More
    KreuLetërsiBibliotekë"Dora fantazmë", tregim nga Selma Lagerlöf

    “Dora fantazmë”, tregim nga Selma Lagerlöf

    Përktheu nga suedishtja Qerim Raqi

    KUR ORA RA NJËMBËDHJETË E NATËS, dikush erdhi dhe i ra ziles në dhomën e mjekut. Zilja e parë nuk pati asnjë rezultat, por kur e dyta dhe e treta ranë më me vendosshmëri, Karina, ndihmësja e mjekut, doli nga dera e kuzhinës për të parë se çfarë po ndodhte.  Karina u hamendsua një për pak kohë, por pastaj e bindi  veten se duhet zgjuar mjekun. Erdhi dhe trokiti në derën e dhomës së tij të gjumit.

    – Ke  një mesazh nga e fejuara. Mjeku duhet të shkojë atje.

    – Është e sëmurë? – u dëgjua zëri i tij nga brenda.

    –  Ato nuk e dinë se çfarë ka. Mendojnë se ka parë diçka.

    – Po, thuaju që po vij.

    Mjeku nuk pyeti më. Nuk i pëlqente të dëgjonte thashetheme të kota për të fejuarën. Gjë e çuditshme me këto bestytni, mendonte ai ndërsa po vishej. Shtëpia shtrihej në mes të qytetit dhe kjo s’ishte ndonjë gjë idilike.  Një shtëpi e vjetër, krejtësisht e zakonshme, pothuajse  e shëmtuar, me orendi si gjithë shtëpitë tjera në atë lagje. Por fantazma rrinte andej. Aty ishte vetëm një rrugicë e errët në të dalë të qytetit, me një kopsht të stërmadh dhe me pemët e tmerrshme e të vjetra që fshikullonin dritaret në një natë kaq të stuhishme dimri! Rruga ishte e gjerë dhe zbriste deri në portin detar, me kishën dhe bankën e kursimeve, kazermën dhe fabrikën e sheqerit aty pranë! A s’ ishte afër mendësh se fabrika e sheqerit me gjithë ato zhurma dhe kaldaja të mëdha e të ndezura, do ta kishin bërë fantazmën të mos ndjehej rehat aty, të pakënaqur. Por jo  – aspak. Në mënyrën e vet, fantazma mund të meritonte admirim. Kishte energji në të, energji të jashtëzakonshme dhe aftësinë për të qëndruar në vetëdijen e njerëzve. Thuhej se nuk ishte shfaqur tani në njëzet vjet, qëkur plakat Burmanë ishin vendosur me banim në atë dhomën e fantazmës. Por a e kishin harruar njerëzit? Dukej tani: vetëm për faktin se Ellena ishte sëmurë papritmas, kjo menjëherë ishte cilësuar si një përfytyrim i saj. E frikësuar nga diçka, po, nuk ishte e pamundur. Me siguri ajo ishte bërë si e predistenuar për të parë fantazmën duke qenë se kishte jetuar tërë jetën  me dy plaka nervoze. Ajo e kishte ditur gjithmonë dhe kishte besuar se në atë shtëpi kishte një fantazmë.

    Dukej sikur e kishte ushqyer  imagjinatën e saj me këtë që nga fëmijëria. Ajo me siguri nuk e kishte harruar, ndonëse ishte e rritur. Herën e parë që mjeku kishte në vizitë tek plakat e sëmura, ajo i kishte thënë me një zë  triumfues:

    – Këtu është dhoma e fantazmës.

    Pikërisht me këtë ton, sikur të tregonte për një thesar familjar.

     – Kurrë nuk mund të luash me letra në këtë dhomë, e sheh doktor.

     – Oh, pse jo?

    – Po ja, nëse njëri nga bixhozxhinjtë bënë gabimin më të vogël, hilen më të vogël, befas i shfaqet një dorë dhe lëshohet në tryezë pranë tij.

    – Çfarë dore?

    – Një dorë e moshuar, e verdhë,  me unaza diamanti të rëndë në gishtat, e shtrembër dhe me gjemba të vërtetë rreth kyçit të dorës

    – Ashtu ë, dhe pastaj?

     – Nuk mund të shohësh asgjë më shumë se dora.

    – Por si shfaqet fillimisht?

     – Askush nuk e di, është shfaqur gjithmonë këtu.

    Ajo e kishte treguar këtë me shumë zgjuarsi, por si mund ta dinte, si e dinte? Ajo me siguri besonte në fantazmat.

    – Kështu vjen, doktor, shfaqet fshehurazi te cepi i tryezës, pranë atij që luan letra. Hu, dhe drejton gishtin e madh e të shtrembër kah një kartë bixhozi! Ka thonjët si kthetra, të dredhur dhe të mprehtë.

    Megjithkëtë ajo nuk mund ta besonte këtë. Sapo e kishte zgjedhur dhomën e fantazmës për dhomën e saj. Mjeku kalonte andej përgjatë ndërtesës së madhe të fabrikës së sheqerit, ku punohej gjatë gjithë natës. Një ditë banorët aty do të kishin qenë të kënaqur me fabrikën e madhe që lëshonte tym! Ishte e arsyeshme të mendohej se  nëse ajo do të ishte rritur në fshat në vetmi ëndrrimtare, atëherë ndoshta, bestytnia do ishte rrënjosur thellë në shpirtin e saj. Por meqë ajo kishte jetuar gjithmonë këtu mu në mes të këtij realiteti, të zhurmshëm …

    Ai u kthye aty te qoshi i fabrikës së sheqerit, ku era fërshëllente, po aq reale si zakonisht, u ngjit shkallëve të larta prej guri dhe hyri në shtëpi.

    Zoti i madh, edhe ai kishte filluar të frikësohej.

    Në korridor qëndronte një figurë e gjatë, mbështjellur plotësisht me një shall të zi. Vetë plaka Malina kishte zbritur poshtë për të mbajtur fenerin ndezur tek shkallët.

    – Si është Ellena? pyeti doktori.

    “Faleminderit juve që erdhët kaq shpejt”, tha plaka Malina. Nuk e di as vetë se çfarë ka. Ju duhet të vini dhe ta shihni vetë.

    Ajo pothuajse vrapoi shkallëve lartë, ndonëse ishte aq e moshuar. Imagjino, plaka Malina ishte ulur në të ftohtë në korridor për ta pritur. Kishte qenë shumë e shqetësuar, natyrisht, ndoshta kishte menduar se ai do të vinte më shpejt nëse do të dilte aty e ta takonte. Mjeku fillimisht pati një përshtypje të gjallë se aty vërtetë mund të kishte një rrezik. Do të ishte shqetësuese nëse diçka do ta pengonte atë vajze të re atje lart, të cilën ai e kishte zgjedhur për grua. Ai s’ kishte takuar asnjë vajzë më të mirë gjatë gjithë jetës së tij. Relativisht e bukur dhe pa të afërm të tjerë, përveç këtyre dy grave të moshuara, dhe natyrisht me një edukatë të mirë, shtëpiake, e urtë.

    Kur hynë në sallë, plaka Malina iu drejtua përsëri mjekut.

    – Ne u zgjuam në mes të natës nga britma e saj e tmerrshme, dhe nuk kemi mundur ta qetësojmë më. Ne nuk dinim si të vepronim ndryshe, prandaj të kërkuam. Ajo hapi derën e dhomës së Ellenës, futi kokën dhe i tha se mjeku kishte mbërritur. Menjëherë, ai hyri brenda. Kishte aq shumë ndriçim aty brenda saqë, në fillim, ai pothuaj nuk mund të shihte asgjë. Ato me siguri kishin mbledhur të gjitha llojet e llambave dhe qirinjve që ishin në atë shtëpi. Në fakt , nuk dukej keq me ato pasqyrat e larta, të montuara në mur midis dritareve dhe me mobiljet e bardha, të stilit të vjetër që Ellena kishte renditur. Në këtë ndriçim bëhej e qartë se kjo sallë, në kohërat e mëhershme, kishte qenë vendi i festave, gjatë ditëve të lavdisë së asaj shtëpie. Pra ishte këtu vendi ku  banorët e dikurshëm ishin ulur pranë tryezave duke lozur  – një vend me shkëlqim të madh , sepse njerëz të shkëlqyeshëm kishin jetuar këtu – dhe kur gëzimi kishte arritur kulmin, kur oborrtarë të rinj kishin qëndruar pas karrigeve të grave , kishin  folur marrëzira , kur shërbëtorët kishin kaluar dhe ofruar qumësht bajameje me tabakatë prej argjendi, pikërisht atëherë ishte shfaqur dora fantazmë. Duhet të ketë pasur spektakle dhe rrëmujë aty.  Zonjat duhet të kenë bërtitur, kapele të vjetra dhe dinjitoze të burrave duhet të jenë hedhur nga tavolinat dhe ata të mos kenë thënë asnjë fjalë. Tabakatë e argjendta duhet t ´u kenë rrëshqitur nga duart shërbëtorëve dhe t’ u kenë rënë në dysheme. Frika nga e mbinatyrshmja do të jetë vizatuar nëpër fytyrat e të pranishmëve. Do të jenë dukur si demonizuese, gjysmë të çmendura. Mjaftonte të shikonte tani të fejuarën e tij për ta kuptuar se si do të jenë dukur ato fytyra.

    Ajo ishte ulur tani në mes të dhomës, në një kolltuk të madh, me trupin krejt të drejt, duke shikuar përreth me sy të çuditshëm, endacakë, e zbehtë në fytyrë, si të kishte marrë ngjyrën e një  të vdekuri, duke kërcëllitur dhëmbët e duke u dridhur e tëra. Kolltuku ishte zhvendosur në mes të dyshemesë. Ishte një kolltuk me këmbë të lira. Asnjë mobilje tjetër nuk qëndronte pranë, asgjë nuk mund të fshihej nën të që të mund të zvarritej përpara.

    Ajo nuk i kushtoi shumë vëmendje atyre që hynë brenda. Tani i mbante sytë të fiksuar,  shikimin e ngulitur në një pikë, mbi hijen e dollapit që shtrihej në cep të sobës me pllaka. Ajo ndoshta dyshonte në hijen që mbase dëshironte të bënte një tallje të shëmtuar. E tërhoqi fundin e fustanit, për të qenë gati të ikte kur hija të rritej dhe të shfaqej diçka, ndoshta një dorë e madhe me gishtat si kthetra. Befas, doktori lëvizi me nxitim një llambë në mënyrë që drita të binte tutje.  Ajo u ul përsëri në karrige. Tani erdhi hallë Berta dhe bëri të njëjtin raport si hallë Malina.

     – Ne u zgjuam nga britma e saj  sikur të ishte çmendur, dhe  në këtë gjendje është që nga ai çast. Ajo thjesht dëshiron dritë, gjithnjë e më shumë dritë. – Çfarë ka, sipas jush? “E frikësuar, asgjë tjetër përveç frikësimit,” pëshpëriti doktori. Tani shikimi i saj ngulitej pas një perdeje rrotulluese. Ai bëri ca hapa nëpër dhomë. A është e mundur që ai të kishte zbuluar atë që e kishte frikësuar të fejuarën e tij.  Në tavolinë ishte një letër dhe pak bojë. Ajo kishte filluar të shkruante diçka, por pena i kishte rënë nga dora duke u rrotulluar mbi letër. Një biletë, të cilën mjeku ia kishte dërguar asaj vonë në mbrëmje për të mësuar nëse ajo bashkë me  dy hallat donin të shkonin në një ekskursion të nesërmen, qëndronte aty fare pranë. Ishte e qartë se ajo ishte ulur pranë tavolinës për t’ia kthyer letrën atij. Ajo kishte arrituar të shkruante vetëm “I dash…”. Pastaj  ishte frikësuar dhe pena i kishte rënë nga dora.

    Mjeku ndjeu se si e ndoqën sytë e dy plakave. Ato me siguri pyesnin veten pse ai akoma s´i  kishte thënë asgjë Ellenes. Sigurisht, nuk e kuptonin që gjëja më e rëndësishme ishte se ai kishte kuptuar se çfarë e kishte shkaktuar frikën e saj. Ai nuk mund ta besonte dorën  fantazmë, kjo nuk vinte në shprehje.

    E gjora vajzë, ashtu siç ishte e  frikësuar vetë, ashtu kishte qenë edhe gjithë atmosfera përreth saj, plot tmerr. Askush, thellë në mendjen e tyre, nuk ishte bindur se ajo nuk kishte parë diçka. Gjëja e parë që duhej bërë ishte, në fakt,  që t’i nxirrte ato nga dhoma, si Malinën ashtu edhe Bertën, në mënyrë që mos t’ia mbanin të gjallë frikën asaj.

    – Unë mendoj se ajo do të flasë për gjithçka me mua, nëse mund të flas vetëm me të, tha ai dhe shpejt e liroi dhomën. Mori një karrige dhe u ul pranë saj. E çuditshme se sa fytyra mund të ketë një person! Vështirë se mund ta njihte Ellenen në atë gjendje. Ajo përherë ishte e qetë, me një qetësi shpirtërore, dhe kjo  ishte cilësia kryesore e  saj. Ai ishte magjepsur gjithmonë nga qetësia e saj, ajo vërtetë zotëronte mjeshtërinë për t’ i ulur gjakrat e atyre dy grave të moshuara.

    Ajo pothuaj nuk kishte ngritur kokën nga qëndisja, pavarësisht sesa ishin grindur ato.  Një mbrëmje kur ishte kthyer në shtëpi, ai kishte përjetuar një lloj epifanie, sikur kishte gjetur aty një siluetë të bukur, nën dritën e llambës,  përkulur mbi tryezën e punës. Ai e kishte parë qartë qafën e hollë dhe duart e vogla të një femre. Që ishin zmadhuar, sa  gjithë dhoma. Menjëherë pas këtij përfytyrimi ai  i kishte propozuar fejesën.

    Po tani. Thjeshtë, një qenie tmerrësisht e zbehtë dhe e vrazhdë. Krejtësisht ndryshe nga ajo që ai donte. Një grua histerike! Oh, Zot i madh, na ruaj Zot! Sidoqoftë, tani ai duhej të bënte diçka për të. Nuk i interesonte që ajo ishte bërë pothuajse e neveritshme për të. Më duhet ta shoh si një paciente dhe jo si gruan time të ardhshme. – Më thuaj, Ellenë, çfarë ke? Ajo nuk u përgjigj. “Duhet të ma thuash, e kupton,” tha ai  me një zë pak më të rreptë. Ajo e vështroi, një shkëlqim shprese u shfaq  në sytë e saj. –  Do të qetësohesh, kur ta thuash. Sytë e saj të bukur dhe të ndritshëm ishin të trishtuar.  Ata gjithmonë kishin pushuar tek ai që e vështronin, si rreze dielli. Tani mbase ishin më shkëlqyes. Por me një shkëlqim pas të cilit ai, në të vërtetë, nuk ishte i dhënë. Ajo luftonte ashpër me veten e saj. Nuk mund ta mbante nofullën e poshtme të palëvizshme.  Futi një shami mes dhëmbëve që të mos dëgjohej kërcëllima e tyre. Më në fund i tha ca fjalë. U ul, vuri njërën dorë mbi tjetërën dhe mendoi me zë të lartë. – Më duhet t’i them. Duhet, duhet. Përndryshe hija do të shfaqet përsëri. Po, po, do të vie përsëri.

    Pastaj filloi të flasë. Kishte rënë në një trishtim të çuditshëm. I ngjante në të shumtën atij që del nga një procesion, të

    veshur me një frak dhe të lagur nga shiu. Kur ndjen njeriu sikur po humb gjithë madhështinë dhe dinjitetin. Madje ajo ia tha menjëherë se nuk e donte. Kishte dashur të martohej me të, por vetëm e vetëm për t’u larguar nga shtëpia. Sikur të mos ishte me veten e tij, ai tani do të qeshte me mënyrën se si kjo vajzë, që nga fëmijëria, e kishte menduar si duhej të ishte një burrë. I pari, më i miri. Ajo kishte qenë shumë e vendosur për t’ u larguar.  Për shkak të hallave. Ato kishin qenë shumë dashamirëse me të, por kurrë aq të vetëdijshme sa shumë e kishin munduar. Ajo i hodhi mjekut një shikim të rreptë dhe sikur po i lutej ta kuptonte, të ndjente diçka për të. Ai e dinte si ishin hallat, ai, i cili ishte kujdesur për to për shumë vite. Ato ishin aq të vështira, tepër të vështira, me plot ide fikse dhe fobira të ndryshme. Halla Malinë  gjithmonë kishte një frikë se mos po e përfshinte ndonjë valë zjarri, kurse halla Berta gjithmonë kishte idenë se do të rrëzohej në rrugë. Ai e dinte se si ishin ato. Nëse ajo, Ellena, do të kishte qëndruar me to, do të ishte bërë po aq e çuditshme. Ajo e kishte ditur këtë. Por kishte dashur të ishte vërtetë njerëzore me to. U kishte kërkuar leje për të gjetur dikund një punë. Ato, sigurisht, nuk e kishin lejuar. Atëherë ai e kishte kuptuar se asaj nuk i kishte mbetur gjë tjetër veçse të martohej. Mjeku nuk ishte duruar pa e pyetur nëse ajo frikohej se jeta e saj si e martuar do të mund të bëhej më e keqe, më e vështirë se me ato  dy hallat. 

    Oh jo, më keq nuk mund të bëhej kurrë. Të paktën  burri mund të dilte dikund ndonjëherë, ai. Ndërkaq hallat ishin gjithë ditën në shtëpi. Pra, ajo kishte qenë e sinqertë. – Asnjëherë nuk të ka shkuar ndër mend të më doje? – Ajo tundi kokën, ishte diçka që nuk e kishte shoshitur. – Po pse? Ishte shumë i shëmtuar? – Jo, ajo hapi sytë me adhurim. – Ishte i mërzitshëm? Ajo bëri një lëvizje të çuditshme me dorë. – Çfarë të keqe kishte atëherë? – Ai ishte shumë i ftohtë. – Ashtu, ë, ai ishte shumë i ftohtë. Mjeku bëri ca hapa nëpër dhomë. Ishte, pa dyshim ,e tmerrshme, që në fëmijëri ajo kishte ngulitur në mendje diçka të tillë. Ishte puthur me të, pa pasur asnjë fije pëlqimi për të. Dhe nuk e kishte luajtur aspak rolin e saj keq. Me siguri ai ndjehej i mashtruar. Ishte një ndjenjë  e pakëndshme që një vajzë e re as që e kishte menduar ta donte. Por, natyrisht, ajo kishte bërë një jetë të mjerueshme me ato dy plakat. Mund ta merrte me mend sa e rëndësishme kishte qenë për të martesa.  Sa vetë jeta e saj. Ajo rrëfeu pa treguar asnjë lloj dhembshurie. Asnjëherë nuk i shkonte në mendje se po e lëndonte atë. Ajo duhet ta ketë menduar atë si njeri zemërgurë, vërtet të fortë hekur. Zëri i saj papritmas u bë ulërimë. “E di,” tha ajo, “se kushdo që luan me hile në këtë dhomë mund ta shohë dorën fantazmë.” Unë e pashë. Isha ulur atje. Ajo u kthye shpejt kah tavolina. – Aty e pashë – Nuk beson se e pashë? vazhdoi ajo dhe ia nguli  sytë atij, sikur donte ta detyronte të vërtetën të dilte jashtë. “Po të dëgjoj, pra, si ishte,” tha ai . – Po, ti e di që më ke shkruar sonte, dhe unë doja të shkruaja një përgjigje para se të shkoja në shtrat. Por kur u ula në tavolinë, u shqetësova , qëndrova për një kohë duke menduar, sepse nuk dija si të shkruaja titullin. Duhet të shkruaja i dashur, por mendova se kjo nuk ishte e drejtë. Ishte hera e parë që ju shkruaja. Mendova se ishte e tmerrshme të shkruaja atë që nuk ishte e vërtetë, që nuk qëndronte – por në fund mendova se nuk ishte e thënë të të shkruaja më pak. – A ka ndonjë ndryshim kaq të madh midis asaj që shkruan dhe asaj që thua? – Ti nuk më kishe pyetur kurrë nëse të doja, vetëm nëse doja të isha gruaja jote –

    – Ah, ashtu, ë! – Por pastaj, në atë çast, mu kur kisha filluar të shkruaja atë fjalë, aty ishte shfaqur dora. Erdhi duke rrëshqitur nga këndi i tryezës, unë qëndrova ulur dhe e vështrova për disa sekonda, para se të kuptoja se çfarë ishte. Nuk bërtita menjëherë. S’ mund ta kuptoja që ishte diçka e mbinatyrshme. Por pastaj ajo u shtri në letër dhe bëri me gishtin e shtrembër në drejtim të asaj fjale. Unë mendoj se ishte e lumtur,  dridhej nga gëzimi. Sikur donte të gërvishte shkronjat. – Ishte një lojë e rreme, donte të ishte pjesë e saj. Erdhi duke u zvarritur në gishtat e verdhë si një merimangë e madhe. Ashtu me nxitim. Kishte shumë kohë që s’ kishte pasur arsye për t’u shfaqur. Tani vërtetë donte të nxitonte.  E kapi penën me gishtat e  njomë dhe të gërryer. Unë bërtita si të ishte një gjarpër, dhe pastaj ajo zhduk, por nuk e di nëse akoma është këtu. Sikur e ndjej se është akoma në këtë dhomë. Dhe nëse vjen përsëri, unë do të vdes. Po, do të vdes. “Jo, nuk do të vijë përsëri,” tha ai me një zë ngushëllues. “Unë e di se më duhet të bëjë diçka,” tha ajo. Më duhet ta bëjë, në mënyrë që ajo mos të shfaqet më. Por është jashtëzakonisht e vështirë. Ajo hoqi unazën e fejesës nga gishti, e futi dorën e ftohtë tek mjeku dhe ia lëshoi unazën në dorë. Pastaj sytë iu mbushën me lot nga pikëllimi që kishte hequr nga gishti unazën. 

    Mjeku nuk tha asgjë, me  majat e gishtërinjve tërhoqi unazën mes gishtrinjëve të saj. Mendoi se dora fantazmë nuk ishte aq e vështirë sa kjo tjetra, e saja. Dora, si të thuash, kishte marrë anën e tij, i kishte dhënë një hakmarrje të vogël. Ai ndjeu simpati për të. Me siguri disave u ndodh, mendoi ai, që ndërgjegjja t’ u shkoj zvarrë në një mënyrë ose në një tjetër, pavarësisht se sa shumë përpiqen ta mashtrojnë. Ajo ka shtigjet e veta të heshtura. Aty tani e fejuara e tij e vogël kishte planifikuar gjithçka për vete, për të marrë një shtëpi të mirë. I nevojitej vetëm një hipokrizi e vogël, dhe lumturia e të gjithë botës ishte e saj. Por ngjan që ndërgjegjja  krejt në heshtje të gërmojë në minierën e saj të thellë shpirtërore dhe më në fund të rrënojë për një çast çdo llogari dhe planifikim të bërë. Posi!  Ajo ndoshta kishte menduar se mund të gënjente për këtë pjesën e mbetur të jetës së saj. Kishte parë se si funksiononte për të tjerët. Por ja që u zbulua se ajo ishte nga një soj më i mirë, që kishte diç frenuese pët të qenë e një race të rafinuar të kundërshtuesve të ndërgjegjes. Kur më së paku e presin, u shfaqet  halucinacioni i ndërgjegjes. Gjithsesi, atëherë merr formën më të afërt që ka në dispozicion. Ishte e qartë se ndërgjegjja do të shfaqej si  një dorë fantazme në këtë dhomë. Ai ende qëndronte dhe lëvizte me unazën nga gishti në gisht. Ndjente vetëm pakënaqësi që nuk mund ta fitonte atë vajzë. Ishte pothuajse i trishtuar. Ajo me siguri kishte filluar që t’ ia bënte tani me dije atij, të mendonte se ajo ia kishte bërë atij një padrejtësi, sepse u përkul dhe i puthi dorën.

    “Më fal”, i tha. Ishte e çuditshme, sa e butë ishte. Kur e kuptoi se kishte bërë gabim, ajo nuk e dinte se çfarë të bënte për t’u pajtuar. – Atëherë nuk kishte asnjë arsye për ta torturuar më. Ai thjeshtë duhej të fliste, të thoshte se as ai nuk ishte shumë më i mirë se ajo. Si një lloj arsyetimi nga të dy palët. Njëri kishte kërkuar një shtëpi, tjetri një shtëpiake. Do të qetësohej po ta dëgjonte këtë. Ai do t’i thoshte asaj se nuk mund të bëhej një përllogaritje të tillë të hidhur e të gabuar për të. As ai nuk kishte qenë aq tmerrësisht i dashuruar në të. Po, natyrisht, ai nuk kishte arsye ta ushqente më dhimbjen. Më së miri ishte që t’ i jepte fund lidhjes. Për të mirën e të gjithëve, që të qetësoheshin dhe të zgjoheshin të nesërmen si të pamartuar. Ndërsa u ngrit të largohej, sytë iu mbushën lot. Ndjente akoma dhembje për ta humbur. Këtë kishte ardhur për t’ia thënë. Ai filloi duke i thënë ca gjëra jokoherente, se ajo ishte një njeri me ndërgjegje, se  i përkiste racës më të mirë të njerëzve nervozë, të cilët sapo kishin filluar të shfaqeshin aty-këtu. Ajo ishte e çmuar për të mu për këtë arsye. Vetëm për shkak të asaj që i kishte ndodhur mbrëmë  ai e kishte të vështirë ta linte. Ajo ishte e lirë, po në rast se…, nëse ndonjëherë ajo donte… E shikoi me habi. E mundonte kjo atë? Jo, por tani ngurtësia u largua nga tiparet e saj dhe sytë iu qetësuan. Qëndronte me gojën gjysmë të hapur për të dëgjuar më shumë. Ai foli për mënyrën se si ai kishte dashur ta organizonte jetën me të, edhe për mallin që kishte pasur për të. Foli krejt ndryshe në krahasim me atë që kishte folur gjysmë ore më parë. Mirëpo tani e shihte atë krejtësisht ndryshe, tani kur po e humbiste. Foli shumë më bukur, përtej zotësive të tij. Bashkëjetesa me një femër të butë dhe të dashur, po,  vetëm jeta me të, iu duk në të njëjtën kohë, shumë e ëmbël,  në përfytyrimin e tij, dhe këtë ai tha asaj. Në çastin kur deshi të largohej duke ia  zgjatur dorën në shenjë lamtumire, sytë iu mbushën përsëri me lot. Ato çaste ajo dukej shumë e bukur , përsëri i ndriste fytyra, ishte bërë si një lule e sapoçelur. Ajo dukej aq e lumtur si t’ i kishte shpëtuar një kërcënimi me vdekje. Mjeku akoma ia mbante dorën dhe nxori përfundimet e tij më shpejt se kurrë më parë. Natyrisht, ajo nuk e kuptonte as vetën e saj, as për së afërmi. Por, ah, në atë çast! Mori frymë  thellë. I gjithë trishtimi ishte zhdukur. E përshkoi një ndjenjë triumfi e gëzmimi. Vetëm me një përpjekje të vogël ai ia kishte rrëfyer asaj dashurinë. Ajo kishte nevojë vetëm për këtë, që ai  t’ i tregonte se e donte. Ai mori unazën e fejesës dhe ia vuri asaj në gisht. – Asnjë marrëzi tani, tha ai, kur ajo deshi ta tërhiqte dorën. “Por,” tha ajo. – Nuk e di, nuk guxoj – – guxoj, unë, tha doktori. Unë kurrë nuk kam dashur të ikën nga lumturia. Doli në korridor, , kërkoi diçka nëpër xhepat e palltos dhe u kthye përsëri për të ndezur cigaren. “E gjora,” tha ai, duke thithur cigaren. – tani je e lidhur dhe e prangosur  për të më dashur, do të thoja. Përndryshe, ajo dorë fantazmë mbase do të të shfaqet përsëri dhe do të të mbërthejë gjithë jetën.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË