Kontributi i Visar Zhitit në letërsinë shqipe përfaqëson një vepër të jashtëzakonshme, jo vetëm në kuptimin e pasurimit të skenës kulturore letrare, por edhe në planin e raportit tonë me ndërgjegjen kolektive, e cila kushtëzon mënyrën se si e perceptojmë dhe ndërtojmë lidhjen tonë me të shkuarën. Në qendër të krijimtarisë së tij qëndron tema e humanizmit, e cila, përmes përvojave të jashtëzakonshme që trajton, kapërthen dimensionet individuale dhe kolektive të përjetimit njerëzor. Përmes një vizioni që shikon përtej vetvetes, Zhiti e konsideron letërsinë si instrumentin më sublim për të shqyrtuar natyrën njerëzore në rrethana ekstreme; rrethana që ai i paraqet me një thjeshtësi të ftohtë faktuale, larg zhurmës dhe retorikës. Kjo qasje e vendos veprën e tij brenda traditës së letërsisë së dëshmisë, ku dokumenti shpirtëror nuk është thjesht një regjistrim i ngjarjeve, por një reflektim i thellë mbi natyrën e dhimbjes, të traumës dhe të përjetimit të përbashkët njerëzor, duke e bërë lexuesin pjesëmarrës në një proces katarsues shpirtëror. Ky reflektim merr një dimension të veçantë kur lexuesi përballet me përvojën intime të personazhit, i cili ndan një përjetim metafizik të librit si mjet shpëtimi:
“Një i panjohur që s’e dija ku ishte e në ishte, po më rrëfente gjëra që s’i dija. Dikush po rrefehej tek unë dikur e unë e dëgjoja tani. Po dridhesha. Libri ekziston dhe kumti i tij qenkësh i mbërritshem. Është vërtetë i shenjtë, siç besonin në mesjetë dhe e kishin si objekt kulti dhe të magjisë. Engjëjt kanë shkruar, shenjtorët, Zoti vetë, pa u shenjtëruan librat. Librat vërtetë shërojnë plagët.” (Rrugët e ferrit, f. 170) Ky fragment ilustron qasjen e Zhitit ndaj humanizmit dhe fuqinë e letërsisë për të ndërvepruar me përjetimet shpirtërore të individit dhe kujtesës kolektive, duke e lidhur lexuesin me përjetime transcendentale dhe katarsuese.
Një nga karakteristikat më të dallueshme të krijimtarisë së Zhitit është mungesa e heroit tradicional në kuptimin e fortë të termit. Personazhet e tij nuk janë në radhë të pare as rebelë, as disidentë; ato janë individë që përpiqen të ruajnë një normalitet të brishtë, të vetmen liri të mbetur në kushtet ekstreme të represionit. Kjo e drejtë themelore shndërrohet në subversion, në kufijtë e absurdit janë bie fjala momente ku edhe vetë akti i leximit dhe i shkrimit shihet si kundërshtim me vijën ideologjike. Ky fokus modest, me përulësi dhe afri me të tjerët përbën një thyerje radikale me doktrinën e realizmit socialist, e cila kishte mbushur skenën artistike shqiptare me figura heroike dhe spektakolare. Zhiti, duke shmangur heroizmin patetik, e vendos personazhin e tij në një horizont human, ku kujdesi për familjen, mëshira për të tjerët – përfshirë edhe përsekutorët – dhe kërkimi i çdo forme kontakti njerëzor bëhen baza e lidhjes së lexuesit me veprën, duke e afruar këtë të fundit në mënyrë intime dhe të prekshme. Kjo ndërlidhje midis përvojës individuale dhe reflektimit kolektiv e bën letërsinë e Zhitit jo vetëm një kronikë historike, por një përvojë shpirtërore që synon të depërtojë në dimensionet më të thella të vetëdijes dhe të kujtesës kolektive.
Në nivel intertekstual, veprat e Zhitit evokojnë jovetëm “Ferrin” dantesk, por shfaqen edhe ndikime të dukshme nga Kafka dhe Meyrink. “Rrugët e ferrit” janë të padukshme, lëvizja nga një hapësirë në tjetrën nuk perceptohet racionalisht, ndërsa ambienti i përshkruar është i errët, ngushtues dhe dehumanizues. Përmes këtij peizazhi, autorit i shfaqet mundësia të eksplorojë raportin e individit me pushtetin arbitrar dhe me kohën e deformuar; pamundësia për të perceptuar kohën objektive, zhvendosja e saj në një kohë arbitrare dhe të dhunshme – si kur hetuesit e marrin personazhin në pyetje pas mesnate – e shndërrojnë dimensionin kohor në një mjet torturues, i cili përforcon ndjenjën e pafuqisë dhe të izolimit të individit. Kjo përvojë nuk është metaforike, por një realitet i përjetuar; intensiteti dhe përmasat metafizike e vendosin veprën pranë dëshmive të Solzhenicinit, ku rrethanat ekstreme shërbejnë si mjet për të përftuar njohje të re, reflektim të thellë dhe mençuri (telegrafi.com).
Përballja e Zhitit me arbitraritetin e pushtetit totalitar e vendos veprën e tij në dialog me përpjekjet më të thella letrare për të eksploruar metafizikën e qenies dhe të ekzistencës, jo thjesht psikologjinë. Siç vëren Hannah Arendt në Origjinat e totalitarizmit, dallimi thelbësor i diktaturave moderne qëndron në mënyrën se si terrori nuk godet vetëm të bindurit, por çdo individ në mënyrë arbitrare, duke e shndërruar dhunën në një forcë absolute dhe anonime. Pikërisht kjo përvojë e dhunës arbitrare – ku akuza shkruhet nga duar të padukshme dhe nënshkruhet pa u lexuar – e lidh përjetimin e personazhit të Zhitit me fatin kafkian të Jozef K.-së, duke krijuar një reflektim mbi përjetimet e izolimit, pasigurisë dhe padrejtësisë ekstreme.
Në kontekstin e lexuesit bashkëkohor, letërsia e Zhitit mbetet aktuale, sepse ofron një model të rrallë të ndërthurjes së dokumentit dhe trillimit letrar. Në një epokë ku të rinjtë kërkojnë letërsi që lidhet drejtpërdrejt me jetën reale, veprat e Zhitit demonstrojnë se dokumentimi dhe krijimtaria nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, por ndihmojnë në ndërtimin e një reflektimi shpirtëror dhe filozofik të thellë (liberale.al). Ky reflektim nuk bie kurrë në kompromis me të vërtetën historike dhe nuk kthen traumat e së shkuarës në spektakël argëtues; përkundrazi, ai i çon ngjarjet në nivele metafizike dhe ideologjike, duke e kthyer rrëfimin në një përjetim që përfundon në katarsis shoqëror dhe humanist. Kështu, krijimtaria e Zhitit nuk është thjesht një kronikë historike apo një tregim për vuajtjet individuale; ajo është një letërsi e traumës, ku dhimbja personale transformohet në kujtesë kolektive dhe në reflektim mbi kuptimin e përjetshëm të ekzistencës njerëzore.
Nga këndvështrimi i promovimit kulturor, veprat e Zhitit meritojnë një vëmendje të barasvlershme me veprat ndërkombëtare të njohura për përvojën e dhunës dhe traumës, si “Ditari i Ana Frank” apo filmi “Lista e Schindler-it”. Për shqiptarët, roli i tij është i veçantë: në një kohë apokaliptike, ai nuk ndalet te kërkimi eskatologjik, por arrin të artikulojë idenë e shpëtimit dhe të rehabilitimit, duke treguar triumfin e jetës jo përmes patetikës, por përmes një rrëfimi të zhveshur, që kalon nëpër ferrin më të errët dhe megjithatë ruan dimensionin e shpresës.
Në kontekstin e letërsisë shqipe, Visar Zhiti është tashmë një autor i kanonizuar, me një krijimtari që sjell elemente inovative në planin formal, struktural dhe narrativ, si dhe në përmbajtje, duke ofruar perspektiva të reja dhe universale. Megjithatë, vepra e tij nuk duhet parë thjesht si pjesë e sistemit letrar kombëtar; ajo përfaqëson dhe inkuadrohet në një kapitull të denjë të letërsisë botërore. Përkthimet e veprave të tij në gjuhë të rëndësishme të huaja, por edhe vlerësimet që ai si personalitet por edhe vepra e tij kane marrë jashtë Shqipërisë, jo vetëm që dëshmojnë vlerën e tij në kuadër kombëtar, por konfirmojnë edhe statusin e Zhitit si shkrimtar të një përvoje që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe bëhet zë i kujtesës universale.
Zhiti, V. (1993). Kujtesa e ajrit Tiranë: Lidhja e Shkrimtarëve.
Zhiti, V. (1994). Hedh një kafkë te këmbët tuaja. Tiranë: Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”.
Zhiti, V. (1994). Mbjellja e vetëtimave. Shkup: “Flaka e vëllazërimit”.
Zhiti, V. (2001). Rrugët e ferrit: Burgologji. Tiranë.
Zhiti, V. (2012). Rrugët e ferrit: Burgologjia ime për Spaçin dhe më parë (Botim i plotësuar). Tiranë: Omsca-1. Open Library
Zhiti, V. (2021). Dorëshkrimet e fshehta të burgut. Tiranë: Onufri.