More
    KreuArte pamoreDr. Bledar Kurti: Ekstaza e Shën Terezës

    Dr. Bledar Kurti: Ekstaza e Shën Terezës

    Pashë se ai mbante në dorën e tij një shtizë të gjatë prej ari, dhe prej majës së hekurt dilte një zjarr i vogël. Më dukej sikur ai e ngulte atë në zemrën time, duke më shpuar brenda në gji; dhe kur ai e nxirrte më dukej sikur nxirrte edhe zemrën time, duke më lënë të përflakur me një dashuri të madhe për Perëndinë. Dhimbja ishte aq e madhe, sa që më bënte të rënkoja; megjithatë aq e ëmbël ishte ajo dhimbje e madhe, sa që unë nuk dëshiroja të mbaronte.

    Ky ishte përshkrimi që Shën Tereza e Avila, një murgeshë spanjolle e shekullit të 16-të, i bëri një prej përjetimeve të saj shpirtërore e vegimeve mistike, duke na zhytur në një moment ekstaze mishore të shkaktuar nga një prekje, shpim, e ledhatim engjëllor e hyjnor. Dhe mbi këtë pasazh, Gian Lorenzo Bernini (1598-1680) krijoi veprën më të shquar të periudhës barok, dhe ndër më të njohurat në histori, e titulluar Ekstaza e Shën Terezës (1647-1652).

    Teksa hyn në kishën Santa Maria della Vittoria, në Romë, ndien menjëherë sikur gjendesh brenda një teatri. Në faqet anësore vërehen lozha, e mendja percepton hutueshëm spektatorë të gjallë me vështrimin për nga altari, qendra e faltores, në të cilën gjendet një skulpturë e mermertë. Bernini ishte skulptor, piktor, por edhe arkitekt dhe skenograf teatri, ndaj të gjitha talentet e tij i vuri në zbatim në këtë vepër. Skulptura është e ngritur, e duket sikur qëndron pezull në ajër, e mbi të Bernini ka krijuar rreze të arta që vërshojnë nga lart. Burimi i dritës është tejet teatral. Në kubenë është i pikturuar një pëllumb, i cili simbolizon Frymën e Shenjtë. Drita në vetvete derdhet mbi sallë nga një dritare në majë, ndërsa mbi skulpturën, nga një vetratë e dekoruar me të verdhë, e cila integrohet me rrezet e arta që derdhen mbi veprën. Një skenë artistike, teatrale, hyjnore, por edhe mishore e manifestuar nga shprehia e fytyrës së Terezës e cila duket e përhumbur në një ekstazë të thellë.

    Figura e engjëllit dhe e Shën Terezës duken aq të buta dhe reale sa që është vështirë të besohet se vepra është mermer. Ajo duket si e derdhur në dyllë ose e krijuar me plastelinë apo argjilë. Ky talent i jashtëzakonshëm i Berninit për ta gdhendur mermerin e ftohtë duke përçuar një ndjenjë të ngrohtë e plasticitet prej dylli, është i paprecedentë në historinë e artit. Skulptura ka në vetvete një sërë trajtimesh, të cilat dallohen tek lëkura e butë e engjëllit, tek puplat e krahëve të tij, tek rroba e butë që ai mban mbi trup ndërkohë e vrazhdë tek veshja e Terezës, e sidomos tek emocioni që transmeton goja gjysmë e hapur e saj, e cila kur i afrohesh duket sikur lëshon frymë.

    Rroba e engjëllit është e lëmuar, pasi ajo është e endur në parajsë, ndërsa zhubrat e rrobës së Terezës krijojnë një lidhje midis hyjnores dhe tokësores, midis qenies frymore dhe trupit mishor së shenjtores. Me një buzëqeshje të ëmbël, në dorën e tij të djathtë, engjëlli mban një shigjetë, ndërsa me të majtën ai prek butësisht një pjesë të rrobës së saj. Dora është e përthyer me një delikatesë madhështore, dhe veshjen e shenjtores e prek vetëm me majat e dy gishtave.

    Tereza ka ngritur kokën lart, sytë i ka pothuajse të mbyllura, megjithatë Bernini i ka lënë vetëm paksa të hapura, mjaftueshëm për Terezën që ta shohë engjëllin teksa përjeton flakërimin e prekjes së tij. Dora dhe këmba e saj e majtë janë të varura. Ato pluskojnë në ajër, në shenjë dorëzimi trupor dhe transportimi në një dimension tjetër fizik e shpirtëror. Goja e saj është elementi më i rëndësishëm i veprës. Përmes saj shikuesi përjeton ekstazën. Prej saj ne ndiejmë frymën e gruas por edhe na duket sikur dëgjojmë rënkimet e saj të ëmbla.

    Në këtë vepër, Bernini përdori teknikën e linjave të mprehta e të palëve, të cilat krijonin prerje të thella në mermer duke krijuar një seri hijesh, për të përçuar ndjesinë e lëvizjes dhe dinamikës. Teksa sipërfaqja transformohet nga drita dhe hija ajo transmeton gjeste tejet dramatike. Dhe, të shoqëruara me nuancat e ngjyrave që krijonte vetë mermeri nën shkallët e ndryshme të hijes, rezultati ishte gjithmonë mbresëlënës dhe tronditës.

    Lorenzo Bernini, Ekstaza e Shën Terezës

    Bernini shquhej për organizimin e skenave mortore dhe ceremonive spektakolare. Skulptura e tij kishte për qëllim të ndizte emocione tek shikuesit. Arti i tij është sfidues dhe simbolik. Kjo vepër është ngrirje e një momenti. Është një vepër e cila përshkon ndalimin e kohës dhe shpalosjen e ekstazës hyjnore të Shën Terezës. Engjëlli prek rrobën e saj dhe bëhet gati për ta shpuar në gji, teksa një dritë qiellore bie mbi të e ajo konsumohet nga dashuria e Perëndisë. Bernini vuri në zbatim të gjitha aftësitë e tij artistike e teatrale për të frymëzuar romakët dhe të gjithë shikuesit, me lidhjen midis njeriut dhe Perëndisë. Por gjithashtu, ne e ndiejmë ekstazën mishore, emocionin që shpalos trupi i gruas, i gatshëm për t’u tejshpuar nga engjëlli.

    Bernini ishte një besimtar i devotshëm, por edhe dashnor i zellshëm. Ai pati një lidhje dashurore me gruan e ndihmësit të tij, Matteo Bonarelli. Ajo quhej Constanza. Bernini e përjetësoi në mermer portretin e saj, rreth vitit 1636. Busti i saj shpalosi dëshirën dhe intimitetin midis Costanza-s dhe Bernini-t, por historia e tyre do përfundonte në një skandal të bujshëm. Costanza u lidh me vëllain e tij, Luigi, dhe Bernini i inatosur e rrahu të vëllanë, duke e lënë pothuajse të vdekur. Më pas ai urdhëroi një shërbëtor që të priste me thikë fytyrën e Costanza-s. Ky skandal bëri bujë të madhe në Romë. Bernini ishte miku i Papës, ndaj i shpëtoi dënimit. Por, ai u urdhërua të martohej, ndaj u martua me mblesëri me Caterina Tezio me të cilën pati njëmbëdhjetë fëmijë. Për ironi, Luigi, vëllai i Gian Lorenzo Bernini-t, u dëbua nga Roma, ndërsa Costanza u burgos, e akuzuar për tradhti bashkëshortore.

    Deri në kohën e vdekjes së tij, Gian Lorenzo Bernini prodhoi më shumë portrete se çdo skulptor tjetër që nga koha e antikitetit. Portreti në mermer i Costanza-s, e shumë portrete të tjera nga dalta e Bernini-t, nisën një epokë të re në skulpturën evropiane, pasi bustet zakonisht ishin portrete formale të rezervuara për varret dhe nuk ishin përdorur për portrete të zakonshëm që nga Roma e lashtë. Që në fëmijëri Bernini-t i ishte thënë se ai ishte i destinuar të bëhej Michelangelo i kohës së tij, dhe një numër i madh i statujave të tij të hershme tregojnë se ai punonte sistematikisht me tematika të lidhura ngushtë me mjeshtrin fiorentin. Por, Bernini jetoi në një kontekst tjetër historik, ndaj arti i tij nuk mund të ishte i idealizuar e mbuluar me aureolën e madhështisë dhe mitizimit siç ndodhte në Rilindjen e Artë. I shtyrë nga konteksti i kohës, Bernini, ashtu si Caravaggio, e shumë të tjerë, duhet ta bënin artin sa më tërheqës për njerëzit e thjeshtë, e madje duke e bërë shikuesin të ndihej spektator në veprën teatrale të krijuar nga dora dhe talenti i artistit.

    Klima politike dhe sociale në Romë ishte tejet e ndezur për shkak të valës së fuqishme të Protestantizmit që kishte zaptuar Evropën. Në vitin 1517 Martin Luther shpalli 95 tezat e tij të cilat sfiduan papatin dhe stanjacionin që kishte pushtuar Kishën Katolike. Sola Scriptura, Sola fide, Sola gratia, Solus Christus, Soli Deo Gloria (Vetëm përmes Shkrimit, Vetëm përmes besimit, Vetëm përmes hirit, Vetëm përmes Krishtit, Vetëm për lavdi të Perëndisë) ishte moto e Reformacionit, dhe kjo lëvizje e re jo vetëm që e ndau në dy pjesë krishterimin perëndimor, duke konvertuar vende të rëndësishme evropiane si Gjermania, Holanda, Anglia, Skocia, rrjedhimisht edhe kolonitë angleze në Amerikë, por edhe rrezikonte vetë papatin dhe praktikat kishtare katolike, që nga indulgjencat e deri tek ofiqi papnor, pasi protestantët shpallën se çdo njeri i zakonshëm mund ta njihte Perëndinë vetëm përmes Biblës e jo ikonave, e njerëzit mund të arrinin shpëtimin pa ndërmjetësimin papnor dhe priftëror, por vetëm përmes Krishtit. Kjo tronditje e shkundi Romën dhe papatin, ndaj për të imponuar autoritetin e saj Kisha Katolike Romake mblodhi Këshillin e Trent-it, i cili u mblodh rregullisht që nga viti 1545 e deri në vitin 1563, e përmes shumë seancave të së cilës ndërmori një sërë masash doktrinale e ndoqi një qasje të re edhe për ikonografinë dhe artin, duke i nxitur artistët të krijonin vepra sa më natyraliste të cilat do nxisnin njerëzit e zakonshëm t’i shihnin veprat artistike në mjediset kishtare si ilustrime që nxisnin besimin, duke e shndërruar kështu artin si mjet mësimor dhe edukativ, por edhe si një garë e konkurrencë ndaj Martin Luther-it i cili kishte nisur të shkruante himne.

    Lorenzo Bernini, Përdhunimi i Proserpina-s

    Sa më shumë që protestantët predikonin kundër shkëlqimit të jashtëm të kishave, duke theksuar rëndësinë e besimit të brendshëm dhe personal në Krishtin, aq më e ethshme ishte Kisha Katolike Romane të bënte për vete talentet artistike. Sipas saj arti mund t’i shërbente fesë për t’u predikuar doktrinën katolike atyre që nuk dinin shkrim e këndim.  Kësisoj, artistëve u bëhej thirrje t’i shndërronin kishat në vende tërheqëse, me pamje plot shkëlqim që gati të linin pa mend. Ndaj ambientet dhe shërbesat fetare u shndërruan në teatro liturgjike, kishat funksiononin si vende adhurimi por edhe galeri arti me plot vepra madhështore me tematika hyjnore por të prekshme dhe të identifikueshme ndaj njerëzve të thjeshtë. Kjo i apeloi më së miri njerëzve të asaj kohe të cilët e shihnin teatrin më real sesa vetë jetën. Dhe Bernini, skulptori dhe artisti skenograf, i mrekulloi lehtësisht spektatorët e tij.

    E jo më kot Bernini zgjodhi Shën Terezën, pasi ajo ishte një katolike tejet e përkushtuar kundër Reformacionit, duke e bërë kështu këtë vepër edhe një mjet doktrinal dhe politik.

    Bernini kontribuoi edhe në rikrijimin e madhështisë romake, e cila kishte nisur që me Rilindjen, dhe ai ndoqi këtë mision edhe si arkitekti zyrtar i Bazilikës së Shën Pjetrit, por edhe si krijues i shatërvanëve në sheshet e Romës, të cilat u ngritën si vepra publike por edhe si monumente papnore. Të gjithë veprat e tij publike përmbanin një mesazh teatral, autoriteti papnor por edhe alegori politike.

    Stili barok karakterizohej nga një realizëm i jashtëzakonshëm, i frymëzuar nga statujat greko-romake, e në veçanti nga vepra Laokoonti dhe Bijtë e Tij, një skulpturë e shekullit të parë para Krishtit, e gdhendur nga duart e tre artistëve grekë, e cila u zbulua në vitin 1506 dhe u ekspozua në Vatikan. Ajo vepër frymëzoi Michelangelo-n, por edhe Berninin, ndaj ashtu si Laokoonti shpreh dhimbjen nga mbytja e gjarpërinjve që ka përreth trupit, ashtu edhe Bernini u përpoq të gdhendte figura të cilat shprehnin ndjenjat e tyre, e kjo shihet si tek Ekstaza e Shën Terezës, por edhe tek një vepër tjetër e cila është ndër më të njohurat e Bernini-t, Përdhunimi i Proserpina-s, e përfunduar kur artisti ishte vetëm njëzetë e tre vjeç.

    Në të shpaloset skena sesi Plutoni, i njohur edhe si Hadesi, zoti i vdekjes dhe botës së nëndheshme, rrëmben Prosperina-n. Shprehia e tmerrit dhe trishtimit në fytyrën e saj, lotët që i derdhen mbi faqe, dhe detaji i jashtëzakonshëm i thonjve të Plutonit që ngulen në kofshën e majtë të Prosperina-s, e bëjnë këtë vepër të duket e gjallë dhe dramatike, porsi dy aktorë që luajnë tragjedi greke mbi skenë. Dhe një mjeshtëri e tillë artistike dhe realizmi dramatik hedh edhe më shumë dritë mbi qasjen artistike që Bernini shpalosi tek Ekstaza e Shën Terezës, duke e krijuar atë si një moment të dybotshëm, njësoj si dybotshmëria klasike greke.

    Lorenzo Bernini, Përdhunimi i Proserpina-s (detaj)

    Babai i Bernini-t mund të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në ndikimin që antikiteti pati tek djali i tij. Pietro Bernini ishte jo vetëm një restaurues i statujave klasike, por edhe një skulptor i cili krijoi disa vepra që ndikuan dukshëm tek njohuritë e të birit mbi antikitetin dhe përkushtimin e tij ndaj artit helen. Por, për Bernini-n, arti antik ishte frymëzim, mjeshtërit e Rilindjes si Michelangelo ishin mësues, ndërsa ai vetë do shkonte më tej duke sfiduar edhe vetë mermerin. Ai nuk lejoi kurrë që mermeri të çlironte imagjinatën e tij, por ishte ai që e çlironte mermerin nga një gjendje e pashpirt duke i dhënë jetë përmes artit të tij. Ndaj ai e detyroi mermerin, madje edhe hekurin, të bënin gjëra të pazakonta, e të merrnin forma aq të buta sa dukeshin të pamundura. Kush skulptor tjetër përpara Bernini-t kishte skalitur diellin? Askush. Dhe asnjë skulptor tjetër pas tij, nuk e morri një guxim të tillë.

    Bernini ishte shumë metodik në krijimin e veprave të tij. Për të arritur secilën prej tyre atij i duhej shumë punë e mund, duke bërë një numër të madh skicash dhe bocetesh, përpara se të niste punën me daltë. Figurat që ai krijoi janë shumë të gjalla e përçojnë emocione të thella, si rezultat i skicave të shumta që bënte. Dhe ai vetë u shpreh se skiconte pafundësisht në mënyrë që të memorizonte tiparet e figurave, jo kur ato uleshin për të pozuar por teksa ata merreshin me gjërat e jetës së tyre të përditshme. Dhe me siguri për këtë metodë ai duhet të jetë frymëzuar nga mjeshtri Leonardo da Vinci i cili kishte qenë pionier i skicimit të shprehive dhe tipareve njerëzore.

    Mjeshtri që e bëri mermerin të dukej si dyllë e baltë lindi në Napoli por u shua në moshë të thyer në Romë, në qytetin e lavdishëm të cilin ai e la edhe më të lavdishëm, falë veprave të tij. Ndaj me të drejtë në varrin e tij shkruhet se ai ishte sovran i artit, përpara të cilit u përulën me respekt papë, princër, e shumë njerëz të rangjeve të ndryshme. Bernini e çliroi skulpturën nga blloku i gurtë, duke i lënë një mesazh epokave të mëvonshme, që arti është ekstazë, dhe përmes tij, qoftë guri, mermeri, hekuri e çdo material i fortë dhe i ftohtë mund të marrë frymë, duke drithëruar e ngjethur këdo që e shikon, e prek dhe e përjeton.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË