Përktheu Roland Gjoza
MJEGULLA
Mjegulla erdhi
Me hapa të vegjël si mace
Rri dhe vështron
Mbi rrafshinën dhe qytetin
Me qetësinë e fantazmës
Dhe niset sërish.
BARI
Pirgu i trupave të tyre në Austerlitz dhe Waterlo
Lopata i futi poshtë, më lini të punoj
Jam bari, ata mbuloj
Dhe pirgjet e tyre në Gettysburg
Dhe pirgjet e tyre në Ypres dhe Verdun
Lopata i futi poshtë, më lini të punoj
Dy vjet, dhjetë vjet dhe pasagjerët pyesin konduktorët;
Po tani ku jemi?
Këtij vendi si i thonë?
Jam bari
Më lini të punoj.
VAJZË ËNDRRE
Ti do vish një ditë si dallgë dashurie
E butë si vesa, e vrullshme si shiu
Bronzi i diellit do të mbetet në lëkurën tënde
Fërmimi i puhisë në të folurën mërmëritëse
Qëndrimi yt do t’i ngjajë hirit të një luleje në koder
Ti do të vish me krahët e tu të hollë elastikë
Me një lëvizje të kokës që asnjë skulptor s’e ka kapur
Dhe do të flasin me nuanca shpatullat dhe qafa
Fytyra jote me ndryshime fine të gjendjeve
Si ndryshimet e qiejve në befasi kapriçiosh
Me re, me blu, me një diell të hollë magjepsës
Por
Ti mund të mos vish, o vajzë e ëndrrës
Ndërsa koha kalon dhe bota shkon larg
Merrma një shikim, që syri syrin të shohë
Si një film shprese, si një ditë që do të mbahet mend
TEMË MBI TË VERDHËN
( Halloween )
Dal nga kodrat
Me fenerë të verdhë vjeshte
Ndez preritë, misrin nëpër fusha
Portokallet, me shndritje ari
Dhe veten time, se unë quhem kungull.
Është fund tetori
Dhe muzgu bie i verdhë
Fëmijët bashkojnë duart
Dhe vijnë rrotull meje
Këndojnë këngë fantazmash
Dhe hënës i këndojnë
Hënës së të korrave
Unë jam një fener- djall
Me dhëmbë të tmerrshëm
Dhe fëmijët e kuptojnë
Pse bëj si i çmendur
NË BARIN E GJATË
Bletë dhe pite mjalti në kafkën e tharë të një kali në një cep kullote
Një kafkë në barin e gjatë dhe një zu zu dhe një gumëzhitje me zu zu të gjuetarëve të verdhë të mjaltit
Dhe unë nuk kërkoj më mirë se ato, fjalë boshe në një fletë
( mbi tokë dhe nën diell )
Lërini bletët te shkojnë, këta gjuetarë mjalti duke lëvizur krahët me njolla të verdha mbi kokën time, këtë tollovi zhurmuese rreth kafkës sime
Lërini të kenë krahë dhe pluhur të verdhë mbi krahë dhe zukatje ëndrrash mjalti
Kush humbi dhe kujton? – Kush ka dhe harron?
Në shkëlqimin blu të hënës mbi kafkën dhe nën piten e varur të mjaltit bletët venë e vijnë, bletët kthehen në fole dhe flenë.
MEGI
Lus zotin që kurrë mos t’i hedhë sytë nga ty, Megi!
Lus zotin që të mos e lësh punën dhe të vish me mua
Të mos japim para për celebrimin dhe fustaninin e bardhë
Për martesën tonë dhe të mos betohemi para priftit
Duke thënë se do ta duam njëri-tjetrin dhe do të kujdesemi për njëri-tjetrin
Përjetësisht për aq kohë sa dielli dhe shiu do të ekzistojnë
Oh, sa kam dëshirë që ti, Megi, të jetoje larg prej këtu, të mos takoheshim më kurrë
Dhe unë një kufomë e gjallë, një mijë kilometra larg, që heq e vuaj
Uroj që fëmijët të mos vijnë kurrë
Të mos ketë qira, qymyr dhe rroba për të paguar
Të mos ketë shitës që kërkon para te thata në dorë
Se çdo ditë duhen para për bathë dhe kumbulla të ngrira
Lus zotin që kurrë mos t’i hedhë sytë nga ty, Megi!
Uroj që fëmijët të mos vijnë kurrë.
SFINKSI
Me gojën mbyllur pesë mijë vjet dhe kurrë nuk e lëshove një psherëtimë
Erdhën procesione, pelegrinë, bënë pyetje dhe ti u përgjigje me sytë gri që kurrë s’patën dritë, me gojën e mbyllur që kurrë nuk foli
Asnjë kërmitje prej gjithçkaje që ti di nuk ka ardhur nga macja e mbledhur kruspull, e moshës tënde
Unë jam një nga ata që i di të gjitha ato që ti s’i thua dhe nuk bëj pyetje sepse i di përgjigjet e tua
KËMISHA
Mbaj mend një herë kur vrapoja pas teje dhe shihja si tundej këmisha jote në erë
Një herë tjetër shumë ditë të shkuara teksa pija diçka imazhi yt u drodh dhe rrëshqiti nëpër sende
Dhe përsëri ishe ti, askush tjetër ajo grua që shkoi duke kënduar
Dhe një natë kur u ula rreth zjarrit për të treguar diçka ndërsa prushi i kuq me flakëza gjuhësh fliste me yjet e bardhë;
Ishe ti aty duke u përtypur
Në hijet e plogëta aq mahnitëse
Kujtesa më kthen imazhe të thyera, që gjithsesi tregojnë se ti je gjallë
Me një fytyrë fantome prapa një dere teksa qyteti zvarritet e shtyhet si i marrë
Ti je sërish ulur mbi myshk duke pritur në heshtje, në një kthesë,
Në pyllin me lisa, gati për të vrapuar si kurrë ndonjëherë dhe unë që të ndjek duke parë si tundet këmisha jote në erë
PRELUDET TONA NË LOJËRAT E ERËS
E shkuara është një kovë me hi.
1
Gruaja me emrin Nesër
Ulet me një karficë ndër dhëmbë
Dhe merret me veten
I bën flokët siç i pëlqen
E lidh më në fund gërshetin, mbledh dhe fijet e fundit
Dhe ngul karficën në vendin e duhur
Dhe kthehet dhe tërhiqet befas; çfare ndodhi?
Gjyshja ime me emrin Dje, sapo iku. Ku shkoi?
Lëri të vdekurit me të vdekurit.
2
Dyert ishin prej kedri
Dhe shiritat e paneleve prej ari
Dhe vajzat ishin të arta
Dhe panelet shqiptonin me zë dhe vajzat këndonin me zjarr;
Ne jemi qyteti më i madh
Më i madhi komb
Askush nuk ka qenë më mirë se ne,
Asnjëherë!
Dyert shqyer, menteshat thyer
Pëlhurat e shirave grisen nëpër erë
Dhe panelet shqiptojnë me zë, vajzat e arta këndojnë me zjarr;
Ne jemi qyteti më i madh
Më i madhi komb
Askush nuk ka qenë më mirë se ne
Asnjëherë!
3
Kjo ndodhi dikur.
Burra të fuqishëm ngritën një qytet dhe krijuan
Së bashku një komb
Dhe paguan këngëtarë të këndonin
Dhe gra të cicëronin; Ne jemi qyteti më i madh
Më i madhi komb
Askush s’ka qenë më mirë se ne
Asnjëherë!
Dhe ndërsa këngëtarët këndonin
Dhe burrat e fuqishëm dëgjonin
Dhe mbulonin me para këngëtarët
Dhe ndjeheshin për gjithçka të gëzuar
Atje u mblodhën minj dhe hardhuca për të dëgjuar
Dhe dëgjuesit e vetëm që kanë mbetur tani
janë … minjtë dhe … hardhucat!
Por atje erdhën dhe korbat
Duke u çjerrë; Krrau! Krrau!
Dhe sollën baltë dhe shkopinj
Foletë për të ndërtuar
Mbi fjalët e gdhendura me ar
Në dyert me panele prej kedri
Në shiritat e paneleve prej ari
Ku vajzat e arta dilnin dhe këndonin me zjarr;
Ne jemi qyteti më i madh
Më i madhi komb
Askush s’ka qenë më mirë se ne
Asnjëherë!
Dhe të vetmit këngëtarë që këndojnë tani; Krrau! Krrau!
Dhe pëlhurat e shiut që bien trishtëm nëpër erë dhe mbi portat
Dhe degjuesit e vetëm; … minjtë dhe… hardhucat.
4
Këmbët e minjve
Shkarravisin në pragjet e dyerve
Hieroglife të çuditshme gjurmët e tyre
Llomotit me gaz raca e përhime
Dhe buçet gjaku i ndyrë
Dhe ngrihet lart tollovi e hareshme
E gjyshërve dhe stërgjyshërve
Të minjve.
Dhe është tjetër erë
Dhe ngrihet tjetër pluhur në pragjet e dyerve
Madje dhe gjurmët e minjve
Nuk tregojnë më asgjë, asgjë fare
Për qytetin më të madh, kombin më të madh
Ku burrat e fuqishëm dëgjonin
Dhe gratë cicëronin; Askush s’ka qenë më mirë se ne
Asnjëherë!
E DREJTA PËR TRISHTIMIN
Për poetët që padyshim do të vdesin.
Merreni mbrapsht keqardhjen tuaj të fshehtë, trishtimin e parfumuar
Për vdekjen e fëmijës së milionerit
Dhe mëshirën e Vdekjes që kundërshton nënshkrimin e ndonjë çeku
Të cilën milioneri urdhëron sekretarin ta tërheqë nga banka
Dhe ta japë kesh.
Kjo është!
Ju për trishtimin tuaj, unë për timin
Me lini të kem hidhërimin tim në qoftë se dua.
Unë do të qaj mbi fëmijën e vdekur të një punëtori ferme
Puna e tij është të pastrojë gjakun e derrit nga dyshemeja
Ai merr një dollar e shtatëdhjetë cent në ditë
Kur lan dhe pastron me fshesë dhjetra govata me gjak
Tani vajza e tij tre vjeçe
Prehet në një arkivol që i kushton atij pagën e një jave
Çdo të shtunë në mbremje ai do t›i paguajë sipërmarrësit pesëdhjetë cent
Gjersa të shlyejë borxhin.
Punëtori dhe gruaja dhe fëmijët e tij
Qajnë mbi fytyrën që fle në një paqe të pafundme në arkën e bardhë.
Ata kujtojnë kohën kur ishte e dobët dhe faturat e mjekut ishin të kripura
Dhe ndihen të lehtësuar që një pjestar i familjes s’është më
Dhe më shumë do të kenë për të ngrënë dhe për t’u veshur
Megjithatë përpara madhështisë mistike të vdekjes ata rrijnë dhe qajnë rreth arkëmortit
Dhe fshijnë sytë me shallet e kuq dhe psherëtijnë kur prifti citon Biblën;
“Zoti na mëshiroftë të gjithëve!”
Unë kam të drejtë të ndiejë fytin që më djeg për këtë vdekje.
Ju keni trishtimin tuaj, unë timin- ja, kështu!
Të nesërmen nuk ka kurrfarë funerali dhe punëtori do të kthehet në punë
Për të pastruar gjakun e derrit për një dollar e shtatëdhjetë cent.
Është një lumë i vërtetë gjaku që ai e lan dhe e fshin me fshesë, e vetmja gjë që bën çdo ditë në fermë.
ÇIKAGO
Kasap derrash që punojnë për botën
Prodhues makinerish, grumbullues gruri
Lojtar që luajnë bixhoz me hukurudhat dhe kombet
Punëtor ngarkim- shkarkimi
Stuhi, egërsi, përleshje
Qytet i shpatullave të mëdha
Ata më thonë se qenkam i lig dhe unë i besoj, sepse kam parë gratë e tyre si piktura nën llambat e gazit që joshnin djemtë e fermës
Ata më thonë se jam i pandershëm dhe unë iu përgjigjem; po, është e vërtetë, sepse kam parë njeriun e armatosur të vrasë dhe të lihet i lirë për të vrarë përsëri
Ata më thonë se jam i ashpër dhe pergjigjja ime është kjo; në fytyrat e grave dhe fëmijëve të tyre kam parë shenjat e urisë së tmerrshme
Dhe duke iu përgjigjur, merrem sërish me ata që tallen me qytetin tim dhe ua kthej talljen me këto fjalë;
Ejani më tregoni një qytet tjetër që di ta mbajë kokën lart dhe këndon aq krenar që është gjallë, i trashë, i fuqishëm dhe dinak.
Furia e mallkimeve prej mundimeve nga njëra punë në tjetrën, për një copë bukë, këtu është një mur i gjatë, i guximshëm kundër qyteteve të vegjël, paqësorë, të butë;
I egër si një qen që gjuha i leh për veprim, dinak si një barbar përball shkretëtirës;
Kokëjashtë,
Me lopatë,
Duke shkatërruar
Duke planifikuar
Ndertime, shkatërrime, rindërtime,
Tym, pluhur, plot goja e tij, duke qeshur me dhembët e bardhë
Me fatin e mbrapshtë si kryq mbi shpinë, qesh si një i ri kur qesh
Qesh kur një luftëtar injorant qesh, i cili nuk ka humbur kurrë një betejë
Mburret dhe qesh se nën kyçin e dorës së tij është pulsi që rreh dhe nën brinjët e tij zemra e popullit;
duke qeshur!
Me të qeshura stuhish shkatërrimtare s’ka fund e qeshura e tij me bukurinë solemne, të egër, të rinisë,
Gjysmë i zhveshur, i mbytur në djersë, krenar që është kasap derrash, prodhues makinerish, grumbullues gruri, lojtar i hekurudhave, i transporteve, hamall i kombeve.
KUSH JAM UNË?
Trokas kokën në yje
Majat e gishtërinjve të mi prekin fushëtirat dhe brigjet e jetës universale
Poshtë në shkumnajën buçimtare të gjërave siperane arrijnë duart e mia dhe luajnë me guralecat e fatit
Unë kam qenë në ferr dhe serish jam kthyer atje
Unë di gjithçka për qiellin, sepse kam folur me Zotin.
Unë jam mbërthyer në gjakun dhe rropullitë e qenies më të perbindshme
Njoh pasionin për të bërë për vete të bukurën
Dhe rebelimin madhështor të njeriut përballë gjithë shenjave penguese: Mos u afro!
Emri im është e verteta dhe unë jam robi më i paprekshem i universit.
LUTJE PREJ ÇELIKU
Më shtri mbi një kudhër, o Zot
Më rrih dhe më godit me një levë
Më lejo të shkëputem nga muret e vjetër
Nga themelet e vjetër më lejo të çlirohem
Më shtri mbi një kudhër, o Zot!
Më rrih, më godit e më ngul një gozhdë çeliku
Më fut në trarët që të mbaj bashkë me ta një rrokaqiell
Merr thumba të nxehtë dhe më mbërthe në trarët qëndrorë
Më ler të jem gozhda madhështore që mban një rrokaqiell midis yjeve të bardhë nëpër netët blu
TESTAMENT
Iu jap leje sipërmarrësve ta çojnë trupin tim
në varrezë dhe t’i lenë atje të gjitha, kokën
këmbët, të gjitha; unë e di që ka mbetur diçka
që ata s’mund ta marrin
Lërini dhitë barrse dhe cjept e kasolleve
dhe njerëzit të hanë tërfilin mbi varrin tim dhe në qoftë se ndonjë grusht flokësh
të verdhë ose tym lulesh blu ka gjetur kohën per t’u rritur mbi mua
lërini fëmijët me duar të ndyra të kasolleve
dhe njerëzit t’i mbledhin këto lule
Unë kam patur mundësinë të jetoj me njerëz që kanë pasur shumë
dhe me njerëz që kanë pasur pak dhe unë zgjodha
një nga të dy dhe nuk i kam thënë askujt përse
Ç›MUND T›I THOTË NJË AT BIRIT TË TIJ
Kur shikon se djali po bëhet burrë
ç›mund t›i thote një at birit të tij?
“Jeta është e vështirë; bëhu çelik, shkëmb”
Kjo mund ta bëjë atë të qëndrojë i fortë.
Jepi këshilla për monotoninë e mërzitshme
drejtoje në mes të tradhtive të papritura
mësoje si të dalë nga momentet e plogështisë
jeta është tokë e butë pjellore; ji i sjellshëm, merre lehtë!
Dhe kjo gjithashtu mund t’i shërbejë atij.
Bisha mund të zbutet aty ku s’bën punë kamzhiku
rritja e një luleje delikate në një shteg të vështirë
nganjëherë ka copëtuar dhe ndarë një shkëmb.
Një vullnet i fortë është pasuri. Po kështu dhe deshira.
Të dëshirosh fort dhe butë
pa patur deshira të pasura asgjë nuk arrihet.
Thuaji atij se shumë para kanë vrarë njerëz
dhe të vdekurit i ka lënë me vite pa varrosur;
pasurimi i shpejtë përtej nevojave të përditshme
ka shndërruar mjaft njerëz te etur për para
në krimba skamnorë poshtë dherave të zinj.
Thuaji atij se me kohë gjërat mund të humbasin.
Thuaji që të jetë ca më shpesh budalla
të mos ketë turp për të qenë budalla
sepse kështu do të mësojë diçka nga çdo marrëzi
dhe do të shpresojë të mos përsërisë shumë prej tyre
duke arritur kështu një mirëkuptim me veten
ne një botë që numëron shumë budallenj.
Thuaji atij të rrijë me shpesh në vetmi
mbi të gjitha të mos gënjejë veten
qofshin dhe gënjeshtra të vogla mbrojtur nga fortesa të forta
ai mund t’i përdorë ato kundër njerëzve
thuaji atij se vetmia ështe krijuese në qoftë se është i fortë
vendimet përfundimtare merren në dhoma të heshtura.
Thuaji atij të jetë ndryshe nga të tjerët
në qoftë se i vjen natyrshëm për të qenë ndryshe.
Lëreni të kalojë ditë parazite duke kërkuar shkaqet
lëreni të rrëmojë thellë për të gjetur arsyen fillestare
atëhere ai mund të kuptojë Shakespeare
vëllezërit Wright, Pasteur, Pavlov
Michael Faraday dhe imagjinatat e lira
duke sjellë ndryshim në një botë që e urren ndryshimin
ai do të jete mjaft i vetmuar
duke menduar për punën
që tani është mirëfilli qëllimi i tij