More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDhimitër Pojanaku: "Vallja" Kadare

    Dhimitër Pojanaku: “Vallja” Kadare

    Bobo`, ç`i bën valles gjeniu!

    E përkund në djep, e mëkon me qumësht shpirti, e rrit. E mplak, për pak kohë, e vdes. 

    E rilind. 

    Nuk ja ngre këmbët nga toka, diku, më tej e larton si shqiponjë  në qiell. Herë e shurdhon, herë ja ngre veshët pipëz, ja tërheq gjuhën sa për të kumbuar qindra kambana. E bën memece, diku. Përnjëherë ndërron mendje, i vë në buzë  përrenj  dimri me fjalë.

    Ç`i bën valles gjeniu!

     E tund, e shkund, e gjumos, e zgjon vrullshëm, e ul plumb përdhe, e çon vrikthi përpjetë! Edhe ato pak mend që kisha, po e lë atje, tek Përlocaj.

    Ububu ç`i bën!

    E armatos me heshta e shigjeta.E nis për luftë. Në përpjekje gjakoset, mes dështimesh del fitimtare. Në palodhje, me durim fisniku, i pastron pluhurin e betejave. Rifeks të kuqin e xhufkave të opingave me penelin e Onufrit. Të zezën e ngjyen në thellësitë e kohrave. Qep mbi shaminë e  valltareve paraçka ngjyrë floriri dhe u`a lëshon mbi sipër vetullave, valltareve. l krijon azhur të ri fustës.  I vë  valles  tabut mbi duar,  me tutje ja mbush pëllëmbët me lule nga kopshti i Edenit.

    E hedh nga morti në djegjen e shamisë së beqarit.

    Një lexues i thjeshtë mund të arrijë gjer në maramendje.

    Krijuesi me talent, do kuptojë ca e nga ca se gjenitë, lindin nga ngjizje hyjnish, se nuk ka mbarsje muzash në sterilitet. Se tek gjeniu, e shkuara, e tashmja, e ardhmja e popujve jeton në odat e mendjes së tij me kthjelltësirën më të shkoqur. Gjeniu  u`a kalon maramendësh arkeologëve.Gjersa ata të zbulojnë vendin, pa ta rrethojnë, pa t`i pastrojnë antikat, të ngjitin pjesët, ehu, duhen vite. Gjeniu e ka gjithça afër dorës, mjaft të zgjatet.

    Krijuesi me talent lexon dhe  faqe pas faqesh kupton se  vetëm gjeniu, më një gur, ngre kështjella. Më një pikë uji, mbush barqet e lumenjve. Me një degë, qoftë edhe e thyer, mbin pyje taborë-taborë. Ky lexues, tek konkludon se, ndoshta   mund t`i arrijë në thembër por nuk ja kalon dot as kërcirin gjeniut, urtë e butë, bindet.I mbetet vetëm të gëzohet pa kurrfarë hidhësie.

    Krijuesi pa talent, tek e lexon ulërin:Po përse, Ai? Vetëm Ai? Brirë ka? Përse të mos jem unë Ai? Unë! Dëshira e paarirrë për të rrokur në fokusin e tij  fabula kaq çudibërëse, zhytje kaq të thella pëlumbarësh duke nxjerrë në sipërfaqen e detit, grushte perlash, i kthehet në mllef, mllefi, në iluzione madhështie. Kështu kalon në marrëzi për të tjerët, ndërkohë, që bie me vehten në një ujdi sa qesharake aq të pakthyeshme.

    Sa për atë se ç`ndjejnë kur e lexojnë gjeniun  lexuesit e thjeshtë apo gjenitë kur lexojnë njëri-tjetrin, kjo mbetet një pikë e errët për mua dhe aspak kyçe në këtë ligjërim.

    Teksa thekmosesha pas “Valles” të Kadaresë, teksa e tij fantazi, imagjinatë , m`i pinte si e ziosur mendtë e  kresë, rresht pas rreshti, magjia ime krijuese sikur më thërrmohej pa më lënë asnjë gjurmë argjendi nëpër gishta.

    Pa pyetur as kënd, si një re e vogël a  kartë e bardhë, e lehtë, ikte pas maleve.

    Pasi e mbarova”Kushëriri e engjëjve”, (nganjëherë thosha”shyqyr”, shpëtova”) pas ca ditësh, doja t`i rikthehesha. Por tashmë, nuk bija aq kollaj në “grackë”. E dija se, në leximin sëdytazi, libri më shihte si fasada e njohur e një vile lluksoze.E dija se, sa të hapja derën, më priste një bukuri edhe më e rrezikshme.

    Përsëdytazi, nën tapetet persianë të sallonit, do gjeja  të tjera marifete të përsorura letrare. Parmakët e sapodyllosur mund t`i lëkundnin të tjera pabesi. Në sirtaret e  suitës mbretërore, do më prisnin jo vetëm unaza diamantesh që nuk isha i zoti t`i shihja që herën e parë por edhe ditare nga dashuri me llahtar  siç thotë Poradeci, fletë të verdha me krime dhe  inkriminime nga vetë duart e shteteve, qeverive. Mbi komo, veç shishka të parfumit mund të gjeja, si gjoja ngatërruar edhe ndonjë flakon helmi gatitur për ndonjë princ a perandor nopran e kokëshkretë.

    Në perdet e mëndafshta, veç erës flladitëse edhe ankthi, kishte orët e veta ku luante dramën e vet.

    Çfarë nuk i bën valles gjeniu!

    Tek e vërtit si orbitë në hapësirë, m`u kujtua një fenomen më i kapshëm për syrin e gjindjes.Në festën e verës, me rastin e shpartallimit të dimrit, fëmijët, poshtë majës së maleve a kodrave, ndezin zjarre me goma të vjetëruara makinash. Pasi mbeten vetëm  rrathët e telave ngjitur me copëza flake, i rrokullsnin poshtë. Është edhe këtu “Vallja” Kadare, një rrotullim sa gazmor aq tragjik.Vallja e rrathëve, që djegin  dhenë e fjetur, natë e errët, vallen, që u bën dritë qiejve!

    Eh, valles ç`i bën gjeniu!

    E turfullon  tokën si thundrat e kuajve në revan. Në vendet e dheut të fluturuar, sër-rendit plisa me copëza lëndine. 

    Me lulekaçe të çelura enkas.

    Tiranë-Pogradec.

    26-28 Mars 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË