More
    KreuIn memoriamDavid Bellos: Unë dhe Ismail Kadare: gjashtë kujtime të ‘shkrimtarit më të...

    David Bellos: Unë dhe Ismail Kadare: gjashtë kujtime të ‘shkrimtarit më të madh të epokës’

    Mes 1995 dhe 2014, David Bellos përktheu nga frëngjishtja disa vepra nga Ismail Kadare, romancieri dhe poeti më i mirënjohur shqiptar, si Kështjella, Dosja H., Pasardhësi, Piramida, Lulet e ftohta të marsit dhe Muzgu i perëndive të stepës, si dhe ka rishikuar përkthime të hershme të Kronikë në gur  dhe Kush e solli Doruntinën. Kur Kadare fitoi çmimin inaugurues të International Booker Prize në 2005 për gjithë veprën e tij, ai e ndau çmimin me Bellos, i cili në atë kohë ishte përkthyesi i tij. Pas vdekjes së Kadaresë në moshën 88 vjeçare, Bellos kujton disa nga momentet më të preferuara me autorin.

    Në kafene

    Diell apo shi, rreth orës 10 të mëngjesit do të ishte gjithmonë në karrigen e tij në cepin veri-perëndimor të Café Le Rostand, me një pamje nga cepi i portave të Kopshteve të Luksemburgut. Gjithmonë i mbështjellë me një pallto dhe kostum kaf, shpesh me një shall rrotull qafës dhe me këpucët më pak emocionuese që mund të gjendeshin që prej rënies së BRSS. Dhe gjithashtu, gërnjar për këtë! Një buzëqeshje të sforcuar teksa unë ulesha, dhe pastaj fillonin ankesat. Pse është humbje kohe të shkruar trillime këto ditë. Pse ai vërtet duhet të ndalojë së shkruari se nuk ka asnjë gjë për të thënë. Përpiqem ta shpërqendroj drejt temave më argëtuese, shumë herë më kot. Kur largohem nëpërmjet verandës, shoh tinëz me cepin e syrit Burrin nga Trolejbusi i Moskës që i kthehet të shkruarit të artikullit apo tregimit apo romanit të mençur të radhës, në bllokun që nuk e ndan kurrë nga vetja.

    Në plazh

    Në muajt e verës, me urdhër të doktorit, bënte një shëtitje 30-minutëshe çdo mëngjes në plazhin përpara shtëpisë së tij verore. Bunkerët e kohës së komunizmit ishin mbuluar me grafiti dhe mbushur me plehra; disa zhyteshin në rërë në kënde të çuditshme. Kishte copëza plastike aty-këtu, dhe algat e dala nga batica nuk mbanin aromë fort të mirë, por ne ecnim përpara gjithsesi, me të në pantallona kafe dhe çizme model i viteve ‘50, dhe unë me sandale dhe pantallona të shkurtra. Plazhi nuk kishte shumë njerëz, por ishte shumë i gjerë, dhe shumëkush notonte ose luante me fëmijët në ujin e ngrohtë të detit thuajse Jon (mendoj se teknikisht ishte ende Adriatiku). Një nga një, gra dhe burra, të rinj e të vjetër, fillonin të na shihnin, pastaj ngriheshin në këmbë, pastaj ecnin drejt nesh shtrirë në një hark të gjerë. Nuk kishte asgjë sado pak kërcënuese te një turmë me rrobabanjo të lagështa që afrohej. Në fakt, ishin çuditërisht të disiplinuar teksa formonin një rresht në anën tonë, duke na buzëqeshur e zgjatur duart, për t’i dhënë dorën e Burrit të Madh. Nga ana e tij, ai mërmëriste fjalë përshëndetjeje për secilin ndërkohë që kalonte. Kuptova se ai e bënte këtë çdo ditë, dhe se çdo ditë, adhurues dhe shërbyes besnikë dilnin nga uji për të qëndruar në radhë për t’u nderuar nga prekja e gishtave të tij. Është e vetmja herë në jetën time që jam ndjerë afër një njeriu mbretëror.

    Në shtëpi

    Ai u largua për në Francë, iu dha azil politik dhe një pagesë paraprake nga botuesi i tij për ta ndihmuar. Më pas u bë anëtar i Académie des Sciences Morales et Politiques, që është pjesë e Institutit të Francës. Instituti ka disa prona në Paris, Chantilly dhe diku tjetër, kryesisht të lëna trashëgimi. Kështu ai, bashkëshortja dhe dy vajzat e tij zunë një apartament mbi një fast-food në Bulevardin Saint-Michel, pak hapa nga Panteoni dhe Kopshtet e Luksemburgut. Si adresë, nuk mund të ishte më e madhe se kaq. Por do të ishte tepër e sjellshme ta quaje të dalë-mode. Kuzhina ishte pak më shumë se një banak, sistemet hidraulike dukej se kishin kopjuar Anglinë e Lashtë, në mos Romën e Lashtë, dhe dritaret fusnin brenda zhurmën e Bulevardit dhe tymrat e tij. Sidoqoftë, e shoqja (ndonjëherë me ndihmën e një bije dhe rrjedhimisht dhe mbesës) arriti të shtronte darka të mrekullueshme shqiptare për lloj-lloj të ftuarish të shquar. Gjithmonë në karrigen e madhe në krye të tavolinës,  ai trajtohej si kryetar familjeje, në mos monark, dhe rrallë buzëqeshte, edhe kur pjata ishte madhështore dhe e shijshme, sikurse ishte shpesh. Deri atëherë, kishte mësuar ca mbi verën franceze dhe gjithmonë lexonte etiketat, i provonte, dhe bënte komente mbi cilësinë para se t’ua kalonte shishen të tjerëve. Kishte shkuar shumë shumë larg nga Shqipëria Maoiste. Mendoj se ceremonia e tij e verës ishte mënyra e tij për të thënë: Ia dola!  Ama, nëse i shkoja për vizitë pasditeve, e gjeja në divan përpara një TV të madh duke parë futboll nga Tirana me satelit. Më thoshte gjithnjë se nuk kishte punuar kurrë më shumë se dy orë në ditë në jetën e tij. Atëherë fillova ta besoj.

    Mes të vezulluarve

    Në 2008, Galeria Kombëtare e Skocisë, në këmbën e Mound, ishte vendndodhja për grande soirée që kremtonte International Book Festival të Edinburg, ku ai i kishte folur një audience prej qindra njerëzve për romanin e tij të përkthyer sëfundmi. I paralajmëruar për kodin e veshjes prej ftesës që thoshte diçka si ‘Vezullim formal’. Mikpritësi nuk ishte askush tjetër veçse aktori Sean Connery; i paharrueshmi i parë i filmave James Bond. Ai kishte veshur një kilt dhe një xhaketë kostumi dhe ishte po aq i gjatë, i pashëm, dhe me zë të butë sa vetja e tij të ekran. U ul me Connery-n për pak dhe u fotografua me të. Njëzet vjet më parë, më tha me një nënqeshje të rrallë, thuajse të qeshur, se me atë foto do ta kishin qëlluar si agjent të MI5! Ishte aq i lumtur që i kishte lënë pas të gjitha këto. Për pjesa më kureshtare e asaj mbrëmjeje ishte kthimi për në hotel natën vonë. Ishte tepër larg për të ecur, nuk kishim prenotuar një makinë, dhe taksitë ishin të rralla. Kështu morëm një pedicab dhe ecëm drejt Princess Street, përplot me turmën e festivalit, dhe asnjë prej tyre nuk mund ta çonte ndërmend se burri i veshur me rroba mbrëmjeje të dala mode që i rrinin keq, në pjesën e pasme të një makine me tri rrota që pedalohej, ishte shkrimtari më i madh i epokës.

    Përballë kështjellës së Makbethit, Ismail dhe Helena Kadare dhe përkthyesi David Bellos (foto marrë nga “Kohë e pamjaftueshme”, H. Kadare.)

    Kompleksi

    Na takoi në aeroportin e Rinasit (tani i është vënë emri Nënë Tereza) me botuesin e tij, i cili mund t’i jepte makinës, dhe na çoi nëpër ca rrugë të prishura dhe më pas, përmes një djerrine më një gardh të lartë me tela më një portë të kontrolluar nga një roje me kallashnikov. E pyeta nëse e kishte të mbushur. Ashtu ishte, tha ai. Pas gardhit dhe rojës 24-orësh të armatosur, shtriheshin katër shtëpi me përmasa të ndryshme dhe luksoze secila në mënyrën e vet. E tija ishte me patjetër më pak mahnitëse se ajo pranë, shtëpia e një emigranti francez që zotëronte disa gazeta, ca televizione dhe një linjë ajrore të vogël, dhe prapë bënte mësime gjuhe në pishinën e tij në tarracë çdo ditë për të kuptuar se çfarë shkruanin gazetarët e tij. Nuk e bëra dot kurrë një tur të plotë të palazzos ngjitur, pasi shumica e vizitave tona ishin pranë pishinës për pije e meze. Por një rrugë për në banjo më çoj përmes dhomave plot me vepra arti staliniste – kanavaca të mëdha heroinash duke kaluar me traktorë shkëlqyes dhe buste mbi buste të Udhëheqësit. Doli që pronari nuk ishte shfrytëzues i kohëve të fundit i lirive post-komuniste, por një investitor afatgjatë në atë vend, i cili kishte filluar karrierën e tij duke furnizuar regjimin e kaluar me pajisje elektronike survejimi. Udhëtonte shpesh për punë. Ku tjetër, e pyeta? Korea e Veriut. Shtëpia e tij, sidoqoftë, ishte e hapur ndaj fqinjit të tij, shkrimtarit të madh, i cili ishte mik i mirë për buccaneer­-in. Por shkrimtarit nuk ia kishin blerë shtëpinë mbretëritë franceze dhe ndërkombëtare: ishte dhuratë nga një biznesmen i cili kishte krijuar pasuri jashtë vendit.

    Zhdukja

    Në 2005, pasi fitoi Man Booker International Prize në Edinburg, e çova në një udhëtim ditor shekspirian me një Mercedes të madh të marrë me qira. Më mësoi se nuk jam bërë për të qenë shofer. Ndalesa jonë e parë ishte Birnam Wood, dhe e dyta, Glamis Castle. Aty, pavarësisht se nuk fliste anglisht, ia arriti të mos binte dakord me ciceronin për vendndodhjen e atij-këtij detaji në jetën dhe fatin e Makbethit. E njihte vendin, i tha, që kur ishte fëmijë, sepse ishte i pari libër i vërtetë që kishte lexuar dhe i pari që kishte shkruar (duke e shkruar përkthimin shqip në dorën e tij). Ishte moment komik, por edhe prekës. E kishte jetuar jetën e tij në letërsi që prej fillimit, dhe tani ja ku ishte, në vendndodhjen e supozuar të asaj që për të do të ishte teksti themelor i gjithë veprës së tij. Vetëm ai e dinte se ç’do të thoshte vërtet. Shkuam për në St Andrews meqenëse i pëlqente gërmadhat gotike, dhe eci vetëm përgjatë murit të portit. Pastaj erdhi haar, mjegulla detare skoceze që rrokulliset në fund të ditës si një copë e madhe pambuku. Qëndrova pranë Mercedesit duke parë Ismail Kadarenë që zhdukej në mjegull, më në fund me një buzëqeshje të madhe në fytyrë.

    Përktheu Enxhi Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË