Intervistë dhënë gazetares Mimoza Hasani Pllana
Fillojmë nga titulli “Cavaliere Della Stella d’Italia” me të cilin jeni nderuar vitet e fundit (2018) nga Ambasada e Italisë në Shqipëri. Për nga rëndësia ky është një titull me të cilin nderohen kontributdhënësit e krijimit të relacioneve në mes Italisë dhe shteteve tjera, në këtë rast Shqipërisë. A mund të flasim pak për ndjesinë që ju dha ky nderim kaq i rrallë?
Ndjesia më mbresëlënëse e kësaj ngjarjeje, e cila më ka mbetur e fotografuar në kujtesën time edhe më e gjallë se sa vetë ceremonia e dorëzimit të titullit, është momenti kur m’u tha nga ana e Drejtoreshës së Institutit Kulturor të Italisë, zj. Malgarini. Më kujtohet saktësisht vendi dhe koha: ndodheshim në një qendër kulturore këtu në Tiranë të quajtur “Tulla” për prezantimin e një libri. Aktiviteti nuk kishte filluar akoma dhe, sapo vura këmbë brenda në sallë, drejtoresha në fjalë më merr mënjanë dhe më thotë pa xhiro fjalësh që “unë (ajo d.m.th.) dhe Ambasadori italian (asokohe ishte në detyrë Shkëlqesia e Tij z. Cutillo) kemi menduar t’ia bëjmë propozimin Ministrisë së Jashtme italiane për dhënien e titullit mua Cavaliere. Ajo vijoi duke më pyetur nëse isha dakord apo jo dhe, pjesën tjetër të bisedës nuk e ndërmend dot meqë siç duket emocioni bëri të veten tek unë. Nga ai moment zuri fill procedura burokratike nga ana e Ambasadës. Ajo që dihet zyrtarisht është që në raste të tilla për shtetas të huaj, itinerari burokratik parashikon që përfaqësia diplomatike e vendit ku jeton shtetasi që do të propozohet për këtë titull, i bën kërkesë Farnesinës (MPJ-së italiane); pas shqyrtimit aty, në rast miratimi, i kalohet praktika për shqyrtim një grupi të ngushtë ekspertësh pranë Presidentit të Republikës italiane i cili shpreh mendimin pro ose kundër. Në rastin tim ishte po, për fat. Në ceremoninë që u zhvillua nja 5 muaj pas miratimit, u ndjeva e lumtur që mbaja në dorë jo vetëm stemën por edhe çertifikatën përkatëse të firmosur nga vetë Sergio Mattarella. Mund ta them pa ndrojtje që ka qenë një darkë në kuptimin e parë të fjalës: e papërsëritshme.
Jeni e njohur për përkthimet e letërsisë nga gjuha italiane në gjuhën shqipe. Në hulumtimin tonë, gjatë bisedave me përkthyesit e letërsisë shqipe në gjuhët europiane, bisedonim për metodat dhe teknikat e përkthimit që ata përdornin gjatë këtij procesi, po cilat janë metodat dhe teknikat tuaja?
Si çdo art, edhe përkthimi e artizani i saj, përkthyesi, ka mënyrat e veta krejt vetjake të nxjerrjes së produktit. Madje ka “dugajën” (dyqanin) që mbart fytyrën e artizanit, mban instrumentet krejt të vetat e me orare funksionimi tërësisht vetjake e të pangjashme me kënd tjetër. Nëse do t’i mbeteshim kësaj metafore, mund të themi që artizani përkthyes, është pronari e shegerti i asaj “dugaje”. E thënë me fjalë më konkrete, si metodologjia, po aq edhe kohët e instrumentet e punës të çdo përkthyesi, janë tërësisht subjektive. Mendoj se mbase ajo që i përbashkon përkthyesit është vetmia në të cilën realizohet procesi i përkthimit. Fjala vetmi mund të tingëllojë jo bukur, por në fakt, përbën thelbin e kësaj pune artizanale. Nëse do të flisja për metodën time, do të përdorja një tjetër fjalë “izolim”. Gjendja ideale për mua për të përkthyer, përmblidhet në këtë fjalë e në këtë gjendje: izolim nga çdo gjë e nga çdokush. Mundësisht në një mjedis që e kam të dashur. Nga praktika e kaluar, dy tri herë e kam përjetuar këtë gjendje. E para ka qenë para disa vitesh teksa ndodhesha në Romë me një bursë kërkimi tremujore pranë Universitetit Tor Vergata. Gjatë gjithë muajit të parë, me një regjim prej murgu të zgjedhur me vullnetin tim të lire, dilja krejt pak nga shtëpia me qira ku banoja e, pavarësisht tundimit me “zë sirenash” të Romës që pas xhameve gëlonte nga jeta, unë mjaftohesha ta shijoja diellin me limfë të atij qyteti, por po aq edhe shiun e nëntorit, nga dritarja e madhe që binte mbi rrugë. E nuk më vinte aspak keq! Shkoja në shtrat me përkthimin e zgjohesha me të; e ndërprisja për të shkuar tek bari poshtë shtëpisë për të “oksigjenuar” trurin me zërat e njerëzve e me zhurmën e makinës së kafesë e pas gjysmë ore isha prapë vetëm, ballë për ballë me përkthimin. Punoja me orë të tëra në orare absurde; natën zgjuar, ditën fjetur e anasjelltas, pa u trazuar nga askush. Telefon nuk mbaja. Kontakte njerëzore, jo. Isha e zhdukur, e izoluar jo në një ishull, por në mes të një rrëmuje e rrëmeti njerëzor prej thuajse 5 milionësh. Rezultati qe një mrekulli: përfundova një punë kolosale që nuk ia kisha dalë ta bëja për muaj me radhë në Tiranë. Rasti tjetër i këtij izolimi të lumtur (e përsëritur edhe nja dy herë të tjera), ishte në shtëpinë e prindërve në Shkodër. Natyrisht prindërit nuk jetojnë më, por gjithçka flet me pranitë e tyre të buta përreth meje, duke ma kthyer nanuritjen e kohëve të arta kaluar në atë shtëpi. Era e njohur e librave nga raftet e vjetër, oborri me lule, shkallët, zhurmat e njohura të rrugicës, më ishin afër e prapë nuk më ndërhynin në izolimin tim, përkundrazi ma bënin edhe më frytdhënës.
Si rrallë përkthyes, keni arritur të përktheni tekste letrare nga një dialekt në tjetrin, si shembull nga dialekti siçilian në atë shkodran. A e bën më të vështirë përkthimin gjuha dialektore?
Ka ndodhur në një rast. Bëhet fjalë për një roman të shkrimtarit Andrea Camilleri. Kur e mora në dorë veprën, teksa e lexoja paraprakisht (më ndodh që ta lexoj para përkthimit, por edhe jo, duke ia lejuar vetes luksin e befasisë letrare gjatë procesit), njëri nga personazhet më asociohej, për të mos thënë më identifikohej me shumë syresh të njohur në jetën reale në qytetin tim të lindjes, në Shkodër. Në kokën time ai personazh më fliste në dialekt, madje më saktë, në të folmen e qytetit të lindjes. Këtu më lindi idea që vetëm dialogjet e romanit, jo pjesën e zërit tregues, ta përshtasja në të folmen e Shkodrës. Dëshiroj të sqaroj një këndvështrim timin në lidhje me përdorimin e të folmeve apo dialekteve në përkthimin letrar. Duke patur parasysh që dialekti gegë nuk ka një gramatikë të përditësuar të saj (ekzistojnë të vjetrat), ngurroja ta përdorja meqenëse gjithsesi ai ligjërim i adoptuar nga unë në përkthimin e dialogjeve, prapë se prapë nuk do të ishte korrekt nga pikëpamja gjuhësore. Do të ishte një e folme informale, por kurrësesi struktura e përligjur gramatikore. Rijetëzimi i dialekteve e të folmeve në Shqipëri duhet bërë nëpërmjet punës serioze të gjuhëtarëve me përpilimin e gramatikave e fjalorëve përkatës, duke u mbështetur jo vetëm në leksikun e sintaksën arkaike të 60 viteve më parë, por duke marrë në konsideratë edhe evoluimin e tyre në aspektin sociolinguistik. Kjo vlen edhe për toskërishten letrare. Një gjë e tillë do të shpinte në një pasurim të jashtëzakonshëm të gjuhës artistike, sa në letërsinë artistike shqiptare, e po aq edhe në përkthimet letrare. Pa dashur të përsëris një aksiomë të njohur, por nuk mund të krahasohet efekti i fuqishëm stilistikor që krijon përdorimi me vend i të folmeve e dialekteve në një produkt letrar, në krahasim me përdorimin e gjuhës standarde. Duke iu kthyer përkthimit të atij romani të Camilleri-t, zgjodha të përdor të folmen informale. Më pyesni a sjell vështirësi për përkthyesin një gjë e tillë? Në rastin tim, kryesisht jo, por edhe po. Pse po? Sepse duhet ta pranoj që unë jam arsimuar dhe edukuar të shkruaj në standard. Gegnishtja letrare më vjen e lehtë ta shkruaj kryesisht nga leximet e autorëve klasikë gegë. Pse jo? Sepse gjithsesi, përvoja empirike e mjedisit ku jam rritur, ma bën më të lehtë përdorimin nga pikëpamja sintaksore të një strukture fjalie gege.
A ju ka ndodhur që gjatë përkthimit të ndiheni sikur shkruani një tekst të ri, sikur rikrijoni?
Që gjatë përkthimit kemi një tekst të ri, kjo është e vërtetë. Por vetëm nga pikëpamja e kodit të ndryshëm gjuhësor ku mbartet teksti origjinal. Që mund të thuhet se kemi një rikrijim, edhe kjo është e vërtetë për sa kohë kemi të bëjmë me një art. Unë personalisht përjetoj ndjesinë e të bërit njësh me tekstin origjinal, duke ia ruajtur mbi të gjitha frymën e narracionit të autorit, e po aq të kohës në të cilën vendosen ngjarjet.
Ka dilema se teksti humb vlerat letrare gjatë procesit të përkthimit, si e vlerësoni ju, a mund të transferohen vlerat stilitike?
Për ta thënë me një shprehje tashmë të mirënjohur të Umberto Eco-s, përkthimi është “të thuash gati të njëjtën gjë” dhe, mbi të gjitha, gjithmonë sipas Eco-s, nuk ekziston teksti perfekt. Pra, merret i mirëqenë një marzh tolerance i transferimit besnik të origjinalit në gjuhën mbërritëse. Ky marzh lidhet me një seri faktorësh. Më së pari me faktorin e mirëqenë të njohurive të shkëlqyera gjuhësore e po kaq kulturore të të dy kodeve me të cilët operon (pra, të gjuhës dhe kulturës së gjuhës së nisjes e asaj të mbërritjes) të përkthyesit. Rezulton e pamjaftueshme aftësia vetëm gjuhësore e përkthyesit, nisur nga postulati i Humboldit, se përkthimi është kryesisht deshifrim vizionesh kulturore. Mandej vijnë në radhë faktorët e tjerë që ndikojnë në cilësinë e përkthimit si, inteligjenca empatike e përkthyesit, formimi solid i tij në shumë fusha si në atë letrar, psikologjik, psikolinguistik, sociolinguistik, historik të gjuhës etj. Andaj lipset që përkthyesi të kalojë rrugëtimin e gjatë të investimit në formimin e tij 360 gradësh, veçanërisht në shkencat humanistike.
Bazuar në përvojën tuaj të pasur në fushën e përkthimeve, studimeve letrare dhe gjuhësore, sa janë të interesura qendrat kulturore shqiptare për përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhët e huaja, konkretisht sa kontribuojnë institucionet publike në këtë proces?
Ka një interesim të themi në ngritje të institucioneve publike gjegjëse të kulturës në lidhje me përkthimin. Ka disa vjet që është institucionalizuar çmimi kombëtar i Përkthimit; është futur në praktikën e Ministrisë së Kulturës mbështetja financiare e përkthyesve që merren me përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhët e tjera etj. Por, nëse më lejoni, unë do ta vija theksin tek një problem madhor sipas meje: formimin e të rinjve përkthyes që nuk duhet të kufizohet me projekte njëvjeçare apo më shumë, por me sistemin tonë shkollor dhe universitar. Shkolla jonë duhet të vendosë sistemin e individualizimit të talenteve në këtë fushë, vlerësimin e tyre në kohën e duhur sa janë në shkollë dhe, mundësisht, bërjen të mundur të një programi të veçantë me to. Kjo edhe në sistemin universitar. Vetëm kështu mund të krijojmë të ardhmen e sigurtë të kategorisë cilësore të përkthyesve. E fundit, por jo më pak e rëndësishme: krijimin e një shtëpie përkthimi në Shqipëri/Tiranë, e cila të futet në rrjetin e shtëpive simotra që funksionojnë prej kohësh në Europë. Mbështetja që do t’u jepej përkthyesve të huaj që merren me përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhët e tjera, nëpërmjet këtij mekanizmi, mendoj se do të ishte instrument efikas për përhapjen e letërsisë sonë në nivel ndërkombëtar.
Letërsia shqipe u përket letërsive të vogla, si vlerësoni çfarë mund të bëjë komuniteti letrar që letërsinë shqipe ta bëjë më të njohur për lexuesin botëror?
Më ka rastisur ta them edhe herë të tjera që togfjalëshi “letërsi/gjuhë e vogël” më ngjan shumë denigrues. Nuk ka gjuhë të mëdha apo të vogla, por ka folës të shumtë ose të paktë të një gjuhe të caktuar. Natyrisht që aspekti numerik statistikor i folësve ndikon në njohjen e letërsisë së atij vendi. Në gjykimin tim ka zgjidhje: kjo fillon me ridhënien e rëndësisë parësore të të mësuarit të gjuhës shqipe në sistemin shkollor; individualizimin e talenteve letrare që herët; suportin teknik e financiar ndaj talenteve letrare dhe të përkthyesve; krijimin e shkollë së kritikës letrare dhe të përkthimit; futjen në rrjet me strukturat e ngjashme në nivel ndërkombëtar; marrja pjesë në agjendën e aktiviteteve ndërkombëtare të këtyre fushave.
Në këtë përpjekje, përveç punës në Universitet, kontributi juaj i çmuar vjen edhe përmes qendrës kërkimore shkencore, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, diasporën shqiptare që me shekuj ruajti dhe kultivoi gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Cili është misoni i kësaj qendre?
Misioni i kësaj Qendre, e ngritur këtë vit, është studimi i mëtejshëm i gjuhës dhe kulturës arbëreshe, botimi në një korpus i trashëgimisë arbëreshe retrospektive dhe bashkëkohore, përhapja e saj në territorin shqiptar e përtej tij, sensibilizimi i popullatës me këtë trashëgimi unike nëpërmjet aktiviteteve diturake e divulgative. Kemi fatin ta kemi akoma në këmbë këtë thesar! Le ta ruajmë!
Meqë drejtoni qendrën, a mund të flasim për rezultatet që keni arritur deri tani dhe për ato që synoni në vijim?
Pavarësisht se miratimi në nivel qeveritar për hapjen e Qendrës është realizuar në shtatorin e vitit 2019, unë personalisht e kam marrë detyrën në 10 janar të këtij viti, funksionimi me rekrutimin e stafit është realizuar vetëm më 11 mars 2020. Më 12 mars filloi izolimi për shkak të pandemisë. Megjithatë, puna ka vijuar në kushtet e shtëpisë, por mund ta quajmë një vit krejtësisht anormal për të gjithë, jo më për një Qendër të sapongritur. Praktikisht, këtë fundviti ne do të nxjerrim të botuar katër libra mbi arbëreshët në fushën e gjuhësisë, etnografisë dhe antropologjisë kulturore. Përpos këtyre, do të dalë edhe revista studimore e quajtur “Continuum”, revistë njëvjeçare, si dhe do të zhvillohet (gjithmonë nëse kushtet e pandemisë do të na e lejojnë) Kuvendi I diturak mbi gjendjen aktuale të studimeve arbëreshe, i cili ishte parashikuar të mbahej në 16-17 shtatorin që sapo kaloi. U shty për arësyet e pandemisë, për datat 25-26 nëntor të këtij viti.
Për fund, a mund të flasim çfarë jeni duke punuar aktualisht në funksion të promovimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe arbëreshe në Itali dhe Kroaci; a planifikoni të përfshini në projektet tuaja edhe pjesën tjetër të diasporës shqiptare?
Po i përgjigjem fillimisht pjesës së fundit të pyetjes tuaj. Qendra që aktualisht drejtoj ka një objektiv të qartë: studimin dhe botimin e universit të Arbëreshëve të Italisë dhe të Zarës së Kroacisë. Jemi akoma pa e mbushur vitin e parë të punës. Mendoj se na pret një punë titanësh, për të cilën lipsen vizione, energji të forta dhe bashkërendim forcash. Mbase na duhet të ecim fillimisht në këtë hulli për të kuptuar edhe se si mund të zgjerohet ky fokus në një të ardhshme. Ndërsa në lidhje me pjesën e parë të pyetjes tuaj, kemi vënë në plan afatgjatë dy projekte madhore, të cilat me urimin që të fillojmë organizimin e punës nga viti i ardhshëm, do të përbënin një kontribut real të çmuar për botën arbëreshe. Pa hyrë në detaje, mund të them se idea është ajo e hartimit të një Fjalori enciklopedik të Arbëreshëve i cili kërkon një bashkërendim të mundimshëm e të gjatë të forcave studimore të albanologëve të kësaj fushe brenda dhe jashtë territorit. I dyti lidhet me një projekt afatmesëm që konsiston në krijimin e një Shtëpie të Arbëreshëve këtu në Tiranë fillimisht. Por, le t’ia lëmë gjyqtares më të rreptë, kohës, ecurinë e rezultatet!
Diana Kastrati është diplomuar pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës, Fakulteti Histori Filologji, Dega Gjuhë Italiane. Ndër vite ka kryer një sërë specializimesh dhe kërkimesh të thelluara në këtë fushë pranë ateneve ndërkombëtarë, si: Università per Stranieri di Perugia, Università Roma Tre, Università Tor Vergata të Romës, Institutit të marrëdhënieve ndërkombëtare Clingendael në Hagë¬-Hollandë.
Ka punuar si pedagoge e brendshme në Departamentin e Italianistikës pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Nga dhjetori i vitit 2002 deri në nëntor te 2003 punon në Ministrinë e Punëve të Jashtme të RSH-së, pranë Drejtorisë së Vendeve Antare të BE-së duke mbuluar vendet e BENELUX-it. Nga maji i 2004 deri në maj të 2005 punon pranë Cooperazione Italiana (Ambasada Italiane në Tiranë) ku, e punësuar nga Ambasada Italiane, koordinon punën midis Ambasadës italiane dhe MPJ të Shqipërisë në lidhje me projektin e ngritjes së Akademisë Diplomatike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, projekt i financuar nga qeveria italiane. Nga 2003 deri në 2020 punon si pedagoge e brendshme në Departamentin e Italianistikës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti Shtetëror i Tiranës. Titullare e lëndës së Sociolinguistikës italiane dhe e Historisë së Mesjetës italiane. Mban titullin Profesor doktor i asociuar. Nga 2016 deri në 2020 është Shefe e Departamentit të Gjuhës italiane pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Në cilësinë e Përgjegjëses së Departamentit të Gjuhës italiane, organizon një seri kuvendesh diturake, projektesh dhe takimesh kulturore e letrare, kombëtare e me prani profesoreske e studiuesish ndërkombëtare, si mbi: Luigi Pirandello-n, Umberto Eco-n, Letërsinë migratore shqiptare në Itali, takime me shkrimtarë italianë e përkthyes.
Kontributi i saj spikat në këto lëmi: në atë akademike (mësimdhënie në Universitet) për 24 vite rresht; si studiuese e letërsisë dhë e kulturës italiane me artikuj të botuar brenda dhe jashtë vendit në revista të specializuara të natyrës kulturologjike, sociolinguistike, letrare dhe traduktologjike (më shumë se 40 tituj); studime dhe pjesëmarrje në konferenca e kuvende diturake, si brenda dhe jashtë vendit (Itali, Francë,Rumani, Kosovë etj); në atë të përkthimit, me një numër të konsiderueshëm përkthimesh të autorëve të spikatur të skenës kulturore dhe letrare italiane; në atë të publicistikës me shkrime të karakterit kryesisht kultuorologjik; pjesëmarrëse dhe Kryetare në disa Juri çmimesh letrare.
Fituese e Çmimit kombëtar të Përkthimit për vitin 2016. Për merita të veçanta në fushën e përkthimeve dhe përhapjes së kulturës italiane në Shqipëri, në 2018 me dekret të Presidentit Italian Sergio Mattarella, nderohet me Titullin Cavaliere della Stella d’Italia.