More
    KreuLetërsiBibliotekë"Dendrofili", tregim nga Shkëlqim Çela

    “Dendrofili”, tregim nga Shkëlqim Çela

    Në një segment tashmë mitik të Tiranës së shkuar, e pikërisht në Rrugën e Barrikadave dhe atë të Dibrës, do ta shikoje gjithnjë atë të metin që përqafonte drurët e rrugës me një afsh dashurori të përvëluar. Askush nuk ia vinte veshin asaj shfaqjeje erotike mbudhë, edhe pse ishte koha kur puthjet nuk lejoheshin as nëpër filma. Ato merreshin me mend, dhe një marramendje proftaste gjithnjë, sepse pikërisht kur puthja duhej të ndodhte, plani i filmit shikonte për qiell ose maja plepash, pra për laraska.

    Drurët qytetës janë si njerëzit. Ata nuk përshkruhen dot, vetëm ndjehen. Ata drurë fare mirë mund të ecin bashkë me ty, ose pavarësisht nga ty, dhe ashtu si një njëri i pëgjumur e me sklepa në sy në oborret pas avllive me musllukë e yzyrhan në fund, mund të heqin zvarrë nallanet, apo “nallnat” e t’i lenë ato jashtë (gjethet e drunjëzuara pa kthim qysh prej “Dimrit të vetmisë së madhe”), teksa i heqin te pragu para se të hyjnë brenda – sak shoje drurësh. Dikur e në mungesën tënde ata ngrinë për t’u bërë dekor rruge, derisa të shkrihen e t’i veshin prapë ato nallna për të ecur krah teje në atë pjesë Tirane që nuk i kish gjë shumë për zili Parisit, Londrës apo Romës. Ata drurë i donim (ndërsa fshesaxhinjtë i linin zbathur,) ata ishin prani e pandjeshme si çdo dashuri. Ai i meti nga trutë e kokës dukej sikur donte ta sendërtonte atë marrëdhënie, duke e çuar në domenin e dashurisë erotike. E shikoja tek i pushtonte pambarim duke ndenjur më i palëvizhëm në atë përqafim se vetë trungu. Kur vite më vonë pashë në stacionet e trenit të Perëndimit çifte që qëndronin ashtu të palëvizur në përqafimin ndarës, m’u kujtua menjëherë ai, i lektisuri pas drurëve i Rrugës së Barrikadave dhe të Dibrës, në qafimin e ngrirë me pemën e dashur, ndërsa kalimtarët ecnin përanash pa ia vënë veshin.

    Të huajt e Perëndimit përqafonin ndryshe. Ato të tyret nuk u ngjanin përqafimeve tona të vrrullshme, gjithë nerv lëvizjeje, me dëshirën për prekje e kapje të çdosekondshme, për ndukje e ndonjë kafshim që shpejtonte mos i ikte rasti, si felinët kur ndjejnë dimërimin që afron (Ndarja! Stinë me akuj e ngujime.) Drurëdashësi ynë ishte perëndimor në përqafim disa dekada para se ne ta shihnim atë llojin tjetër të përqafimit. Me siguri i njhte pemët e segmentit më mirë se çdo arborist, ua dinte çdo hollësi. Dilte duke ecur çalë-çalë, me shikimin e shtrembër dhe të paplotë prej sakati, edhe i shikonte të dashurat e tij të vëna në radhë, një pas një, në një pasarelë të përkryer prej të bukurash të dheut, me trupat e drejtë, të gatshme të ishin të tijat, t’i jepeshin me lumni përkushtimi. Nuk di si i zgjidhte, çfarë shkonte mes truve të tij të ndezur nga dashuria ksilemore, ç’e sillte afrimin tek njëra pemë që e priste e malluar, dhe çfarë e bënte të ndërronte mendje në çastin e fundit, për të vazhduar te një tjetër dru të habitur nga fati i madh e i papritur që të shijonte një përqafim njeriu, ndërsa përanash vrundullonin pa pra lloj-lloj fësh-fëshesh e shoshonesh ecëse me plot torba e halle të vogla e të vobekta. Askund dashuri, gjëkundi amore, fare opereta, arie, asnjë amami Alfredo – vokalicat nga Teatri i Operas vdisnin tek rrafshira pas Pallatit të Kulturës me pisha, hauze me peshq të kuq dhe rrugina të vogla, jepnin shpirt pa e kaluar portën e shtëpisë së Ali Pazarit dhe drurët e etur për pak ngrohtësi kordash zanore apo krahësh nuk i dëgjonin ato. Derisa vinte ai me dashurinë e vet të lastartë dhe me përqafimin prej stacionesh trenash perëndimorë. Drurët e dinin, ata japin e marrin me njëri-tjetrin, sidomos drurët qytetës, që veç sho-shoqit nuk kanë kënd, as bar, as zogj, as kroje e burime. Me siguri ata e diskutonin seancën e fundit të dashurisë së drurit fatlum me druidin e vtëm mes kryeqytetarëve bashkëkohës, hollësitë, zilitë e drurëve të mbetur pa një përqafim njeriu prej muajsh, fatin e njërit prej tyre që ndodhej në një pozicion më të mirë, më të mbrojtur nga rryma shqetësuese njerëzore, pastaj fatin e ca drurëve që kishin më shumë kufje, plagë të shkuara prerjesh të degëve që gjatë shërimit, mufatjes së lëvores rreth vendit të prerë të degës, krijonin vagina të reja, shtesë, që e ftonin drurëdashësin me atë që quhet “curb appeal”, s’thonë kot, paç fatin e kurvës, ne jemi drurë dinjitozë, pa plagë të vjetra, pa kufje shtesë, pa vrima e zgavra lëvoresh lavire, ne jemi të ndershëm dhe një përqafim njeriu e duam kur na vjen i painteresuar, se po të jetë për ndryshe dimë edhe ne që të…, se edhe ne drurë si të gjithë jemi, një kaçkë na ka bërë…

    Ndërkaq, kur qëllonte të shihja të metin të shkëputej prej drurit të vet pas seancës së gjatë, isha gati të vija bast që trungut të pemës i ishte hapur një zgavër e re, e paqenë aty më parë, vend i një kënaqësie dhe ekstaze të epërme, evolucion që ndodhte pa u ndjerë e përditë para syve tanë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË