, këto dymbëdhjetë tregime zhdukin çdo dyshim në lidhje me aderimin pa problem të autorit në burimin që duket të jetë më i përdoruri në letërsinë bashkëkohore: atë të autofiksionit. Edhe pse është e vërtetë që disa kalime të Extra time dhe të Una presenza che sfugge – detaje autobiografike dhe personale që instaurohen mes autorit dhe personazheve, përdorimi i emrave të politikanëve bashkëkohorë, i figurave që ekzistojnë apo kanë ekzistuar realisht e kryqëzojnë jetën e protagonistit, prania e miqve intelektualë të autorit në brendësi të historisë – mund të nxisin të besohet legjitimiteti i këtyre paralelizmave, është tepër e dukshme që përmbledhja e tregimeve – përveç meritave letrare – kryen edhe një funksion të dytë, atë të konfirmimit të prirjes inventive dhe fiksionale të Durim Taçit, më tepër i interesuar të tregojë histori sesa të shndërrohet në një specimen të pajisur me interes ekzistencial. Është tjetër koncept ai që, sipas këndvështrimit tim, mund të përdoret për t’i kornizuar këto rrëfime në një perspektivë të saktë, këtë herë të analizuar në tërësinë e tyre dhe jo të ndarë në momente apo libra të veçantë. Kur Bachtin, për shembull, në L’autore e l’eroe, flet për «extralocalità», portretizon një mekanizëm të kuptimit të formës moderne të romanit sipas të cilit të qenurit në një farë mënyre i decentralizuar nga ngjarjet, konsiderohet mjet njohës i fuqishëm. Është një mësim i madh teorik, i vlefshëm akoma sot, pavarësisht viteve që kanë kaluar nga formulimi i tij, dhe pavarësisht se Bachtin i riferohej kryesisht Dostojevskit. Ky pozicion i decentralizuar, i shkëputur nga rrëfimi, është i njëjti që preferon edhe Taçi, i cili ngrihet mjaftueshëm sipër ngjarjeve sa për t’i vëzhguar e rrëfyer më mirë, përmes një shkëputjeje formale që është gjithashtu filtër i një kohe racionale dhe interpretuese.

    Reflektime mbi një të ardhme tashmë të afërt.

    Para se të mbyllet ky reflektim për librat e deritanishëm të Durim Taçit, mbetet për t’u trajtuar një pikë. Çfarë lloj shkrimi është i tiji? Dhe mbi të gjitha, çfarë rezultatesh mund të arrijë tani e tutje? Duke patur parasysh dominimin filozofik dhe spekulativ të prozës së tij, te ky autor më kanë bërë përshtypje vetëdija e thellë e mjeteve teknike dhe gjallëria në trajtimin e metodave të zhanrit me tone origjinale. Mund të afirmoj se Taçi deri tani i ka qëndruar larg vorbullës së temave standarde që kanë karakterizuar tekstet që kanë kompozuar fenomenin e italofonisë me prejardhje shqiptare: rievokimi i periudhës komuniste, malli për të kaluarën arkaike të Shqipërisë, epopeja e udhëtimit në det dhe tregimi për integrimin e vështirë në strukturën shoqërore italiane janë tema që nuk gjejnë hapësirë në veprën e tij.

    Nga ana tjetër, ai shfaq një aftësi të jashtëzakonshme në montimin e fabulave për nga natyra të shpërndara, të çorganizuara, të ndërtuara sipas logjikës së rikuperimit të papritur memorial, me derivim modernist dhe postmodern herë pas here. Në këtë përzierje të veçantë stilistike, e kaluara dhe e tashmja shkrihen, siç e pamë, në zmadhimin kohor të përvojës dhe përmes mbivendosjes së këndvështrimeve. Në këtë lloj forme të prodhimit të historisë, një cilësi e brendshme duket se ngre krye, duke shtyrë në drejtim të dramaturgjisë. Nuk është një këshillë – Taçi nuk ka nevojë – as një urim, por një ndjesi. Shkëmbimi dialogjik dhe menaxhimi i perspektivës janë cilësi që lulëzojnë vazhdimisht në prozën e tij. Shumë skena mund të përshtaten lehtësisht për t’u vënë në skenë, pa asnjë përpjekje shtesë, ndoshta vetëm me futjen e një rrëfimtari që ka funksionin e organizimit të një materiali narrativ shpesh heterogjen. Tani që lëvizja italofone i afrohet fundit të parabolës së saj historike, pas më shumë se njëzet e pesë vitesh botimesh dhe tregimesh, përpara kujtdo që ka ambicie shkrimin, hapet një udhëkryq i pashmangshëm. Zgjedhja për të vazhduar me një bërthamë temash tashmë të shterurar do të korrispondojë gjijthmonë e më shumë me izolimin në narrativën e zhanrit, pa ngjyrë dhe të destinuar me heshtje. Ndaj, nuk mund të jetë një rrugë e praktikueshme, veçse përballë kapaciteteve të kufizuara krijuese dhe autoriale. Përkundrazi, do të rezultojë shpërblyese rruga e rinovimit dhe guximit, duke vlerësuar ato zëra që, të pasur me aftësi përshtatjeje, do të demostrojnë – përmes librave të tyre – se janë të destinuar të vazhdojnë rrugëtimin e tyre. Jam i bindur që zëri i Durim Taçi bën pjesë që tani në grupin e dytë.

                                                                                 Përktheu nga italishtja:

    Kriselda Beqaj Rocchi

    Shënime bibliografike

    Vepra të Durim Taçi të shkruara në gjuhën italiane

    Codice Kanun, Edizioni d’Este, Milano 2016.

    Extra Time (la tua seconda persona). Una mitobiografia, Mimesis Edizioni, Sesto San Giovanni (Milano) 2020. 

    Una presenza che sfugge, Lubrina Bramani Editore, Bergamo 2021.

    Da un’altra porta, Besa Muci, Nardò (Lecce) 2023. 

    Lexime kritike

    GENETTE, Gérard, Figure III. Discorso sul racconto, Einaudi, Torino 1976.

    BACHTIN, Michail, Estetica e romanzo, Einaudi, Torino 1979.

    BACHTIN, Michail, L’autore e l’eroe, Einaudi, Torino 1988.

    RICOEUR, Paul, Tempo e racconto, Jaca Book, Assago (Milano) 1989.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË