Abstrakti:
Objekti i këtij kumti përfshin një krahasim të përgjithshëm tematik të disa këngëve, që janë përkthyer në shqip e që këndohen në hapësirën e komunitetit greqishtfolës brenda kufijve të Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë, tekstet e kënduara në dy gjuhë janë parë në rrafshin e metrikës, ritmit, dhe të rendit sintaksor, duke theksuar organizimin gjuhësor të njësive sintagmatike, fjalisë dhe strukturës së frazës, njëherësh dhe fenomenet gjuhësore që shfaqen midis vargjeve të ndryshme. Në lëmë të leksikut synohet të vihen në dukje përsëritjet, sinonimia, homonimet dhe antonimet. Në këto këngë të marra në shqyrtim, shohim jo vetëm tematikën e rrokur nga aedi popullor, por njëherësh del në dukje edhe mënyra e jetës, qëndrimi estetik ndaj së bukurës, deri edhe vajet me ligje, të njohura e të përhapura në të gjithë hapësirën e popujve ballkanas.
Historikisht kjo vjen nga fati i njëjtë që kanë pasur vendet ballkanike, sidomos gjatë pushtimit të rëndë osman. Në këngët e krahasuara bie në sy dëshira e madhe për liri, për një jetë më të mirë pa shtypje e shfrytëzues.Në ligjëratën tonë u përfshi edhe ndonjë segmente këngësh nga aedi i njohur popullor i minoritetit grek në Shqipëri, Stavrinos Vestiaris. Ky ka qenë autor këngësh të ndryshme, i cili ishte edhe i arsimuar pranë manastireve të Delvinës dhe ka mundur t’i shkruajë krijimet e veta, me të cilat arriti të hartojë edhe një poemë. Vestiaris-i jetoi në gjysmën e dytë të shekullit XVI deri në dekadën e tretë të shekullit XVII.
Fjalët kyçe: përkthimi, kënga popullore, organizimi gjuhësor, struktura e frazës, njësitë sintagmatike.
Hyrje
Deri më sot, historia e përkthimeve nga greqishtja, nisur dhe thelluar me klasicizmin helen, të njohur e vlerësuar nga e gjithë bota, ka tregues që nga fundi i shekullit XX dhe këto tri dekada, të qindvjetëshit të ri, është pasuruar edhe me vepra të shkrimtarëve e poetëve bashkëkohorë të Greqisë. Kjo marrëdhënie letrare e kulturore është shoqëruar edhe me përkthime të disa autorëve tanë në gjuhën greke, duke kontribuar në vendin fqinj, për njohjen më të gjerë të vlerave artistike të shqipes në prozë e poezi. Kështu, mund të përmendim vepra nga I. Kadareja, D.Agolli, Dhimitër Shyteriqi, etj., por nisma e një grupi pedagogësh të Universitetit “E. Çabej” të Gjirokastrës, për të hartuar një antologji si kjo, me përkthime në shqip të një tube kaq të mirë nga visari i krijimtarisë popullore në gjuhën greke, dhe me një varg poetësh të minorotetit grek në Shqipëri, duke radhitur nga poeti më i njohur i këtij komuniteti, Pano Çuka, deri tek më të rinjtë dhe me krijimtari më të pakët; pra, kjo nismë, duhet lavdëruar si një ndihmesë e dukshme jo vetëm në lëmë të folkloristikës, por edhe në marrëdhëniet midis dy gjuhëve kufitare, prej shekujsh gjuhë në kontakt, edhe pse jo me tregues filiacioni linguistik, brenda familjes indoeuropiane. Jemi ndalur brenda këtij kumti, kryesisht, në këngët popullore të hapësirës minoritare greke, sepse në këtë publikim të kolegëve të Gjirokastrës, kemi mundësi të vërejmë disa veçanti dhe përafrime strukturore, figurative, tematike me mjaft dëshmi qoftë historike, ashtu edhe të mënyrës së shprehësisë, deri edhe në emërtime ngjyrash, siç shkruante U. Eco dhe daltonizmin nga popuj të ndryshëm, një enigmë shoqërore, e vështirë qoftë për ta zgjidhur e dalluar, pikërisht për arsye gjuhësore.[1]Tekstologët dhe specialistët e përkthimit kanë vënë në dukje se procesi i përkthimit është në raport të drejtë me treguesin e quajtur “gjuhë të afërta” dhe “gjuhë të largëta”; sa më i vërtetë të jetë përcaktimi i fundit, aq më tepër vështirësi paraqet shqipërimi; nga ana tjetër, sa më të afërta të jenë gjuhët nga filiacioni, apo edhe nga fqinjësia gjeografike, aq më lehtë do të shfaqet përkthimi, çka na lejon të pohojmë se në këto raste ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si kultura në përgjithësi dhe marrëdhëniet ekonomike e shoqërore midis popujve që i flasin këto gjuhë.
Grupi gjirokastrit i shqipëruesve i kanë shoqëruar këngët folklorike edhe me disa shpejgime të shkurtëra, të cilat duhen marrë si burime tematike që kanë frymëzuar krijuesit anonimë për tekstet letrare, për t’u shndërruar ato edhe në krijime muzikore, brenda vijës melodike. Përkthyesit, pedagogë universiteti, nga ana tjetër, kanë pasur përparësinë se janë të gjithë bilingë, lindur e formuar gjuhësisht, mu pranë hapësirës ku jetojnë minoritarët.
Krahasimi
Duam të bëjmë një krahasim tekstor midis këngëve popullore, prej greqishtës në shqip, në rrafshe të ndryshme: nga korrelacioni leksikor, ndërtimi i sintagmave mbi bazën e valencës semantike, si dalin njësitë predikative në raport me vargun poetik, tipat e fjalive dhe, sidomos organizimin e frazave, duke vënë në dukje rendin e gjymtyrëve funksionale nga gjuha dhënëse te ajo marrëse, që në rastin tonë, është shqipja, si dhe të kostatojmë si shfaqen njësitë kallëzuesore në funksionin sintaksor e mjetet e lidhjes sintaksore. Lidhur me këtë, prej më se gjysmë shekulli, Jakobsoni pat përcaktuar ekzistencën e tri lloj përkthimesh: brendagjuhësor, ndërgjuhësor dhe ndërsemiotik. Në këtë paraqitje tonën, kemi të bëjmë me llojin e dytë – për rastin kur një tekst përkthehet nga një gjuhë në tjetrën ose kur kemi “një interpretim të shenjave verbale nëpërmjet shenjave të një gjuhe tjetër”, si përkthim i mirëfilltë. [2]
Në vështrim të parë për këngët dygjuhëshe të kësaj Antologjie, shënojmë që na bie në sy dukuria e hipotipozës,[3]që mbart kuptimin e fjalës skicim,[4] paraqitje e përgjithshme, një figurë stili, e krijuar nga përshkrimi i një personi, sendi, i një ngjarjeje, situate, me një gjallëri e pasuri gjuhe sa të na duket sikur e kemi të gjallë përpara. Për këtë, gjatë përqasjes, mund të themi se autorëve u është dashur dhe priren më së shumti drejt shqipërimit të fjalëpërfjalshëm, gjë që mund ta shohim që nga kënga e parë “Oj e bukur dropullite”, në të cilën na duket se e shohim vashën e përshkruar – në kontekstin e valles së kënduar, edhe me bukurinë e veshjes tradicionale artistike – një portret i realizuar me poetizim të fjalëve dhe togjeve të tyre, si: e bukur dropullite (mbiemri para emrit – që për greqishten është e natyrshme), me llambadhe, me levand e me temjan (rend i tërë me sintagma parafjalore, SP), të mjerët orthodoksë (mbiemri para emrit), na mori, na shtyp, na therr (me shkallëzim poetik të veprimit intensiv të foljeve), si qengja, si keca (krahasim me qengja e keca- simbole të pafajësisë; “qengji” edhe si kafshë e shenjtë!). Ja dhe leksemat e togjet përkatëse në gjuhën greke:
Μωρ’Δεροπουλίτισσα
– e bukur dropullite
με λαμπάδες
– me llambadhe
με μοσκοθυμιατά
– me levand e me temjan
για τ’εμάς τους χριστιανούς
– të mjerët orthodoksë
μας πλάκωσε, μας σφάζουν
– na mori, na shtyp, na therr
σαν τ’αρνιά, τα κατσίκια
– si qengja, si keca
Shfaqja e kësaj figure stili është dalluar që në filozofinë greke me Aristotelin, më vonë, në letërsinë klasike latine, prej të cilave na kanë arritur shembuj të shumtë përdorimi dhe shkëlqimi oratorik apo në poetikën e pavdekshme të asaj kohe.
Së dyti, lidhur me foljen, që, sipas shumë teoricienëve, është qendër e fjalisë (pasi ndërtohen më shumë sintagma verbale, krahasuar me klasa të tjera fjalësh, si: me emrin, mbiemrin, ndajfoljen dhe parafjalën), gjuha jonë ka mjaft përparësi në numrin e mënyrave, që krijohen me ndajshtesa sintetike dhe analitike, nëpërmjet foljeve ndihmëse, një tregues që nuk e kanë mjaft gjuhë të huaja, me to, edhe greqishtja. Te kënga e mallkimit (të cilën shqipëruesit e kanë quajtur “këngë vajtimi, me ligje”, shënuar në tekst se vetëm këngë vajtimi nuk është), si një formë rezistence nëpërmjet artit popullor, “Aq sa lisa ka në lëmë”, të gjitha foljet në dhjetë vargjet e saj, dëshirorja sillet me anë të lidhores, përndryshe, në 8 vargje, sepse dy dalin pa kallëzues. Siç dihet, greqishtja moderne nuk ka mënyrë dëshirore dhe në një situatë ligjërimore kur vjen e domosdoshme, ajo formësohet përmes foljes modale “dua” e “dëshiroj”, “do të doja”, “do të dëshiroja ”, ndërkohë që në greqishten e vjetër ka pasur dëshirore (urore), që quhej eftiki (ευκτική). Ja dhe tekstet e këngës përballë njëri-tjetrit, tek Antologjia, dhe varianti me dëshirore dhe me refrenin anaforik:
Σάπιες να΄ναι οι ψαλίδες ω αγά ω μπιρ Të të kalben gjithë trarët, o aga o bir
το κατώφλι σου να πέσει “ Pragjet e shtëpisë të thyhen, “
Τράβα σβάρα το ποδάρι “ Hiqe zvarrë këmbën, o bej, “
Πίσω σου να΄ρθουνε και άλλοι “ Të të ndjekin dhe të tjerë, “
Πέντε δέκα την ημέρα “ Për çdo ditë nga pesë, nga dhjetë, “
Κι εκατό την εβδομάδα “ Nga njëqind për çdo javë, “
Να¨ναι στείρα τα παιδιά σου “ Djemtë të të ngelen shterpë, “
για να σβήσει η γενιά σου “ Që të humbi soji yt, “
Όσα δέντρα έχει τ’αλώνι “ Aq sa lisa ka në lëmë, “
Τόσοι αγάδες ν’απομείνουν “ Aq agallarë të mbeten.[5] “
T’u kalbshin të gjithë trarët,
Pragjet e shtëpisë t’u thefshin,
E heqësh zvarrë këmbën, o bej,
Të ndjekshin dhe të tjerë,
Për çdo ditë nga pesë, nga dhjetë,
Nga njëqind për çdo javë,
Djemët të ngelshin shterpë,
Edhe humbtë soji yt,
Aq sa lisa ka në lëmë,
Aq agallarë mbetshin….!
E kësaj kohe të sundimit të egër osman është edhe “Kënga e Papa-Janit”,[6] i cili del e flet hapur në emër të fshatarëve, kundër islamizimit me forcë, që duan të bëjnë “agallarët e rëndë” dhe “bejlerët e mvrejtur” – kërcënues ndaj popullatës, për t’i kthyer në rajenj, siç ishte vepruar me disa të tjerë.
Është portreti i një kleriku të zemëruar, njeri i fesë, që bejlerët i quan efendinj (zotërinj), po kështu agallarët i thërret të mirë. Ai nuk shan e mallkon asnjë fe e besim por është kundër që në Pandelejmon të dëgjohet kënga e hoxhës! Na duket se, si në një kuadër filmi, vjen e shfaqet pamja e shëndërrimit në besimin e pushtuesit, që atij i shoqërohet në një pickim prej gjarpëri !
Ακούστε αφέντες μπέηδες και εσείς οι καλοί αγάδες
Το βιο μας θα το πάρομε κι ο τόπος νάν’δικός σας
Πάλε με χρόνους, με καιρούς, πάλε θα ξαναρθούμε
Μον’νιώθω πόνο στην καρδιά σα δάγκωμα από φίδι,
Κούγω στον Παντελέημονα Χότζας να μπγλαντίζει
Dëgjoni efendinj bejlerë dhe ju agallarë të mirë,
ne do të shkulemi këtej dhe vendi qoftë i juaj,
dhe dijeni, do të vijë një ditë, që prapë këtu do jemi,
por ndjej në gjoks një sëmbim si një pickim prej gjarpëri,
prej kohësh në Pandelejmon dëgjoj këngën e hoxhës.
Praninë hipotipozës në përshkrimin e një bukurie fizike, po kësaj radhe, jo për një vashë, por për një djalë trim – si Llambi – e ndeshim edhe në kohë të vona: në Luftën II Botërore, nën pushtimin italian, i cili, në këngë, thirret Llambi – Llambraqi im – djaloshi trim – shpirti dhe loti im![7]Tre plumba të mallkuar iu drejtuan; i pari sa e çiku pak, i dyti e merr në këmbë, kurse i treti, i helmuari, në ballë e i merr jetën! Shfaqja e dhimbshme: pa grua për ta parë, pa nënë për ta qarë – mbi tokë, vjen e ngrihet e bëhet kozmike: me hënën e yjtë dhe agun e mëngjesin që qajnë njëherit të gjithë për Llambron e mjerë. Katër vargjet e fundit duhet t’i vëmë përballë, që të mund të zbulojmë ngarkesën poetike, sidomos, të foljeve që dalin në vargjet 2 e 4:
Εσείς βουνά του Δέλβινου
Male të rënda mbi Delvinë,
ποτέ μην χιονιστείτε
nga bora mos u zbardhni,
κι εσείς, κάμποι του Φοινικιού
dhe ju o fusha në Finiq
ποτέ μην παχνιαστείτε
Me brymë mos u mbuloni.
Në kujtesën popullore të krahinës, Llambi mbahej mend si një djalë i bukur, i rrallë midis të tjerëve, që duhej të rronte për hijeshinë trupore dhe shpirtërore që ishte pajisur e jo të vdiste për mbrojtjen e Delvinës. Kjo ndodh sepse mënyra dëshirore jep modalitet të shoqëruar edhe me një ndjenjë, kështu që, në thelb, përmban një ngjyrim teksti, më të theksuar se urdhëroja e përdorur më sipër.
Elipsa sintaksore dhe rendi gjymtyror funksional
Të dy këta tregues nuk janë atribut i të gjitha gjuhëve natyrore (njerëzore); më së shumti këta dallohen në grupet gjuhësore me filiacion të përbashkët, siç janë gjuhët neolatine, ato sllave, apo, më gjerë, brenda familjeve të mëdha gjuhësore, siç janë ato i.e. Me greqishten, ne afrohemi vetëm me këtë familje të përbashkët. Te vargjet e këngës polifonike (përngjasim me një baladë) “Mu në fushë të Dropullitë”,[8]një nga më të përhapurat e minoritetit e më gjerë, po dallojmë në sa e cilat vargje na shfaqet elipsa, pastaj dhe topika e fjalëve apo sintagmave në funksione gjymtyrore.
Siç janë shumica e këngëve polifonike, nga ana semantike e njësisë sintaksore, përcjellësja del pjesë e tekstit, zakonisht, edhe pa folje; kështu, janë 4 vargje që drejtohen nga folje ”ish-te” (vargu I), ndërsa elipsa shihet qartë në vargjet 3-4. Trimi Jaho është shtrirë i plagosur dhe vetëm me kalin pranë, të cilit nuk mund t’i hipën në shpinë për shkak të plagëve të marra.
Mu në fushën dropullite, more birbil-o
Hajde, mor Mil-o
ish një lis degëgjerë,…………….P + S + A (Predikati, Subjekti, Atributi-përcaktor)
Janua nën të i shtrirë,……………S + C + A (Subjekti,Complimenti-rrethanori, Atributi)
lidhur kalin në një degë…………A + O + C (Atributi, Objekti –kundina, Complimenti)
– Ngreu Jano, hyp të ikim………P + Th + P + P
– S’ngrihem dot, o kalë i gjorë… P + Th + A
se e kam trupin me plagë. .……P + O + A
Sa u takon klasave të fjalëve, janë-fjalë kuptimplota: 6 folje, 8 emra, 4 mbiemra; fjalë shërbyese; 2 numëror, 1 përemër, 3 parafjalë, 1 lidhëz. Kurse nga origjinali vjen kjo tablo:
Στις Δερόπολης τον κάμπο, μωρέ Μπιρμπιλι-ό
μωρέ κι αϊ Μιλι-ό plus rendi…
δέντρος ήταν φυτρωμένος
κι ο Γιαννάκος ξαπλωμένος,
με το Γρίβα του δεμένο.
Σήκου, Γιάννο, καβαλήκια
Δεν μπορώ, κημένε Γρίβα,
γιατί είμαι λαβωμένος.
Sa u takon klasave të fjalëve, në origjinal kemi: 5 folje, 8 emra, 4mbiemra; fjalë shërbyese; 0 numëror, 0 përemër, 2 parafjalë, 1 lidhëz.
Këngë me distikë safikë
Zakonisht, për modelet e poetikës së Sapfosë greke,[9] flitet në organizimin e vargjeve në strofa katërshe, siç kanë krijuar Mjeda[10] dhe Çajupi,[11]por kënga “Gjithë dynjaja, bota e tërë”,[12] na vjen me distikë të rreshtuar në monokolonë. Përkthyesit pohojnë se kjo është margaritar i folklorit të minoritetit, me varg të përsorur trembëdhjetërrokësh e me thyerjet e tij. Kënga përcillet me refrenin që përmban emrin e Ali pashë Tepelenës, shoqëruar me dy atribute antonimike të papajtueshme: i tmerrshëm – për krimet që u ka bërë suljotëve trima – dhe vezir efendi (prijës zotëri), përdorur për eufemizëm, si zbunim i emrit të tij gjakatar për shtypjen e popullit të vet, pa i përmendur si meritë kundërshtimin që i ka bërë Portës së Lartë! Edhe vargjet e para të këngës ngrihen mbi fjalë të kundrëta në kuptim, si “….bota e tërë ” – “një fshat i vetëm”; “t’u nënshtrua – s’u gjunjëzua”:
Όλος ο κόσμος κι ο ντουνιάς φοβερέ Αλή Πασιά
Gjithë dynjaja, bota e tërë, Ali Pashë i tmerrshëm
σε προσκυνάει βεζύρ αφεντή,
t’u nënshtrua, “ “
ένα χωριό είν’ η Δρόβιανη, φοβερέ Αλή Πασιά
Një fshat i vetëm, Dhroviani, “ “
δεν προσκυνάει βεζύρ αφεντή,
s’u gjunjëzua; “ “
Shohim se përkthimi i foljeve ka ndryshim në ngjyrimin stilistikor, sepse poezia origjinale thotë “të përulet” , ndërsa shqipërimi vjen “t’u nënshtrua”. Gjetja më e qëlluar është se, nisur nga fakti se barazvlerësi shqip ekziston, nuk kemi pse të tjetërojmë vlerat stlistikore, duke i rënduar ato.
Përdorimi i turqizmave, që janë edhe në gjuhën greke: dynja, vezir efendi, groshë, qatip, çiflik, bodrum, krijojnë koloritin e kohës që përshkruan teksti i këngës, edhe për të shprehur atë që Ali Pashai ishte i egër, pa dalluar prej pashallarëve osmanë të atyre viteve të gjata robërie.
Qëndresën e minoritarëve për lirinë dhe të drejtën njerëzore përmban kënga “Ku shkon kështu, Selim i gjorë”,[13]por kësaj radhe zënka nuk është midis pushtuesve; jo, ndërmjet dy familjeve ndodh kjo: Kokatët e pasur e të dëgjuar, derë e madhe delvinjote, po e rënduar me krime, duan të nënshtrojnë Mustafagajtë e Leshnicës. Atributi “ i gjorë” – «κερατά» (qerata) nuk del si fjalë mëshiruese për fatin e keq se shkonte drejt vdekjes, por është përcaktues ndaj sulmit që po i bënte një familjeje të pafajshme, e cila vetëm mbrohej prej atyre dhe që quhen “trima të çartur” e që “të marrin gjak në vetull”. Nga ana tjetër, anasjella e mbiemrit në lidhje me emrin e cilësuar, bie mjaft në sy, pasi vendi i tij pas emrit, është i detyrueshëm, për natyrën që ka shqipja. Le të përqasim leksikun e katër vargjeve të fundit, vargje thirrjeje qëndrese nga heroi Dhimitër Çavo:
Πού πας Σελίμι κερατά μέσα στην Λεσνίτσα,
δεν είναι σύκα να τα φας, λεμόνια να τα ζύψεις,
είναι παιδιά λεσνιτσινά, λεβέντες παλικάρια,
και παίρνουν αίμα καθαρό μες τα ματόφρυδά σου
Ku shkon kështu Selim i gjorë, ku shkoni në Leshnicë?
Nuk jemi fiq që t’i hash, limonë që t’i shtrydhësh,
por jemi djem leshniciotë, të gjithë trima të çartur,
se jemi djem të maleve që marrim gjak në vetull.
Po si na del përqasja kuptimore e sintagmës emërore (SN) “trima të çartur” dhe frazeologjizmit “marr gjak në vetull” në dy gjuhët? E para, sintagma, ka në përbërje mbiemrin prejfoljor “i/të çartur” nga folja “çars”,[14] të cilën K.Topalli e bie të trashëguar me burim nga ie.sker – “ndaj, përse”, duke e lidhur me irl. vj. dhe me gjermanishten etj. Ndërsa frazema në fjalor ka kuptimin: është trim i madh, është shumë i zoti.
Çështje të metrit dhe rimës
Treguesit e rimemave dhe metrit në poetikë, në aktin e përkthimit, janë çështje forme, por njëherësh edhe shfaqje arti e stili, përzgjedhjeje dhe pëlqimi të autorit e përkthyesit, në rastin që po diskutojmë. Ka mbetur, prej më se gjysmë shekulli, model i paarritshëm deri më sot përkthimi i Komedisë Hyjnore të Dantes nga prof.Pashko Gjeçi,[15] që i ka sjellë në shqip tercinat e famshme të D.Aligierit, me rimë, sikurse janë në origjinal. Vërejmë se një punë të vlerësuar në këtë fushë, kanë bërë autorët e Antologjisë që po shfletojmë në këndvështrimin tonë. Këtë e vërteton 8-rrokëshi i këngës “Moj e Janit, e Janaqit”, ku përftesa stilistike na vjen që në titull, me zbunimin e emrit tipik minoritar “Jani-Janaqi”, jo për të kumtuar një emër përkëdhelës për të vegjëlit, por për ta thirrur kështu, prej trimërisë së tij: se mbrojti nderin e familjes, duke mbrojtur bashkëshortën nga Vojvoda! Emërtimi i gruas, bashkëshortes së dikujt me “Moj e Janit” na kujton idiomën që përdor aq dendur Jakov Xoxa, në romanin “Lumi i vdekur” – Moj e Thanasit, Moj e Kozit, Moj e Leksit, etj.” Në gjuhën greke ekziston edhe kjo formulë komunikimi, por në mënyrë informale e formale vihen në përdorim shprehjet: “vasillo, gjeorgjena, por, ndryshe nga shqipja, greqishtja nuk vë në përdorim pjesëzën “moj”, “oj”, kjështu që, të drejtuarit në situata informale, del me kompozitë, si në rastet e mësipërme.
Përkthyesit kanë mundur ta ruajnë metrin e origjinalit, por jo rimën, e cila në variantin greqisht ka skemat ABAB, AABB etj. Ja dhe një fragment në dy gjuhë, ku tek origjinali, shohim edhe rimat, marrë si distikë, por vendosur në monokolonë, kur në shqipërim është ruajtur mjaft izotonizmi (theksat në po ato vende):
Στο χορό χορεύανε
Në mes sheshit po kërcenin
και τραγούδια λέγανε
Edhe këngë po këndonin,
βόιβοντας πάει μπροστά
Vojvoda e hiqte vallen
κι ο χορός από κοντά
Edhe vallja pas i shkonte.
Γιάνναινα, Γιαννάκαινα,
Moj e Janit e Janaqit,
κοντολεμονάκαινα
moj e bukur, topolake,
μην παραστολίζεσαι
mos u ngjesh, mos u stolis
Βόιβοντας πάει κοντά
se Vojvoda të vjen pranë
με τα παλικάρια του.
me të gjithë trimat e tij….
Βόιβοντα κάτσε καλά,
-Vojvodë, ndalu, mos më prek
Είναι ο Γιάννης στον οντά
se është Jani në shtëpi
Και σου ρίχνει ντουφεκιά
dhe ta shkrep me plumb në ballë…..[16]
Në këtë situatë kënge dhe valleje mund të dallojmë disa tablo; në shesh të fshatit po hedhin valle, Vojvoda e heq atë, si i parë i vendit dhe me synimin e keq ndaj “asaj të Janit”, e cila është valltare që bie në sy nga bukuria dhe kërcen për qejfin e saj, pa pyetur për Vojvodën që i afrohet. Tabloja e dytë ravijëzohet me 5 vargje, si një mendim që nuk shprehet me gjuhë, por që tërheq vëmendjen e të pranishme: Vojvoda po i vjen pranë, prandaj, “ajo e Janit” të kishte kujdes! Tablloja e tretë: “ajo e Janit” shkon dhe i tregon të shoqit, i cili vjen dhe e vret Vojvodën; tabloja IV: xhindë u bënë trimat e Vojvodës, që dogjen fshatin Derzho, si hakmarrje për vrasjen! Kështu, skena e bisedës midis “asaj të Janit” dhe bashkëshortit të saj, vetëm merret me mend. Prandaj dhe gjuhëtarët, sepcialistë të narracionit, janë shprehur se në shembuj si këta gjendemi përballë teknikash përshkruese dhe rrëfimtare të ndryshme, që kanë të përbashkët faktin se marrësi nxjerr që aty një përshtypje pamore.[17] Kjo realizohet falë hipotipozës, që përshkruam më lart. Edhe togu foljor “ta shkrep me plumb në ballë” fiton shprehësi, kështu i përdorur, pasi vjen në vend të foljes terminative ”të vret”, “të vdes”.
Fraza në poezi
Po e vështrojmë këtë njësi kumtuese, eprore nga forma, tek një këngë nga Lufta e Dytë Botërore, “Sikur të isha një thëllëzë”,[18] kushtuar Heroit të Popullit, Lefter Talo, një valle e kënduar, në të cilën na shfaqet një organizim sintaksor mjaft interesant qysh nga struktura e tekstit. Pas saj, do të njihemi me një prej krijimeve të poetit Stavrinos Vestiaris,[19]ku do të vërejmë një fragment nga poezia e lëvruar e këtij poeti minoritar grek, për të parë raportin që ka fraza me vargjet, strukturën sipas përbërësve predikativë dhe funksionet që dalin, shënuar përgjithësisht, me anë të mjeteve të lidhjes sintaksore. Që nga vargjet e para, kjo këngë shfaqet me anadiplozë të kryqëzuar: me foljen në lidhore “të isha” – thuajse në fillim të vargut të parë dhe në fund të të dytit; po ashtu fjala e poetizuar “thëllëzë-a” ( e cila del edhe si simbol i bukurisë vajzërore), mbyll vargun e parë dhe del në fillim të vargut të 2-të. Mbase, nën ndikimin që bën emri femëror “thëllëzë-a”, poeti anonim vjen dhe e tërheq në këtë gjini edhe emrin e heroit “Lefter-i”, duke na krijuar figurën e stilit që quhet enalagë. [20]Por, ajo që na shërben për argumentin e shtruar, më tepër është struktura e gjashtë vargjeve të para, të cilat përbëjnë atë që quhet “fraza – strofë”, ose “strofa – frazë”, sepse kështu është e organizuar gramatikisht e sipas ligjeve të sintaksës. E dyta, për nevoja të tekstit të kënduar, vjersha zë fill me dy vargje 8-rrokëshe dhe vijon me 4 të tjerë në 16-rrokësh. Le t’i qasim dy tekstet e dy gjuhëve, nën vështrimin e ndërtimit sintaksor dhe funksionit të përbërësve predikativë:
“Sikur t’isha një thëllëzë, //Lefteri, Lefteri,
thëllëzë mali të isha, //more Lefteri Talo,
që të vështroja mbi Delvinë, // të shihja Bamatatin, //
se si luftojnë djemtë tanë, me Gjermanoballistët, //
Lefteri foli nga një breg, // pushoni, o djema, luftën, //
që të shpërndahet tymi i zi, // të numërojmë të vrarët….
Fraza-strofë, këtu, ka ndërtim të zhdrejtë: nis me njësi kallëzuesore të varur, funksionalisht kushtore, shënuar me lidhëzën “sikur” e ndiqet prej një njësie homogjene asindete (vargu II në 8-rrokësh); QOS (Qendra e Organizimit Sintaksor është në vargun V), e cila ka lidhjet me hipotaksë si para saj, ku ka 5 njësi në vartësi, ashtu edhe pas, me raportin 3 fjali. Shigjetat tregojnë varësinë dhe marrëdhënien me QOS-në, në të dy krahët. Ja dhe skema funksionale e përbërësve predikativë:
Fj.drejtuese ………(QOS)
Fr.
Fj.v.kusht. Fj.v.kusht.
Fj.v.kund.
Fjv.qëll. Fj.v.qëll.
Fj.v.kund. Fj.v.qëll. Fj.v.qëll.
Ja dhe teksti greqisht, parë si më sipër:
Να’μουν μια πετροπέρδικα, // Λευτέρη, Λευτέρη,
Μια πετροπερδικούλα, //μωρέ Λευτέρη Τάλλιο,
Ν’αγναντευα το Δέλβινο, //το δόλιο Μπαματάτι
πως πολεμούν οι αντάρτες μας // με τους Γερμαναράδες
Λευτέρης Τάλλιος φώναξε //από ψηλή ραχούλα
παιδιά πάψτε τον πόλεμο, //πάψτε τα ντουφέκια
να κατακάτσει ο κουρνιαχτός, //να μετρηθεί τ’ασκέρι.
Përfundime
Disa përfundime mund të rreshtojmë pas këtij vështrimi gjatë pëqasjes së bërë midis gjuhës greke dhe shqipërimit në gjuhën tonë, në treguesit që i trajtuam gjatë këtij kumti me mjaft interes.
Më e para, për aktin e përkthimit duhet theksuar që, kushdo ndërmerr punë të tilla, duhet të ketë njohuri shumë të thella, në dy gjuhët, si në gjuhën marrëse (këtu: greqishtja), dhe në gjuhën dhënëse (këtu shqipja). Këtu, ekipi i pedagogëve të lëndës së përkthyer në Antologjinë e paraqitur ka si gjuhë amtare greqishtën, përndryshe, janë folës të lindur të gjuhës dhënëse, ndërsa formimin kulturor e arsimor, përgjithësisht, e kanë në gjuhën marrëse; pa lënë jashtë specializimet e bëra jashtë vendit: në Universitetet greke dhe ato perëndimore.
E dyta, gjatë përkthimit të lëndës poetike, veprojnë të gjitha rrafshet e studimit gjuhësor, nga fonetika, deri tek sintaksa, me frazën, thënien dhe me paragrafin e teksin.
Krahas kësaj performance, përkthyesi duhet të ketë parasysh se në gjuhë dalin në pah edhe tregues kulturorë e historikë, ekonomikë dhe psikologjikë, sepse çdo gjuhë shfaq psikikën e popullit që e flet dhe e shkruan.
Për të dyja gjuhët (gjuha dhënëse e ajo marrëse), përkthyesi duhet të njohë ç’është e natyrshme në një gjuhë, për shembull, në shqipe, prania e natyrshme e komunikimit me fjali njëshe foljore, nuk kërkon kryefjalë, siç ngjet në gjuhët anglosaksone; për greqishten, duhet vënë në dukje se kjo mënyrë së thëni përputhet plotësisht me gjenerimin e fjalive njëshe, si në gjuhën shqipe.
Çështjet e vëna re në kumtin tonë, jo vetëm që nuk e zhvlerësojnë punën e kolegëve të personelit universitar të Gjirokastrës, përkundrazi madje, Antologjia është një përmbledhje e zgjedhur e mund të përdoret edhe si një libër për të thelluar dituritë në gjuhën greke.
Bibliografi
-Akademia e Shkencave, Fjalori i gjuhës shqipe, Tiranë, 2006.
-Antologji, Argjiro, Gjirokastër, 2006.
-Andon Zako Çajupi, Vepra letrare, (“Shqipëtar!”), Shtëpia Botuese “Uegen”, Tiranë, 2001.
-Ferdinand Leka, Fjalor i termave të letërsisë, Infobotues, Tiranë, 2013.
-Dante Alighieri, Komedia Hyjnore (Ferri), Përkthyer nga P.Gjeçi, Shtëpia Botonjëse “Naim Frashëri”, Tiranë, 1960.
-Ndre Mjeda, Vepra letrare-1 (Andrra e jetës), Shtëpia Botuese “N.Frashëri”,Tiranë, 1988.
-Roman Jakobson, Linguistic Aspects on Translation, in Brower, ed.1959: 232-239 (tr.it. in – Saggi di linguistica generale, Milano: Feltrinelli 1996, anche in Nergaard, ed. 1995:51-62).
-Justin Rrota, Sintaksi i shqipes (Fëtyrat e Sintaksit), Botime françeskane, Shkodër, 2005.
-Umberto Eco, Për letërsinë, Shtëpia Botuese Dituria, Tiranë, 2007.
-Umberto Eco, Të thuash gati të njëjtën gjë, Dituria, Tiranë, 2006.
[1] Umberto Eco, Të thuash gati të njëjtën gjë, Dituria, Tiranë, 2006, f. 382.
[2] Roman Jakobson, Linguistic Aspects on Translation, in Brower, ed.1959: 232-239 (tr.it. in Saggi di linguistica
generale, Milano: Feltrinelli 1996, anche in Nergaard, ed. 1995:51-62).
[3] Ferdinand Leka, Fjalor i termave të letërsisë, Infobotues, Tiranë, 2013, f. 173.
[4] Umberto Eco, Për letërsinë, Shtëpia Botuese Dituria, Tiranë, 2007.
[5] Antologji, Argjiro, Gjirokastër, 2006, f. 11.
[6] Po aty, f. 15.
[7] Po aty, f. 29.
[8] Antologji, Argjiro, Gjirokastër, 2006, f. 7.
[9] Safo-ja jetoi në shek.VII-VI para Krishtit. Lindi në një familje aristokrate në Mytilenë. Shkroi vjersha dhe ode në dialektin eolik, me temë pasioni, lumturie dhe vuajtje nga dashuria. Ajo është quajtur prej Platonit “Muza e dhjetë”
dhe njihet si një nga gratë më të famshme të antikitetit helen.
[10] Ndre Mjeda, Vepra letrare-1 (Andrra e jetës), Shtëpia Botuese “N.Frashëri”,Tiranë, 1988, f. 73 – 94.
[11] Andon Zako Çajupi, Vepra letrare, (“Shqipëtar!”), Shtëpia Botuese “Uegen”, Tiranë, 2001, f. 8
[12] Po aty, f. 17 – 19.
[13] Antologji, Argjiro, Gjirokastër, 2006, f. 21.
[14] Fjalori i gjuhës shqipe, Tiranë, 2006, sjell trajtën “çart” si fjalë bisedore me kuptimin: prish, shkel; kurse për mbiemër regjistron “çartan,=e” mb., e dhe si em 1.i ashpër, i gër, i çmendur: 2. fig. shumë trim, i çartur.
[15] Dante Alighieri, Komedia Hyjnore (Ferri), Përkthyer nga P.Gjeçi, Shtëpia Botonjëse “Naim Frashëri”, Tiranë, 1960.
[16] Antologji, Argjiro, Gjirokastër, 2006, f. 23.
[17] Umberto Eco, Për letërsinë, Shtëpia Botuese “Dituria”, Tiranë, 2007, f. 176.
[18] Antologji, Argjiro, Gjirokastër, 2006, f27.
[19] Antologji, Argjiro, Gjirokastër, 2006, f. 33 – 53.
[20] Justin Rrota, Sintaksi i shqipes (Fëtyrat e Sintaksit), Botime françeskane, Shkodër, m2005, f. 119.