More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDr. Dorian Koçi: Shënime rreth romanit "Amerikani" të Odise Kotes

    Dr. Dorian Koçi: Shënime rreth romanit “Amerikani” të Odise Kotes

    Gjirokastra është një qytet që rilind përmes mitesh. Kjo frazë nuk është frazë shabllone për të përshkruar një qytet krejt të veçantë në tipologjinë etno kulturore shqiptare, por një befasi e vërtetë kur lexon romane që magmën e vetë shpërthyese e kanë në trashëgiminë kulturore, mitet dhe rrëfimet e këtj qyteti. Romani “Amerikani” i shkrimtarit Odise Kote është një tekst që në nënshtresat e veta i ka në rrëfimet dhe mitet ciklike të qytetit po aq sa dhe në dokumentimin e përditshmërisë së qytetit. Autori, një zë autoritar tashmë në letrat shqipe ka krijuar kodin e vet të leximit të së shkuarës dhe kumtimit të saj në të tashmen. Materia letrare e romanit “Amerikani” nuk vjen nga shoqëria e Gjirokastrës mitike, por e kohës ku një pjesë e madhe e lexuesve kanë qenë pjesëmarrës dhe protagonistë. E shkuara e regjimit komunist në Shqipëri është eksploruar së fundmi në letërsinë shqipe por libri që kemi sot në duar sjell një këndvështrim të ri përmes fabulës së presonazhi kryesor Nelson Andrea, një shqiptaro-amerikani që humb të gjithë të drejtat dhe liritë qytetare në Shqipërinë e viteve 60’. Udhëtimi i tij për në Shqipërinë komuniste për të përmbushur një amanet të babait,  kthehet papritur një udhëtim për në ferr. Në këtë rast karakteri kryesor që përmes rrëfimeve të babait është i afërm me botën shqiptare, kthehet në një Tjetër ku gjendet në atdheun e vet. Ky paradoks rrëfehet që në faqet e para ku personazhi duket se përjeton krejt papritur një realitet kafkian , të shndrrimit të detyruar nga Nelson Andrea –qytetar i botës së lirë  në Nelo Andrea-qytetar i totalitarizmit komunist shqiptar. Shkrimtari Odise Kote përdor me mjeshtëri skicimin e realitetit përmes personazheve që plotësojnë njëri-tjetrin. Në historinë e letërsisë botërore dhe veprave të mëdha ekziston pothuajse gjithmonë një dyshe personazhesh shumë të afërt  që përveçse se ndajnë një miqësi shumë të ngushtë apo antogonizëm mes tyre në fakt ndihmojnë dhe  njëri-tjetrin për të kuptuar realitetin. Kështu p.sh tek kryevepra e Servantesit “Don Kishoti i Mançës”, të sjellë aq mjeshtërisht nga Noli dhe Petro Zheji në shqip, marrëzive kalorësiake dhe fluturimeve në fantazi të Don Kishotit i duhet serioziteti dhe pafajësia e Sanços për ta rikthyer atë sërish me këmbë në tokë. Personazhi tjetër i romanit “Amerikani”Rako Sirani kthehet në një cerber të ferrit komunist, ku Nelson Andrea gjendet i zënë në kurth. I vetmi mjet përmes të cilit Nelson Andrea udhëton në botën e ëndrrave dhe braktis realitetin e hidhur është violina. Loja virtuoze e violinës e mësuar në Konservatorin e Bostonit kthehet në himnin e jetës që shpëton Nelson Andrean nga ferri në të cilin është gremisur.  Arkitektura e dhunës përshkruhet e shkallëzuar në roman si rrethe të ferrit ku galeria e personazheve rrëfen përvojën e vet. Në mënyrë paradoksiale personazhi më fatlumtur gjendet Pandora, gruaja e Nelson Andrea e lindur shurdh memece e cila ndërvepron me realitetin përmes shenjave. Qyteti njeh ndrrimet e stinëve përmes valëve te terrorit. Propaganda, gënjeshtra dhe terrori janë të dy anët e një medaljeje në regjimet totalitare. Nelson Andrea gjendet i mbërthyer mes këtij trinomi ku burgu i dytë i detyrohet manipulimit dhe gënjeshtrave të hetuesit Kenan, një nga burmave të diktaturës. Romani është një pasyrë e rrëfimit të mëkateve njerzore, ku babëzia për para, hedonizmi dhe marrëdhëniet imorale shfaqen në tërësinë e tyre. Opozitarizmi i heshtur dhe i drejtë për së drejtë i së keqes shfaqet përmes portretizimit të mësuesit të fizikës Oto dhe rrethit të tij që shndrrohen në përçues të vlerave të kulturës universale. Format e terrorit si puna edukuese dhe burgosja nuk i mposhtin dëshirën për ndryshim ku arti dhe letërisa kthehen në formë rezistence. Nata e gjatë agon në sërish përmes artit dhe muzikës së violinës. Pjesa e fundit e romanit duket se është një pjesë muzikale Te Deum e luajtur në tempullin e demokracisë, ambasadën amerikane të porsa hapur në Tiranë.

    Shkrimtari Odise Kote shquhet për përdorimin e një gjuhe të pasur dhe gjithë kolotit të së folmes jugore dhe dialektit të Gjirokstrës. Leksioni i romanit regjistron fjalë të së folme së përditshme të cilat marrin vlerë të veçantë në përdorimin e tyre nga personazhet. Stili i romanit dhe kompozicioni reflektojnë tempon e zhvillimit të ngjarjeve. Në të gjejmë klimakse që befasojnë lexuesin si janë futja në burg e Nelson Mandelës që në fillim të romanit, vdekja e djalit të tij, futja për së dyti në burg dhe pjesa e fundit me koncertin në ambasadë. Përdorimi i ironisë dramatike  është një vlerë e shtuar e këtij romani. Shfaqja e Rako Siranit në koncertin në amabasadë shpjegon paradoksin  e funksionimit të demokracisë liberale në Shqipëri. Ky artific letrar duket se ilustron qartë idenë  se raporti mes perpatorëve të diktaturës  dhe viktimave filloi gabim në agin e demokracisë shqiptare. Romani “Amerikani” pasuron letërsinë shqipe, përveçse është një arritje në prozën e Odise Kotes.  Si i tillë ai meriton një vëmendje të veçantë dhe besoj se lexuesit dhe kritika do ta vlerësojnë së shpejti në hierarkinë e letrave shqipe.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË