Në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh dhe akademikut Ismail Kadare, Akademia e Shkencave dhe Kuvendi i Shqipërisë, më 1 korrik 2025, mbajtën veprimtarinë përkujtimore në nderim të tij.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Është privilegj dhe nder të flas para jush në përvjetorin e parë të ikjes së Kadaresë. Ndërkohë, e ndiej se sa e vështirë, e trishtueshme qenka për mua, si botuesi i tij, pikërisht në këtë orë të paradites kur niseshim për në kafenenë e tij të preferuar. Një ritual që vazhdoi me vite.
Por, përpara se të flas për marrëdhënien time me Kadarenë, e ndiej një detyrim moral të përmend dy emra shumë të rëndësishëm që kanë ndikuar në jetën dhe veprën e tij.
E para është Helena Kadare, dashuria dhe gruaja e jetës së tij. Helena është njeriu im më i afërt, që më ka dhënë gjithë gëzimet e kësaj bote dhe ndaj të cilës ndihem i detyruar për gjithçka. Janë fjalët e tij, thënë në fund të jetës si një kurorë për këtë marrëdhënie të gjatë mes tyre, që nisi nga dashuria e të dyve për letërsinë. Kultura shqiptare do t’i jetë mirënjohëse zonjës Kadare, përjetë.
Emri i dytë është i Klod Dyranit, legjenda e botimit francez, i cili nuk ishte thjesht botuesi, por miku i tij besnik, mbrojtësi i tij dhe përfaqësuesi i perëndimit, që diti t’i japë në kohë mesazhin e qartë udhëheqjes komuniste shqiptare se ishin mjaft të vëmendshëm ndaj asaj ç’mund t’i ndodhte Kadaresë.
Shtëpia botuese është shtëpia e dytë e shkrimtarit, në rastin më të mirë, është shtëpia e vërtetë e shkrimtarit. Do ta dëgjoja për herë të parë nga Kadare këtë fjali e cila ishte përcaktuese në këtë bashkëpunim jo të zakonshëm midis një autori botëror dhe një botuesi të ri, në moshë dhe profesion, këtu e tridhjetë vjet të shkuara.

Nga e majta në të djathtë: Klod Dyran, Bujar Hudhri,
Ismail dhe Helena Kadare, Suzana Hudhri
Sikundër shtëpia e shqiptarit (e botuesit, do të saktësoja) është e zotit dhe mikut. Zoti, apo Hyu për këtë shtëpi ka qenë dhe mbetet vetëm një: gjeniu Kadare. Mysafirët apo miqtë, kanë qenë dhe janë të gjithë shkrimtarët e tjerë të letërsisë shqipe.
Në këtë rrugëtim të gjatë, pata fatin e lumtur të shihja nga afër mbretërinë e krijimit pranë një gjeniu si Kadare. Dhe për t’ia sjellë lexuesit magjinë e tij në formën e librit, në këto vite të vështira të tranzicionit e kam parë botimin thjesht si art.
Kam qenë i përfshirë kryekreje në një botë që sfidonte grinë e përditshmërisë, dhe më ka mbajtur në këmbë besimi te letërsia e Kadaresë. Një besim i ngjashëm si besimi tek hyjnia, po të perifrazoja një shprehje të tij.
Korriku i këtij viti erdhi po aq i nxehtë sa ditën që iku Kadare. Nëse ka diçka që nuk mund t’i përfytyroj pranë njera tjetrës, është pikërisht moti i nxehtë dhe emri i tij. Shkrimtarit që në veprën e tij përshkruan shiun, dëborën dhe acarin, pikërisht, kjo vapë i kujtonte një kontinent tjetër. Ia kam ulur disa gradë temperaturën Shqipërisë në veprën time, më thoshte shpesh.
Nga ajo ditë e një korrikut të kaluar, më kanë mbetur të pashlyera në kujtesë pamja e valixheve në sallonin e apartamentit, gati për udhëtim e radhës. Kështu e përfytyroj përherë, në fluturim drejt planetit letërsi, por, tashmë pa kthim. Dhimbja për ikjen e tij do të kalojë, por thesari që ka lënë për ne dhe brezat që do të vijnë, në çdo vend dhe gjuhë të botës, do të mbesë përjetësisht.
Sikundër ka thënë një poet i madh, një vepër e bukur arti është një gëzim i përjetshëm.