More
    KreuLetërsiBibliotekë“Darkave, nga nji mbas buke”, tre miniatura nga Stefan Çapaliku

    “Darkave, nga nji mbas buke”, tre miniatura nga Stefan Çapaliku

    Dom Shani

    Viti 1993. S’ka pak që janë ripahë kishat dhe xhamitë të mbylluna që më 1967. Dom Shani, ndër ma të rinjtë ndër priftat e shuguruem aso kohe, po merr në dorë frenat e famullisë së vet të re. Asht i gjatë dhe i fortë si një kalë. Ka kokë të madhe, mban syze me skelet të trashë, të zi. Energji sa të duesh. I pëlqen puna me të rinjtë dhe nuk heqë nga goja fjalën në gjermanisht “cuzamen”, që më duket se do me thanë “së bashku” ose “bashkarisht”.

    Dom Shani ka tashma edhe një makinë që ia kanë dhurue ata të “Renovabis”, një fondacion gjerman që i pëlqen të punojë “cuzamen”. Asht një furgon wolksvagen krejt i ri, shtatë vendsh.  

    Shofer i makinës u ba Njaci, djali i motrës së Dom Shanit. Njaci asht një tip po aq energjik sa daja i vet, por i mësuem me punue nëpër ndërmarrjet shtetnore të komunizmit, nuk e ka fort qefë rregullin, oraret, e sidomos marrdhaniet me pronën i ka të dyshimta.

    Njaci vazhdon me besue se jeton në një vend ku ai ban sikur punon dhe të tjerët bajnë sikur e paguejnë, edhe pse në këtë rast ata që e paguejnë janë daja i vet me shokë.

    E pra, Dom Shani po ban përpjekje të paimagjinueshme me e futë Njacin në vathë, në rrugë të Zotit, domethanë. Kësisoj, Njaci, ma së pari asht i shtërnguem, jo vetëm me asistue ndër celebrime meshësh, por edhe me i marrë e respektue të gjitha sakramentet shenjte, përfshi këtu edhe rrëfimin.

    Dje përshembull, meqënëse Dom Shani nuk e ndjente vetën mirë, kishte ardhë me dhanë meshë një prift i ri italian, që e flet shqipen boll keq, por që i ndjehen haptazi përpjekjet e jashtzakonshme nga mesha në meshë.

    Ndërkaq Dom Shani, që nuk e duron veten në dyshek edhe ashtu i sëmundë si asht, i jep vetes kurajë dhe hyn ngadalë e pa u vue re në kishë, dikur nga fund i meshës. Ai hyn në një prej rrëfyestoreve për me mujtë e me e ndihmue sadopak djaloshin italian.

    Dhe kjo paska pas qenë tamam ajo, darka, kur Njaci, mbas shumë luftnash me veten, paska pas vendosë me u rrëfye, duke shfrytëzue ratin e ardhjes së priftit italian.

    Ka mendue me vete Njaci, se italianit mundet me ia thanë ma lirshëm edhe punët ma të këqia e më shpëtue veç me ndonjë këshillë të shqiptueme keq.

    E të asht futë Njaci ashtu rryeshëm në rrëfyestore e t’ia ka nisë vetë pa e pyetë kërkush enumeracionin e mëkateve të veta, duke nisë nga ma të fundit:

    -Kam vjedhë një gomë makine rezervë, të re, dhe e kam shitë, padre.

    Veç kur po dëgjohet një si fshamje matanë kabinës

    -Ashtu?!

    -E shita. Më duheshin do pare…

    Dhe fill mbrapa sundoi një pauzë:

    -A ti Njac qenke, ë?!


    Internimi

    Në vitin 1985 isha një i ri shembullor. Më donin të gjithë. Por fati im i keq që kisha lindë në katundin ma të humbun të botës: në Qafë Diell. Nuk kalonte askush nëpër atë qafë se s’kishte ku të shkonte. Pak përpara se të mbaronte fshati jonë, atje mbaronte edhe rruga. Pra ishim disi fundi i botës (Finibus terrae). Punonim të gjithë në një kooperativë të tipit të ulët. Mbillnim duhan dhe ndanim nga 20 lekë të vjetra për ditë pune. Kësisoj që të gjithë donin të iknin prej këtu, por ishte shumë e vështirë. Nxanës aq i mirë, sa të më jepej e drejta e studimit nuk isha; biografi të mirë politike nuk kisha, por as edhe krejt të keqe ama…

    Dhe fati e desh që të vinte njëherë në katund një prej udhëheqjes së naltë, që im atë e njihte se edhe ai ishte prej të njatit katund dhe qe bashkëmoshatar me babën. I vetmi ndryshin mes të dyve kishte qenë se diku nga fundi i Luftës, ai kishte dalë në mal partizan, kurse baba në të njajtin mal, me bagëti.

    Prita sa mbaroi mbledhja dhe i dola para duke u prezantue, si djali i shokut të tij të rinisë.

    – Si e ke hallin? – pyet ai, si njeri që nuk kishte qef t’i bante bisedat tërkuzë.

    – Due të më heqësh prej këtu! – i thashë.

    – Po duhet të bash diçka, për me të heqë prej këndej – tha udhëheqësi, që si duket i kish pëlqye toni im.

    -Çka përshembull?

    -Po qe, si me të thanë… rrah dikë përshembull.

    -Si?!

    -Po. Rrahe në mënyrë që të mblidhet Këshilli dhe të propozojë që të interrnojnë. Di unë pastaj se ku të shpie. Rrugë tjetër nuk më kujtohet tash për tash.

    Kaq tha ai dhe u zhduk. Nuk kam pa në tanë jetën teme njeri ma konkret se ai, udheheqësi i Partisë në Rreth dhe Kryetar i Komisionit të Dëbim -Interrnimeve.

    Atë natë ndenja krejt pa gjumë duke përfytyrue sesi do t’i rrahja një e nga një të gjithë fshatin. Si do mund të reagonin ato e të tjera marrina si këto. Mirëpo kur erdhi mëngjesi…

    Kur erdhi mëngjesi vendosa që të rrah të parin që do të më dilte para. Më doli axha Ndoc, një burrë i mirë e komshi i emi prej kohe.

    -Axha Ndoc me ma ba hallall bre burrë, por më duhet me të rrahë… 

    -Si?!!! – tha Ndoci, por nuk pati kohë me marrë përgjigje se u këput si fiku pucalec nga grushti im.

    Axha Ndoc mbeti pa ndjenja. Unë nuk mund ta ndihmoja se s’kishte kuptim që ai që të rreh, po ai edhe të nihmon. Shikova rrotull se mos ishte dikush, por askush.

    Atëhere e lashë axhën Ndoc ashtu lëmuç e në tokë e t’u futa te klubi duke thanë me za të naltë se kisha nevojë për një raki të mirë me ardhë në vedi se sapo kisha rrahë axhen Ndoc. Mirëpo vëreja se askush nuk po më besonte.

    – Kam rrahë axhën Ndoc. Ia kam çue dhambt gjak. Ia kam rrasë kryet në pluhun. E kam lanë pa ndjenja. Ka rrezik që vdes, po nuk shkoi dikush prej jush te Shtegu i Uratës me e marrë e me u kujdesë për të.

    Kur nja dy a tre ma të rinj se unë u nisën për te Shtegu i Uratës me e ndihmue Axhen Ndoc, ai nuk u gjet aty. Rrotull nuk kishte shenja dhune, kurrfarë pika gjaku nuk dukeshin. Axha Ndoc paska pas shkue vetë në shpi e mbushë hundët me duhan.

    Mirëpo unë doja ta realizoja planin tim me se z’ban. Kësisoj vendosa ta rrahja për herë të dytë axhen Ndoc, kësaj here edhe ma fort dhe në sytë e dy a tre katundareve që ktheheshin në shpi me nga një rrotë buke kollomoqe në bohçe.

    -A e shihni moj gra? Qe, shiheni, nëse keni sy në ballë, sesi po e rrahi axhen Ndoc, se ma ka prue në maje të hundës ma ka prue.

    Vetëm mbasi që ia lashë ndër duer atyne grave axhen Ndoc, ika prej vendit të ngjarjes dhe kërkova vetë një mbledhje të Këshillit Popullor. Doja që Këshilli të tregohej i rreptë me mue, kërkoja që ndaj meje të merrej masa ma e randë.

     Por nuk qe e thanë. Anëtarët e Këshillit u ngritën të gjithë të diskutonin dhe ta interpretonin këtë gjest si një gja sporadike dhe që nuk kish fare të bantë me sjelljen time të përditshme. Madje dikush tha se te unë shikonte të ardhmen e fshatit. O Zot! Qe krijue një situatë e tmerrshme, unë që doja t’ia mbathja e ata që nuk më linin.

    Atëhere nisa të shtiresha si i marrë. Thyeja pullazet me gurë, gjuaja me llastiqe pulën e vetme të mbetun, që një vit ma parë në fshat, rrahja çdo ditë axhën Ndoc, i cili qe i vetmi që më kishte kuptue, se më thoshte në vesh:

    -Bjer more bir, bjer, se ndonjë hall do ta kesh ti. Bjer more të pastë axha…

    Dhe mbas gjithë kësaj zallamahije u desh që t’i jepja 500 lekë ndën dorë shoqes Tarazhe, që të çohej e të propozonte hapë e shkoqë në mbledhjen e Këshillt, se unë duhesha dëbue nga fshati si element antiparti.

    O Zot! Ma në fund u shkapa aso katundi. Shkova fill e te miku i babës në qytet e ky i fundit me caktoi me punue në fermë, këtu në breg deti, ku më kanë dhanë edhe karrocë me kalë dhe jam ba furrnitor. Shtoi kësaj edhe namin se rrahi njerez pa arësye, jam mirë. Po, po, falemnderës Zotit e Jezu Krishtit jam krejt mirë. Madje tesh që ndërroi edhe sistemi politik, shpejt kam me u ba edhe kryetar i Shoqatës së Persekutuemëve.


    Ormiri

    Ormir Elbasani arriti në Francë në prag të Milleniumit. Bash në zaman të luftës së Kosovës. Ai shkoi atje dhe u paraqit si një viktimë lufte, i ikun për të shpëtue kokën. (Ormir Elbasani kishte një kokë frikmënisht sferike).

    Kam ikë nga Drenica, deklaroi ai në fillim, i bindun se francezët qenë familjarizue tashma me heroizmin e kësaj krahine. Dhe për ta përforcue këtë të vertetë shtoi edhe faktin se thirrej Ormir Thaçi. E ku ta dinte Ormiri i shkretë se edhe po të thoshte mbiemrin e vet të vertetë, autoritetet e atjeshme do ta pranonin si refugjat lufte. Kësisoj Ormir Elbasani u klimatizue përbukuri me emrin Ormir Thaçi atje në Francë. Madje mbas dhjetë vjetësh mori edhe pasaportën franceze me emrin Ormir Thaçi.

    Ndërkaq Zoti kishte vendosë që ta linte gjithnjë e ma vetëm. Fillimisht i vdiq e ama dhe tash në fund edhe i vëllai. I vetmi që e lidhte me vendlindjen.

    Me vdekjen e të vëllait Ormir Thaçi erdhi në Elbasan për të shitur shpinë dhe për t’i dhanë përfundimisht lamtumirën këtij vendi.

    Mirëpo Ormir Thaçit i duhej ta shiste shpinë si Ormir Elbasani se përndryshe nuk kish si të vertetonte statusin e tij si trashëgimtar i vetëm.

    Shkoi në gjendje civile dhe pyeti sesi mund të aplikonte për t’u paisë me një kartë identiteti me emrin e tij të vertetë.

    -Më falni, por në rregjistrin tonë të popullsisë nuk eksiston një person që thirret Ormir Thaçi – i tha zyrtarja matanë kompiuterit.

    -Si?!

    -Eh, more zotni…

    -Çfarë?!

    -Kanë ndodhë gjithfarë sendesh në këtë vend…

    -Si përshembull?

    -Si përshembull dikush ka ardhë dhe mund të ketë ble identitetin tand…

    -Pra mund të ketë një tjetër Ormir Elbasani në xhiro?

    -Kaq më lejon ligja të ju them. Për më shumë nuk di. – kështu e mbylli bisedën zonja.

    Tash Ormir Thaçi ishte krejt i lirë. Madje nisi të ndjehej si fluger…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË