More
    KreuLetërsiBibliotekë"Dashnori", tregim nga Maksim Gorki

    “Dashnori”, tregim nga Maksim Gorki

    Shqipëroi: Roland Gjoza

    Një i njohuri im më tregoi këtë histori dashurie të çuditshme:

    «Kur isha student në Moskë me rastisi të banoj ngjitur me një nga ato, besoj, e merr me mend se për kë e kam fjalën. Ajo ishte polake dhe quhej Tereza. Një gjatovinë kurmëmadhe, ezmere, me flokë të zinj, vetulla të trasha drizë, fytyrë plloçake tejet vulgare, me tipare të pagdhendura si të hequra me hanxhar, sy pis të zinj prej nga i regëtinte një shprehje shtazarake, e frikshme, zë i trashë prej basi, ecje e kalamendur si e një karrocieri, vrull e forcë brutale muskujsh që spikatnin fort, përplot shëndet batall, që domosdo të linte mbresën se ajo përdorte argon e rëndomtë të pazarit të gjësë së gjallë: pra, të gjitha këto më ngjallnin vetëm një ndjenjë të përçudnuar llahtarie.

    Unë banoja në papafingo, ngjitur me mua ishte kthina e saj. Asnjëherë nuk e lija derën hapur kur ajo ndodhej brenda. Këtu nis historia e rrallë që dua të tregoj.

    Nganjëherë ndeshesha me të nëpër shkallë, apo në oborr dhe ajo më buzëqeshte në një mënyrë që unë s’dija si t’i përgjigjesha, sepse buzëqeshja e saj më dukej dinake dhe cinike. Herë-herë qëllonte ta shikoja të dehur, me sy të mjegullt, flokë të gafrruar, me një buzëqeshje të neveritshme. Në një nga këto takime të rastësishme, ajo me foli:

    «Ç’kemi, zoti student?!» Dhe një e qeshur prej budallaçke, që i shoqëroi këto fjalë, më bëri të ndjeja edhe më ndot ndaj saj. Shumë herë më shkonte nëpër mend të ndërroja shtëpi, që të shmangia takimin me atë femër: por ishte e pamundur, sepse nuk besoja të gjeja një dhomë më të mirë se ajo që kisha, me një pamje të pafundme, të mrekullueshme, që dukej nga dritarja dhe me një heshtje pothuaj të plotë që vinte poshtë nga rruga.

    Një mëngjes isha shtrirë në divan pothuajse në gjendje të amullt duke kërkuar një lloj shfajësimi ngaqë s’po ngutesha për të shkuar në shkollë, kur papritur dera u hap dhe u dëgjua zëri bas i Terezës, ai zë i neveritshëm që oshtiu të pragu:

    «Si dukesh me shëndet zoti student?»

    «Ç’kërkon?» – i thashë. Fytyra e saj konfuze kishte dhe një lloj lutjeje. Ajo shprehje njerëzore dukej si krejt pa vend në atë fytyrë.

    «Dëgjo, zotni, kërkoj një favor prej jush. Do të ma bëni?»

    Një copë herë mbeta krejt i heshtur, më vinin plot mendime: bëhu i mëshirshëm, i thosha vetes, në rrethana të tilla ndjen si të kaplojnë cilësitë e mira, po s’je në gjendje t’i vesh në përdorim, kurajë, jepi djalosh!

    «Dua të dërgoj një letër në shtëpi, si thoni?» Zëri i saj u bë papritur kaq lutës, i butë, i ndrojtur.

    «Ç’dreqin më gjeti me ty!» – mendova, u ngrita menjëherë në këmbë, u ula në tryezë, mora një fletë letër dhe i thashë:

    «Eja, ulu, më thuaj çfarë të shkruaj.»

    Ajo u afrua, u ul me shumë kujdes, pastaj më këqyri me një vështrim prej fajtoreje.

    «Fillojmë, kujt do t’i shkruash?»

    «Bolesllav Kashputit, në qytetin Svyeptsyana, në rrugën Varshava…»

    «Jepi, ç’pret!»

    «I dashuri im, Boles… I shtrenjti im… Dashnori im i devotshëm… Mëma ime, mëma e Zotit në qiell, mbroje atë… Ai ka zemër të artë, u bë kohë e gjatë që s’më ka shkruar dy fjalë… Pëllumbesha jote e vogël që vuan e derdh lot, Tereza.» Nuk u përmbajta, shpërtheva në të qeshura. «Një pëllumbeshë e vogël që vuan», me shumë se pesë këmbë e gjatë, një katana mishi, një fytyrë e nxirë, që s’mund ta përqasja dot me një pëllumbeshë të vogël, kur e dija se ajo kishte rrojtur me një llambë të tymtë vajguri dhe s’ishte larë një herë në jetën e saj. Duke u përpjekur të përmbaja veten, i fola:

    «Kush është ky Bolest?»

    «Boles, zoti student! – tha ajo e fyer ngaqë i kisha prishur emrin e të dashurit. – Ai e ka emrin Boles, është djaloshi im.»

    «Djaloshi!»

    «Pse, ç’ka për t’u çuditur, zotni? Një vajzë si unë, s’mund të këtë një djalë?»

    «Ajo? Vajzë? Ej, dreqin.» – mendova.

    «Oh, pse jo? – i thashë, – ç’do gjë është e mundur. Ai ka qenë i dashuri juaj për një kohë të gjatë?»

    «Po, prej gjashtë vjetësh.»

    «Oh, oh! bëra me vete. Tani le ta shkruajmë letrën.»

    Dhe, siç jua kam bërë të qartë, e, natyrisht, siç mund ta merrni me mend, unë do të isha gati të shndërrohesha në një Boles, nëse tharmi i kësaj korrespondence dashurie nuk do të kishte qenë Tereza, po dikush tjetër, e ndryshme nga ajo.

    «Ma pret mendja se duhet shumë zemër, zotni, për t’ia dalë këtyre lloj punëve, – m’u drejtua Tereza me shumë përulësi. – Ndoshta dhe unë mund të bëj për ju ndonjë shërbim të vogël.»

    «Jo, s’është nevoja, falemnderit.»

    Kryevepa botërore të tregimit të shkurtër

    «Ku i dihet, zotëri, ndonjëherë bluza juaj, ose pantallonat, mund të kenë nevojë për ndonjë arnim të vogël.»

    Ndjeva se si ky mamuth me këmishë nate kujtonte se më kishte shkaktuar një ndjenjë turpi prej asaj çka mund të nënkuptohej, po unë ia preva shkurt duke i bërë të ditur se s’kisha asnjëherë nevojë për shërbime të këtij lloji. Ajo ia mbathi.

    Që prej asaj dite kaloi një ose dy javë. Ishte mbrëmje. Po qëndroja në këmbë te dritarja duke fishkëllyer e duke menduar për gjëra që s’kishin fort lidhje me atë gjendje humbnerore ku kisha rënë. Isha zhytur në një mërzi të thellë prej motit të keq. Nuk kisha dëshirë të dilja përjashta, doja të shmangia çdo kontakt, me pëlqente një analizë shpirtërore, t’i bindesha një ndjelljeje, që na ndodh kohë me kohë, për një refleksion intim. Isha krejt i paqartë pas një pune që kisha nëpër duar, po nuk gjeja ende një pikë kthjellimi. Papritur dera u hap. Perëndia më ndihu, për fat, dikush bëri ballë në dhomë.

    «O, zoti student, po qe se nuk jeni i zënë me ndonjë punë, a mund të merreni pak me mua?»

    Ishte Tereza. O, zot, ku ma gjete!

    «Çfarë do?»

    «Dua t’ju pyes, zotëri, nëse keni kohë të më shkruani një letër tjetër.»

    «Sigurisht. Për Bolesin, ë?»

    «Jo, kësaj here më shkruan ai.»

    «Çfarë?»

    «Sa budallaqe jam! Nuk është për mua, zoti student, ju kërkoj të falur. Kjo është për një mik që e kam në mendjen time, si t’ua them, për një të njohur, po, po, për një të njohurin tim. Ai ka një zemër të ëmbël, që i pëlqen shumë kësaj këtu, pra Terezës. Merre me mend vetë ç’mund t’i shkruaj. Mundesh, zotëri t’i qëndisësh një letër kësaj Terezës?» E këqyra: fytyra e saj ishte mjaft e emocionuar, duart i dridheshin. Po më ziente koka, as që e merrja me mend se ç’duhej të bëja.

    «Dëgjo, moj zonjushë, këtu nuk ka as Boles, as Terezë, ti po më tregon një thes me gënjeshtra. Mos më mbaj asnjë të fshehtë. Nuk kam kurrfarë dëshire të merrem me trillimin e atyre të njohurve të tu të çuditshëm. Më kupton?»

    Papritur, ajo u tërhoq me një vrull çudani, krejt të panevojshëm, që e bëri të dukej si një femër torollake, tuhafe: filloi të bëjë gjeste të pakontrolluara: herë lëvizte njërën këmbë, herë tjetrën, pa vendosur t’ia kriste vrapit, duke belbëzuar në mënyrë qesharake diçka që donte të ma thoshte, po nuk mundte. Unë prisja çfarë mund të ndodhte pas gjithë kësaj, e këqyrja dhe ndieja që kisha bërë një gabim të madh duke dyshuar në dëshirën e saj më të fshehtë që kërkonte të më tërhiqte në një veprim, sipas saj, të drejtë. Por dukej mirëfilli se diçka nuk shkonte.

    «Zoti student! – thirri ajo dhe, krejt befas, duke tundur krahët si e çakërdisur, u kthye menjëherë drejt derës dhe fluturoi jashtë. Më la një ndjenjë pakënaqësie të thellë. Dera e saj u përplas fort sikur do të bëhej copë e grimë, shenjë kjo se ç’ishte në gjendje të bënte një putanë e zemëruar… U pendova, vendosa t’i shkoja në dhomë, ta ftoja përsëri dhe t’i thosha se isha gati të shkruaja ç’t’i donte zemra.

    Nuk e bëra të gjatë, hyra në apartamentin e saj. Hodha sytë përreth. Ajo ishte ulur në tryezë, mbështetur në bërryla, me kokën midis duarve.

    «Dëgjo» i thashë.

    Sa herë vij te kjo pjesë e rrëfimit ndjej me tmerr se sa i plogët u tregova, sa idiot. Ç’t’i bësh?!

    «Dëgjo», – i thashë përsëri.

    U hodh përpjetë, erdhi drejt meje me sytë që i përpëliteshin, me vuri duart mbi shpatulla dhe, duke belbëzuar gjëra pa kuptim, duke psherëtirë, me zërin e thellë e të kumbueshëm, tha:

    «Tani vërma veshin. Do të bësh kështu. Nuk bëhet fjalë për ndonjë Boles, po ashtu, nuk ka ndonjë Terezë. Po çfarë është, atëherë? E di që është një gjë e vështirë për ty të qullosësh diçka të pëlqyeshme në letër. E? E thashë tamam?

    Edhe diçka për t’u sqaruar, djalosh. S’ekziston asnjë njeri në këtë mes, as Boles, as Tereza, po vetëm unë. Kjo është ajo që ju duhet, prej kësaj do të niseni për të bërë diçka shumë të bukur.»

    «Më falni, – i thashë i befasuar krejt, gjithmonë duke pritur t’i hyja njëfarësoj në brendësi thelbit të çështjes. – Çfarë kuptimi ka e gjithë kjo? Sepse ti thua nuk ekziston Boles.»

    «Jo. Kështu është.»

    «Dhe nga ana tjetër as Tereza.»

    «As Tereza. Unë jam Tereza.»

    S’po kuptoja asgjë. U përqendrova duke e këqyrur atë lloj mamuthi aq paqësor, që më shikonte sikur të kishte përpara një injorant, u përpoqa të bëja një lidhje, një ftillim, po qe krejt e pamundur. Në atë çorodi të fjalëve të saj s’po pikasja ende diçka të arsyeshme që të më ndihmonte.

    Ajo u kthye, shkoi te tryeza në dhomën e saj, kërkoi diçka atje, bëri këmbë përsëri në dhomën time dhe, me një ton që tregonte se ishte e fyer, më tha:

    «Nëse e ke të vështirë të shkruash për Bolesin, shiko, ja, ku e ke letrën tënde, ajo që ke shkruar atëherë, të kujtohet? Merre, pra. Tjetra do të shkruhet për mua.»

    E vështrova. Në dorë mbante letrën që kisha shkruar për Bolesin. Pthu!

    «Dëgjo, Tereza, çfarë kuptimi ka e gjithë kjo? Pse duhet të gjeni një tjetër që të shkruaj për ju, kur unë atë e kam shkruar njëherë, nuk e paskeni dërguar?

    «Ta dërgoja, po ku?

    «Bolesit, pra!»

    «Nuk është i njëjti person.»

    Nuk po kuptoja asgjë. Nuk ishte kjo punë për mua, më mirë të shkoja në djall. Ajo më shpjegoi:

    «Çfarë do të thotë kjo? – shfryu ende e lënduar. – Nuk është po ai person, ju a thashë njëherë.» Dhe hapi krahët, i hapi kaq shumë si për të treguar se nuk ishte faji i saj që nuk po e kuptonin se nuk ishte i njëjti person. – Por unë dua që ai të jetë… hm, fundja, nuk është një qenie njerëzore…?

    E njoh, e njoh, natyrisht… s’mund ta quaj ende dështim që unë i shkruaj atij dhe që dua ta shoh…»

    «Më fal, po kujt?»

    «Bolesit, pra.»

    «Por ai nuk ekziston.»

    «Bjeri, bjeri! E ç’do të thuash me këtë që ai s’është? Ai nuk ekziston, por ai mund të jetë! Unë i shkruaj atij dhe kjo mjafton që ai është. Dhe Tereza…, kjo jam unë, dhe ai më kthen përgjigje dhe unë i shkruaj përsëri…»

    E kuptova më në fund. Dhe ndjeva rrëqethje, një gjendje tejet të mjerë, më vinte kaq turp, sa s’dija ç’të bëja. Ngjitur me mua, tre hapa më tej, merrte frymë një qenie e rëndomtë, por me një ëndërr njerëzore, që s’kishte asnjeri në këtë botë, me të cilin të ndante një emocion të thjeshtë, të bënte dashuri, dhe kjo e pafat e papërfillshme, krejt e humbur, kishte trilluar një mik për vete. «Dëgjo tani! Ti më shkrove një letër për Bolesin dhe unë ia dhashë atë dikujt për të ma lexuar dhe kur ai ose të tjerë, ma lexonin letrën, unë rrija e dëgjoja dhe e besoja Bolesin, për mua ai ekzistonte vërtet. Dhe unë kërkoj pastaj të më shkruajnë një letër nga Bolesi për Terezën… dhe kjo jam unë. Kur ata shkruajnë një letër të tillë për mua dhe ma lexojnë, unë jam krejt e sigurt që Bolesi më pret. Ai ekziston. Dhe jeta bëhet më e thjeshtë për mua edhe pse është e mbushur me peripeci pa fund.

    «Djalli na marrtë të dyve!» – thashë me vete kur dëgjova këto fjalë. Dhe u bë e zakonshme që, rregullisht, dy herë në javë, unë të shkruaja një letër për Bolesin dhe një përgjigje të Bolesit për Terezën. Kisha kujdes kur i shkruaja përgjigjet, se këtu qëndronte sekreti… Ajo, sigurisht, dëgjonte me vëmendje, jepte pëlqimin për çdo gjë, e dëgjoja sa herë fliste me zërin e saj të trashë prej basi. Dhe shpesh më thoshte ta përsërisja, pastaj fillonte të qante, dridhej e spërdridhej prej letrës reale nga i shfaqej Bolesi i saj imagjinar dhe shí në këtë kohë ajo gjente rast të me përmendte atë që ma kishte thënë aq e aq herë, se duhet të me arnonte vrimat në çorape, në bluza, në të gjitha veshjet e mia. Fill pas tre muajve të fillimit të kësaj historie, atë e burgosën. Pa dyshim, në këtë kohë që po flasim, ajo duhet të këtë vdekur.»

    Po më bëhej një komb në grykë prej hirit të cigareve të mikut tim, pashë qiellin i kredhur në mendime dhe u mundova të arrijnë një përfundim:

    E gjora, si çdo qenie pa fat, pas ëndrrave për një jetë më të mirë, ka provuar uri edhe më të madhe pas asaj lojë trillane, që e shpiku vetë, aq të ëmbël në fillim, po që e mori më qafë. Ne fshihemi gjoja pas virtyteve për t’i vënë në lojë ato, e çmojmë tjetrin përmes një gjykimi të mjegullt që buron nga bindja jonë e verbër se jemi pikërisht ne ata që i marrim vendimet finale dhe nuk lëshojmë qoftë dhe një fije nga ajo pagabueshmëria jonë universale, ja, këtë unë nuk e kuptoj dot.

    Dhe e vërteta e gjërave nxjerr zbuluar bukurinë e budallallëkut tonë – me kaq egërsi dhe mizori. Të përmbysim klasat, themi ne. Dhe cilat klasa do të përmbysen, a mund ta dimë? Ato përbëhen në radhë të parë nga njerëz me të njëjtat kocka, mish dhe gjak dhe nerva si të gjithë ne. Nuk lodhemi duke i shqiptuar këto fjalë, ditë pas dite, vit pas viti, gjersa vdesim. Dhe rrimë e dëgjojmë – dhe vetë djalli e di sa e neveritshme është kjo e vërtetë e gjërave. A mos jemi plotësisht të korruptuar ndërsa fshihemi pas zhurmës moralizuese që krijojmë enkas rreth humanizmit?

    Në realitet, ne jemi të gjithë të përmbysur, në një masë që s’ta rrok syri, në një pafundësi të frikshme, biem kryengulthi në humnerën e vetëkënaqësisë sonë, të dënuar përjetësisht me ndjenjën morbide të superioritetit. Por, mjaft ! E gjitha kjo është kaq e vjetër, e stërpërsëritur, sa na vjen turp kur e përmendim. Shumë e vjetër përnjëmend, po kështu është dhe kështu ka qenë gjithmonë.

    E përgatiti për botim në revistën javore «ExLibris» Xhevair Lleshi, marrë nga botimi i «Uegen», «Kryevepra botërore të tregimit botëror», 2019

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË