More
    KreuLetërsiBibliotekë"Bukuria e turpit", ese nga Rexhep Ferri

    “Bukuria e turpit”, ese nga Rexhep Ferri

    1.

    Na ka zënë  mallkimi i historisë së pashkruar.

    Askush s’ka gojë, s’ka sy, s’ka veshë.

    A ka më keq se kaq.

    Ka e s’ka, o zotëri.

    – Psehu ekziston në mendjen tonë.

    Një udhëtar i vetmuar tha:

    – Te mali që sheh detin. Te deti që sheh qiellin.

    Fluturimi nga kujtesa u shtri si hije mbi dhe.

    Aty ku fama e rrejshme me një lëvizje të gishtit kalon në çmenduri.

    Pse po bëhet e gjithë kjo luftë, kurrkush nuk e di.

    Ajo që shihet është mashtrimi.

    Ajo që mund të pritet shkon në harresë.

    U pa se jemi kthyer nga lufta pa hyrë në luftë.

    Si patriotë sojli u ngjitën shkallëve të Teatrit Kombëtar dhe nga ajo lartësi nuk mund të parashikojmë kohë të lirë dhe as fat që tallet me ne.

    2.

    Po ta marrim holl e holl, kjo që po ndodh me ne është fundi i një fundi tragjik.

    Gjithmonë na ka munguar largpamësia.

    – Kur përplasen malet.

    – Kur shqetësohen ujërat.

    – Kur errësohet mendja…

    Nga njëra anë, e zeza mbi të zezën.

    Nga ana tjetër, e bardha mbi të bardhën.

    Për ta zënë hapin me jetën, mbi kokat tona ra mjegulla.

    Aty ku ka mjegull, ka mjegull edhe për një tjetër mjegull.

    3.

    Në Muzeun e Njeriut janë disa thirrje.

    Nga malet.

    Nga kontinentet.

    Pafajësitë tona duhet t’i prekim.

    Kemi harruar të humbim.

    Herët a vonë e kuptojmë vetëm lojën, që bëhet pasqyrë xhepi, dhe kthehemi nga lufta.

    Kjo e vërtetë do të thotë: U krye lufta!

    Shkojmë.

    Humbim.

    Kemi harruar se ku shkojmë.

    Qetësohemi.

    S’ka gjë!

    Mos më rrini shumë afër.

    Lërini fjalët.

    Mblidhni leckat.

    Për botën që nuk e kuptoni bëhuni më të fortë se frika.

    4.

    Tani po e kuptoj pse nuk jemi të lumtur.

    Aty ku jeta pret përgjigjen, me bë e me u thanë e vërteta e me u zbardhë e vërteta e të gjitha krimeve të tridhjetë viteve të fundit, nga e vërteta e tmerrshme të gjithëve flokët e kokës na çohen përpjetë.

    Për pafajësi tani është vonë.

    Të gjithë dilni në një vend të dukshëm.

    Dhe pyetni: Ku shkoi trimëria dhe ku është problemi?!

    Për idenë e kthimit të gjithë e kemi nga një histori me premtime që nuk qëndrojnë as për sot e as për nesër.

    Kriza e historisë: i vdekuri i vdekur. Për kultivimin e provokimit, pala tjetër pak a shumë si njerëzit e lumit të dalë nga shtrati.

    5.

    Si humbëm?

    Më vjen keq.

    S’po të njoh.

    Po kthehem nga lufta dhe nga një imazh i çmendur.

    Me shumë të papritura as luftën e as pasluftën kurrë nuk i kemi kuptuar.

    Nga pika e gjumit na morën.

    Nga komedia tragjike e nga shfaqjet tragjike një lloj tradhtie po ndodh edhe pse fjala tradhti është fjalë e rëndë.

    Nga pesha e saj më zë frika. Më ngatërrohen mendimet.

    Kush e qiti e kush dreqin e tha, nuk mbaj mend asgjë.

    Ç’po ndodhë kështu?

    Në histori përsëritet e njëjta gjë.

    Për të parë çka ka mbetur, shihemi nesër.

    Nga koha e tashme kjo fotografi dokumentare nuk mjafton as për historinë e shkruar e as për historinë e pashkruar.

    Mbi rrënojat e kohës e mbi keqkuptimet e kësaj bote, hajdutët e pulave janë çuar e po flasin në emër të popullit.

    Të popullit i cili kurrë nuk e kuptoi historinë që përsëritet.

    Tani ku qëndron problemi?

    Njeriu që nuk e mbajti fjalën si po i përjeton vitet e humbura pa zbritur në tokë.

    Për ta luajtur edhe një lojë aty ku është koha për ta kuptuar fundin e dilemave dëshpëruese si fillim.

    6.

    Me fjalë të kota të shkruara nga një fetar, antifetar, kjo paraqitje duke e luajtur rolin e Don Kishtotit për asgjë më shumë pret të bëhet mirë.

    Ndalet se s’ka ku të shkojë.

    Me largpamësi të përgjakur nuk ia doli të shkojë deri në fund.

    Me shikimin mashtrues përpara e rrezikun mbrapa s’ka se ku t’ia ngjet.

    Për të qitur diçka në dritë rrëfimi thotë:

    “Mes njerëzve dhe mosbesimeve, përtej kësaj humbje çdo gjë kuptohet si pazar.”

    Me disa hapa pa e thënë asnjë fjalë nuk mund të presim më shumë. Të gjitha fjalët e humbën kuptimin.

    Zoti na ndihmoftë.

    Me një lloj mashtrimi po fshihemi pas njerëzores.

    Prandaj na duhet të dalim nga lëkura.

    Për zjarrin e famshëm na duhet të vdesim se s’bën.

    Jeta vazhdon.

    Edhe kur s’kemi pyetje tjetër më besohet.

    Aty ku fillon gjithçka bëhuni gati të përjetoni edhe një sfidë të hapur për të bërë një ndryshim.

    Pyetjet e gjata janë sfida të hapura që nuk kanë të mbaruar.

    7.

    Me fatin që e kemi harruar kush jemi.

    Njerëzit thonë: Vetëm pasqyra e di kush jemi.

    Çfarë fytyre kemi.

    Ndaluni.

    Mund të flasim pak.

    Për çka të flasim?

    Zemra po regjistron të rrahurat e kohës.

    Të cilës kohë, po ashtu, nuk e di!?

    Prandaj ejani të ikim.

    Gabimet në hapa janë humbje e besimit.

    Te pragu i shtëpisë e lamë që të takohemi.

    E zeza kohë çka e gjeti.

    Çfarë duhet të dimë e të harrojmë?

    Me historinë e pashkruar jemi në telashe.

    Ajo përpiqet të na bindë se historia e shkruar nuk është histori.

    Ne duke besuar dolëm në mal.

    Lindjen e diellit populli nuk e pa!

    Mesha e mesnatës i dëshiroi natë të mirë.

    Shumë ujë shkoi nën urë.

    Për sot e nesër patriotët mashtrues bëhen gjithnjë e më të pasur.

    Për takimet e ardhshme populli si popull s’ka botë tjetër.

    Gjithçka po ndodh shumë shpejt.

    Mallkuar qoftë!

    Sa për ta mbajtur shpirtin gjallë me një hap nga dita në ditë, prapë se prapë populli i pafajshëm mbeti në pritje.

    Çelësi i prangave i mbeti në mes vetullave të ballit.

    Për ta vrarë o për ta gjetur veten.

    Dhjetor, 2019

    NJË KOMENT

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË