… dhe tashti këto janë korridoret e ankthit
që shemben nga vdekjet dhe dridhen nga dhembjet
do të kaloni patjetër nëse doni të shikoni…[1]
[…] Heshtja në poezinë e Eqrem Bashës fshin gjurmën e individit në botë dhe ndërsa merr trajtat më tmerruese është e vetmja gjuhë që njeh njeriu i tjetërsuar. Ndër imazhet më të realizuara të saj janë ato që lidhen me errësirën e botës nënujore. Sikurse përmend në parathënien e vëllimit Meny ballkanike Ali Podrimja, deti dhe organizmat e thellësive marrin vlerë metafizike në poezinë e Eqrem Bashës. Polipet, algat janë relike të qytetërimeve të zhdukura, të fosilizuara, ndërsa ndjesia e brengës mplekset me atë të neverisë dhe njeriu mëson të flasë gjuhën e peshkut.
Poezia e Bashës është një hartë e përpiktë e mbetjeve tashmë të ngurtësuara të përfytyrimeve, iluzioneve dhe përpjekjeve shpesh irracionale e patetike të njeriut të vetmuar të mjedisit urban për t’i gjetur apo dhënë kuptim ekzistencës. Në këtë kuptim, ajo është testament i dështimit kronik, i ankthit dhe i një humbjeje të kthyer në dëshmi dhe në gjendje ekzistenciale. Ajo ndërtohet me imazhe poetike sipërore që e konfigurojnë qenien si të kapluar në një gjumë të thellë tejkohor, në një mjegull që gjeneron përfytyrime morbide ku mpleksen dështimi, pakuptimësia dhe harrimi. Prania e formave biomorfe sikurse ndodh tek Yjedeti transformon elementet primare, krijesat që duket se kanë shpërfillur evoluimin, në qenie kaleidoskopike me shumësi pamjesh nën imazhin e tyre memec dhe pothuaj statik. Kjo teknikë është themelore për të jetësuar antiheroin e Bashës, individin pa trajtë, pa fytyrë, pa emër, pa të shkuar dhe doemos pa të ardhme, njeriun e vetëm që nuk habitesh ta mendosh pa siluetë; e megjithatë ai është plotësisht i pranishëm. Ai i prezantohet botës përmes bëmave të tij dhe madje që në titullin e shumë poezive.
Titujt e Bashës janë dukuri më vete; janë gjetje stilistike të pangatërrueshme me ngjizjen e narratives, ironisë, groteskut, humorit të zi, parodisë dhe mekanizmave të tjerë të poetikës së tij komplekse. Ato janë jetike për t’i dhënë formë traumës, vetmisë, mungesës së rrugëdaljes dhe dështimit, të gjitha të shndërruara në balada urbane.
Mungesa e përdorimit të shkronjës së madhe si shenjë e shumë prej poezive të tij më të spikatura i kontribuon anonimitetit, rëndomtësisë, zakonshmërisë dhe ironisë që ngjisin gjendjen e njeriut të vogël në botë, heroit pa heroizma, e sigurisht pa bardë e këngë për të, por që pikërisht për këtë fakt meriton t’i shkruhen dy rreshta baladash. Kjo ironi e mpleksur me jo pak brengë është shprehja më e fuqishme e pafuqisë dhe e pamundësisë njerëzore, ose ndoshta shprehja e vetme e mundshme e të dyjave. E gjitha kjo, në tërësinë e vet abstrakte fiton trup dhe materializohet përmes leksikut poetik, i cili në thelbin e tij është empirik dhe objektiv, pa kurrfarë reference të dallueshme me realitetet abstrakte, tipar ky mjaft përfaqësues i poezisë së Bashës që të rikujton mendimin e O.Uajldit se misteri i vërtetë qëndron tek e dukshmja më shumë sesa tek e padukshmja. Pa arritur të jetë as hero, as viktimë (J. Mathie-Heck) individi i Bashës gjeneron hiçin përmes një ekzistence të paqëllimtë, të zbrazur nga çfarëdo synim i njëmendtë. Ai është epiqendra e një poezie që, veç të tjerash, spikat edhe si satirë politike, duke dëshmuar aftësinë e poetit për të pranëvendosur në mënyrë të hollë por tronditëse, traumat individuale me ato kolektive me rrënjë etnike.
Pikërisht në pikëtakimin mes kaq shumë variablash lind ajo që mund të shihet si pulsi i ngadaltë, i mezidallueshëm por i pandalshëm i kësaj poezie që mendoj se është edhe thirrja e brendshme e saj: nevoja për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar. Kjo është sfida më e mundimshme në një kohë kur të dëgjuarit është një aftësi e humbur e njeriut, i cili tashmë angazhohet plot zell në dialogë që kanë humbur dimensionin pragmatik të ligjërimit. Si përkthyes i dramaturgëve të absurdit e sidomos i Beketit, Basha e njeh mirë domethënien e këtij pohimi si realitet artistk letrar dhe si fakt ekzistencial.
Kjo nevojë e qenësishme e njeriut, të dëgjosh dhe të dëgjohesh nënkupton një dialog real me botën dhe atë çka e mban lidhur individin me botën. Në këtë kuptim, të zbërthesh poezinë e Bashës përmes perspektivës hermeneutike ndihmon të shohësh një aspekt unik të saj në raport me poezinë bashkëkohëse. Heroi i Bashës i frikësohet kontaktit me botën, por njëherësh kërkon me dëshpërim që të komunikojë. Ai ka nevojë të provojë eksitencën, të qenët e tij, ndërsa izolohet dhe vetizolohet dhe në fund, dështon në përpjekjet e tij për ta bërë botën shtëpinë e tij, vendin ku përket. Prandaj, pasi vetëdijesohet se ka mbërritur në këtë botë, se është shfaqur në të, se ka ndodhur në botë, ekzistenca e tij gëllitet në hapësirën e të (pa)mundshmes, e pasigurisë, e të pakthyeshmes duke prodhur llojin me tronditës dhe shqetësues të tragjedisë:
Me gjithë fuqinë tonë të pamatë dhe të çuditshme, e vërteta jonë qëndron e fshehur në këtë tragjedi që ka të bëje me vetë faktin që ne shfaqemi në botë. Kjo është njohuria që kemi ne për veten tonë përpara çdo vetëdijësimi të mundshëm për këtë të vërtetë. E kuptuar siç duhet, ajo u paraprin të gjitha njohurive të tjera. E megjithatë, magjepsja jonë me fuqinë tonë do të na lërë të verbër ndaj të vërtetës sonë …. Kjo përcakton marrëdhënien e njeriut me botën dhe e bën njeriun më të çuditshmin e gjithë sa ekziston: që fuqia jonë, mënyra jonë e të qenit në botë si përpjekje për ta njohur dhe transformuar atë në mënyrë që të gjejmë vendin tonë në të, çliron forcën rregulluese të natyrës që është aq dërrmuese dhe e pazotërueshme. Ndërsa ekspozojmë veten ndaj një mundësie të tillë të ndryshimit të pozitave tona, ne shfaqemi para vetes si një tragjedi reale dhe që konsiston thjesht në faktin e shfaqjes tonë në botë. (L. Rohden, D.J. Schmidt)
Meqenëse paaftësia për të kuptuar vetveten dhe për te realizuar një takim dhe një bisedë me botën (encounter/conversation) në kuptimin hermeneutik të fjalës rezulton sfida, synimi dhe pamundësia e heroit pa bema të Bashës, mënyra si e trajton dhe e proceson ai këtë realitet ka çuar në përpunimin e një modeli heshtjeje dhe memecërie që është i përveçëm në poezinë bashkëkohore shqipe. Ai mund të kuptohet më thellë përmes nocionit të mosdrejtimit, mosdrejtpërdrejtshmërisë (un-directedness; J. Binderman) i cili është një çelës për të kuptuar ekzistencën dhe përvojat antiheroike të njeriut modern dhe që lidhet ngushtësisht me heshtjen:
“[…] heshtja, si një formë e diskursit indirekt, mund të na sigurojë akses në aspekte të rëndësishme dhe deri tani të pambërritura të përvojës njerëzore. Edhe nëse heshtja është një gjuhë tjetër, ajo nuk mund të na flasë drejtpërdrejt sepse nuk përmban asgjë në vetvete, por vetëm se reflekton çka e rrethon. Prandaj, heshtja është një shembull i diskursit jo të drejtpërdrejtë, analog me “të shfaqurit” e Vitgenshteinit apo me “të banuarit poetik” te Hajdegerit. […] Si një diskurs indirekt, heshtja mund të shihet më së pari si shprishje, shkëputje në lidhjen mes vetes dhe botës në kontekstin e trajtësimit gjithësor të realitetit. Ajo mund të dëgjohet edhe në një mënyrë më statike, si pjesë e një përvoje mistike që i referohet të kuptuarit vetjak, për të qenit e vetes dhe botës në kufi të njëra-tjetrës. Të dyja përvojat ekzisojnë përtej fjalëve.”(Binderman)
Antiheroi i Bashës, jo-heroi i tij, vetëm e gjeneron heshtjen, edhe kur me bëma zakonisht absurde, tronditëse a patetike përpiqet ta thyejë atë. Kjo është e pashmangshme pasi një dialog parakërkon që të dëgjosh, dhe të dëgjosh nënkupton praninë aktive të një pale të dytë që është e gatshme të angazhohet në këtë dialog. Në rastin e Bashës ndodh ajo që mund të përkthehet si heshtja që shprish, që shqetëson rendin e gjësë e më së pari të gjuhës:
“Duke e shprishur materien gjuhësore që trajtëson dhe bashkon veten me botën, dhe duke e ngadalësuar matricën tipikisht të shpejtë të kohës në sensin praktik, heshtja që shprish rendin hap mundësitë e të hyrit në hapësira të tjera të përvojës.”
Duke patur parasysh praninë e ekzistencializmit në poezinë e Bashës, një orientim i tillë është tepër i rëndësishëm, pasi heshtja shqetëson, trazon, shprish një paradigmë, një matricë dhe duket se hedh sytë drejt diçkaje që ekziston përtej faktit të të qenit në botë si një farë aksidenti që thjesht pret të ndodhë. Në këtë kuptim, poezia e Bashës është një poezi që vijon të shkruhet, ndërsa heshtja në të mbërrin një kufi të panjohur të botës. Heshtja, siç thote Bindermani, ekziston dhe qëndron në skaj të botës, aty ky fjalët thyhen, shprishen dhe kuptimi mjegullohet duke shkuar kah ambiguiteti. Heshtja mund të marrë një kuptim pozitiv në sensin e të qenit pohuese, pasi heshtja i flet mos-reagimit të kozmosit ndaj gjakimit të njeriut për kuptim. Ndërsa mënyra si e interpretojmë ne kozmosin mund të mos ketë një fund, ajo nuk ka as edhe një pikë të fundme qartësie apo sigurie absolute drejt të cilës të mund të synojmë. Kjo është “heshtja e përjetshme”, sqaron Binderman, të cilës i druhej Paskali.
Poezia e Bashës i jep prani këtij mos-reagimi (non-responsiveness) të kozmosit dhe madje e mbart atë duke dëshmuar se ajo në fakt është brenda vetë njeriut. Ajo reflektohet natyrshëm dhe frikshëm në botën e jashme, duke ravijëzuar udhën pa krye, një ekzistencë në thelb të paqëllimtë nëse njeriu nuk guxon të shikojë përtej kohësisë, ose të paktën të lerë një derë hapur drejt asaj që nuk ka besuar, ditur apo pranuar se mund të ekzistojë. Këtu qëndron edhe humbja njerëzore. Kjo humbje ka gjuhën e vet, heshtjen. Siç sqaron Binderman, prirja jonë kur përballemi me pamundësinë gjuhës, me pafuqinë e saj është që ta mbushim atë bosh, atë hendek që krijohet dhimbshëm, por këtu ne shkaktojmë një humbje më të madhe sepse kur gjuha përballet me heshtjen, natyra e gjuhes, edhe natyra e botës që banon në të, pësojnë ndryshime rrënjësore.
Si rrallë poezi në letërsinë shqipe, poezia e Eqrem Bashës tregon sesa e pafrytshme dhe po aq e pamundur është ta mbushëshn atë hon që krijohet në gjuhë. Ai hon është pamja e vërtetë e pamundësisë, e mungesës së rrugëdaljes dhe si i tillë flet për vetë ekzistencën nejrëzore. Megjithatë, poezia e Bashës ka lënë edhe një derë të hapur. Është vetë absurdi i ekzistencës ai që e ka përgatitur lexuesin e Bashës të mos ndjejë paqeti nga një mundësi e tillë, apo nga paradoksi që duket se mbart ajo. Gjuha, përmes humorit të zi dhe parodisë janë dera e hapur. Vitgenshteini sqaron se ndërsa është e pamundur të mendojmë anën e pasme të gjuhës, ne mundemi sidoqoftë të mendojme anën tjetër të ligjërimit, e kjo është heshtja, parakushti i domosdoshëm për një diskurs të kuptimshëm.
Drejt këtij diskursi të kuptimshëm duket se është drejtuar në kohë poezia e Bashës, ndonëse me hezitim dhe me ankthin e dikujt që e kuptuar botën përmes absurdit dhe ekzistencializmit. Kaq e mundimshme është kjo mundësi të qeni, saqë vështirë të materializohet tërësisht në gjuhë. Siç shkruan Vitgenshteini tek Kultura dhe vlera, “ndoshta ajo që është e pashprehshme (ajo çka mua më duket e mistershme dhe që nuk jam i aftë ta shpreh) është sfondi në të cilin merr kuptim gjithçka që do mund të shprehja.” Prandaj, është pikërisht shprishja, trazimi i gjuhës, heshtja ajo që ravijëzon kufijtë e (pa)njohur të botës dhe vetes.
***
Së bashku me Ali Podrimjen dhe Azem Shkrelin, Eqrem Basha është poeti që kam lexuar ndër të parët autorë shqiptarë në Kosovë, dhe kjo në mesin e viteve 90, kur poezia Blemi mama plumbat ishte pjesë e Leximit letrar në shkollën 8-vjeçare. Çudia dhe kurioziteti im në një moshë të atillë ishin aq të mëdha, saqë emri i Bashës u kthye për mua në një lloj enigme. Me kohën, kjo enigma mbeti e atillë si pasojë e vështirësisë së madhe për të gjetur libra të tij.
Më tej, lidhja ime me poezinë e Podrimjes u materializua në punimin e diplomës i pari për poezinë e Podrimjes deri atëherë, dhe me vonë mbeti pjesë e përherëshme e punës time sikurse edhe Shkreli. Ndërsa poezia e Bashës pati një tjetër kurs. Ajo u bë pjesë e punës time kur nisa ta zhvilloj si pjesë të progamit të detyruar në lëndën e poezisë bashkëkohore shqipe, për 12 vjet në universitetin Aleksandër Moisiu, deri në mbylljen e punës time në atë universitet. Aty drejtova temën e parë të diplomës për poezinë e Bashës. Megjithatë isha larg objektivit: një studim për poezinë e tij në Perëndim. Në 2003, një vëllim me poezi të tijat ishte botuar në SHBA dhe kishte një parafjalë të qëlluar nga Janice Mathie-Heck, por ende nuk kishte një studim në një organ akademik të specializuar për studimet ballkanike.
Pasi u paraqit si referat ne konferencën e 23-të bienale të studimeve gjuhësore, letrare dhe kulturore të Ballkanit, në Maj 2024 në Oksfrod, studimi po merrte formë. Kurioziteti i studiuesve – njohës të specializuar të shqipes dhe të shumë gjuhëve dhe letërsive të Ballkanit – për strukturat gjuhësore, gjetjet stilistike, imazhet dhe tonin e poezive të Bashës ishte i jashtëzakonshëm. Krahasimi me poezinë e vendeve të tjera nën Ish-Jugosllavi, pikëtakimet dhe ndarjet e dukshme nga letërsia e absurdit, ekzistencializmit, imazhet e tmerrit dhe traumës etj. ishin vetëm disa nga diskutimet e zhvilluara. Basha komunikonte lehtë me një audience të atillë akademike. Ai prezantim u trasformua në një studim 32 faqesh, një përmbledhje e cunguar e të cilit u paraqit më lart.
Ndërsa punoja me atë artikull, me bënte përshtypje fakti që ende sot poezinë e Bashës e pranëvendos me Podrimjen. Ndoshta edhe sepse, veç të tjerash, ende sot mendimi i Podrimjes shprehur në parathënien e tij për njërin prej vëllimeve të Bashës në 1989, mbetet i vërtetë: kritika letrare nuk i ka kushtuar kësaj poezie vëmendje të mjaftueshme. Ndoshta kjo ndodh sepse kjo poezi mjegullon kufijtë, shprish rendin, njeh gjuhën e heshtjes dhe në heshtje na perball me të (pa)njohurën që qëndron përpara syve tanë çdo ditë. Ndoshta kjo është mjeshtëria e mundimshme e doktrinës së të menduarit vetëm.
Mars 2025.
Ky shkrim është një fragment i përshtatur dhe thellësisht i shkurtuar nga pjesa e fundit e studimit (Re)Discovering the Poetry of the (Un)Known: Silence and loss in the poetry of Eqrem Basha, botuar në Balkanistica 35, UM, 2025, SHBA.
Përdoret me lejen e botuesit.
Ilustrimi nga Bujar Kapllani
[1] Eqrem Basha, Doktrina e të menduarit vetëm. Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Prishtinë, 2006, p. 117.