More
    KreuLetërsiBibliotekë"Doemos", poezi nga Rudina Çupi

    “Doemos”, poezi nga Rudina Çupi

    PRISHJA

    Nuk dihet nëse kjo legjendë është histori ndërtimi apo ndërtim historie.

    1. Burrat e ndërtonin kështjellën ditën,
      u prishej natën.
      Natën edhe vetë burrat shemben:
      gratë u shtrojnë darkën
      i shtrijnë, u prishin palcën;
      kulla e burrërisë u shkrihet si orë e Dalisë,
      rrënohet e rërërohet…
      Vetë ato, gratë, e njohin shembjen nga brenda dhe nga brenga:
      çdo muaj krijuesi ua prish vezën si ajo kështjellë.
    2. – Që kështjella të qëndrojë, – u tha plaku i huaj burrave,
      – duhet të murosni një grua, – e tha athua se po fliste për një material
      sekret të përçuar brez pas brezi,
      ose si dikush që ua njeh pikën e dobët të pashpresëve
      – Do ta shihni që kështjella do të ngrihet e fortë.
    3. Dielli ngrihej në majë.
      Gruaja me gjinjtë plot la birin,
      mori rrugën të ngjitej në majë kodre,
      ku kalaja e nisur qëndronte si thithkë.

    Dhe nga të tria gratë
    i qëlloi gruas që ngjizej të ishte materiali i shenjtë.
    Dy gratë shterpe, plaku, burrat, djali kërthi (sa shumë mashkullorësi!)
    qanë e vajtuan pranë murit
    gruan dhe jetimin, burrninë dhe trashëgiminë.

    Dhe vërtet, kështjella qëndroi. Fort.
    Rrënjët e botës-materiale ushqyer me lëndë njerëzore.
    (Plehu këtu kush është, kush ma thotë?)

    Tekefundit ky nuk ishte sakrifikim gruaje, por shuarje race,
    prandaj bota sot vjen era vezë e prishur dhe avlli.


    ARTI DHE GRATË JANË
    FAJTORË TË MËDHENJ…

    May you climb a ladder to the stars
    And climb on every rung
    May you stay forever young…
    Bob Dylan

    1. Arti nuk është më vepër. Është përhapur gjithandej.
      Poezia rri murosur në rafte, në librari
      ngurtësuar si mbetje arkeologjike në pallat të ri.
      Metaforat u bënë popullore: reklamat i hodhën në treg.
      Një komentues futbolli bilbilos si poet.
      Dëgjoje! Si rapsod, a s’ta ngre zemrën peshë?!
      Flamur-ylber… ngjyrat piktori i ka për projekt.
      E bënë dhe artin të përdorshëm!!!
      Fundja, të rriturit këtë dinë të bëjnë me gjërat e çmuara: i zaptojnë.
      Le që, pse t’i gjykojmë?!
      Ndoshta është më i vlefshëm një Nobel
      që këndohet nën dush…
      Ja, nis e këndo!
    2. Por kujt t’ia vë fajin për venitjen e shpresës
      përveçse atyre që kanë fuqinë të krijojnë?!
      Nga “Maria me Jezusin në krah” te “Zonja me kone”
      ka fare pak fëmijë në art dhe, rrjedhimisht, edhe në oborre,
      (të bësh fëmijë është kaq klasike!).
      Jo se s’janë interesantë,
      por kur gratë panë sesi ia përdorën
      bijtë për luftëra e bijat si fajtore
      filluan ta ekonomisin krijimin
      për të mësuar se jeta jepet për të qenë e hareshme….
      Tani njerëzit kanë krijuar çifte jo-bir-bërëse
      dhe bota është lehtuar, përnjëmend…
      Por arti dhe gratë janë fajtorë të mëdhenj…
    3. Familja është bark.
      Ato dhe kishat zbrazen përditë
      mbesin si mitra të pabanuara grash,
      mitra shpejt do të harrohet si fjalë
      “epruvetë” është shumë më moderne
      dhe faji nuk mund t’i vihet i gjithi shkencës
      që në Barkën e Noes do të hipin veç kafshë,
      apo industrisë, që fabrikoi biberonë si gjinj,
      ninulla në disk a përralla me zë,
      që shpiku nën-nënat me pagesë…
      Nga të dobëtit, kanë mbetur vetëm fëmijët.

    Fundi i lumtur dhe gratë janë fajtorë të mëdhenj…


    URI E SHUAR ME MOLLË

    E shkuara, si largësia, ka ngjyrë tatuazhi
    atë grinë-në-blu të elefantëve-me-hapat-si-vulë,
    dhe duhet të jetë e ftohtë
    përderisa zogjtë shtegtarë të kujtimeve nuk kthehen më.

    E zeza (si e tashmja) është potente, mbulon çdo ngjyrë tjetër,
    por tani kuptoj pse ime ëmë dezinfektonte me gëlqere:
    me këtë më edukonte që tek e ardhmja të shoh vetëm veten.

    Pas të dyzetave një gruaje i vjen të rrijë mbi çati
    në pritje të kapë me sy të lirë dejtë e një vetëtime
    dhe të hidhërohet fill më pas, qyqe aty,
    kur qielli, si ëndrra, deje-deje ngrin, bëhet mermer
    mbi të cilin ndizet një qiri.
    Unë e ndez cigarin në flakë të qiririt
    e nuk di se cili prej të dyve bën më shumë dobi,
    por një zanore do ta lëshoja të gjatë, larg, gjer te një far,
    si tymi i tyre lajmërues, ngjyrë kalk.

    Eh! Ka ca drita që nuk kanë dobi praktike,
    por kanë temperaturën lokale të një dacke mbi fytyrë.

    Gruaja e di se dritat e bredhit lulëzojnë pak ditë, në të ritë, si aperitiv, si Evë që me mollë e shuan urinë.


    GJUHË E LEHTËSI

    Hëna zgjedhohet si folje në kohën e qiellit
    e sonte qenka në formë urdhërore!
    Dita tulatet si fëmijë i dëgjuar me mjekrën te gjunjët.
    Gjërat jashtë pakohen. Zërat mpaken.
    Perëndimi i përgjalptë fërgon peizazhin.
    Këngës mavi ia thotë zogu i natës.
    Në ekran të errësirës fillon e shfaqet një film pa titra.
    E unë jam po ajo, por me zanore më të zbehta.
    Përmjaltem pak si romanikët (a thjesht si kafshët)
    e tundohem të strehohem nën dikë,
    nën kafazin e kadifenjtë të sqetullës,
    brenda shtëpisë me grila, ku drita, si në kafaz hyn me feta imiton intimitetin e pyllit të lirë,
    ku fashat e rrezeve i bëjnë gjethet të flasin veç me mbaresa.

    Hap derën. Shkreptin çelësi i dritës.
    E përhime duket shtëpia
    me kaq shumë gjëra të përgatitura si sende diktimi.
    Sa pikëlluese është estetika e gjërave që kanë vend!

    Drita i vesh sendet me shkëlqim të bardhë
    që u përngjan reve të rreme pasqyruar mbi liqen
    dhe mu në mes, pritëse, e vetme, pa të mbyturin,
    ka mbetur varka: libri veshur me tanga – me fillin e kuq, ku si në tapet të kuq kalon ndarja.

    Trishtimi mbetet më i rrepti mjet edukimi!


    KUJTIMET

    I dua dritaret me kanate si duar të hapura për përqafim – të gjerë sa një oborr me lule.
    Mbështillem me krahët e mi për të ndier me mend praninë tënde.
    E shtrëngoj aq fort atë përqafje çapitëse, sa ndjenjat plasin si njolla të errëta në sy e zbresin si vesë mbi buzë te një puthje petali.

    Hija e këtij vallëzimi në mur është njëjës, e hollë
    si një fyt i ngushtë për të marrë frymë
    kur lotët përmbytin ajrin me avull,
    sytë dhe xhamat vishen me mjegull;
    në këtë dhomë të mbyllur si gonxhe
    banuar vetëm nga molat e kanateve
    që brejnë drurin në simfoni me molat e mia;
    unë e shoh qartë e thellë mallin prej mëndafshi;
    në këtë dhomë pa perde-petale-që-gëzohen-në-erë,
    ku endem si gjysmë tape
    mbetur brenda shishes përgjysmë me verë
    ndiej bulëza dhe bëj rrathë të mpirë lëngjesh
    që përplasen prapë tek unë si një ishull lundrues;
    për t’u kalamendur në këtë vallëzim të përgjysmuar;
    psherëtij me rrokje – si puls – emrin tënd në vend të melodisë…
    Sa lehtë do ta mbanin peshën këta gjunjë të kapitur,
    kur faqet t’i puqnim pashqitshëm
    si mollëza gishtash të ngjyer në mjaltë!

    NJË KOMENT

    1. Rudina veç suksese , ke sjellë për lexuesin , dashamirët e ,, POEZISË” diçka të re, të veçant stili. Unë shpesh protestoj kunder asaj , atyre qe mendojnë se shkruajnë ,, POEZI”duke i quajtur ,, LLAPANGJESHJE FJALËSH,” Por kur lexova POEZINË TËNDE mendova se u ke dhën mësim dhe ,, shuplakë atyre qe s’dinë të shkruajnë , në veçanti ,, POEZINË. shpresoj se do e hasi diku POEZINË – librin qe jo vetëm të knaqem duke lexuar ,, POEZI, por edhe ta kam në bibliotekën time. Kergimtari

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË