Përshkrimi i zhanereve në shumicën e rasteve ka kuptim logjik – fantazia ka magji, fantashkenca ka teknologji të avancuar, misteret kanë…, epo, një mister. Shih poshtë çadrave të mëdha të zhanrave dhe do të gjesh më të vogla, më specifike, si fantazi epike, opera në hapësirë, dhe thrillera domestikë.
Por në disa përshkrime zhanrash nuk duket se përshkruhet ndonjë gjë. Një “lexim plazhi”? Çfarë do të thotë kjo? Njerëzit marrin në plazh librat që kanë qejf zakonisht, apo jo? A do të thotë çdo libër që botohet në verë? Apo botuesit zgjedhin një lloj të caktuar librash për të pasur në stenda kur njerëzit shkojnë në aeroport për tu nisur me pushime?
Ndryshe nga disa kategori të dukshme zhanrash, ajo që e përcakton një lexim plazhi nuk është e vendosur. Ka një shumëllojshmëri mënyrash që një libër të cilësohet si lexim plazhi, që do të thotë se ka shumë mënyra për ty, si autor, që ta shkruash një të tillë.
Ngjarjet ndodhin… në plazh!
Elin Hilderbrand konsiderohet gjerësisht të jetë mbretëresha e leximeve të plazhit. Një e diplomuar e punishtes legjendare të shkrimtarëve të Iowa, Hilderbrand është e famshme për libra të vendosur në qytetin bregdetar të Nantucket. Librat e saj shpesh përqendrohen në marrëdhënie romantike, tensione familjare, probleme me biznesin dhe suksese, dhe, sigurisht, plazhin.
Edhe nëse nuk i ke lexuar kurrë librat e Hilderbrand-it, me siguri i gjen titujt e saj vetëm prej imazhit të kopertinës – karrige Adirondack pranë ujit, ose shapka mbi rërë. Librat e saj janë dukshëm lexime plazhi, por vendosja në plazh është gjithashtu thellësisht e rëndësishme për personazhet e saj. Mund të thuash se, Nantucket, është personazh më vete.
Fiksioni realist është dukshëm i lehtë për t’u vendosur në plazh, dhe ke pikë shtesë nëse është një qytet i vogël bregdetar me personazhe të këndshëm dhe shtëpi të bukura. Shumë seri me mistere fokusohen në qytetet bregdetarë, duke i bërë misteret e përsosura për në plazh.
Janë zemërlehtë… kryesisht
Mënyra tjetër se si librat e Hilderbrand-it janë tipikisht lexime plazhi është se konfliketet janë të lehta. Jo për të thënë se nuk janë seriozë – ekzaminimi i ngushtë i marrëdhënieve ndërpersonale dhe problemeve të grave për të përmbushur dëshirat e tyre romantike janë po aq mirë të skicuara sa te secili i të diplomuarve të programit në Iowa.
Por librat e Hilderbrand-it nuk janë frikësues apo shqetësues. Nuk ka vrasës serialë duke përgjuar rrugët e Nantucket-it të Hilderbrand-it, dhe ajo qëndron aq larg të prekurit të ngjarjeve të vërteta politike botërore sa disa e kanë krititkuar për këtë. Hilderbrand-i mund ta çojë lexuesin nëpër një karusel emocionesh, por jo ai lloj ku të duhet të shohësh video këlyshësh më pas.
Si me shembullin e Hilderbrand-it, fiksioni realist është shumë i thjeshtë të mbahet i lehtë, duke marrë me mend se nuk po shkruan krime të vërteta (megjithëse fansat e dedikuar të krimeve të vërteta do të t’i merrnin me gjithë qejf në det këto tituj).
Por çdo lloj zhanri trillimi mund të bëhet pak më i lehtë nëse do, edhe horrori. Mendo për filmat e vjetër me vrasje që kanë trembje argëtuese dhe zuzarë qesharakë në vend të gjakut dhe dëshpërimit.
Është përpirës
Pyet çdo lexues plazhi se çfarë kërkojnë kur po zgjedh tituj për udhëtimin e vet, dhe mund të kenë shumë preferenca. Por “të mos e heq dot nga dora” është me siguri në krye të secilës listë.
Askush nuk do që të lexojë një libër që nuk do ta pëlqejë. Por teksa bëjnë gati valixhet për pushime, shumë lexues duan diçka për të cilën janë të sigurt se do t’u pëlqejë. Dhe meqë e kemi vendosur se subjekti nuk duhet të jetë i rëndë më shumë sesa për një trembëdhjetë vjeçar, dhe duhet të japë atë efektin e këndshëm të të qëndruarit në plazh, leximi yt i plazhit prapëseprap nuk mund të qendrojë pa një përmbajtje tërheqëse për lexuesin.
Si shkrimtar, e di se asgjë nuk krahasohet me ndjesinë se po humbet kohë qoftë edhe vetëm tek je duke ndërruar faqen e një libri veçanërisht magjepsës. Lexuesit duan të njëjtën gjë. Dhe në plazh, duan vërtetë që historia t’i tërheqë aq shumë brenda vetes dhe të mos i lërë shtigje për t’u arratisur.
Sërish na del Hilderbrand-i si mjeshtre. Thoni çfarë të doni për trekëndëshat e dashurisë dhe romancat e ndaluara, por ka një arsye pse janë kthyer në klishe: janë një mënyrë e sigurt për t’i mbajtur lexuesit zgjuar deri natën vonë që të mësojnë se çfarë do të ndodhë.
Mendoni se çfarë bëjnë njerëzit në plazh. Notojnë, hanë ndonjë patatinë, dremisin dhe ç’bëjnë tjetër? Rrinë në plazh! Shpesh për orë të tëra, teksa fëmijët po luajnë ose pijet ju vijnë pranë në buzë të pishinës. Për shumë të rritur, koha e kaluar në një vend të bukur, pa asgjë për të bërë, është pushimi i përsosur. Dhe ku të gjesh një kohë më të mirë për të hequr telefonin dhe për të marrë një libër në dorë?
Zbavite lexuesin tënd
Trillimi letrar me prozën e shtjelluar është një gjë. Po ashtu edhe historitë e vështira rreth çështjeve shqetësuese.
Por nëse synimi yt si shkrimtar është për të prodhuar një libër, faqet e të cilit do të krijojnë dredha nga uji i kripur dhe mes tyre do të mbeten grimcat e rërës, atëherë e gjitha çfarë duhet të bësh është t’i japësh lexuesit dhuratën e zbavitjes.
__________
Chelsea Ennen është shkrimtare dhe jeton në Brooklyn bashkë me të shoqin dhe qenin e saj.