Lena kishte përgatitur çdo gjë javë më përpara, edhe pse ishte befasi, ajo nuk donte të linte asgjë në mëshirën e rastësisë. Ajo kishte porositur pijet, ushqimet dhe zbukurimet dhe ishte kujdesur që Jani të mos i vërente me një fshehtësi që ndonjëherë frikësohej se mos do të dukej sikur po e tradhtonte, ndonëse në thellësi e dinte që ai, kishte aq shumë besim në të, sa edhe po ta shihte me një burrë tjetër nuk do të dyshonte. Dashuria e tyre ishte e qetë, lidhja e tyre ishte pa konflikte e drama. Ajo e shijonte këtë qetësi e besim në lidhjen e tyre që tashmë po bënte vitin, me një krenari prej një nëne që shikon rezultate të shkëlqyeshme në dëftesat shkollore të fëmijës së saj. Pas lidhjeve të trazuara që kishte pasur, dashuria me Janin i dukej si ajër i pastër që i mbushte mushkëritë me frymë. Lena kurrë nuk i kishte dashur dramat, ajo që prej adoleshencës kishte dashur një lidhje të qetë me një burrë të mirë, me të cilin mund të ndërtonte një jetë. Tani që e kishte ishte e lumtur dhe e merrte si shpagim për vuajtjet e kaluara. Sikur Jani të ishte trofeu që i vinte pasi kishte duruar pa bërë zë shuplakat e jetës që nuk besonte se i kishte merituar.
Pa orën, kishte kohë mjaftueshëm, Janin e kishte marrë shoku i tij, sipas porosisë së saj dhe nuk supozohej të vinte edhe nja dy orë. Gjithçka është gati, i përsëriti vetes për ta qetësuar si ndonjë mantra, gjithçka do të shkoj mirë. Mirëpo diku në trup ndjente një ngërç, një lloj rezistence, që sikur po e përgatiste për më të keqen, por tentoi të zbuste mendimet duke i thënë vetes që ishte një ankth i zakonshëm para ngjarjes me të cilën po merrej me entuziazëm të madh.
Të gjithë arritën në kohë, pavarësisht frikës së Lenës se nuk mund të arrinte të mblidhte 30 veta pa u vonuar askush. Ja komplimentuan dekorimet, bile disa prej shokëve të tij edhe ja konfirmuan që prej se ishte me të, Jani kishte filluar të bënte një jetë më të shëndetshme dhe më të ekuilibruar. Fytyra e Lenës sikur ishte e paaftë të mos buzëqeshte, sikur një gëzim në formë të një drite po i vinte prej zemrës dhe i kalonte nëpër shtyllën kurrizore duke e bërë trupin e saj të ndihej sikur pluskonte në ajër. Gjithsesi ngërçi ishte aty, ajo e dinte se nuk duhej injoruar, por a nuk ishte gjithmonë një pjesë e saj që frikësohej kur ishte e lumtur, sikur të mos e meritonte gëzimin e plotë. E kishte paralajmëruar edhe psikologia, brenda mendjes tonë, ekziston një trup emocional që ushqehet me ndjenjat negative, njëjtë sikur trupi ynë fizik, ai ka nevojë për ushqim dhe ankthi është një prej atyre ushqimeve. Sa herë që je e lumtur, ky trup jofizik do të kërkoj të gjej pakënaqësi e dhimbje, sepse pa to nuk mund të mbijetoj. Ajo e paramendoi këtë trup si një krimb i madh, me ngjyrë të kaftë, i mbuluar nga jargë duke e thithur ankthin e saj prej trupit e duke u kapërdirë. Krimbi trashet ndërkohë që ajo shkon duke u tkurrur brenda trupit të saj derisa shndërrohet në diçka që i ngjan një lëvoreje të thare molle. Tund kokën sikur të donte t’i nxirrte jashtë gjithë këto vizualizime të mendimeve të saj të padobishme.
Tashmë të gjithë ishin fshehur duke pritur nga një minutë në tjetrin Janin të hynte. Kur dera u hap dhe ata u ngritën dhe i kënduan këngën e ditëlindjes, Lena edhe njëherë i konfirmoi vetes se frika e saj kishte qenë e pabazuar. Ai e perqafoi fort dhe ajo ndjeu erën e lehtë të parfumit të tij që iu duk sikur i rikujtoi momente nga fëmijëria, kur ishte e frikësuar dhe babai i saj e merrte në krahë për ta qetësuar. Iu deshtën pak çaste për të arritur të çlirohej nga përqafimi i tij, sikur jeta të mos kishte kuptim tjetër për të, pos këtij momenti. Ai e shikon në sy, është pak i hutuar por edhe ai i duket i lumtur, por a mund të jenë dy njerëz të lumtur në të njëjtën kohë, pyet veten Lena dhe me një lloj ngadhënjimi i thotë atij krimbit që ushqehej me dhimbje, që jeta ndonjëherë është thjesht e mirë. Dëgjoi një zë burri nga pas, ishte Andi një shok tjetër i Janit që kishte ardhur ta uronte. Ajo u shkëput dhe bëri një shëtitje për të parë nëse gjithçka ishte në rregull me mysafirët.
Kur u kthye nuk po arrinte të gjente Janin. Iu duk kohë pak si e gjatë për të mos e parë tek sillej diku nëpër apartamentin e tyre jo shumë të madh. Ta kërkonte u bë shqetësimi i saj i radhës. E pa sapo doli në korridor, në fillim i dëgjoi vetëm zërin e ngazëllyer, barkun ia përshkoi një shpim që nuk e la të regjistronte fjalët që e dëgjoi të thoshte. Ishte bashkë me një vajzë në fillim të njëzetave, bionde me një bluzë të kuqe dhe buzëkuq të ndezur. Ajo i ishte hedhur në përqafim dhe po gajaseshin së qeshuri. Lena mori frymë thellë dhe tentoi ti përkujtonte vetes mantrën e mëhershme, por nuk iu kujtua asgjë, në fakt i erdhi të bërtiste. Jani e ktheu kokën, me faqet e skuqura e fytyrën e qeshur, e pa dhe asaj iu duk sikur për pak sekonda ai u pre dhe fytyra e tij mori një shprehje të dikujt që është zënë në faj. Mirëpo shpejt e mori veten dhe e prezantoi, ishte Ada. Natyrisht, ishte dashur t’ia merrte mendja. Në Instagram i ishte dukur më pak e bukur. Në realitet ajo ishte rrëzëllitëse. Iu afrua dhe e përqafoi me ngrohtësi, i vinte një erë e mirë që Lena do të pëlqente ta kishte vetë. Paramendoi se sa ngashënjyese mund të ishte për Janin, se sa i joshur mund të ndihej edhe ai prej saj, ose ndoshta burrat nuk tërhiqeshin nga një erë e tillë. Por kur ktheu dhe pa buzëqeshjen e tij dhe atë zërin me një ngjyrë kënaqësie që e kishte kur flirtonin në fillim, nuk kishte mëdyshje. Ai ende e dëshironte.
-Kur të kam folur për Adën, sigurisht që të kam treguar që është përplot me surpriza. Ja pra, ajo vendos të më vizitoj pas 3 viteve që nuk e kam parë, pa pritur.
-Është ditëlindja jote, po e planifikoja në fakt, por doja të të befasoja. E kur Tina për më tregoi për festën…
-Po vërtet, ishte befasi e mrekullueshme, tha Jani me ngazëllim, e pastaj u kthye ka Lena. Një ditë me plot surpriza për mua. Unë po prisja një pasdite të qetë e të mërzitshme.
Lena mendoi nëse pasditja e qetë e e mërzitshme nënkuptonte që ai të rrinte vetëm më të. Jani sikur e vërejti.
-Hajde, shikoje se çfarë feste më ka bërë Lena, e tërhoqi për dore ai Adën dhe Lena shkoi pas tyre.
Ia mbushi vetes një gotë me verë të kuqe dhe filloi të scroll nëpër telefon kot, sepse i dukej sikur të tjerët mund të ja vërenin ankthin që e kishte kapluar. I piu edhe disa hurba verë shpejt, ata po rrinin pak më tutje, të rrethuar me miq, ajo vetëm, duke tentuar të dehet. Ndoshta duhet të ikte, të gjente një arsyetim sikur nuk ishte mirë, ajo me të vërtet nuk po ndihej aspak mirë, kështu do t’ia merrte vëmendjen Adës, por do të dukej e dëshpëruar.
Sa e relaksuar dukej ajo. Athua ishte vërtetë ashtu, apo shumë e aftë të pretendonte. Gjithçka te ajo dukej aq e natyrshme, e freskët, sikur sapo kishte dalë prej një vaske të mbushur me ujë të ngrohtë e vajra esencial. Edhe mënyra se si ishte veshur. Si mund të dukej dikush aq tërheqëse dhe në të njëjtën kohë kaq rehat. Lena kishte veshur një fustan të zi të gjatë e të ngushtë që tani, më shumë se më parë po i zinte frymën e shtrëngonte barkun. E kishte blerë para 3 ditësh me entuziazmin më të madh, e tani po i dukej shumë pa shije, i zakonshëm, si një tub, sidomos krahasuar me bluzën e kuqe prej pambuku të tejdukshëm të Adës, materiali i butë dhe prerja e të cilës sikur përqafonin format e trupit si sirenë, sidomos pjesa e poshtme e xhinseve që vinte e bëhej më zgjeruar prej gjunjëve e poshtë, që i jepte iluzionin e bishtit të një sirene. Ada me bluzën e kuqe dhe xhinset blu të errët, me buzëkuqin e ndezur dhe rimelin e hollë e preciz, dukej kaq cool, aq joshëse sa Lena dëshironte të ishte si ajo. Madje erdhi në përfundim që ajo shkonte me Janin, shumë më shumë se sa vetë ajo. Të dy ishin biond, me sy të gjelbërit, dukeshin kaq mirë së bashku, sikur të kishin dal nga një reklamë e Nivea-s. Vrau mendjen se nëse zjarri do të përfshinte apartamentin e tyre dhe ai mund të shpëtonte vetëm një person, kë do të zgjidhte. Ishte e sigurtë se do të zgjidhte Adën. Iu duk sikur ndjeu dhimbje nga thithjet e krimit imagjinar. Mendimet ia ndërpreu Tea, e dashura e një kolegu të Janit, me të cilët dilnin shpesh.
-Ke bërë një festë të mrekullueshme. Duhet të jesh munduar shumë.
Lena u sforcua të dukej e lumtur.
-Ah, mund të ishte edhe më mirë…
-Mos u bëj kaq modeste. Gjithsesi, duhet ta shijosh edhe vetë, i tha ajo me një ton nënkuptues.
Lena e pyeti veten nëse shqetësimi i saj për Adën ishte kaq i dukshëm
-Ti e di se si jam, dua që gjithçka të shkojë mirë, u shfajësua Lena, duke shpresuar që ajo nuk e kishte fjalën për brengën e saj të vërtetë.
-E di, por nuk të bën mirë, nuk e sheh që të gjithë janë duke u argëtuar, tha Tea duke bërë me kokë kah njerëzit. Tani Ada ishte duke i folur në vesh Janit dhe Lena mendoi se çfarë po i thoshte. Si duket Tea e vërejti.
-Mos u brengos për ish të dashurat. Po të kishte qenë e përshtatshme për të, do të ishin ende bashkë.
-Uh, jo. Nuk brengosem, tha Lena, pa qenë aspak e bindshme. Por ai flet për të me aq adhurim,- nuk u përmbajt më në fund ajo.
– Po, është një kujtim i bukur për të, dhe kjo është në rregull. Por ai ka vuajtur shumë për shkak të saj, më ka treguar Taulanti. Grindeshin gjatë gjithë kohës. Nuk ishte aspak lidhje e shëndetshme, sikur kjo që ka me ty.
Lena pohoi me kokë, por nuk ishte aspak e bindur. Tea e vërejti këtë.
– Shko pra, mos rri këtu me mua. Boll i le të rrinë bashkë, mos e lejo të ta prish mbrëmjen. Lena i premtoi, por në gjysmë të rrugës, u pendua dhe u nis në tualet. Nuk ndihej e gatshme të përballej. Kishte frikë që do ta mbërthente vaji.
U pa në pasqyrë. Iu duk se e kishte tepruar me grim, lagu pak duart me të cilat e përshkroi fytyrën duke tentuar ta zbuste pak pudrën, por nuk iu duk se u bë më mirë. Nuk kishte më shpresa që ajo natë të përmirësohej në favor të saj. I dashuri i saj ishte harruar në shoqërinë e ish të dashurës së tij, në festën që ajo i kishte përgatitur. Po ta donte sado pak ai do të ishte duke e kërkuar. Por a nuk ishte kjo ditëlindja e tij, u përpjek ta arsyetonte një mendje tjetër e saj, duhet ta lë të e shijoj natën. Por, jo, ajo ishte ish e dashura e tij, që e kishte lënë një ditë prej ditësh pa pikë paralajmërimi, duke i thyer zemrën e shkatërruar besimin, kështu i kishte thënë ai vetë. Por a nuk ishte kjo mënyra e duhur për ta bërë dikë të paharrueshëm? Ndoshta kështu duhej të bënte edhe ajo, të zhdukej përnjëherësh, mirëpo kurrë nuk kishte qenë e aftë për të ndërmarrë veprime të tilla, ajo nuk ishte lloji i gruas së paharrueshme ndoshta dhe do ti duhej të pajtohej me këtë fakt. Ada nuk besonte që do të rrinte gjatë, Jani do të ishte prapë vetëm me të. Iu duk sikur u qetësua. Mori frymë thellë disa herë dhe vendosi të mos shihej në pasqyrë. Nuk do të mendonte se si dukej. Donte vetëm ta përfundonte këtë natë dinjitetshëm. Le të ishte e dashura pak naive që iu dhimbset pak të tjerëve. Ndoshta kështu është dashuria e vërtetë.
Kur doli, ata ishin ulur në një kënd, duke parë njëri tjetrin me atë lloj vështrimi, që Lena do të preferonte më mirë ti shihte duke u puthur, se sa ky gjakim pafund që dukej në ajër dhe kishte përfshirë krejt dhomën. E mori një cigare, gotën bashkë me një shishe pothuajse përgjysmë me verë dhe doli në ballkon. Jashtë ishin dy shoqe të saj dhe një djalë i panjohur. Ajo nuk e dalloi erën në fillim dhe kur ai ia zgjati jointin, ajo u bë gati të thotë jo, por ndërroi mendje. E thithi gjatë dhe e mbajti frymën. E përsëriti këtë disa herë. Ndjeu trupin ti rëndohej dhe pa se cigarja i ishte djegur. Djali tani i zgjati një cigare prej paketimit të tij dhe ajo e mori duke menduar që ai dukej sikur kishte gjithçka që ajo kishte nevojë. I erdhi për të qeshur dhe djali si duket e mori si sinjal për flirt dhe tentoi të hapte një bisedë. Lena filloi të inkuadrohej në bisedë, mirëpo sapo e përfundonte ai fjalinë, harronte se për çfarë kishte qenë duke folur dhe përfundoi duke buzëqeshur e tundur kokën si debile. Kishte kohë që nuk kishte tymosur bar, e kishte kapur më shumë se sa që kishte pritur. Ndërkohë në ballkon kishin mbetur vetëm ata të dy dhe ajo filloi të mendonte se ndoshta duhej të bënte dashuri me të, të paktën le të ishte ajo që do të ndihej në faj. I dukej se më lehtë do ta duronte ndjesinë e fajit, se sa të viktimës.
Iu afrua dhe e puthi, në sekondat e para u ndez prej idesë që po bënte diçka të tillë, por shumë shpejt ai filloi ti dukej sikur nuk ishte më njeri por një gjuhë e stërmadhe që po tentonte të futej në gojën e saj. Ajo u sforcua të relaksohej, mirëpo me çdo tendencë i dukej sikur ajo bëhej më e vogël, ndërkohë që gjuha rritej. U çlirua prej tij duke i kërkuar falje me mirësjellje.
Ada ishte tash në kuzhinë, ku e kishin rrethuar një grup që po dëgjonte me vëmendje se si ajo po tregonte takimin e saj të parë me Janin. Lenës iu duk se po i përzihej stomaku. Ajo e kishte dëgjuar tashmë këtë histori, disa herë.
Shumica e mysafirëve po iknin, kishin mbetur vetëm dy shok të Janit. Kur edhe ata vendosën të iknin, Ada e falënderoi Lenën dhe e përqafoi shtrëngueshëm Janin.
– Sonte të gjithë vëmendjen ja dhashë Janit, i tha Ada duke marrë xhaketën, por të dëshiroja shumë të njiheshim më shumë Lena, ndoshta të pimë kafe nesër në mëngjes të tre së bashku?
– Mëngjesi i Adës fillon pas orës 12, tha Jani duke qeshur dhe e pyeti se ku do të flinte.
– Kam harruar të rezervoj por do të gjej diçka besoj, tha ajo si duke u shfajësuar.
– Ti nuk ke ndryshuar aspak, je e tmerrshme, tha Jani duke tundur kokën me mosaprovim. E dashur, po shkoj me të ta përcjell, i tha Lenës ai.
– Po pse nuk rri tek ne sonte?, dëgjoi zërin e saj Lena. Pse e kishte thënë këtë? Ndoshta sepse kishte frikë që diçka do të ndodhte mes tyre kur të mbeteshin vetëm. Gjithsesi, tashmë nuk mund të kthehej mbrapsht. Ada e pa me dashamirësi.
– Lena, faleminderit. Je e sigurt që nuk do të ju pengoj?
– Jo aspak, përkundrazi, tha Lena. Ne e kemi një dhomë të lirë gjithsesi.
Ada e përqafoi dhe Lenës iu duk sikur era e saj e mirë i shpoi zemrën. U mllefos me paaftësinë e saj për të reaguar ashtu sikur ndihej, të paktën njëherë në jetë. Do të donte të bërtiste dhe ti kërkonte Janit të mos e takonte më kurrë Adën. Por në vend të kësaj u tha se po shkonte të bënte gati dhomën dhe u largua.
Ada hyri në dhomë kur ajo ishte duke bërë gati shtratin. Zbutësi i rrobave me aromë kajsie e mbushi ajrin dhe i kujtoi Lenës momente të lumtura, në të cilat e lëshoi vetën aq shumë, sa nuk e kishte dëgjuar Adën që i ishte afruar pranë. Ajo e falënderoi me buzëqeshjen e saj rrëzëllitëse, ndërsa Lena do të dëshironte t’i uronte të vdiste në gjumë. Në vend të kësaj e dëgjoi veten duke e pyetur nëse kishte pizhame.
-Preferoj të flej e zhveshur, i tha Ada. Rrobat më bezdisin në gjumë.
Lena tundi kokën në përpjekje për të gjetur fjalët që i duheshin për të ikur prej dhomës. Era e Adës, era e çarçafëve sikur po i ngushtonin dhomën dhe asaj po i dukej sikur do të alivanosej. Nuk e priti aspak kur Ada u afrua dhe e puthi lehtas në buzë. E ndjeu fytyrën tek i skuqej, tëmthat i pluskonin dhe duart i shponin si kur i mpiheshin. Nuk e kuptoi si e mori guximin dhe e tërhoqi Adën pas vetes, duke i dhënë një puthje të gjatë, me një agresivitet që nuk e kishte përjetuar kurrë. Kjo puthje kishte intensitetin e njëjtë, me urrejtjen që ajo ndjente. Nuk e dinte se sa zgjati derisa vërejti se Ada me mirësjellje por prerë, po tentonte të çlirohej prej përqafimit.
Lena u largua, tmerrësisht e turpëruar. Ada i buzëqeshi me diçka që iu duk si mëshirë.
-Lena, unë… Ndoshta më keqkuptove, por nuk e ke ti fajin. Unë ndonjëherë e teproj, por nuk e kisha seriozisht. Më fal… Unë… Mua vetëm më pëlqen ti puth njerëzit në buzë në vend të faqes, ndonjëherë, – qeshi pafajsishtë ajo. Lena provoi të bënte si e shkujdesur, por mezi po përmbahej të mos qante. Duhej të ikte shpejt, mirëpo trupi nuk po i bindej, derisa lotët iu lëshuan faqeve. Sikur poshtërimi i parë të mos mjaftonte, Ada po e shihte edhe duke qarë. Më në fund arriti ta bënte trupin të lëvizte dhe doli prej dhomës.
Kur Jani u zgjua në mëngjes, në anën e shtratit ku flinte Lena, gjeti një krimb të mbështjellë në jargë. Me kujdes e jo pa neveri e hoqi bashkë me çarçaf dhe shkundi prej ballkonit. Mendoi se Lena me siguri, kishte dalë për të marrë espresso prej lokalit ku pinin kafen e mëngjesit, që ndodhej në afërsi.