Puthje blete
Fluturimi yt puthje blete mbrriti lulet.
Lulet janë më të epërme se sa
këputja e gjunjëve tanë
prej shkume.
Fluturimi yt dy-tri pëllëmbë mbi tokë
po tek të përpjetat e reja sa e pashë,
ende pa më nisur dhimba e mokrës
në kokë…bluajta grurë, mielli doli
pikturë, muzikë, metafora zvarg.
Zvarg, zgavër,
humbëti humba – humba
k’putja e gjunjve prej shkume mua
më kërcënon sot me farmaci shtrat
O,
më puthtë një bletë e paqtë
të shëndoshem plot thumba…
Sitë metafore
Shiu priste shiun me ardh’
me rrëshekë, s’ndjehej mirë,
Veten mirë ndihu kur iu qullën
supe e këllqe, flutura zemrekë
dhe sytë i kullonin veç adhurim.
Njeriu, është prej shiu, prej mokre
me bubullima të thella rrëshekësh,
Mbrëmja e tij në rrugë me sita
në duar pret yjet margaritarë
bote të mos mbyten më
në hone të verbër…
Shiu ndihej veç i dëlirë
plot sy bubullimash
për njomështinë …
Ndry, ç’kyç
Qullemi ende pa rënë shi,
cikloni kund nuk duket
thahemi së ftohtit,
ëndërrojmë mot të rrëmbyer
me cikma në gishtrinj
tatu lëndimi
ndonjëherë
gjoksit.
Po i iki rrëmbimthi këtij Endërrimi
bashkëmoshatar vranët gjithëgaz,
një shi tjetër shtrydh
rrobat e dimrit
tjetër erë hekuros jaka
shprishur belash.
Ende pa rënë shi,
ende pa ardh’ cikloni
dashurohem e zihem me metaforat,
fluturak po aq ujërave plot shtjella
jetës plot stihi… asnjëherë
mbuluar krekosje
borërash.
Rrëmbimthi po i iki
këtij ëndërrimi
gazvranët, ndry, ç’kyç dimrit.
Frikë fluture
Jeta lehton buzëve vesë fluture…
Shpejt nuk don me ik
s’don me u përtha,
Ne fatin tonë
lehtojmë tej
mugujve
Jetës që ende gjallë na mba…
Vit – vit
Vranësia shtrihet mbi gjeth,
gjethi tjetër
njomëzak gjallnie
ninëzat çelnon rrezmë…
Veç një gjeth … vyshk … tej krysh.
Qeshje e hidhur
Dola të shoh Detin
frymë pashterr’
të gjallin e përjetshëm,
Ai përhera
ia fal tjetrit
pa u ndjerë
gjithçka të vetën.
Dola t’i flas detit në vesh …
Ai pa i folur
ma ndihu
brengën
brengën e valës
që na ndan
pa na lënë
asnjëherë
veç.
Detit
vetëm vdekja
s’i qesh.
Metaforë e gremisur
Bora zbret shpejt majamajat
na afrohet plot ojna të qarta
shpesh të fshehta, përhera
edhe më të rrezikshme,
gishtrinjtë e suferinave
puqen ngrijnë ndahen
nuk u binden më
metaforave
të terrura
gremina mund
të na gremis
lamtumirave.
Sonte s’ka vargje,
shpejtojmë këmbët
të shpëtojmë kryet tona
të mesnatës sa më lehtë,
gjurmë ujqërish na duken
gjurmët e njeri – tjetrit
nga rrëshqitjet
jehonat
kur bora
e gënjeshtërt
fshehtas vrapon
të na mbulojë të gjithëve
na rrëmbejë me gjithë mend,
k’saj mesnate rrëmbyer askënd
me fenerë të drobitur
nëpër këmbë…
Sonte s’ka vargje…
veç gjurmë ujqërish,
të jenë gjurmët tona
lamtumirë
askundi?
Hop romantik
Mes jush dimri rri vetëm zgjuar
tek ne ndonjëherë dremit
gërhet ndopak,
shpejt zjarrmitë tona
shkërmoqin hejet
nga duart
ngricat tek ju
me kollë
të thatë.
Atje dimri ngrohtë rri mes jush
shumë gjatë rri, s’don me ik’,
këtu psherëtin hope flu
gëzon shëndet
romantik.
Harlisje e gishtave
Molla ndrit mes ojnash
përskuqur në vetull,
era dhe shiu
begatojnë
zonjash
që duhen
për mote të kthjellët
shumë për mote të shkrehur.
Shkuan pjergullat
plot, tash shkundur,
harlisja e gishtave vonon
për vozitje thellë trupit tonë
për flutura poetike ndër muguj.
Qershizë e pahitur
Pahitja vetvetiu puqi buzët,
pranverë do ta ndijmë
ne dimrit përngahera
vithisje gurgullimash
krisje, thupër.
Plot cifla duken zhduken n’ajër
Jeta puqet, ndahet m’dysh
rruga me të tjerët
pjestohet shpejt
ngadalshëm
pa u marr
m’sysh.
Qershiza vajzërore
vagullt shkund
prej vehtes
përsiatjet
e natës,
gurgullima e saj lozonjare
në tezgjahun më të ri
të hamendjes
thurrshthurr
dritëflakën.
Puhitja puqi gjetiu buzët
dimërim do ta ndjejmë
pranverën e shkurtër ?
Ngushëllim i vonë
Si ta ngushëlloj bubullimën krahëprerë
shiun lakadredhas cikmë në çdo cak,
si të ngushëlloj mullirin e ndjerë
peshkun hovjesh çarë në bark ?
Si ta ngushëlloj bletën pa koshere,
zjarrin, që vet don të mbytet terr,
si ta ngushëlloj terrin terresh
plot ndere, vesën me xixat
pikë dhe vrer. ?
Ngjitje e vogël
S’kam ngjitur
asnjë majë
në majë,
i kam ngjitur majat
thuajse të gjitha,
s’kam kundruar
me vemendje
asnjë nga
kalatë,
të gjitha i kam këqyrur
kur kotheren e ngricës
e ka përtypur rrezja
më përpara
se Njeriu
e bisha.
Medalion pe(rë)ndimi
Ne
a e pyesim
ndonjëherë Motin :
Në livadhet tona kur do kullosim ?…
Pyes kryqëzatat e reja nga hovjet :
çdo të bëjmë me medalionet,
ç’do të bëjmë me bishtalecat
e prera të vreshtit nginjur et’ ?
Perëndimi shpërndan
zishëm ftesat
nderohet
me def.
Ç’do të bëjmë me medalionet ?
Qefini i tjetrit është pronë
a vjedhje
prone?