Në një kohë kur bota duket e vetëizoluar, me individin kryeulur për nga aparati i celularit, kur e bukura e vetë gjeneza e lindur dhe ndjesitë e brendshme të pafundme humane shpesh humbasin kontaktin me natyrën, identitetin, dhe me rrënjët, shumë figura artistike të lidhura apo me origjinë durrsake në këtë tetor po përçojnë një mesazh të rëndësishëm në të gjitha anët e globit. Pas veprës së saj Të Lirë, Lea Ypi po i paraqet botës në shumë gjuhë librin e ri Të Poshtëruar, Gëzim Myshketa, vazhdon të shkëlqejë në skenat më të njohura operistike botërore, shumë figura të tjera po krenojnë qytetin dhe kombin në zemrat e qytetarëve të botës, duke kumbuar fort të vërtetën e patjetërsueshme se arti është ura midis lokalizmit dhe universalizmit, materies dhe frymores, reales dhe koncepteve krijuese që ceken e ndihen vetëm përmes sirtarëve të pavetëdijshmes dhe përtej dyerve të perceptimit.
Durrësi i pasqyruar në reflektimin e çelikut të Helidon Xhixhës, çelësat e Alfred Mirashit dhe ndërtesat e konceptet ikonike të arkitektit Indrit Hamiti.
Në këtë tetor, tre personalitete të njohura të artit dhe arkitekturës, Helidon Xhixha, durrsaku me emër të madh ndërkombëtar, Alfred Mirashi “Milot” i lidhur ngushtësisht me Durrësin, si ish student në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” dhe Indrit Hamiti, arkitekti i godinave ikonike në Durrës, kanë arritur të tejkalojnë jo vetëm kufijtë gjeografikë, por edhe ato perceptualë, duke e vendosur artin dhe krijimtarinë bashkëkohore në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Më 10 tetor, Xhixha dhe Mirashi prezantuan veprat e tyre në Muzeun e Artit të Guandongut në Guangzhou, Kinë. Në ekspozitën e organizuar nga kjo galeri, e titulluar “Rifrazioni e Dritës – Yan Laichao & Milot” kuruar nga. Ji Shaofeng, çelësat e Mirashit, pasaporta artistike e tij, që tejkalojnë fiziken, kohën e validetit, e madje edhe kufijtë e kombeve, hapin portat e metafizikës. Kujtojmë se “metafizikë” nga greqishtja e vjetër: “meta” (përtej) dhe “physika” (natyra, fizika), pra, realiteti përtej asaj që perceptohet nga shqisat, është konsideruar gjithnjë si një pelegrinazh abstrakt i qenies, për të cilin Mirashi i ofron botës çelësin, mjetin e afërt e të prekshëm për ndërlidhjen e realiteteve, i stilizuar në forma të panumërta për të gjitha ndjesitë, idetë, fantazitë, shpirtrat, zemrat, kombësitë, kohët dhe kufijtë e panumërt real apo perceptual. Çelësat e Mirashit hapin kafazet e mendjes njerëzore, prangat e shpirtrave të ndrydhur, vargonjtë e skllavërisë krijuese, zinxhirët e fajeve historike të epokave të shkuara dhe portat yjore të së ardhmes. Çelësat e Mirashit hapin kapitë e vetë kohës.
Bukuria e artit të kulluar është thjeshtësia. Simbolika e çelësit i shërben si mendjeve kërkuese eshtu edhe njerëzve të thjeshtë, pasi çdo individ mban një çelës (shtëpie, zyre, etj) një “momento mori” që të kujton rëndomësinë e jetës vdekatare, por celësat e Mirashit janë një “momento vivere” që kujtojnë vendmbërritjet e pafundme përtej horizonteve të gjithësisë e plotësisë.

Në këtë event të rëndësishëm në Muzeun e Artit të Guandongut në Guangzhou u inaugurua edhe skulptura monumentale “Obelisku i Dritës”, e artistit më të njohur durrsak në botë Helidon Xhixha.
Dimë nga historia se obelisku shërbente si një monument falik për të lartësuar e përjetësuar fitoret dhe arritjet e lavdishme të faraonëve, mbretërve e perandorëve vdekatarë por Xhixha përlëvdon lavdinë dhe përjetësinë e dritës, si burimin e pashtershëm të jetës. Dritën, forcën sublime e të pamanipulueshme që jetëzon kombet, ushqen vëllazërinë njerëzore e është omniprezente si pasqyra e vetme e ekzistencës dhe e së vërtetës.
Ky tetor shënon triumfin e përsëritur artistik të Xhixhës në Kinë. Pas një serie të gjatë suksesi të prezantimit të veprave të tij në hapësirat më monumentale botërore, në Bienalen e Wuhan-it 2024, vepra e tij “Koka e kolonës së çelikut” u vendos jashtë pavijonit Qintai, dhe u dhurua për muzeun. Xhixha dhe Mirashi u shpallën fitues të bienales së Wuhan-it 2024 duke na krenuar sërish ndërkombëtarisht, si ambasadorët tanë më të mirë të artit e kulturës në botë duke ndihmuar që Shqipëria, dhe Durrësi, mos të jetë thjesht vend origjine, por gjenezë reale kulturore ndërkombëtare.
Çelësi i Tokës
Një vepër tjetër që e krenoi Shqipërinë ndërkombëtarisht është “Çelësi i Tokës” vepra e mrekullueshme arkitekturore e Alfred Mirashit dhe Indrit Hamitit e cila u prezantua në konkursin ndërkombëtar në Arabinë Saudite.
Ky projekt është një pllakë monumentale dhe instalim skulpturor që përfaqëson trashëgiminë e pasur kulturore dhe shpirtin e Arabisë Saudite dhe botës arabe. Artisti Alfred Mirashi dhe arkitekti i njohur durrsak Indrit Hamiti kapërcyen identitetin e tyre gjeografik duke hyrë thellë, mrekullisht e denjësisht në bërthamën e kulturës së lashtë e moderne arabe.

Projekti i prezantuar “Çelësi i Tokës” është një ankorë poetike, frymëzuar nga poeti saudit Princi Badr bin Abdulmohsin, vargjet e të cilit pasqyrojnë shpirtin e kësaj hapësire:
“Ne jemi populli i fillimit, dhe drita që hap rrugën.
Nga rëra u ngritëm, dhe për te yjet tani ne shkojmë.”
Poezia e tij na kujton se progresi duhet të qëndrojë në thellësi kulturore, dhe mençuria e së kaluarës është një dritë për drejtimin e së ardhmes.
Skulptura qendrore përbëhet nga një çelës gjigant, duke simbolizuar pikërisht këtë: “Kultura është çelësi për një të ardhme të përbashkët globale.”
Amfiteatri i përshtjelluar shpalos se si shumë shtigje të historisë bashkohen në një kulm në formën e një vorbulle, me rrjedhën e tij të qetë drejt pikës së takimit, me secilin shteg që simbolizon kontributet e çmuara të kulturës arabe në çdo aspekt të jetës në historinë dhe qytetërimin botëror, duke i ftuar njerëzit të mblidhen, të reflektojnë, të flasin, ashtu siç bënin dikur paraardhësit në tregjet e zhurmshme dhe forumet e hapura të të mësuarit.
Vepra krijon një urë kohore, duke lidhur të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen në një vizion mbresëlënës. Është një monument për të kujtuar se shumë kohë para se bota moderne e sotme të merrte formë, studiuesit arabë hartonin yjet, llogaritnin algjebrën, shkruanin poezi të përjetshme dhe tregtonin ide nëpër kontinentet e tjera.
Vepra integron më së miri motive arkitekturore arabe, shkallë fluide rrethore të amfiteatrit që tregojnë unitet, dialog dhe bashkim kulturor. Dallohet një orientim i hapur drejt horizontit, që evokon eksplorimin, lidhjen dhe pafundësinë e shtrirjes intelektuale arabe; një homazh, një arenë publike reflektimi, bashkëveprimi dhe festimi.
Ky projekt është një hapësirë për mbledhje të komunitetit, ngjarje kulturore dhe dialog global. I projektuar si për vendasit ashtu edhe për vizitorët ndërkombëtarë, një urë lidhëse midis qytetërimeve. Sheshi bëhet një muze i gjallë, duke treguar se si kultura arabe vazhdon të formësojë vlerat dhe aspiratat globale. Bota arabe gjithmonë i ka hapur dyert shkencës dhe bukurisë. Dhe përmes kësaj vepre, shprehet qartësisht edhe një herë, se bashkë me të kaluarën e saj të lavdishme, ajo vazhdon të jetë një çelës drejt së ardhmes.
Elita jonë krenare
Ky tetor na dëshmoi se kur disa artistë nga një qytet ose një vend që për shumë njerëz nuk konsiderohet “qendër arti” arrijnë të ekspozojnë në hapësira dhe evente të mëdha ndërkombëtare ata po thyejnë kufij të perceptimit. Ata po e thyejnë mitin se “arti i madh” lind vetëm në metropole, se vetëm aty lind fuqia për të vendosur standardin. Xhixha, Mirashi, Hamiti tashmë e kanë përdorur forcën e krijimtarisë së tyre dhe vetë artin si një mënyrë për të forcuar pozitën e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare jo më si dikur, një vend konsumator i kulturës, por si kontribuues dhe ideator i standardeve të reja.
Dje, ne i referoheshim gjithmonë mjeshtërve ndërkombëtarë duke drejtuar gishtin, mendjen dhe nderimin përtej kufijve, ndërsa sot, ata janë ndër ne, midis nesh, pranë nesh, lindur këtu, në Durrës, Shqipëri, trevat tona, elitë krenare kombëtare por me ndikim të madh në çdo rrëzë të globit.

