More
    KreuLetërsiBibliotekë"Dëshira të vonuara", poezi nga Valbona Hadri

    “Dëshira të vonuara”, poezi nga Valbona Hadri

    Valbona Hadri shkruan thjeshtë, me mesazhe të qarta. Poezia e saj përshkohet nga një ndjesi e ëmbël, herë me pak tis trishtimi e herë me një dritë gëzimi. Gjithsesi vargu i saj është i ngarkuar me një dramë përplot ngjyrësi emocioni. Është fituese e shumë çmimeve poetikë në Kosovë dhe gjithmonë eshtë pritur mirë nga lexuesi.

    ROLAND GJOZA


    PËRBALLË JETËS

    Drita vijëzohet në fytyrën e saj,
    Duke zhdukur çdo hije të mbetur.
    Ajo shtrëngon lapsin me gishtat e bardhë dhe diçka shkruan në letër.
     
    Herë pas here kafshon buzët e holla.
    Do t’i mbajë për vete sekretet
    Për njerëzit si hije me helme si bolla dhe kthinat e heshtjes.
    Donte të mbetej luftëtare e kohës,
    Në epokën fatzezë të gënjeshtrës.
     
    Kish luftuar me kohën dhe njerëzit e saj.
    Kish marrë plagë pa fund në përleshje.
    Deshi të ishte e vetme mes heshtjes,
    Si një dhembje pa fund, e përjetshme.
     
    Shumë vonë e kuptoi çfarë ishte globi
    Dhe kjo botë se si funksionon
    Pa shkëlqim dhe fjalë të sinqerta.
    Përballë njerëzve me shpirt si demon
     
    E vetmuar, e heshtur pranë sofrës,
    E pangrënë, ajo rri dhe mendon
    Hipokritët bëjnë ligjin në botë
    Të sinqertët ç’mund të fitojnë?
      
    Valë kujtimesh i shkrepëtijnë në mendime.
    Nëpër qiej ka shumë re dhe shi,
    Koha ecën, çdo çast nëpër mjegull
    Fytyrëvrenjtur dhe sytë plot mërzi.


    DËSHIRA TË VONUARA

    Dua t’i them heshtjes diçka,
    Por më mungon, koha e fjalës.
    Dua të tretem bashkë me buzëqeshjen,
    Por më mungon titulli i këngës së pakëndume.
    Dua ta qëndis pamjen,
    Me fije mëngjesi
    Por s’më le muzgu t’i shoh fytyrën.
    Dua ta këpus lulnajën e artë,
    Por më ka tradhëtuar aroma.
    Dua ta hap harkun e portës,
    Për t’u takuar ballë për ballë me ujkun e përralllës,
    Por shtëpia buzë detit ende grindet me erërat.
    Dua të takohem me kohën time të humbur,
    Por faqet e fundit të ditarit janë ende të pashkruara.


    MË THËRRET

    Dëgjoj një zë që më thërret prej motesh
    Prej motesh vjen dhe më hap udhën e luleve
    Më vjen rrotull buzëve të ngujuara
    Nuk e di çfarë të them, pa zë e pa fjalë
    Është kumb i një kënge për dasmorë
    Një kryekrushk i dehur më vjen vërdallë
    Kërkon nusen e humbur në përrallë
     
    Përralla e nuses ka një nur në ballë
    Nuk i falet drita dehurisë së marrë
    Nëse është dehuri dashurie shpirti
    Duhet puthur drita, syrin për t’ia fal.


    A THUA?

    S’do t’i dêgjoj më rrahjet e zemrës tënde?
    A thua zëri yt do t’i mungojë mëngjeseve, kur dimri bëhej verë ?!
     
    A mos vallë s’do kthehesh,
    Qoftë vetëm dhe njëherë, për hatrin tim?
     
    Mos më thuaj që s’do presësh fundin e tregimit që e filluam dikur, diku…
    Më premtove që do t’rrugëtojmë bashkë me valvitjen e Flamurit, në trollin Dardan.
    Ndërsa ti don të tretesh, pa shijuar edhe nga një gotë verë?!.
    Mos të lutem… mos!
     
    Hedh sytë kaltërsisë joniane, Butrintit të bukur, Bistricës së xhevahirtë deri te Gjiri i Prevezës.
    Mos më lërë vetëm të shkoj
     
    Le të bashkohemi tek hyjnorja me lutjet e mia, atje na pret lulja e vyshkur.
    I duhen ca pika ujë për ta ringjallur,
    I premtuam, prandaj s’të lë dot,
    Çamëri!


    DËGJO

    Nuk janë vetëm vitet që e plakin njeriun
    Po dhe labirinthet e jetës, në kryqëzim rrugësh – i tha zogut në dritare, zonja e vetmuar.
    Në fytyrën e saj të tharë kishte vënë duart e mpira e të zverdhura anemia
    Ndërsa plagët e shpirtit që flisnin, i mbyllte prapa kangjelave të derës së hekurt.
     
    Balli me rrudha, që bënin majë në gropëzat e syve të venitur,
    Shuanin bukurinë e fytyrës së saj të tretur
    Kam një histori vuajtjesh, hallesh, dhembjesh dhe një mall të strukur në gji.
    S’i se kuptoj askush dhembjen time të gdhendur nëpër faqe gurësh të shënuar me brazda vijash të thelluara?
    Po jetën time të ndërtuar mbi udhë të këputura lotësh?
     
    Nga një lëvizje qepalle, pa dashur, zogu u tremb dhe la dritaren e veshur me dhembje.
    Rrëfimi i një zemre të thyer u tret vetmisë së përmallshme të kësaj nate të vrarë, pa zë njeriu.


    SIKUR TA DIJE 

    Bëj sikur s’di asgjë
    Ndërsa ti sillesh rreth meje duke më kërkuar të jem lot në syrin tënd
    E unë e lënduar në heshtje
    Nuk mund të nxjerr asnjë fjalë të vetme
     
    Nëpër pika shiu shoh në dritaren e dhomës tashmë të bërë imazh mishërimi i një dashurie pa fund.
    E vetme,
    Pres fjalën tënde tretur viteve
    E dua shikimin tënd që ma trazon brishtësinë e shpirtit.
    E paqetë në qetësi sikur jam në duart e engjëjve për të më zgjuar të paktën një çast mrekullie se prapë jemi takuar.
    Mungesa jote merr me vete buzëqeshjen e shkrirë bashkë me tupanat e këngëve të mbetura pa kënduar.
    Hesht në netët e trazuara pa gjumë, pa guxuar të them
    Sa shumë më mungon.
     
    Ah, sikur ta dije se brenda meje je vetëm TI!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË