More
    KreuArte pamoreBulevardi i përkryer i Edi Hilës - Nga monarkia tek italianët,...

    Bulevardi i përkryer i Edi Hilës – Nga monarkia tek italianët, komunistët e protestat…

    Nga Violeta Murati

    Hyrja në një muze nuk është gjithnjë argëtuese, siç mund të ndodhë në kryeqytetin shqiptar, kur historisë i kanë “fjetur” epokat qoftë edhe mbi një vepër arti. Ka arsye politike, estetike, por edhe një ego konkrete pse një piktor si rasti i Edi Hilës të rrëfejë këtë histori, në një natyrë retro. Nuk ka asnjë mëdyshje që ky piktor është par exelence për një terren të pazhvilluar mirë, e ku sistemi i vlerave po kalon një fazë kaotike si kjo e tanishmja, duke u shpallur si shqetësim për ata që kërkimet i kalojnë jashtë kufijve. Në 2018-ën, ekspozita e Edi Hilës në Galerinë Kombëtare të Arteve ishte e vetmja ngjarje në artet pamore që tërhoqi vëmendjen e publikut, por edhe e vetmja me të cilën u identifikua ky institucion përgjatë një viti. Udhëtimi në retro i Hilës vjen pas përvojës që artisti kaloi në muzeun e Varshavës dhe Dokumenta 14 të Athinës, ku dinjiteti i njeriut dhe epoka shqiptare e komunizmit krijuan tablonë reale pse gjurma artistike e Hilës i ngjan një fenomeni. Bashkë me piktorin kemi marrë një udhëtim, një bisedë të kapërcimit të kohëve. Si një piktor ndalet para “krijesës” së tij, tashmë të kryer, dhe jep një vetëdije, individualitet artistik, jo duke refuzuar, por duke eksploruar mbi kohë të humbura dhe indin gjenetik të tij, të nisur e ndërprerë, që sot ka një afirmim jashtë kufijve, m’u për këtë arsye.

    -V. M: Me të hyrë në këtë ekspozitë ne kemi një pamje gri, që tregon ndoshta jo vetëm retron tuaj, por një raport estetik me çfarë keni përjetuar në dy epoka. Cili është sot Edi Hila në këtë raport?
    -Edi Hila: Nëse nisemi nga këto tablo, nga seria e Bulevardit dhe seria tjetër e Penthausit, nuk është i shkëputur nga vetë bulevardi, nga objekti i pikturuar. Pra, objekti im i pikturimit nuk është më një natyrë e qetë, njeriu, por është bulevardi “Dëshmorët e kombit”. Në të gjitha tablotë shqetësimi ka qenë si do ta pikturoj. Këtu janë tri-katër momente të një portreti, ku në një rast duket perspektiva e bulevardit, që është një kënd pamje; në një rast është shatërvani; në një rast tjetër është Kryeministria që unë i kam rënduar poshtë elementet e shatërvanit, që nuk ekzistojnë, por që janë fiksimi im; më pas, në rastin tjetër është një njollë e zezë, që në realitet është një pemë e vogël që i del mu përballë Ministrisë. Këtu ka pesë piktura aq sa janë portrete të bulevardit. Kjo është e lidhur me shumë arsye të miat të cilat janë estetike, që kanë buruar nga vetë arkitektura e këtij bulevardi që është shumë e specifikuar, shumë e veçantë në aspektin e organizimit të proporcioneve, dimensioneve, harmonisë që për mendimin tim është diçka e përkryer dhe ky është një lloj neoklasiku nga arti i hershëm i klasikut grek apo romak që vjen përmes një filozofie, e që shoqërohet nga një ideologji, siç është ajo e diktaturës; e grande imperos, siç ishte ajo e Musolinit. Sigurisht, shqetësimi ishte që në këtë seri të bëhej prezente kjo lloj prekjeje, kjo filozofi me këtë pjesë të historisë.

    -Edi Hila, një piktor që nuk pranoi të mashtrohej nga gjurmët e transformimit, në ndjekje të kërcënimeve të ndryshimeve që vinin bashkë me të. Duke prezantuar artistët e mënjanuar nga Europa Lindore, Muzeu i Artit Modern në Varshavë para pak kohësh me këtë argument i referohej veprës së Hilës, duke paraqitur për herë të parë krijimtarinë e tij në këtë muze.
    I njëjti pasazh është transferuar në Tiranë, duke u përfshirë në projektin Piktori i transformimit, në rastin e Hilës të lidhur me Shqipërinë e dikurshme në raport me ndryshimet e sotme. Puna e pas ’90-ës, – kur artisti ndjek kërkimet e tij drejt pikturës, se si ai vëzhgoi me kujdes jetën pas rënies së diktaturës, në përpjekje të përshkruajë realitetin e transformimit shoqëror – është e shfaqur në serinë novatore Comfort (1997). Duke vazhduar në këtë rezistencë të realitetit, Hila vendoset në disa seri, ndër më të rëndësishmet: Paradoks (2000-2005), (2002-2014); Kërcënimet (2003-2009); Objekte në rrugë (2007-2010); Bulevardi “Dëshmorët e kombit” (2015); dhe Një tendë në çatinë e makinës sime (2017). Kuratorët e ekspozitës, Kathrin Romberg, Erzen Shkololli dhe Joana Mitkovska, e vlerësuan këtë lloj pikture nga detajet të cilat ai i shfrytëzon për të përcjellë të vërtetën psikologjike të fenomenit të vëzhguar. Duke përzgjedhur me kujdes temat, te Hila veçojnë forcën e autenticitetit të vëzhgimit të përditshëm, si dhe universalitetin e parimit ekzistencial. “Në versionin e tij, kjo shmang transformimin në Europën Lindore të aksidentit ose aventurës tipike të shumë prezantimeve dhe i jep asaj peshën e të vërtetave, sikur të ishte kronisti i tij përfundimtar”. I mbështetur te klasicizmi, piktura e Hilës shihet si një magjepsje me burimin te Rilindja. “Është sikur modernizmi të zhduket nga fusha e tij e interesit dhe nuk ka dilema të modernitetit. Kjo është arsyeja pse transformimi, në përplasje me traditën klasike të pikturës dhe të ekuilibrit të kuptuar në shpirtin e largët të Rilindjes, e përcjell në mënyrë të qartë ndarjen dhe goditjen ndaj harmonisë dhe rendit. Nga ana tjetër, ajo është e rrënjosur në dilemat njerëzore që janë të vështira për t’u fshehur”. Mbi këtë ide ekspozita e Edi Hilës në Muzeun e Artit Modern në Varshavë u pa në kontekstin e një sërë ekspozitash të përkushtuara për artistët e anashkaluar nga Europa Lindore, ku gjatë viteve të fundit në këtë muze ka pasur disa ekspozita monografike. Por ky projekt shtrihet përtej kuriozitetit akademik ose nevojës historike.

    -Kjo nevojë historike, ashtu siç mund të thërritet “shpirti i së kaluarës”, nis ekspozitën me ciklin Bulevardi “Dëshmorët e kombit”, për të cilin tregon: “Bulevardi kryesor në Tiranë është një vend simbolik dhe plot ambiguitet, i cili mbart shumë kuptime të ndryshme. Ai ofron një pasqyrë të historisë së vendit. Bulevardi “Dëshmorët e kombit” është dëshmi e shumë qeverive të njëpasnjëshme e autoritare; nga monarkia dhe pushtuesit italianë te komunistët. Këtu u mbajtën parada ushtarake dhe festa shtetërore, ndërsa sot organizohen manifestime dhe protesta. Është gjithashtu projekti më perëndimor në arkitekturën e pasluftës në Shqipëri. Kur fillova të punoja në serinë e pikturave dedikuar kësaj hapësire, reflektova shumë mbi esencën e saj kaq komplekse, ku hyjnë Bulevardi 1 që është në koleksionin Roger Diener; Bulevardi 2, 4, në Galerinë Mitterrand, Paris, krijuar në vitin 2015; Bulevardi 3, që ndodhet në Muzuen e Artit Modern në Varshavë etj.”

    -V. M: Pavarësisht idesë së arkitekturës, do t’ju implikojmë pak me situatën e ngjyrave që ju keni krijuar në këtë seri, lëvizni jo në ngjyra klasike, që kanë të bëjnë me një perspektivë midis romantizmit dhe dijes, por është një ngjyrë që lidhet me politikën. A është kjo një atmosferë që i përgjigjet gjendjes suaj të brendshme?
    -Edi Hila: Kjo nuk ka të bëjë me idenë e ngjyrës, edhe grisë, por me idenë e arkitekturës. Ajo që është kryesore, është atmosfera e misterit, e diçkaje që ti nuk e di, e pranishme në një ngjarje që nuk ka ndodhur ose do të ndodhë. Në këtë kuptim, kjo shoqëron gjithë serinë e tablove. Kur ishim të rinj, në Bulevard ka pasur gjithnjë roja me ushtarë dhe për ne Komiteti Qendror, Kryeministria, ishte blloku ku të gjithë kishin roja… nuk kaloje dot. Ishte mister, një realitet i panjohur për ne, dhe ishte një diçka edhe e frikshme. Sigurisht ky moment, kjo psikologji, nuk mund të jetë jashtë këtij konteksti, e shkëputur nga mënyrat e të menduarit, kur unë shkoj për të pikturuar bulevardin. Kjo është, në esencën e problemit, ky moment, ky mister. Bulevardi ka përcjellë një lloj misteri gjatë gjithë historisë së jetës së vet. Sot e kësaj dite, nuk është fjala për mister, horror, por është fjala për situata që ne nuk i dinim se çfarë do të ndodhë.

    -Me përmasa të mëdha, Anija e emi-grimit ka një nënfund të errët, që piktori e quan zjarr i zi. Në të zezën e saj një rreth i bardhë, si një hënë, si një dritë fundtuneli, e në kontekst si një shpresë e djegur mbi det, dhe si krahë del mbi të silueta e anijes… Ikja nga një njollë e vrazhdë, siç ishin vitet e diktaturës, e pas rënies së saj shqiptarët nuk i mbajti më vendi, për të cilët artisti reflekton disa momente: “Fill pas rënies së diktaturës, në fillim të procesit të demokratizimit, shqiptarët filluan të emigronin në mënyrë masive. Kështu, në këtë formë gati apokaliptike, filloi periudha e re e historisë moderne të Shqipërisë, duke vazhduar deri në ditët tona. Një kohë e shënuar nga vështirësi ekonomike dhe përpjekjet për t’u përballur me mbetjet e diktaturës, të cilat u bënë pengesë për zhvillimin e plotë të vendit. Triptiku “njerëzit e së ardhmes” është një punë sugjestive e mallëngjyese mbi tragjedinë që goditi Shqipërinë në mars të vitit 1997, kur 87 emigrantë që përpiqeshin të shkonim drejt Italisë (siç kanë bërë pastaj 800.000 detarë italianë).” Piktura Zjarri i zi, 1998, në kortezinë e artistit.

    -Tenda mbi çatinë e makinës – është vazhdimi i historisë, si linjë empirike e realizuar në vitin 2017. “Drama e migrimit masiv dhe mungesa e strategjive të qarta për zgjidhjen e këtij problemi veçse e vështirësojnë krijimin e një vizioni për një të ardhme më të mirë. Duke marrë parasysh se sa delikate është, shpesh demokracia bëhet kërcënim për vetveten. Duke e parë nga kodra e Partenonit, pamja e turmës së pafundme të refugjatëve nën hijen e tij, më bën të mendoj për historitë e udhëtarëve që ikin drejt një vendi të tërë. Ky udhëtim ndodh me “makinën time” e me një tendë të montuar sipër saj. Le Corbusier e ka krahasuar Partenonin me një makinë të vitit 1921, duke i dhënë të njëjtën vlerë antikitetit dhe pranisë industriale. Unë jam përpjekur të them diçka timen mbi këtë temë përmes kësaj serie me shtatë piktura”, – shënon piktori në ciklin e disa punëve të koleksionuara tashmë në Vjenë, që mbajnë vitin 2017, si: Zbuluesi, Zgjimi, Tenda mbi çatinë e makinës, Të sapoardhurit, Derë e hapur, Dëshmitari etj.

    -Kur diskutohet shumë në filozofi për pavarësinë e jetës sonë nga imazhi, Hila sjell në këtë retro një model të tillë, si ai e ciklit të marrëdhënieve humane, por në një rast tjetër edhe kronikën e përditshme të kryeqytetit të përfshirë në ngjarje, sidomos kur këto përcaktojnë fatet e jetës së individit. Te cikli quajtur Kërcënimi piktori shënon: “Kjo kronikë e Tiranës së përditshme gjatë periudhës së transformimit është shënuar nga tensioni i ngjarjeve dhe marrëdhënieve ndërpersonale, duke e bërë qytetin një zonë të rrezikshme dhe madje kërcënuese për jetën. Në shumë raste ky tension shtyu banorët të largoheshin nga qyteti apo edhe nga vendi. Me kalimin e kohës, zhvillimi i infrastrukturës dhe ndërtimi i strukturave të qëndrueshme bëjnë që shumë prej paradokseve urbane të fillojnë të zhduken. Por abuzimet e lirisë së fituar pas rënies së diktaturës gjithashtu kanë pasoja negative për jetën shoqërore dhe politike.” Në këtë cikël janë punë të krijuara në vitet 2006, 2008, të cilat janë të përfshira në koleksionin e qendrës Pompidou në Paris (Dasma, vaj, kanavacë, 2006), koleksion i Diana Mediut (Panorama e mbrëmjes, 2006) si dhe në koleksionin e Fondit të Artit Bashkëkohor, Bashkia e Parisit (Kërcënim, vaj, kanavacë, 2008)

    V. M: Në këtë hapësirë të vitrinave, ku vizatimet shënohen se u përkasin viteve ’74-’80, jeni në periudhën e riedukimit, pra dënimit tuaj në diktaturë. Çfarë gjurme apo përvoje ushqeu, krijoi, te ju kjo vuajtje, keni vetëdije për realizimet artistike?
    -Edi Hila: Artistikisht, kjo periudhë ushqeu tek unë tendencën për një lloj ekspresiviteti dhe në ndryshim me ato që janë shumë sintetike, këtu ka një tjetër gjendje. Janë situata gati-gati si një lloj kronike, me nerv, krijuar me rebelizëm…

    -Udhëtimi në të shkuarën për piktorin Edi Hila është një gjurmë rebelimi, e heshtur. Në vitrinat e propagandës marrim dëshminë se si punon energjia e një piktori, ritmi i tij në kushte frustruese e shtypëse… Janë nudo, sentimentalizëm i ashpër, atmosferë e zymtë dhe lapsi i zi që krijon silueta të nxituara të njeriut të deformuar. E kemi të rrallë këtë dëshmi kaq origjinale në historinë tonë të arteve pamore. Piktori ishte dënuar. Riedukimi në një pulari e zbërthen pa asnjë kompleksitet këtë gjendje dhe përcillet sikur të ishte sot, një imagjinatë e shpejtë për Propagandën. “Pas fabrikës së rritjes së shpendëve, punova në njësinë e dekorimit të qytetit, ku prodhoheshin parulla e postera propagandistikë. Puna atje do të thoshte një hap drejt rehabilitimit politik, që ishte epilogu i procesit të edukimit tim në gjirin e klasës punëtore. Gjatë kësaj periudhe, në veprat e mia u përpoqa me kujdes të ndaj punën time nga ndikimi zyrtar për artin dhe artistin, i cili duhej të përfshinte në veprën e tij krijuese mesazhin e imponuar nga Partia. Që nga ajo kohë unë kam reflektuar gjithmonë në idenë e realizmit si estetikë dhe lidhjen time në këtë temë”, – kujton Hila kur në ’88-ën jep kolazhin në grafit, bojëra uji, Përgatitjet e festës; Prag të Vitit të Ri në ’84-ën; Gazetarë, me penë, letër, në 85-ën; Informator i policisë sekrete, vaj, karton në ’74-ën etj.
    Në këtë hapësirë të “izoluar” të ekspozimit nga pjesa tjetër e tablove, një koncept perfekt për të ndarë kohën e një piktori me koleksionin Pularia nga ’74-’77, ku Hila dëshmon: “…Në mars të vitit 1974 fillova të punoja në fabrikën e rritjes së shpendëve si punëtor ngarkim/ shkarkim pasi më hoqën nga puna dhe më dënuan me një periudhë “riedukimi” në mjedisin e klasës punëtore. Shkaku ishte kritika që m’u bë për pikturën Mbjellja e pemëve dhe skenografinë e Festivalit të 11-të të Këngës. Ky ishte një pretekst për të larë hesapet me “armiqtë e klasës” dhe një spastrim në radhët e artistëve dhe intelektualëve në 1974-ën. Kam punuar në fabrikën e rritjes së shpendëve duke transportuar thasë. Puna në fabrikë ishte e vështirë, por në njëfarë mënyre interesante, në saje të njerëzve që takova atje. Çdo pasdite pas punës unë vizatoja dhe mbaja shënim përshtypjet e mia nga fabrika. Askush nuk dinte dhe nuk i kishte parë ato vizatime të cilat i mbaja të fshehura. Puna në këtë fabrikë më dha mundësinë të përjetoja një realitet të panjohur për mua deri atëherë, një realitet të mbushur me probleme gjatë reflektimit dhe pjekurisë si dhe ndryshoi qëndrimin tim krijues në raport me artin dhe jetën.” Bëhet fjalë për ciklin Mbledhja e thasëve, punë në letër me penë, e vitit 1976; Luftoni, vaj, karton, 1975; Gjumi i thellë, ’70; Mullixhiu, 1975; Punëtorët në sektorin e transportit të thasëve, tempera, letër, 1977, koleksion vjenez. Një hark kohor më i gjatë, që kthehet te Vetvetja. Për vitet 1972-1989 piktori ndan: “Për njerëzit që jetojnë në një diktaturë, është e vështirë të gjesh një hapësirë lirie. Jeta ime në vitet 1970 nuk ishte vetëm puna në fabrikën e rritjes së shpendëve, por kishte edhe momente të bukura dhe romantike. Me një grup të reduktuar miqsh, gjatë pushimeve të verës udhëtonim drejt jugut në Himarë, një fshat në bregun e detit. Fëmijët ishin ende të vegjël. Për ne ata ishin burimi i qëllimit dhe gëzimit të jetës. Jeta e fshatit, mentaliteti i banorëve dhe lidhja e tyre me vizitorët nga qyteti, historitë dhe jeta e tyre e përditshme, ishin shumë të ngjashme me ato që njihja nga fabrika e rritjes së shpendëve. Sistemi komunist shfrytëzonte të njëjtat mjete dhe metoda për të kontrolluar jetën e çdo njeriu, qoftë në fshat apo në qytet. Por ne u përpoqëm t’i kapërcejmë kufizimet dhe të mbrojmë lumturinë tonë private. Fshati bregdetar në verë ishte i vetmi vend ku mund të qëndronim për pak kohë larg realitetit.” Është një pasazh i përcjellë nga vizatimet Imazhi i bukur, në ’84-ën; Fundi i sezonit, në ’86-ën; Banjë dielli, në ’86-ën; Fundi i sezonit, në ’89-ën etj.

    -V. M: Cila është sinteza e këtij projekti artistik, çfarë ka mbetur pa u eksploruar, e pathënë, që e keni në imagjinatë, e cila vazhdon të funksionojë?
    -Edi Hila: Jam në një moshë kur mendoj se kam kaluar shumë periudha, shumë vite të cilat po mundohem t’i kompensoj tani nga humbjet kohore që kam pasur. Tani kam tjetër formim, një koshiencë më të madhe. Shumë boshllëqe jo vetëm të profesionit apo konceptimit të artit që shkolla e atëhershme nuk mundi të na i jepte siç duhet. Ka qenë shumë e vështirë të mbijetoje i rrethuar nga skemat, nga politika e asaj kohe. Kështu që tani ndihem në kulmin e asaj që jam, pasi rezultati im tani është afirmuar, jo vetëm këtu, por edhe jashtë. Nëse unë punoj me dy galeri në Paris, Bruksel dhe Luksemburg, kjo do të thotë që nuk jam rehat gjithë ditën, pasi duhet të justifikoj këtë nivel. Është një përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe nuk e imagjinoni sa punë duhet për ta ruajtur këtë nivel, ku e gjitha kërkon një përpjekje për të njohur realitetin jashtë. Sepse këtu në Shqipëri këto biseda nuk kanë lidhje, nuk mund të bëhen… Është fjala për “atje” (jashtë kufijve), sepse atje funksionojnë krejt ndryshe gjërat, që unë ndoshta nuk i kam marrë vesh në momentin e duhur, por me pak vonesë.

    -V. M: Me cilat galeri bashkëpunoni, a ka një kërkesë që i përgjigjet asaj që eksploroni? Si bashkëpunoni? Nëse është një galeri moderne apo…
    -Edi Hila: Ka dy momente ekspozimi; momenti i parë është galeria, që e merr artistin dhe e vendos në faqet e murit dhe u jep mundësi koleksionistëve ta shohin. Kjo është pjesa më komerciale që i intereson jo vetëm galerisë që mbijeton me ty, por edhe koleksionistit që duhet ta shesë tablonë tënde me një çmim të trefishuar. Momenti i dytë, që është më i rëndësishmi, është muzeumi. Nëse ekspozon në një muze, kuptohet se ke marrë afirmimin e plotë, pasi është profesional, të konservon e të ruan si vlerë e përjetshme, si një pasuri e patundshme. Në rastin tim, kur ekspozova në Varshavë, jo se nuk ka lidhje me idenë e saj, por muzeumi i Varshavës është një muzeum afirmimi. Kjo është shumë e rëndësishme për mua, nga ky moment kam tjetër nivel, dhe kjo ma rrit shqetësimin në këtë drejtim.

    -Parisi, Luksemburgu, Brukseli, këto vende ruajnë në koleksionet e muzeumeve të tyre punët e piktorit shqiptar, duke përfshirë vëmendjen që ka marrë nga koleksionisti i famshëm Rene Block. I zbuluar prej tyre, si një piktor që vjen nga Shqipëria bashkë me historinë e tij personale, sot vëmendja për këtë artist ka kaluar në nivel par exelence, duke e bërë një nga piktorët më interesantë bashkëkohorë. Nëse në Shqipëri ekspozita e Hilës ka kaluar si një lloj kurioziteti, ekspozimi në muzeun e Varshavës ka qenë një befasi, parë nga 25 mijë vizitorë, dhe shitje totale e katalogut. Biseda jonë mes së shkuarës, çfarë e bën individualitet të spikatur një artist, si dhe shqetësimin për kushtet shqiptare të dallimit të vlerave, mbyllet me përgjigjen e Hilës: “Këtu s’ka sistem vlerësimi. Arti është çështje individuale. Unë nuk kam qenë i shtypur dhe i frustruar kur kam bërë vizatimet e mia dhe këto tani shkojnë në Dokumenta 14 në Athinë, që ishte një përvojë e jashtëzakonshme, dhe kjo ka të bëjë me vetë artistin me përpjekjet që bën, dhe sigurisht ti nuk mund të jesh interesant nëse nuk përzgjedh një gjurmë të diçkaje. Është interesante çfarë sjell nga vendi yt, çfarë individualiteti i jep atij tjetri që i krijon diversitet. Këtu në Shqipëri ka një specifikë: këtu është një situatë e veçantë, mungon aftësia për ta dalluar se ku është, ku ndodhet një vlerë.”

    Në hyrje të Galerisë, piktura-simbol e Hilës na “rikthen” te njeriu i lirë. Temat që dalin pas 40 vitesh, kur s’ishte koshienca për të pikturuar enkas, por thjesht ndien se diçka lëviz në një drejtim të caktuar, që për Hilën ka shënuar periudhën më të keqe. Para të gjithave ishte Mbjellja e pemës, një histori që ka rrëmbyer vëmendjen unike. Vitet ’70, vitet më të lumtura të piktorit. Në sallën e Teatrit Popullor, që quhej salla e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, u vendosën dy tablo: Heronjtë e Hekalit e Fatmir Haxhiut dhe Mbjellja e pemëve e Edi Hilës. Asnjë shenjë e keqe, kujton piktori duke komentuar: “Unë mendoj se ishte krijimtari e vërtetë. Nëse e marrim në të kundërtën, s’kishte tendencë për t’iu kundërvënë realizmit socialist. Nuk ka zymtësi, – në aspektin estetik kishte një shkarje, ishte e lirë, plot jetë, një ekzaltim, si lëviznin figurat, – kjo i shqetësonte, ky vrull, ky hov që dilte jashtë skemës, estetikës së mbyllur. Ishte e vërtetë…” Para këtij manifestimi, për ironi, por edhe si një profeci e dalë nga goja e djallit, u tha: Kjo vepër është e ardhmja e pikturës! Ashtu u bë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË