More
    KreuEditorialBrohoritje në Republikën Çeke për heqjen e TVSH-së për librin

    Brohoritje në Republikën Çeke për heqjen e TVSH-së për librin

    Botuesit në Republikën Çeke lavdërojnë ligjvënësit e tyre për heqjen e TVSH-së 10 përqind për librin.

    Nga Jarosław Adamowksi | ‘Ky hap i ndriçuar i ligjvënësve’

    Përfaqësuesit e industrisë së librit në Çeki thonë se shpresojnë që pas një viti sfidues, prezantimi i TVSH-së zero përqind për librin, mund të sjellë një stimul tepër të nevojshëm për botuesit dhe librashitësit e vendit.

    Gjatë vitit 2022, shitja e librave në Çeki ishte rreth 8.4 miliard koruna (359.5 milionë dollarë), rreth 3 përqind më pak nga viti i kaluar. Këto të dhëna shqetësuese u publikuan në raportin e fundit të tregut nga Shoqata e Botuesve dhe Librashitësve Çekë (SČKN). Në fillim të tetorit, Republika Çeke u shpall e ftuara e nderit në Panairin e Frankfurtit në vitin 2026 (nga 16 në 20 tetor). Organizatorët përgjegjës për prezantimin e kombit në vitin 2026 në Frankfurt, thonë se po përgatiten për një gamë të gjerë ngjarjesh kulturore të cilat shtrihen përtej letërsisë, dhe se po zhvillojnë programin kryesor për mbështetjen e përkthimeve të veprave çeke në gjuhë të tjera.

    Botuesit lokalë presin që heqja e TVSH-së për librin, mund të përmirësojë këtë vit tregun e tyre.

    Në një mesazh në faqen kryesore të uebit, shoqata deklaron se, “Në 1 janar, 2024, u vu në zbatim heqja e TVSH-së për librin. Nga kjo datë, libri përjashtohet nga TVSH-ja. Për ta thënë më thjeshtë, TVSH-ja për librin, nga 10 përqind është bërë zero përqind.Ne besojmë se ky hap i ndriçuar i ligjvënësve do të sjellë shtim të cilësisë së leximit në Republikën Çeke, zhvillim të kulturës së librit çek dhe lehtësi për lexuesin. Më në fund jemi të parët në Europë për këtë gjë.

    Duke kërkuar për stimuj nga TVSH-ja e re dhe botimi digjital

    Martin Sviták, drejtori i burimeve elektronike në shtëpinë botuese Grada, e themeluar në vitin 1991, thotë për revistën Publishing Perspectives se viti 2023 ishte i trazuar për industrinë e botimeve në Çeki.

    Pas COVID-19, fillimit të luftës në Ukrainë dhe rritjes së menjëhershme të çmimeve të energjisë”, thotë Sviták, “tregu çek u prek për të dytin vit radhazi nga inflacioni i lartë, duke shkuar në nivelin më të lartë në Bashkimin Europian.

    Kjo u përkthye në kosto operative më të larta krahasuar me vitet e mëparshme. Në pjesën e shitjeve, vërejtëm ulje të besimit të konsumatorëve. Jemi të lumtur që pavarësisht kësaj, librat tanë e gjetën rrugën për te lexuesi dhe xhiroja jonë u rrit me rreth 7 përqind në 350 milionë koruna, ose rreth 13.9 milionë Euro.

    Megjithëse xhiroja u rrit vitin e kaluar, Sviták thotë se shtëpia botuese Grada raportoi një numër më të ulët kopjesh të shitura në vitin 2023. Përveç kësaj, ai thotë se, “Na është dashur të kufizojmë numrin e botimeve të reja krahasuar me planet tona të mëparshme. Në vitin 2023 botuam 397 tituj të rinj krahasuar me 408 në vitin 2022”. Sipas Grada-s, thotë Sviták, shitjet digjitale kanë potencialin të shërbejnë si shtyllë për zhvillimin e botuesit në vitet e ardhshme.

    “Jemi të përkushtuar për të përmirësuar vazhdimisht librarinë online Bookport”, thotë ai, “shërbimin tonë online me nënshkrim për lexim të pakufizuar, si në përzgjedhjen e librit, ashtu dhe në përvojën e përdoruesit. Kemi në plan të vazhdojmë përmirësimin e asaj çfarë ofrojmë online dhe të shërbimeve digjitale për klientët, si dhe rritjen e efikasitetit përmes digjitalizimit, për proceset tona të brendshme. Po zbulojmë mënyra për të zgjeruar gamën e produkteve, në mënyrë që të përfshijë një portofol më të gjerë”.

    Përveç kësaj, Sviták thotë se po studion potencialin e përdorimit të inteligjencës artificiale në aktivitetet e shtëpisë botuese, duke qëndruar njëkohësisht “të kujdesshëm për ndikimin negativ të saj mbi tregun e librit dhe të drejtave të autorit”. I pyetur për ndikimin potencial të heqjes së TVSH-së për shitjen e librit në Çeki, Sviták thotë se pret që kjo gjë “të na ndihmojë të kthehemi në rrugën e duhur të rritjes dhe të nxisë stabilizimin e tregut të librit në tërësi në Çeki. Mund të vazhdojmë botimin e një spektri të gjerë librash që nga fiksioni të cilin njerëzit e pëlqejnë, te librat e zhvillimit personal, dhe atyre profesionalë që u drejtohen grupeve më të vogla specifike.

    “Sigurisht, kjo lëvizje do të ndikojë pozitivisht në tregun e librit çek dhe te shtëpia botuese Grada. Do të përfitojnë lexuesit çekë dhe do të pasurojë peizazhin kulturor. Pa këtë, me gjasë do të kishte një rënie të ndjeshme në numrin dhe larmishmërinë e librave të botuar, sidomos për librat që nuk janë për masën, të cilët shpeshherë japin kontribut të madh për larmishmërinë shoqërore dhe pasurimin e saj”.

    Përktheu David Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË