More
    KreuArte pamoreDr. Bledar Kurti: Mbi artistët dhe shkrimtarët e këqij

    Dr. Bledar Kurti: Mbi artistët dhe shkrimtarët e këqij

    Imagjino sikur je ulur në sallën e operas Musikverein, dhe po dëgjon Orkestrën e Filarmonisë së Vjenës e cila po luan mrekullueshëm një simfoni të Bet’hoven, Mozart, Vivaldi, apo të ndonjë mjeshtri tjetër, por ja, menjëherë kupton se ka diçka që nuk shkon: dy a tre pjesëtarë të orkestrës luajnë jashtë ritmi, stonojnë apo nuk zotërojnë talentin e kolegëve të tjerë, duke e bërë të gjithë orkestrën të padurueshme dhe të padëgjueshme. Dhe gjëja e parë që ti mendon me vete është se do kishte qenë më mirë që ata të ishin spektatorë e jo mbi skenë, e që duhet të kishin zgjedhur ndonjë zanat tjetër në vend të muzikantit. Çfarëdo zanati, vetëm jo atë të muzikës. E madje le të ishte orkestra pa ato instrumente sepse gjithsesi do tingëllonte më bukur e paplotë se sa me ata plangprishës të patalentuar të cilët vrasin muzikën dhe artin.

    Kjo është ajo çfarë i ndodh kulturës sonë kur në gjirin e saj ndodhen artistë, muzikantë dhe shkrimtarë të këqij. Pa dashje, por thjesht nga paaftësia e tyre e shndërrojnë harmoninë artistike në një zhangëllimë e disonancë, duke penguar kështu jo vetëm rrjedhën progresive të natyrshme të artit por duke i privuar audiencave artin dhe letërsinë e kulluar.

    Artistët dhe shkrimtarët e patalentuar të cilët zënë ofiqe të pamerituara dhe hapësirat publike janë barinjtë e këqij të shoqërisë. Ata e drejtojnë shoqërinë në vendet shterpë, atje ku nuk ka frute, e as oazë.

    Shoqëria është e vetëdijshme për të mos lejuar në shërbim e profesion një mjek të keq, një mësues të keq, inxhinier të keq, arkitekt të keq, e madje shofer apo pilot të keq, pasi janë rrezik real mbi njerëzit e zakonshëm. Por edhe artistët dhe shkrimtarët e këqij shkatërrojnë finesën e pa përkufizueshme dhe të tejbotshme të artit, prishin vizionin dhe çudinë e artit dhe fjalës së shkruar, bëhen pengues të progresit dhe vrasës talentesh, e mbi të gjitha zënë hapësirat shoqërore, duke shërbyer si kasta kolonash të cilat nuk e mbajnë dot mbi vete peshën e kohës, emancipimin e shoqërisë, dhe rrugëtimin drejt njohjeve të reja.

     “Nuk ka të majtë apo të djathtë në letërsi,” tha Ernest Hemingway, “Ka vetëm shkrime të mira e të këqija.” Ndaj dallimin midis tyre e bën lexuesi e jo vetë autori, e bën ndikimi që kanë në shoqëri e jo emërimi në hapësira publike nga cilado parti në pushtet, e bën britma universale e veprës dhe jo qarqet e ngushta të pseudo kritikëve provincialë.  

    Misioni i shkrimtarit dhe artistit të vërtetë është të përshkojë dimensione dhe universe të tjera të cilat shtrihen përtej kohës, gjeografisë, madje edhe vetë realitetit.

    Çdo krijues duhet të ketë si vendmbërritje njeriun universal, të pakufizuar prej kombësisë, gjinisë apo rrethanave. Fatkeqësisht sot po përjetojmë një holokaust mendimi dhe një abort intelektual. Nevojitet letërsi dhe art exclusif që ta çlirojë botën nga fenomeni i homo stupidus.  

    Vetëm prej talenteve vjen çlirimi dhe emancipimi. Letërsia dhe arti shpalosin peizazhe paralele që shihen me mendje dhe perceptohen nga ekstaza, ajo vdekje e vogël e përjetshme e cila bëhet edhe më e përjetshme nga fjala, piktura, skulptura, apo muzika.

    Arti i kulluar dhe i vërtetë është exclusivité, një urë lidhëse e realitetit me mbretërinë e qiejve, ndaj edhe ajo ishte që nga fillimi dhe do të jetë deri në fund. Kush e kupton është exclusif, kush e transmeton është profet dhe i parazgjedhur, kush e kërkon është i ndriçuar. Të tjerët, ata që jetojnë jashtë kompasit të krijimtarisë, apo artistët dhe shkrimtarët e këqij, lindin e ngordhin në shurdhi e shkretinë dhe drejtojnë edhe shoqërinë drejt skëterrës.

    Bota është një vend i ferrtë, dhe shkrimtarët e artistët e këqij po e shkatërrojnë cilësinë e vuajtjes sonë. Amatorizmi është gënjeshtër dhe mashtrim. Është thjesht një përkëdhelje e gjyshes për nipin a mbesën, parë nën optikën e dashurisë së gjakut. Arti dhe letërsia e kanë zbuar përherë produktin e keq që nuk ka arritur të përfaqësojë dinjitetin e madhështisë dhe forcës së talentit krijues. Arti i vërtetë lind në një qoshe gjeografike e dëgjohet si ushtimë në të gjitha skajet e botës. Ky është dallimi.

    Arti dhe letërsia nuk janë terapi e rëndomtë për gjendjen tënde emocionale apo mjete për zhvillimin personal si të ngjitësh hapat e jetës. Arti dhe letërsia janë thirrje, janë vajosje, shugurim dhe përzgjedhje, një barrë që rëndon mbi jetën e krijuesve edhe pa e dashur ata.   

    Artistët dhe shkrimtarët janë levitë. Një fis i zgjedhur. 

    Të gjithë mund të hynin në tempullin e Izraelit, të gjithë mund të adhuronin në të, por ishte vetëm një fis i caktuar që mund të hynte në tebernakull, në shenjtoren e tempullit. Këta ishin levitët. Dhe çfarë gjendej në vendin më të shenjtë të të shenjtëve? Arka e Besëlidhjes. Dhe çfarë kishte brenda arkës? Dy rrasa guri me dhjetë urdhëresa. Pra, fjalë të gdhendura në gurë. Art. Prandaj edhe arti është exclusivité dhe jo rëndomësi, e as amatorizëm.

    Misioni i çdo shkrimtari dhe artisti të vërtetë është të krijojë një art apo letërsi të re që përmbush të vjetrin. Kurrsesi ta zhbëjë atë, por ta plotësojë atë.

    Nëse një krijim i sotëm, i çfarëdo zhanri, nuk përmban dijen gjashtëmijë vjeçare të historisë së njerëzimit, atëherë është thjesht një mosgjë. Nëse nuk përmban dhimbjen, shpresën, forcën, humbjen dhe ëndrrat njerëzore të mijëvjeçareve është pa asnjë vlerë. Shekulli i njëzetë e një i ka gjetur fushat krijuese në një krizë të thellë pasi njeriu modern fokusohet te njeriu dhe jo njerëzimi. Unë. Si ndihem unë? Si e shoh unë? Si e mendoj unë? E jo të fokusohet te njerëzimi, si një vëllazëri bashkudhëtarësh e bashkëvuajtës, një kolorit i pafund emocionesh të shndritshme e torturuese që shërben njëkohësisht si frymëzim por edhe si audiencë. Kriza e tanishme ka ardhur për shkak të mësimeve të pa marra nga shekulli që lamë pas. Artistët dhe shkrimtarët e shekullit të kaluar ishin më prodhimtarët dhe më të vërtetët pasi e kuptuan më së miri përvojën njerëzore, ndërsa sot kjo nuk ndodh.

    U deshën dy luftëra botërore dhe disa regjime të tmerrshme, si Nazizmi, Fashizmi dhe Komunizmi, që i bënë artistët dhe shkrimtarët e shekullit të kaluar të kuptojnë se ata i përkisnin një universi tjetër dhe misioni i tyre ishte të shpagojnë kombet që u përkasin me akte rebelimi përmes artit të mirëfilltë dhe novativ.

    Pasi shkrimtarët kuptuan që shekulli i njëzetë vrau trefish më shumë njerëz sesa të gjitha viktimat në mbarë botën në të gjithë historinë e njerëzimit, atëherë, ashtu si hamartia (faji) i grekëve të lashtë, si një katarsis epokal në emër të gjithë njerëzimit, ata u zotuan në heshtje, që në zanafillën e qenies së tyre, aq sa arti e letërsia do t’i lejonte, ata nuk do të viheshin kurrë në shërbim të vdekjes. Dhe nën këtë premtim, pasi i shtrydhën përmes krijimtarisë të gjitha degëzimet dhe rrymat e artit e letërsisë, e përmbyllën veprën e tyre me post-modernizmin. Tani, pas post-modernizmit, ka pllakosur heshtja, dhe kanë mbirë krijuesit blogerë, kritikët e portaleve, publicistët “interesantë” (fjala më e urryer për shkrimtarët dhe artistët), amatorët që nuk kanë dëgjuar kurrë për shkrimtarët dhe mendjet më të ndritura të botës e as për artistët më gjenialë të epokave, e kështu njerëzimi, nga homo sapiens (latinisht për qenie inteligjente) rrezikon të shndërrohet në homo stupidus (latinisht për qenie idiote). Një gjendje e privimit emancipues të cilën mund ta çlirojë vetëm arti dhe letërsia e kulluar.    

    Arti është xheloz. Ai nuk lejon t’i cenosh as edhe një grimcë të natyrës dhe esencës së vet. Ndaj edhe është i përsosur. Ndaj edhe gjen gjithnjë përsosmëri të re. Thirrja e çdo krijuesi është të bëhet mjet i kësaj përsosmërie. Nëse je krijues, atëherë e kupton fare mirë misionin dhe thirrjen. Atë çekan që të zgjon në orët e para të mëngjesit, ai zë që të persekuton edhe kur je duke bërë dashuri, ai rrugëtim pa të cilin të duket sikur nuk mbushesh dot me frymë. Por duhet kuptuar prej çdokujt që ka një motiv që e ka shtyrë njerëzimin prej mijëra vitesh të krijojë. Ky motiv është faji. Faji i rënies së njeriut. Ai faj që na bën të jemi qeniet e vetme në univers që kemi turp nga lakuriqësia. Qeniet e vetme në univers që vishemi e mbulojmë natyrën tonë të vërtetë. 

    Ndër mijëra vjet, emocioni më i fortë që e ka shtyrë njerëzimin të ecë përpara apo të spastrojë veten është faji. Meshkujt mbizotërojnë në numër si artistë, shkrimtarë dhe krijues, pasi shtyrë nga faji i të moslindurit fëmijë, mundohen të justifikojnë ekzistencën e tyre në univers duke lindur vepra, portrete apo personazhe. Shtyrë nga faji i djegies së Trojës grekët shpikën tragjedinë. Prej fajit të kryqëzimit të Krishtit, qendra e Krishterimit u ngrit në Romë. Prej fajit, perandoritë e mëdha, dikur më vandalet e njerëzimit, tashmë janë pionieret më të flakta të të drejtave të njeriut. Vendet që shkaktuan pushtimet më vrastare historike tashmë janë më të përkushtuarat për përkrahjen e së drejtës së jetës.

    Ndaj edhe individi shkrimtar apo artist duhet të bëhet pjesë e këtij katarsis global dhe epokal e të paraqesë natyrën e vërtetë, të thellë, biologjike, emocionale, mendore dhe universale të njerëzimit. 

    Fatkeqësisht, shumica e njerëzve sot mendojnë se njeriu ka vetëm pesë ndjesi, e në raste të veçanta gjashtë (ajo që i atribuohet të mbinatyrshmes) por kjo është e gabuar. Njeriu ka shumë e më shumë ndjesi se sa thjesht prekja, nuhatja, shikimi, shijimi dhe dëgjimi. Ka gjithashtu edhe ndjesinë e dhimbjes, ekuilibrit, lumturisë, rrezatimit, gravitetit, etj., si edhe ndjesinë e hapësirës së vet në raport me të tjerët. Ndaj çdo artist apo shkrimtar që synon t’i përkasë grupimit të krijuesve të mirë duhet të çojë përpara stafetën e hershme të artit dhe letërsisë, e të mësojë të jetë instrument i akorduar në orkestrën e madhe të talenteve botërore, përndryshe, cilido që luan solo e mendon se fajin e ka njerëzimi që nuk arrin të dallojë gjenialitetin e tij apo të saj, më mirë të ulet në karrigen e spektatorëve e të duartrokasë sipas pëlqimit ata që performojnë mrekullueshëm mbi skenën e jetës. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË