More
    KreuEditorialBujar Hudhri: Panairi online i librit: Po ç’kuptim ka?

    Bujar Hudhri: Panairi online i librit: Po ç’kuptim ka?

    Javën që shkoi u zhvillua panairi kombëtar i librit “Fieri 2020”. Megjithëse larg kryeqytetit, ky panair, prej gjashtë vjetësh është bërë një qendër e vërtetë ku bashkohen libri shqip, autori, përkthyesi, studiuesi, kritiku me lexuesit. Padyshim, meritën kryesore e ka organizatorja e kësaj veprimtarie, poetja dhe botuesja Majlinda Rama, së cilës do t’i shkonte shumë krahasimi si Hirushja e Librit shqip. I renditur në kohë brenda dy panaireve të mëdha si ai i Prishtinës (qershor) dhe i Tiranës (nëntor) ky i Fierit ka krijuar profilin e tij të qartë.

    Për fat të keq, këtë vit, ky panair ishte më tepër një tentativë që të mos ndërpritej vijueshmëria se sa një ngjarje që do t’u vlente në këto kushte të vështira të gjithë aktorëve që merren me librin dhe sidomos  lexuesit. Pse e shkruaj këtë? Sepse ndryshe nga synimi i organizatorëve që kishin menduar një panair me pjesëmarrës një numër i reduktuar botuesish, befas, pak ditë para fillimit u shfaq posteri i veprimtarisë ku ishte shtuar fjala “online” dhe binte në sy portreti i një lexueseje e cila kishte vendosur një maskë mbrojtëse nga Covid.

    Bashkia e Fierit duhet përgëzuar për mbështetjen në vite të këtij panairi, ndërkohë nuk mund të mos shprehim habinë, pakënaqësinë për deformimin e kësaj veprimtarie. Sepse ç’kuptim ka një panair ku mungojnë stendat e botuesve, mungon atmosfera magjike që krijohet nga blerësit e librave, promovimet, takimet e shkrimtarëve me lexuesit etj. Pretendimi se kjo u bë për të mbrojtur lexuesit bie poshtë me një fakt të thjeshtë: Jashtë dyerve të sallës, ku u improvizua panairi, gumëzhinin rrugët, restorantet, baret, qendrat tregtare, tregu i gjelbër dhe ai industrial. Mijëra njerëz, fare afër njëri tjetrit, pa kurrfarë distancimi. Dhe të krahasosh këto pamje me stendat e një panairi libri, i cili kurrë nuk mbledh aq njerëz, ku distancimi është i natyrshëm dhe i mjaftueshëm – tavolina me libra ndërmjet lexuesit dhe librarëve. Në fakt e ka një precedent kjo që ndodhi. Muaj më parë u mbyllën të gjitha libraritë, të cilat u hapën pas ndonjë muaji (U kujtuan, mesa duket, sikundër ushqimoret, edhe libraritë tregtonin ushqim për njerëzit e mbyllur në shtëpi).

    Problem tjetër që më shtyn t’i shkruaj këto radhë është fakti se mos kjo përvojë organizimi panairi, do të aplikohet nga instancat shtetërore edhe për panairin e librit në Tiranë, ngjarjen kryesore të librit shqip kudo që ai botohet. Të paktën të reduktohet sipërfaqja ekspozuese. (Sikundër u gjet një formulë për dasmat: u reduktua numri i të ftuarve, por dasmat po bëhen).

    Por një panair libri online është si një dasmë ku mungon edhe nusja edhe dhëndri.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË