More
    KreuArte pamoreDr. Bledar Kurti: Mona Lisa, portreti me një mijë buzëqeshje

    Dr. Bledar Kurti: Mona Lisa, portreti me një mijë buzëqeshje

    Mona Lisa (1503-1519) është vepra që shpalos fytyrën e bukurisë së artit, portreti që lëshon një mijë buzëqeshje, një vepër pa të cilën arti do ishte asgjë, përmes së cilës ai është gjithçka.

    Mona Lisa është vepra më e njohur në botë, dhe piktura më e bukur e Leonardo da Vinci (1452-1519). Aq e famshme dhe aq e njohur nga të gjithë, kjo vepër është kthyer në kult. Buzëqeshja e papërshkrueshme, me praninë e vet turbulluese, bëhet pjesë e pandarë e të gjitha veprave të vona të Leonardos. Ky portret përbledh të gjitha studimet anatomike, gjeometrike, optike, gjeologjike, shkencore dhe artistike të mjeshtrit të madh, dhe shpalos ngarkesën emocionale të tij: hulumtimin e shprehjes, marrëdhënien me natyrën, mjegullinë e atmosferës dhe të vështrimit, sfumimin e linjave dhe planeve përmes dritëhijeve. I gjithë arti dhe shkenca, gjenialiteti dhe ndjesitë njerëzore të Leonardos, të shkrira e të shpalosura në një fytyrë kozmike, në këtë panteizëm gjithësie.

    Leonardo nisi të punonte për këtë tabllo që në vitin 1503 në Milano, punoi me të edhe kur u kthye në Firenze pasi i kishte shërbyer gjakatarit Cesare Borgia. Nuk e përfundoi ende kur u shpërngul sërish në Milano në vitin 1506, e në fakt, ai e mbante pikturën me vete, dhe vazhdoi të punonte me të gjatë të gjithë periudhës së dytë të qëndrimit në Milano, e më pas gjatë tre viteve në Romë. Madje do e merrte me vete edhe në Francë, në destinacionin e fundit të udhëtimit të jetës së tij, duke i shtuar penelata e shtresa transparente edhe gjatë vitit 1517. Dhe, ajo ishte atje, si një skribe e kronikave të gjeniut dhe dëshmitare e fytyrës më të bukur të artit, në studion e dorës më delikate të krijimtarisë së njeriut, kur Leonardo, ati i saj, ai që e bëri atë të pavdekshme, vdiq.

    Kjo tablo, me shtresa të shumta transparante bojë vaji, të hedhura mbi portretin e një femre përgjatë shumë viteve, ilustron aspektet e shumta të gjenialitetit të Leonardos. Ajo që nisi vetëm si një portret i gruas së re të një tregtari mëndafshi, u bë misioni për të portretizuar kompleksitetin e emocioneve njerëzore, e paharrueshme përmes mistereve të aluzionit të një buzëqeshje, duke lidhur natyrën tonë me natyrën e universit. Në të ndërthuren, peizazhi i shpirtit të saj dhe i shpirtit të vetë natyrës.

    Leonardo mori përsipër të pikturonte për Francesco del Giocondo, portretin e Mona Lisa, gruas së tij … Kushdo që dëshironte të shihte nga afër sesi arti mund të imitonte natyrën mund ta kuptonte më së miri kur shikonte këtë portret … Sytë kishin atë llustrën dhe shkëlqimin e lëngshëm si në realitet, dhe përreth tyre kishte nuanca ngjyrash si të trëndafilit dhe të margaritarëve, bashkë me qerpikët e pikturuar me finesën më të madhe … Hunda, me vrimat e bukura, të trëndafilta e të buta, dukej si e gjallë. Goja, paksa e hapur, e bashkuar te cepat me të kuqen e buzëve dhe ngjyrën e mishit të fytyrës, dukej në të vërtetë sikur nuk ishte prej boje por prej mishi. Në gropëzën e fytit, nëse shihet me vëmendje, arrin të dallohet rrahja e pulsit.

    Lisa del Giocondo, e cila lindi në vitin 1479, në një rreth të vogël të familjes së shquar Gherardini, rrënjët e së cilës si pronarë tokash rridhnin që nga kohët e feudalizmit, por që pasuria nuk i kishte zgjatur aq gjatë. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, ajo u martua në familjen Giocondo e cila ishte e pasur por jo shumë e shquar, dhe kishte arritur begatinë përmes tregëtisë së mendafshit. Bashkëshorti i saj, Francesco del Giocondo, e kishte humbur gruan e tij të parë tetë muaj përpara dhe kishte për të rritur një djalë dy vjeç. Pasi ishte bërë furnizuesi i mëndafshit për familjen Medici, bankierët më të fuqishëm të Firenzes dhe madje të mbarë Evropës, ai po pasurohej gjithnjë e më shumë, me një klientelë në të gjithë kontinentin, dhe bleu disa gra arape nga Afrika e Veriut si skllave për të shërbyer në shtëpinë e tij.

    Me sa dihet ai e dashuronte Lisa-n, dhe në vitin 1503 ajo i kishte lindur atij dy djem, dhe rreth këtij viti ai porositi Leonardon të pikturonte portretin e bashkëshortes së tij, e cila po mbushte njëzetë e katër vjeçe.

    Një ndër biografët e Leonardos, Walter Isaacson, shtron me të drejtë pyetjen se përse e pranoi Leonardo këtë porosi? Gjatë kësaj kohe ai po refuzonte lutjet dhe përgjërimet e një kujdestareje shumë më të pasur dhe më të shquar sesa Francesco del Giocondo, ajo ishte Isabella d’Este, Markeza e Mantovas, dhe për më tepër ai ishte aq i zhytur në studimet shkencore sa që zor se e prekte penelin me dorë.

    Por arsyeja kryesore që Leonardo pranoi të pikturonte Lisa del Giocondo ishte se ai dëshironte ta pikturonte atë. Për shkak se ajo ishte disi misterioze, por jo ndonjë fisnike e njohur apo dashnorja e dikujt me rëndësi, ai mund ta portretizonte atë si të dëshironte. Nuk ishte e nevojshme që t’i bënte temena, apo të merrte urdhëra nga një padrone e pushtetshme. Më e rëndësishmja, ajo ishte e bukur dhe tërheqëse – dhe kishte një buzëqeshje mahnitëse.

    Nuk ka asnjë dyshim që ky portret është i Mona Lisa, por, duke qenë se bëhet fjalë për Leonardon, njeriun, gjeniun, artistin, shkencëtarin më mjegullues ndër epoka ka patur shumë mistere dhe debate mbi këtë vepër. Shumë studiues kanë hedhur teza se ishte ndonjë dashnor apo admirues i fshehtë i Lisa-s ai që e porositi veprën por të gjitha dyshimet tashmë janë rrëzuar dhe mbetet e ditur që ishte bashkëshorti i saj ai që e porositi këtë tablo.

    Mona Lisa është shkurtim për “Madonna Lisa,” por ajo gjithashtu titullohet La Gioconda (në frengjisht, La Joconde). Do ishte një lojë fjalësh me mbiemrin e saj që do e kënaqte Leonardon; fjala do të thotë “gazmor” ose “komik.”

    Pavarësisht se Lisa pozoi për mjeshtrin, Leonardo e pikturoi atë si një vepër universale për veten e tij dhe për të gjithë përjetësinë, dhe jo thjeshtë një tabllo për një bashkëshort të pasur. Ai kurrë nuk ia dorëzoi pikturën atij, dhe duke u bazuar në të dhënat bankare, kurrë nuk u pagua për atë. Përkundrazi, ai e mbajti me vete në Firence, Milano, Romë, dhe Francë deri sa vdiq, gjashtëmbëdhjetë vite pasi e kishte nisur. Gjatë asaj kohe, ai shtoi e shtoi shtresa të holla e transparente me penelata delikate për ta bërë atë sa më të përsosur, duke e prekur hera-herës, e duke i shtuar thellësi të reja të dijes mbi njerëzit dhe natyrën. Vazhdimisht atë e zaptonte një botëkuptim i ri, një vlerësim i ri, dhe një frymëzim i ri, dhe peneli i tij do prekte përsëri plot finesë telajon me dru plepi. Ashtu siç ndodhte me Leonardon, që thellohej gjithnjë e më shumë në çdo hap që bënte në udhëtimin e tij, kështu ndodhte edhe me veprën e tij Mona Lisa.

    Telajoja prej druri plepi mbi të cilën është pikturuar Mona Lisa ka një përgatitje të veçantë. Ajo u lye me një shtresë të trashë boje të bardhë në mënyrë që të reflektonte sa më mirë dhe natyrshëm dritën e cila do depërtonte përmes shtesave të holla dhe llustrave transparente, duke transmetuar thellësi dhe ajër, pra një dimension tri dimencional. Boja e bardhë shërbente edhe si pasqyrë e dritës që vjen nga jashtë, duke bërë kapërcime të thella ngjyrash e përzierje dritash. Tonet e buta përmes teknikës sfumato dhe trillimeve të optikës dhe dritës, studimeve të anatomisë së syrit njerëzor, e bënë këtë portret të dukej i gjallë.

    Shtresat e bojës ishin më së shumti me vaj liri të cilat viheshin mbi njëra tjetër si shtresa pas shtrese duke krijuar një thellësi të pa krijuar më parë, e madje edhe më pas në historinë e artit. Ai i përdorte me penelata aq delikate ato shtresa sa që nuk dukeshin me sy, duke hedhur penelatë pas penelate, deri në tridhjetë shtresa të holla. “Trashësia e një llustre ngjyrë kafe të hedhur mbi bazamentin rozë të faqjes së Mona Lisa ndryshon gradualisht me shumë finesë nga dy në pesë mikrometra deri në tridhjetë mikrometra në hijen më të thellë,” thuhet në rezultatin e një spektroskopie me ndriçim fluoreshent me rreze X, që u publikua në vitin 2010. Kjo analizë tregoi se penelatat ishin bërë qëllimisht në mënyrë të parregullt në mënyrë që poret e lëkurës të dukeshin sa më të gjalla.

    Mona Lisa i ka duart e mbledhura por një analizë e vizatimit poshtë bojës tregon që në fillim Leonardo e vizatoi dorën e saj të majtë duke shtrënguar krahun e karriges sikur po ngrihej. Leonardo donte të theksonte lëvizjen, por më pas ndryshoi mendje dhe e pikturoi atë në momentin që kthehet. Trupi i saj spërdridhet paksa, ndërkohë që koka i rrotullohet në mënyrë që të përballet me shikuesin. Disa kanë ngritur spekullime se ajo ishte shtatzënë, madje edhe teza të çuditshme se ajo ishte një mashkull i maskuar si femër, me fjalë të tjera, histori romantike apo trilluese e kanë shoqëruar gjithnjë këtë pikturë enigmatike. Por Mona Lisa është Lisa dhe nuri i saj magjik nuk shpaloset vetëm prej fytyrës së saj por nga dora gjeniale e mjeshtrit, nga mënyra sesi ai pikturoi dritën.

    Në këtë tablo drita bie nga lart dhe paksa nga e majta. Leonardo përdori një dredhi, por e bëri me aq delikatesë sa që nuk vihet re shumë lehtë. Drita duhet të vijë nga peizazhi i pasëm, ndërkohë që ndodh e kundërta, ndriçon mbi të nga përpara. Përmes kësaj drite ai krijonte me dorën e tij mëngjarashe e delikate dritëhijet e buta e të pambukta të portretit.

    Por, ndalu pak. Hidhi një sy të kujdesshëm kësaj tabloje. A vëren diçka që mungon? Do habitesh nga çfarë do zbulosh tani. Mosa Lisa nuk ka vetulla. E si mund të ndodhë kjo? Si mund t’i shpëtonte ky detaj Leonardos?

    Shumë spekullime janë bërë për vetullat e munguara të saj. Disa mendonin se ishte traditë e asaj kohe që femrat t’i rruanin vetullat, dhe përshkrimet e Vasarit në vitin 1550 mbi vetullat e saj merreshin vetëm si ekzagjerime letrare:

    Vetullat, për shkak se ai ka shpalosur për të treguar sesi qimet burojnë nga mishi, të dendura në një vend e të holla diku tjetër, lakohen sipas poreve të lëkurës, e nuk mund të duken më të gjalla sesa kaq.

    Leonardos iu desh aq shumë kohë për t’i pikturuar vetullat saqë i bëri ato mbi një shtresë vaji tashmë të tharë plotësisht. Kjo do të thotë që, herën e parë kur u pastrua kjo pikturë, vetullat u fshinë. Kjo u mbështet në vitin 2007 nga analiza me skaner me rezolucion të lartë, e kryer nga tekniku francez i artit Pascal Cotte. Duke përdorur filtra të holla, ai zbuloi gjurmë të vogla të vetullave që kishin egzistuar gjatë krijimit të veprës.

    Ndër të tjera, Mona Lisa shquhet edhe për mungesën e bizhuve. Ndryshe nga portretet e kohës ajo është emblemë e thjeshtësisë. Edhe veshja e saj është e thjeshtë, por e pikturuar me një përkujdesje të jashtëzakonshme dhe me një dije të thellë shkencore. Fustani i saj rrjedh me butësi, dhe ka mëngët në ngjyrë bronzi të artë, që valëzojnë dhe ndriçojnë me një llustër mëndafshi, duke treguar se ajo grua ishe bashkëshortja e një tregtari mëndafshi dhe pëlhurash.

    Shumë mendime të ndryshme janë hedhur edhe mbi flokët e Mona Lisa. Ato mbulohen me një vel të hollë. Disa e shohin si shenjë zie por në fakt është shenjë e virtytit. Ai vel është aq transparent saqë do ishte pothuajse i padukshëm po të mos ishte për vijën që lë në majë të ballit.

    Veli në vetvete shkon përtej një imazhi. Veli është koncept psikologjik e madje edhe teologjik. Mendja dashuron të panjohurën, deklaronin artistët, psikologët dhe mendjet e shquara të shekullit të njëzetë. Veli është porta e misterit, ndarja e reales me psikiken, e jetës me të përtejmen, e njeriut me hyjin. Veli është element ndarës dhe ndërlidhës midis dy botëve: asaj fizike dhe asaj shpirtërore.  Libri i fundit i Biblës njihet si Zbulesa. Në fakt zbulesë do të thotë apokalypsis, heqje e velit. Pra veli bie dhe njeriu sheh të përtejmen, ndërsa njeriu me vel nënkupton privimin, pra botën njerëzore. Janë këto elemente të menduara me imtësi që e bëjnë veprën edhe më të mistershme.

    Nuk gjendet asnjë kontur i mprehtë dhe linjë e vrazhdë tek Mona Lisa, e madje te asnjë prej pesëmbëdhjetë veprave të Leonardos që njihen deri më sot. Çdo kontur është i butë dhe i sfumuar, i mjegullt dhe i turbullt. Përmes sfumaturës duart shpalosen aq pranë nesh saqë na duket sikur mund t’i prekim gishtat e saj.

    Tani le të shohim sfondin. Peizazhi pas figurës përmban dredhi të tjera për syrin. Ne e shohim nga lart, sikur të ishte pamja e një zogu. E gjithë pamja është një përzierje e shkencës dhe fantazisë. Shkëmbinjtë shterpë ndjellin mijëra vite të periudhës parahistorike, por që lidhen me të tashmen nga një urë me harqe që zor se duket në sfond. Horizonti në anën e djathtë duket më i lartë dhe më i largët sesa ai në të majtë, një ndarje që i jep tabllosë ndjesinë e lëvizjes. Toka duket sikur spërdridhet njësoj me trupin e Lisa-s, dhe koka e saj duket sikur ngrihet pakëz kur shikuesi kalon vështrimin nga horizonti i majtë në horizontin e djathtë.

    Figura e kësaj zonje dhe peizazhit pas saj janë të pandarë. Ato shkrihem me njëra-tjetrën. Leonardo besonte në analogjinë e makrokozmosit të botës me mikrokozmosin e trupit të njeriut. Peizazhi tregon jetën, frymëmarrjen dhe pulsimin e trupit të tokës; venat e saj si lumenj, rrugët si tendina, shkëmbinjtë si kocka. Duke mos qenë thjesht sfond i Mona Lisa-s, toka rrjedh brenda saj dhe bëhet pjesë e saj. Ndiqe me sy rrugën gjarpëruese të lumit në të djathtë teksa rrjedh poshtë urës; duket sikur rrjedh tek shalli i mëndafshtë i varur mbi supin e saj të majtë. Palat e shallit janë të drejta derisa zbresin te gjinjtë e saj, ku fillojnë e spërdridhen e rrotullohen me finesë në mënyrë të atillë saqë duken si vizatimet e rrjedhës së ujit. Në të majtë të pikturës, rruga gjarpëruese mbështillet sikur po lidhet me zemrën e saj. Në pjesën poshtë tegelit në kraharor, fustani paloset dhe rrjedh si një ujëvarë mbi të gjithë bustin e saj. Sfondi dhe veshja e saj kanë të njëjtat shkëlqime drite, duke e forcuar edhe më shumë atë analogji e cila tashmë është një bashkim i plotë. Kjo është zemra e filozofisë së Leonardos: imitimi dhe ndërlidhja e motiveve të natyrës, që nga ato kozmike e deri tek ato njerëzore.

    Le të marrim shtysë nga kjo analogji e njeriut me natyrën e të mundohemi të jemi edhe ne Leonardo të ditëve tona. Le ta shtrydhim paksa imagjinatën dhe të gjejmë analogji midis trupit tonë dhe natyrës që na rrethon. Përpiquni pak dhe lidhja do ju vijë natyrshëm.

    A e bëtë analogjinë? A ju kujtua fakti që toka është e mbuluar shtatëdhjetë përqind me ujë, sikurse shtatëdhjetë përqind e trupit tonë përbëhet nga lëngje? A nuk ngjasojnë flokët me degët dhe gjethet e pemëve, apo me ujëvarat? A nuk është fryma jonë si era? Gjaku ynë si llava e nëntokës? Damarët tanë si rrjedhat e lumenjve? A nuk janë sytë si yjet? Zëri si vetëtima? Zemërimi si stuhia? Lotët si shiu? Mushkritë si amazona? Zemra si bërthama e tokës? Lëkura si shtresat e dheut? Dhe a nuk janë racat njerëzore porsi fluturat? Njeriu është një mikrokozmos. Një univers brenda një universi më të madh. Të dy të bashkuar e të pandarësi në realitet ashtu edhe në mendjen dhe veprën e Leonardos.

    Idea e mikrokozmosit njihej që në kohën e Platonit. Katër natyrat e njeriut përputheshin me katër elementët e natyrës: toka, ajri, zjarri, uji. Por, kurrë më parë nuk u shpalos kjo analogji më mirë sesa në tablonë Mona Lisa. Portreti i saj është vendi ku takohen të gjitha skajet e botës.

    Dhe vijmë tek sytë e saj. Qëndro përballë tyre, dhe ato të shohin ty; lëviz nga njëra anë në tjetrën, dhe ajo të ndjek me sy kudo që të shkosh. Kjo njihet si “Efekti Mona Lisa.”

    Kur vizitova Muzuen e Luvrit për herë të parë prisja me padurim ta shikoja veprën më të njohur të botës. Dhe u trondita kur pashë një tablo të errët vetëm 77 cm x 53 cm. Por ajo trullosje zhgënjyese momentale u vanit kur u magjepsa edhe unë, ashtu si çdo vizitor tjetër që është përballur me të, nga magjia e syve të saj. Ato ishin ftuese, miqësore, dashamirëse, hipnotizuese, të përhumbura, të përtejbotshme, dhe asgjë më pak sesa magjike. Ato të ndiqnin në çdo lëvizje dhe në çdo hap. Madje edhe kur largoheshe e ktheje kokën pas vëreje sesi ajo të ndiqte me sy, jo për të thënë lamtumirë por si një deklaratë përtej kohërave, e cila të përshpëritet në veshin e brendshëm të mendimeve, se ajo është e paharrueshme.

    Por teksa sytë e saj kuvendojnë me psikikën tënde, ajo që cek emocionet e njeriut është buzëqeshja e saj. Çfarë na befason është gjallëria jetësore, në një shkallë të atillë që na mahnit e na lë pa mend. Si qenie e gjallë, ajo duket se ndryshon përpara syve tanë dhe, sa herë i rikthehemi, nuk na duket më si ajo përpara. Nganjëherë na duket sikur na përqesh, e herë tjetër na bëhet sikur kapim një hije trishtimi në buzëqeshjen e saj.

    “Ajo kishte një buzëqeshje aq të ëmbël saqë ishte më shumë hyjnore sesa njerëzore,” shkroi Vasari. Dhe në librin e tij në vitin 1550 na tregon se si Leonardo e bënte Lisa-n të buzëqeshte gjatë gjithë kohës teksa ajo pozonte për të: “Teksa pikturonte portretin e saj, ai punësoi njerëz që të luanin muzikë e të këndonin për të, dhe bufonë që e bënin për të qeshur, për t’i dhënë fund melankolisë që i jepnin shpesh piktorët asaj kohe portreteve të tyre.”

    Në buzët e saj ne përjetojmë një mijë buzëqeshje. Sa herë që e shohim ndiejmë diçka ndryshe brenda vetes e madje mësojmë diçka të re për veten tonë. Shprehia e një fytyre tregohet në dy tipare: cepat e syve dhe cepat e buzëve. Pikërisht këto dy pjesë Leonardo i ka bërë të treten në një hije të butë. Ndaj edhe nuk mund ta themi me siguri se me çfarë gjendje shpirtërore po na buzëqesh apo po na shikon Mona Lisa. Na duket sikur shprehjen e saj nuk arrijmë ta kapim kurrë.

    Por, për të arrirë së pikturuari një mijë buzëqeshjet e saj, Leonardo i kapërceu caqet dhe praktikat standarde të artistit. Ai thirri në ndihmë shkencën që të vihej në shërbim të artit. Ndaj ai kaloi netë të tëra në morgun e terrtë që gjendej poshtë spitalit Santa Maria Nuova, duke rrjepur lëkurën e kufomave e duke i studiuar muskujt dhe nervat. Ai donte të mësonte sesi merr formë buzëqeshja, dhe mësoi pjesët e secilës element të fytyrës duke gjetur origjinën e çdo nervi që kontrollon secilin muskul të fytyrës, dhe se cilat nerva shkaktojnë buzëqeshjen në fytyrën e njeriut. Dhe atë dije e mësoi, e pikturoi, dhe ne sot kemi buzët më magjike të historisë së njerëzimit.

    E sikur të mos mjaftonte kjo. Leonardo u vu në kërkim të së pamundurës: pikturimit të shpirtit. Pamja, lëkura, muskujt, organet, venat e gjakut zemra, u bënë të ditura për të përmes studimeve të shumta të anatomisë, ndaj ai kërkonte të njihte shpirtin, dhe teksa shohim këtë vepër, ne sot, pesëqind vite më pas, e dimë me sigurinë më të madhe, që ai e përmbushi edhe atë mision.

    Mona Lisa.

    Qëndro përballë saj, dhe do e ndiesh sesi të buzëqesh vetë universi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË