Përktheu nga origjinali rumanisht Pandi Bello
Këto pyje legjendare, të rënduara nga nata dhe misteri, mbajnë si krahë kujtimin e mbretëreshës romantike, e cila e kaloi rininë midis bredhave në Sinaia, përgjatë lumit Pelesh gjarpërues, kërcyes, të papërmbajtur, si një udhëtim dritash dhe hijesh, për të cilat Carmen Sylva i ka thënë rrëfimet, vite më parë, në faqe poezie dhe tregimesh.
Këngë dhe pyll – Carmen Sylva – ja çfarë të sjell ndërmënd emri, të cilin Mbretëresha Elisabeta e zgjodhi për të nënshkruar frymëzimet letrare . . . Carmen Sylva.
Kur ishim fëmijë e kam parë në fillim në fotografitë e librave të leximit, në gazeta me ngjyra, pastaj në realitet, në festimet e datës 10 Maj, përkrah burrit të saj të madhërishëm dhe në atë periudhë ky çift na dukej kaq larg nga imagjinata jonë sa që na ngjante ireal,
Për të mësuam nga librat e shkollës, ashtu si kishim mësuar për Aleksandrin, Çezarin, Mihai – Trimin dhe Napoleonin dhe na ngjante sikur kishte mbetur në tokë që në kohën e tyre, si porosi për epopenë mijëravjeçare të lavdisë së popujve . . .
Termopile, Salamina, Rovine, Calugareni, Austerlitz, Waterloo, Plevna,
Rahova, Smardan – emra magjikë, përzjeheshin në imagjinatën tonë prej fëmije, të bashkuar dhe të ngatërruar përtej shekujve në atë shekull pa kufi, pra në të kaluarën.
Mbreti Carol ishte ai që erdhi në Rumani me karrocën e një karrocieri dhe i cili në Calafat pati thënë : “Ja muzika që më pëlqen”. Ai ishte kapiteni, të cilit Cari i kërkoi ndihmë, ndërsa Osman Pasha , i mundur, i dorëzoi shpatën. Përkrah këtij mbreti të madh ishte mamaja e të plagosurve, mbretërsha – poete, Carmen Sylva.
Nuk e kisha imagjnuar ndonjëherë se nuk do kalonin shumë vite dhe do arrija të afrohem me atë figurë të largët, ku bashkoheshin madhështia dhe miti, që ishte shkëputur nga një mjedis i artë dhe kishte zbritur mes nesh si një zanë e mirë, e thjeshtë dhe familjare . . .
Carmen Sylva-n e kam njohur në vitet e fundit të jetës së saj në tokë. Më ftonte shpesh në pallat, në rrugën Viktoria, i cili sot nuk ekziston dhe në mes të mobiljeve të rënda, poshtë tabllove të mëdha të Ribera dhe El Greco, anës organos së madhe, bisedonim dhe, sidomos, lexonim letërsi.
Carmen Sylva-s i kam lexuar, në dy faza, dramën “Akim” dhe ndërkohë që e shkruaja dramën “Këndezi i zi”.
Mbretëresha Elisabeta dëshironte të ishte e rrethuar nga artistë dhe poetë, por ndoshta rigoroziteti i mbretit, i transmetuar zonjave të nderit, apo gafat që bënin kolegët kur ishin të ftuar në pallat i a dekurajuan këto prirje fisnike.
Ashtu si në kohën e dy mbretërimeve vijuese kam patur nderin të jem ambasadori i Carmen Sylva-s pranë Shkëlqesive të tyre, njerëzve të letrave, duke i zgjedhur dhe duke i ftuar në shtëpinë e vjetër të Goleshtilor.
Njëherë, kur i lexoja dramën “Akim”, i kam çuar E. Lovineskun dhe gjërat shkuan mjaft mirë. Një herë tjetër, pasi e zmadhova grupin, nuk ishte po aq mirë.
I shkreti S. O. Iosif e derdhi gotën e çajit në fustanin e princeshës të Elisabetas, e cila na shërbente me aq delikatesë. Kjo gjë na u duk e padurueshme vetëm neve dhe zonjave të nderit, të cilat rrinin gati të kapnin çdo lëvizje të gabuar të “të paftuarve” dhe ti zbojnë përfundimisht, me “fshesën” e tyre si magjistare dhe mos rrinin pranë mbretëreshës së mirë. Por mbretëresha dhe princeshat të befasuara nga shqetësimi dhe emocioni i lirikut delikat qeshën plot mëshirë : kjo gjë mund ti ndodhte edhe një koke të kurorëzuar.
Që në fillimet e tyre George Enescu dhe Cella Delavrancea dhanë koncerte në Pallatin e Bukureshtit dhe në Kështjellën Pelesh në Sinaia, duke marrë këtë bekim mbretëror që ia imponuan shoqërisë tonë dhe kanë bërë që të nderohen, një kohë, ata që nuk ishin as ministra, as milionerë. Mënyra se si drejtuesit e mbretërisë dinin ti prisnin artistët, konsideratën që e shfaqnin para njërëzve të politikës ishte një lloj imponimi për elitën. . Unë personalisht kam qënë jo vetëm dëshmitar, por edhe objekti i kujdesit mbretëror : si pranë Carmen Sylva-s, ashtu dhe në Cotroceni (pallati mbretëror në Bukuresht), kur pranë sallonit të madh në stil norvegjian lexoja dramatizimet e mia nga romanet e Mbretëreshës Maria “Jargavani i jetës” apo “Ilderim”dhe më rezervohej vëndi i nderit, përballë saj, kolltuku të cilin e zinte mbreti Ferdinant kur ishte atje.
Zonjat e nderit, sekretarët, njerëzit e politikës të ftuar rastësisht, rrinin më tutje, diku në hije, të emocionuar dhe modestë.
Në vargun e gjatë të muzikantëve të cilët i ka mbështetur Carmen Sylva ka qënë edhe D. Dinicu. xhaxhai i Grigoras Dinicu-t, njeriu emri i të cilit, me pa të drejtë, është harruar dhe të cilit Filharmonia i detyrohet aq shumë: ai ka organizuar orkestrën e Ateneut (Filharmonia e Bukureshtit) dhe ka zgjuar shijen e publikut të madh për koncertet simfonike.
Carmen Sylva kishte një mirësi, një besim tek njerëzit dhe një mungesë të njohjes së realiteteve, të cilat e shpinin deri në naivitet. Pastërtia morale e Carmen Sylva-s ishte shprehje e një temperamenti romantik, i cili besonte në sinqeritetin e shpirtit njerëzor. Edhe pse nuk e kishte ndjesinë e realiteteve – për nuk di se cilin pasanik amerikan thoshte se i kishte dhuruar një shoqerie mirëbërëse ose kishte blerë diçka në vlerë prej pesëdhjetë miliardë dollarë – mbretëresha Elisabeta, përveç inteligjencës së madhe, zotëronte një shpirt vrojtues të mprehtë.
Rumunët kanë shumë cilësi, por nuk dinë të admirojnë. Duket sikur kanë turp të shfaqin kënaqësinë, entusiazmin para diçkaje të bukur. Në rini – kur sapo ishte ngritur Kështjella Pelesh – isha në Sinaia, gjatë verës, me gjithë Oborin, qeverinë, diplomatët e huaj dhe njerëz të mirë të vendit. Pranë meje kisha një fshatare shumë inteligjente, por e cila më dekurajonte me skeptiçizmin dhe me mungesë e çdo ndjenje kënaqësie të lartë. Për atë, vetëm për atë, për ti nxjerrë një një thirrje admirimi, bëra një ballo në Kështjellë në kulmin e verës. Ju dërgova fjalë diplomatëve, oficerëve të vijnë me uniformat më të bukura dhe zonjat me fustanet dhe xhevahiret më të shtrenjta. Njerëzit thoshin “është çmëndur Mbretëresha”, por unë nuk u ndala. Megjithëse ishin ditë pushimesh, jam përpjekur që balloja të ketë madhështinë e festimeve më të shkëlqyera.
Kur gjithë njerëzit ishin mbledhur në dy rreshta, në sallën e madhe të ceremonive, hyra dhe unë bashkë me mbretin Carol, nën tingujt e himnit mbretëror. Vesha pelerinën më të gjatë dhe të gjitha bizhuteritë. Nën llambadarët e ndezur, nën shkëlqimin e uniformave, të tualeteve, të kornizave të tabllove, të mobiljeve, të luleve – u ndërtua një pamje fantastike që rrallëherë e shohin sytë e njerëzve. Atëhere, plot krenari, i sigurt për efektin, i thashë fshatares që e thirra afër meje dhe për të cilën inskenova gjithë këtë pamje fantastike :
Si thua?, Të pëlqen?
Hëm! u përgjigj ajo. Nuk është keq!
Kaq tha: “nuk është keq!”. Për ne të gjithë, ajo ballo ishte gjithë çfarë kishim parë më të jashtëzakonshme, si madhështi dhe shkëlqim. Për rumunkën time “nuk ishte keq”.
Edhe një gjë që nuk e kuptonte e ëmbla mbretëreshë ishte frika jonë nga dritaret e hapura : nga ajri.
Pse e ndjejnë kaq të ftohtin rumunët, sidomos gratë?Ja, unë nuk mund të
hap një dritare, sepse sulen të gjitha zonjat e nderit ta mbyllin dhe pastaj nuk mundem më!. . .
Kjo nevojë për ajër gjithmonë të freskët ka qënë fatale. Duke hyrë në një korent, duke shkelur zbathur, mbi pllakat e mëdha prej guri të pa mbuluara, Carmen Sylva u ftoh dhe vdiq, disa muaj pas burrit të saj të dashur dhe të lavdishëm, vdekja e të cilit shkaktoi dhimbje dhe shqetësim tek të gjithë njerëzit largpamës të këtij vendi, të cilët nuk e imagjinonin se mbreti , i cili i rriti dhe i ngriti ata dhe gjithë vendin do vdiste dhe Ai një ditë.
Me të drejtë ka thënë apo ka shkruar dikush për vdekjen e Carol-it të parë :
– Sikur na ka vdekur secilit prindi për herë të dytë . . .
Mbretëreshën Carmen Sylva e kam parë për herë të fundit në verën e vitit 1914. Banoja në rrugën Shën Jonikë, në një shtëpi që sot është prishur, mbi restorantin Enescu. Dritarja e dhomës time të fjetjes ishte në anën e kopshtit të pallatit. Midis majave të trungjeve shihja dhomën e poetes-mbretëreshë nga dritarja që nganjëherë ndriçonte deri natën vonë.
Nga fundi i Majit mbretëresha Elisabeta, e cila kohën e fundit nuk priste njerëz, më thirri. Hyra përmes rrugës Viktoria, kalova anës krahut djathtë të pallatit që të zbrisja në kopësht, ku, midis zonjave të nderit dhe disa të ftuarve, ishte dhe Carmen Sylva.
Përpara se të arrija në kopësht kam provuar një nga emocionet më të forta të jetës time: i mbështetur në një dritare po rrinte një njeri në moshë të madhe, me dorën e djathtë mes kopsave të bluzës dhe me dorën e majtë të ngritur, të mbështetur në prevazin e dritares. Vështronte në boshllëk me sytë plot trishtim.
Një plak i mirë, i heshtur, ëndërrimtar … Nuk guxova as ti përkulem, që të mos i turbulloja gjëndjen shpirtërore që i kishte krijuar ëndërrimi. Kalova ngadalë pranë tij dhe e lashë vetëm.
Vetëm. Një plak i vetmuar në një dritare… Si ? Ky është njeriu nga Calafati,
nga Plevna, i librave të shkollës, gjigandi i cili përshëndeste nga kali dhe i cili e mrekulloi mbretëreshën kaq shumë…
Kur nga dritëhijet e hapësirave mbretërore arrita në dritën e gjelbër të kopshtit të lulëzuar, Carmen Sylva më priti me një buzëqeshje të madhe dhe me krahët e hapura.
-Hajde të të puth! Të të uroj! Çfarë vajzë do marrësh! . . .
…Porsa isha fejuar me Axhepsina Makri, e cila deklamonte që atëhere, aq bukur, vargjet dhe e cila e kishte mrekulluar shumë herë mbretëreshën…