More
    KreuLetërsi shqipe në përkthimBozho Kovaçeviç: Barcoleta e fundit e komunizmit, humori i fshehtë në kohën...

    Bozho Kovaçeviç: Barcoleta e fundit e komunizmit, humori i fshehtë në kohën e qeverisjes së Enver Hoxhës

    Përktheu: Xhelal Fejza (Marrë nga “ideje.hr”)

    Shqipëria është një prej vendeve më të rëndësishme dhe më të harruara në kohët e Luftës së Ftohtë, por Stefan Çapaliku ndërmorri një hap për riafirmimin e kësaj teme, shkruan Bozho Kovaçeviçi në recensionin e librit të Çapalikut mbi humorin antiregjim në Shqipëri. Nëpërmjet “Jokes of Albanian Communist Days”, Çapaliku edhe një herë zmonton frikën nga regjimi i Hoxhës me të cilin bota, mendon ai, nuk është e njohur mjaftueshëm.

    Stefan Çapaliku  (1965) është shkrimtar i njohur shqiptar – prozator, poet, eseist dhe dramaturg – veprat e të cilit janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, polonisht, serbisht, maqedonisht dhe turqisht. Ka lindur në Shkodër, ndërsa në Universitetin e Tiranës përfundoi studimet për gjuhë shqipe dhe letërsi. Studimet i vazhdoi në Itali, Çeki dhe Angli dhe më tej, në vitin 1998, u doktorua në Universitetin e Tiranës. Nga vitit 1993 deri në vitin 1998 ishte shef katedre për letërsinë në Universitetin e Shkodrës. Nga vitit 1998 deri në vitin 2005 ishte ndihmës ministër i kulturës për publikimet dhe bibliotekarinë, për librin në përgjithësi. Nga viti 2005 Çapaliku është profesor i Estetikës në Universitetin e Tiranës dhe drejtor i Qëndrës së Studimeve të Artit. Është fitues i shumë çmimeve për shfaqje në festivalet teatrore ndërkombëtare. Ka bërë përpjekje edhe si rregjizor i filmit dhe teatrit. Nga viti 2021 është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ministria e Kulturës e ka shpallur shkrimtarin më të mirë të dramës në vitet 1993, 2003, 2007, 2012, 2016, 2023.

    Përveç veprave letrare, opusi jashtëzakonisht i gjërë i Çapalikut përfshin libra shkencorë, nga libri mbi satirën e politikanit, rilindasit, përkthyesit dhe shkrimtarit shqiptar Gjergj Fishta (1871-1940), të cilin e ka publikuar në vitin 2005, nëpërmjet “Prijës  për gjeografinë dhe sociologjinë e letërsisë shqiptare (1997), Estetika moderne (2006) dhe Ars Albanica (2017) deri te vepra Arti në Shqipërinë postkomuniste (2021), e cila deri tani është përkthyer në portugalisht, polonisht, gjermanisht, frëngjisht dhe turqisht. Në opusin e tij bën pjesë edhe historia e fotografisë në Shqipëri, por edhe antologjia Shija, pijet dhe aromat në letërsinë dhe artin shqiptar (2024), të cilën e ka publikuar së bashku me bashkëshorten Elektrën. Kjo antologji sjell në shikim të motiveve të natyrës së qetë në pikturën shqiptare e shoqëruar me shembuj përshkrimesh të përgatijes së gjellëve dhe ritualeve të gatimit në letërsinë dhe poezinë shqiptare.

    Atyre kroatëve, të cilët gjithsesi e kuptojnë gjuhën serbe më mirë se shqipen, ju rekomandoj të lexojnë romanin e tij nga periudha e komunizmit në Shqipëri Secili çmendet sipas mënyrës së vet, të cilin e ka publikuar shtëpia botuese beogradase CLIO. Ata që nuk e dinë, por kanë durim, do të duhet të presin përkthimin kroatisht të këtij libri vitin e ardhshëm në publikimin e Matica Hrvatska (Ama e Kroacisë)

    Dukshëm ­­Çapaliku është i kënaqur me kalimin e Shqipërisë nga komunizmi në demokraci.

    Në këtë artikull do t’i referohem libërthit të Jokes of Albanian Communist Days (Barcoleta nga koha e komunizmit shqiptar) i cili është botuar në Tiranë këtë vit. Që në moton e librit shenjohet drejtimi i mënyrës së të menduarit e Çapalikut:

    Cila ishte barcoleta e fundit e komunizmit? Tranzicioni politikë shqiptar.

    Dukshëm, Çapaliku nuk është i kënaqur me kalimin e Shqipërisë nga komunizmi në demokraci. Është e dukshme edhe këmbëngulja e tij që edhe këtë libër, sikurse bën në shumë tregime të tij, të zbërthejë frikën nga regjimi i Evner Hoxhës, me të cilën, mendon ai, bota nuk është e njohur mjaftueshëm.

    Pjesa hyrëse e studimit fillestar, të titulluar sipas njërës prej këngëve propagandsitike të kohës së komunizmit Me gëzim po shkoj në punë, e drejton gishtin te fakti se numri dhe intensiteti i shakave për llogari të pushtetit është në përpjestim të drejtë me thellësinë e krizës nëpër të cilën kalon pushteti. Shqipëra në kohën e pushtetit komunist ishte pohimi i gjallë i këtij rregulli. Gjatë pothuajse gjysëm shekulli shërbimi i Sigurimit të shtetit informonte rregullisht Komitetin Qendror mbi barcoletat kundër regjimit si formën më të rrezikshme të propagandës armiqsore. Por, ndërsa pushteti i atërhershëm këtë veprimtari e konsideronte jashtëzakonsiht të rëndësishme, ka mbetur prapa puna e organizuar për mbledhjen e anekdotave të asaj kohe, si dhe studimi i tyre sistematik.

    Tregimi i barcoletave është ritual në të cilin çdo dëgjues ka të drejtë të tregojë barcoletën e tij pasiqë të gjithë kanë qeshur me paraadhësen. Ndoshta dallimi themelor mes barcoletave dhe rrëfimeve komike qëndron në atë se ato janë  ideuar për t’u treguar para të tjerëve, në mënyrë që të përjetohen ndërsa tregohen, e nuk destinohen, nëpërmjet një përshkrimi preciz, në procesin e ruajtjes së vazhdueshme. Shqiptarët, si edhe popujt e tjerë që jetuan nën regjimet totalitare, e kanë përdorur humorin për të lehtësuar jetën në kushte nga më të papërshtatshmet; të treguarit dhe dëgjimi i barcoletave ishte një terapi e llojit të vet, njëfarë shërimi nga jeta e padenjë që ishin të detyruar të jetonin. Kur Çapaliku thotë se qëllimi i barcoletave është “të ndajë dhe lirojë njerëzit nga tortura e komediantëve profesionistë” (8) supozon se ky pohim ka të bëjë me kohën  e pushtetit totalitar, veprimet absurde të të cilit ishin në vetvete herë herë qesharake, e kësisoj edhe përfaqësuesit e tyre – sado seriozisht ta kuptonin veten ata – mund të quhen komediantë profesionistë.

    Por, për kuptimin e barcoletave, gjë e cila siguron suksesin te dëgjuesi, ka rëndësi njohja e kontekstit. Në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë shtetasve të së cilës i’u ishte e ndaluar të udhëtonin jashte vendit, u ndërtua në kohën e komunizmit Hotel Tirana Internacional. Të hysh brenda në Shqipëri nënkuptohet të hysh në burg, ndërsa të dalësh jashtë do të thotë të udhëtosh jashtë shtetit. Për këtë shqiptarët u kuptonin shumë mirë barcoletëbërësin nga Shkodra Tefë Palushi i cili për hyrjen e tij në Hotel Tirana shpiku barcoletën:

    Kur hyra si me pas dalë jashtë dhe kur dola jashtë si me pas hy mbrendë.

    Në mënyrë që ndokujt barcoleta e mëposhtme t’i duket qesharake, duhet ta dijë se është krijuar në kohën kur kryerja e bisedave nëpërmjet celularit ishte tejet e  shtrenjtë në Shqipëri, e kësisoj njerëzit nga Gjirokastra që konsiderohen kopracë, gjë që është e krahasueshme me paragjykimet për bracanët tanë (Bracanë- banorë të ishullit Brac në Kroaci. Shën. përkth.)

    Një burri nga Gjirokastra po i digjej shtëpia. E pyesin komshinjtë e shqetësuar nëse ka thirrë zjarrfikësit. Ai përgjigjet: u dërgova një mesazh që të më thërrasin.

    Pas këtyre shpjegimeve në parim mbi supozimet e nevojshme që barcoleta e dikujt të mund të jetë një barcoletë e sukseshme, Çapaliku përqëndrohjet te konteksti i komunizmit shqiptar. Komunizmi këtu, mendon autori, ishte më i egër se askund tjetër. Ishte një lojë pa rregulla e luajtur tërësisht sipas dëshirës së udhëheqësit të madh për të bërë të pamundur çfarëdo forme të lirisë individuale. Është pranuar nga të gjithë qëndrimi se pikërisht regjimi komunist shqiptar ishte më gjakatari, pohon Çapaliku. Nënvizon të dhënat mbi 59.000 të burgosur politikë gjatë 45 viteve të pushtetit komunist në Shqipëri, nga të cilët 7.022 vdiqën në kampet e punës, 6.027 kundështarë të regjimit komunist gjatë këtij gjysmë shekulli u eleminuan fizikisht nga pushteti komunist në Shqipëri.

    Gjithsesi, kronikanët e krimeve komuniste të Jugosllavisë komuniste do të pohojnë se në shfira relative dhe absolute regjimi i Titos ia ka kaluar atij të Hoxhës nëse si viktima politike numrohen të gjithë ata njerëz, pjestarë të uishtrisë kuislinge, që anglezët ua dorëzuan pushtetit jugosllav. Por, regjimi i Titos pas shkëputjes me Stalinin dhe pas larjes së pamëshirëshme të llogarive me mbështësit e Informbyrosë (prostalinistët – shën përkth.) evoluoi duke e ulur represionin, ndërsa regjimi i Hoxhës eci në drejtimin e kundërt. Në tërë periudhën pas konsolidimit të pushtetit në vitin 1945 deri në fundin e tij në vitin 1990 në Jugosllavi kishte rreth 100.000 të burgosur politikë. Duke patur parasysh dallimin për nga madhësia të të dy vendeve, Shqipëria, në këtë këndvështrim ishte e pakalueshme.

    Këmbënguljen e tij të të qënit në vend të parë të Shqipërisë në këtë rang listë të palavdishme të krimeve politike Çapaliku e agumenton edhe me faktin se madje as informatorët nga terreni dhe as personat që shkruanin versionin e fundit të raportit për kreun e partisë nuk guxonin të përmendnin emrin e Enver Hoxhës madje as në kuadrin e citimit të asaj që i vëzhguari, armik i regjimit, kishte thënë. Deri në vdekjen e Enver Hoxhës në vitin 1985 në këto raporte ai përmendej si udhëheqësi, ndërsa pas vdekjes e deri në shpërbërjen e regjimit të tij si themeluesi i Partisë. Kësisoj Hoxha, pra, nuk e kishte mundësinë që, duke lexuar këto raporte, të argëtohej me formën burimore të barcoletave të krijuara për të.

    I bindur se ka rrëfyer çudira që nuk kanë ekzistuar ndokund tjetër, Çapaliku citon emrat e qyteteve që u ka ngjitur regjimi i Hoxhës emra të rinj. Kam frikë se në këtë këndvështrim Shqipëria ka qënë e prapambetur në krahasim me Jugosllavinë. Madje edhe në këndvështrimin e emrave personalë nuk do të mundm të thonin se, përshembull, emri Marenglen (Marks, Engels, Lenin), të cilët viheshin në Shqipëri, është më i çuditshëm se emri Lems (Lenin, Engles, Marks, Stalin), të cilin e mban një ish mjek në Pula të cilin e njoh personalisht. Nuk ka nevojë të përmendim në mënyrë të veçantë se kam njohur disa persona me emrin Saveta, Sovjeta ose Sovjetka. Por që të gjithë këto ishin barcoleta të paqëllimshme të krijuara nga koha e hershme e komunizmit jugosllav. Hoxha në fund të viteve gjashtëdhjetë ndaloi besimin fetar dhe vënien e emrave tradicionalë të lidhura me fenë. Gjetja e një kopjeje të Biblës, libri lutjesh ose ikone në banesën e ndokujt ishte e mjaftueshme që i zoti i tyre të dënohej me burgim shumëvjeçar. Në Shqipëri kjo ndodhte kur pushteti jugosllav kishte inicuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Vatikanin. Ky proces, mes tjerash, do të rezultojë me lulëzimin e veprimtarisë botuese katolike me publikimin e përkthimit të plotë të Biblës në gjuhën kroate në vitin 1968, dhe do të kurorëzohej me vizitën e Titos te papa Pavli VI në vitin 1971. Përsëri duhen theksuar drejtimet e kundërta në zhvillimin e dy regjimeve: Ai i Hoxhës me kalimin e viteve bëhej më i ngurrtë, ndërsa ai i Titos më i relaksuar.

    Opsesioni i vënies së emrave të rinj revolucionarësh rrugëve dhe shesheve i ka mundësuar barcoletëbërësve shqiptarë të krijojnë këtë barcoletë:

    -Përse je nervoz?

    -Se kam për një takim me një mikun tim.

    -Bukur…

    -Bukur, bukur, por nuk po mund ta kujtoj a thamë në orën tre në sheshin e Pesë Heronjve apo në orën pesë në Sheshin e Tre Heronjve.

    Duke i mbetur besnik qëndrimit lokalpatriotik, Çapaliku përmend një sërë personash realë nga Shkodra që krijuan barcoleta për llogari të regjimit të Hoxhës. Një prej tyre është edhe Mark Bregu. Por, sipas asaj që tregon Çapaliku, kjo nuk është barcoletë e krijuar, por ngjarje e jetuar. Bregu kërkon takim te ministri i shëndetsisë për të kërkuar ndihmë për mjekimin e të birit. Ilaçi dhe terapia për këtë sëmundje nuk ishin të mundura në Shqipëri e kësisoj Bregu deshte t’i lutej ministrit që të birit t’i mundësohej mjekimi jashtë shtetit. Ja si e përshkruan Çapaliku takimin e Bregut me ministrin:

    Ministri e dëgjoi dhe i tha se me shumë dëshirë do t’a kishte ndihmuar, por buxheti nuk e lejon një gjë të tillë; thjesht nuk ka para.

    -Si është e mundur që nuk ka para? Çfarë është kjo politikë buxhetore? Kjo është e pamundur, – thirri Marku.

    -Dëgjo, a mendon se e di më mirë se unë? Foli ministri me seriozitet.

    -Natyrisht që ju e dini më mirë. Por unë di diçka tjetër: nëse atyre në Shkodër u them se shteti nuk ka para, do të më fusin në burg. Ja këtë di unë.

    Për fat të keq, Çapaliku nuk na thotë asgjë për fatin e Mark Bregut. Ne nuk dimë nëse ai u përndoq pasiqë i’u përgjigj në atë mënyrë ministrit ose nëse e tregoi këtë histori në Shkodër. Apo mos ka zgjedhur me vëmendje se cilit t’ia tregonte që të mos arrinte në veshët e agjentëve të Sigurimit të Shtetit?

    Çapaliku konstaton në mënyrë ironike se “komunizmi nuk ishte asgjë tjetër veçse rruga më e gjatë dhe më e dhimbshme për në kapitalizëm” (7). Por në Shqipëri, mendon ai, kjo rrugë ishte më e vështirë se askund  tjetër. Ndërkohë e fyen shumë fakti se në një sërë studimesh mbi humorin e zi në shtetet komuniste Shqipëria është anashkaluar. Ai nënvizon se Ben Leëis, regjizori i njohur filmik dhe autor i librit të pakrahasueshëm Hammer and Tickle. History of Communism Told Through Communist Jokes, Shqipërinë dhe eksperiencën e saj të vuajtjeve nuk e ka përpunuar. Që ta ngushëlloj, mund të them se as Jugosllavia komuniste nuk është përpunuar në këtë libër. “Kam folur pak për barcoletatat në Jugosllavi sepse ishin identike me ato që tregoheshin në pjesën e mbetur të Europës komuniste” (Leëis 2008:11). Me këtë konstatim lakonik Leëisi pa dashje ka fyer krenarinë e atyre ish jugosllavëve që ishin të bindur se atdheu i tyre i atëhershëm – pushteti i të cilit i lejonte qytetarët t’u vinin fëmijëve emrat që dëshironin, të udhëtojnë jashtë shtetit dhe brenda vendit të argëtoheshin me kulturën popullore perëndimore – ndryshonte në gjithçka nga Bashkmi Sovjetik dhe vendet e bllokut Lindor, madje edhe në formën dhe përmbajtjen e barcoletave politike.

    Por, Jugosllavia – në krahasim me Shqipërinë plotësisht të anashkaluar – në këtë libër gjithsesi ka qënë e pranishme dhe e përmendur. Leëisi ka biseduar me disidentin çekosllovak Jirij Gruntoran i cili i ka shpjeguar se çekët dhe sllovakët, pas invazionit sovjetik në muajin gusht të vitit 1968, nëpërmjet humorit kanë shprehur superioritetin e tyre intelektual ndaj okupatorëve. Sikur kjo të kishte ndodhur në ndonjë vend tjetër, përgjigja do të ishte ndryshe. Ndoshta jugosllavët do t’i kishin dhënë përparësi luftës, por ne këtu – ne atyre u treguam superioritetin tonë intelektual dhe asnjë plumb nuk e shkreh. Nuk e di nëse kjo është mirë apo keq, por unë kështu e shoh” (Leëis 2008:2203)

    Jugosllavia pra, në sytë e ish disidentit çekosllovak ka ruajtur lavdinë e vjetër heroike të themeluar në lëvizjen nacional-çlirimtare më të madhe dhe më të organizuar në luftën që nga viti 1941 deri në vitin 1945 dhe te JO-ja historike e Titos drejtuar Stalinit në vitin 1948. Çekët dhe sllovakët në vitin 1968 vendosën të mos luftojnë me armë por me barcoleta. Ja edhe një shembull i këtij superioriteti intelektual të çekëve ndaj sovjetëve:

    Përse e ndërtojmë socializmin? Sepse është më e lehtë se të punojmë.

    Cili është armiku më i madh i socializmit? Pranvera, vera, vjeshta, dimri dhe imperializmi.

    Kur do të realizohet socializmi në Çekosllovaki? Kur secilit ai t’i vijë në maje të hundës.

    Çapaliku e përmend Leëisin në kalim e sipër, por me antropologen australiane Shanoon Woodcoock hyn në polemikë të hapur. Ajo në një përmbledhje ka publikuar studimin e saj për humorin shqiptar me titullin Mungesa e barcoletave shqiptare mbi socializmin ose përse disa diktatura nuk janë qesharake. Këtë formulim Çapaliku e konsideron diçka që nuk ka ku shkon më qesharake. Woodcoock ka qëndruar në Shqipëri nga vitit 2003 deri në vitin 2005 dhe ka biseduar me shumë shqiptarë dhe shqiptare. Sipas eksperiencës së saj, njerëzit tregonin barcoleta të bazuara në paragjykimet tradicionale mbi domethëniet rajonale (si puna e asaj se në Gjirokastër njerëzit janë kopracë, ndërsa në Shkodër të prirur për shaka), për raportet mes muslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve, por jo për kohën e komunizmit. Ka dëgjuar barcoleta mbi politikanët aktualë, por jo për Enver Hoxhën. Këtë Çapaliku e ka komentuar kështu:

    “Mund të them vetëm se bashkëpuntorët e saj shqiptarë, te të cilët është mbështetur kur ka grumbulluar materialin, janë përqëndruar vetëm te komunistët e betuar ose njerëz askushi ose qëndrimi i saj gjatë mbledhjes së kodeve dhe konteksteve të rrëfimeve komike ka qënë jo adekuat”. Akuza drejtuar bashkëpuntorëve  dhe bashkëpuntoreve të Shanoon Woodcoock është akoma më e rëndë sepse ajo ka cituar edhe emrat e atyre njëmbëdhjetëve, si dhe ka falenderuar gjithë pjestarët e diasporës shqiptare në Australi me të cilët është takuar rregullisht në restorantin Rozafa në Sidnej. Meqënëse në qarqet e emigrantëve dihet rregullisht se cili shkon në filan lokal dhe më cilin shoqërohet, akuza e Çapalikut mund të shkaktojë shqetësim nëse ndonjë prej tyre e lexon këtë libër.

    Woodcoock ka vënë re se shqiptarët tregojnë po qejf barcoleta për Enver Hoxhën dhe komunizmin dhe në bazë të kësaj kaonkludon se ndoshta nuk ka patur barcoleta për llogari të pushtetit komunist në kohën që ai zgjaste. Çapaliku kundërshton këtë konkluzion të saj. Pikërisht me këtë libër ai përpiqet të përgënjështrojë tezën se shqiptarët nuk janë tallur me udhëheqësin komunist dhe qeverinë e tij. Për këtë ka shumë rëndësi për të të theksojë se pikërisht Shkodra ka qënë vatra e këtij produksioni ironik. Duke kundërshtuar atë që ka shkruar Woodcoocku, Çapaliku përmend tre raporte të Sigurimit në të cilat kreu i partisë informohej mbi shpeshtësinë e barcoletave kundër pushtetit. Por, ai me këtë nuk kundërshton eksperiencën e saj nga qëndrimi në Shqipëri nga viti 2003 deri në vitin 2005. Në ndryshim nga rumunët të cilët në kohën e qëndrimit te saj shumëvjeçar tregonin barcoleta mbi diktatorin komunist Çaushesku, shqiptarët i kanë treguar pa dëshirë shaka për llogari të Enver Hoxhës.

    Të bie në sy fakti se Çapaliku nuk e tregon përmbajtjen dhe konkluzionet në të cilat ka arritur Woodcocku në studimin e saj. Ajo është përpjekur të shpjegojë shkaqet e mungesës së gatishmërisë për të treguar barcoleta nga koha e komunizmit në Shqipërinë postkomuniste. Meqënëse ai e dinte se Shkodra ka qënë vatër e numurit më të madh të barcoletave për llogari të pushtetit të Hoxhës, ajo është befasuar për faktin se nuk ka marrë atë që ka kërkuar. Ja çfarë ka thënë për këtë:

    “Gegët veriorë kanë qënë të përndjekur sistematikisht nga ana e regjimit të cilin në përgjithësi e drejtonin  toskët. Për gegët ekzistojnë streotipe si më pak të zhvilluar, të rritur me kulturën tradicionale dhe ligjet e bashkësisë lokale, si më religjozë (sepse janë katolikë) se muslimanët jugorë. Stereotipi për shkodranët si barcoletëbërës ka lidhje me konstruksionin e gegëve si armiqtë më të dukshëm të regjimit dhe është interesante të vësh në dukje se pikërisht shqiptarët e moshës së mesme të rritur në Tiranë me kapital të madh social ishin ata që i thanë asaj se shumica e barcoletave ishin politike, dhe gjithmonë i theksonin se këto barcoleta ishin me prejardhje nga Shkodra, ka kërkuar jo vetëm skenarë shakash në Shkodër, por po ashtu ajo është dukur si tregim barcoletash antiregjim. Duke i’u përgjigjur lutjes time që të më dërgonte disa barcoleta, një mikeshë nga Tirana më dërgoi një barcoleta të krijuar në Shkodër dhe më shtoi se nuk e kuptonte përse miqtë e saj shkodranë tashmë nuk i tregonin. Kur pyeta miqtë e mij shkodranë, njëri m’u përgjigj: “Ne tregojmë barcoleta që të bëjnë  për të qeshur, jo për Enver Hoxhën”. (Woodcoock u Hamilton, Kelly, Minor, Noonan 2010:54).

    Ja ajo barcoleta që zonjushës Woodcoock i dërgoi mikesha e saj nga Tirana, dhe për të cilën miqtë e saj shkodranë i thanë se nuk është për t’u qeshur. Duhet të sqarojmë se barcoleta ishte reaksion ndaj slloganit të Hoxhës se shqiptarët hanë edhe bar por armikut nuk i kërkojnë ndihmë:

    Një ditë zotëri Xhemal Dymylja, kryetar bashkije i Shkodrës, pau një grumbull njerëzish që po hanin bar rreth përmendores së heronjve në sheshin qendror. U bërtiti: “Çfarë po bëni! Shoku Shehu do të vijë për vizitë te ne pas një jave, e ju hani barin! Ja secili nga 100 lekë dhe largohuni!” Një javë më vonë Shehu erdhi dhe kur pau njerëzit që kishin rënë në gjunjë dhe po hanin barin rreth përmendores u tha: “Shokë, javën tjetër do të vijë këtu Enver Hoxha! Ja secilit nga 500 lekë dhe ikni që këtu!”. Javën tjetër një veturë e zezë erdhi te sheshi dhe nga ajo doli Enver Hoxha. Duke vënë rè njerëzit që po hanin bar u tha: “Mos e hani gjthë barin sepse kemi një dimër të gjatë para nesh”.

    Është e kuptueshme që kjo barcoletë konsiderohej antiregjim sepse tregonte se njerëzia ishin të detyruar tyë hanin bar për të mos vdekur urie. Por kjo barcoleta njëkohësisht tallet edhe me besnikët e regjimit si dhe me vetë udhëheqësin e madh. Ndoshta pikërisht për këtë në Shqipërinë postkomuniste nuk konsiderohej qesharak. Ndërsa, përshembull, në Jugosllavi, kjo barcoletë mund të lindte pas ndarjes me Stalinin në vitin 1948, kur vërtetë regjimi kishte në dispozicion pak ushqim dhe aleatë, Hoxha njerëzit e tij i ftoi të hanin bar në vitet shtatëdhjetë. Atëbotë atë JO-në e tij historike ua tha kinezëve, pasiqë kishte hequr dorë nga Jugosllavia në vitin 1948 dhe Bashkimi Sovjetik në vitin 1961. Në kohën kur Jugosllavia begatonte duke gëzuar frytet e kulturës liberale, industrializimin e realizuar me sukses dhe sukseset ekonomike me vendet e Botës së Tretë, Shqipëria gjendej në prag të urisë. Ajo që  për ish jugosllavët e fillimit të shekullit 21 ishte e kaluar e kahershme të cilën e mbanin mend dëshmitarë relativisht të pakët të asaj kohe, në Shqipëri në fillim të shekullit 21 shumica e aktorëve të këtyre ngjarjeve fatkeqe ishin ende gjallë dhe aktivë. Likujdimi i fundit i një pjestari të kreut shtetëror dhe partiak në Jugosllavi ishte vrasja e Andrija Hebrangut në vitin 1948, ndërsa Enver Hoxha urdhëroi likujdimin e kryeministrit të atëhershëm dhe bashkëputorit  më të ngushtë në vitin 1981.

    Duke gjurmuar për shpjegimet e faktit se në fillim të shekullit 21 shqiptarët nuk tregonin me qejf barcoleta për kohën e Enver Hoxhës, Shanoon Woodcock e drejton gishtin te fakti se, edhe përkundër përpjekjeve të mëdha emancipatore të pushtetit komunist, lidhjet dhe raportet tradicionale mbetën të rrënjosura thellë në shoqërinë shqiptare. Meqënëse ndëshkimi i një pjestari të familjes si element armik të gjithë anëtarëve të familjes së tij u përcaktonte biografinë e tyre negative, e cila përcaktonte qënësishëm shanset e tyre për fitimin e të drejtës për arsimim dhe mundësi për përparim profesional, shumë familje këmbëngulën që sëpaku njëri prej tyre të ishte në Parti në mënyrë që t’u siguronte mbrojtje. Ky fakt mund të jetë edhe shpjegim i pjesshëm i mosgatishmërisë së përgjithshme të shoqërisë shqiptare postkomuniste për lustracionin sepse ky nënkuptonte përndjekje dhe ndëshkim të atyre që ndihmuan familjet e tyre për të evituar  fatin më të keq në kohën e komunizmit. Për këtë ajo konkludon:

    “Në Shqipëri, skena e identitetit të përbashkët shqiptar antiregjim nuk ka ekzistuar deri në vitin 1990. Liderët dhe burokratë socialistë kanë intensifikuar ndarjet tradicionale familjare dhe rajonale nëpërmjet institucioneve dhe kontrollit të lëvizjeve të popullit”

    Përcaktues me rëndësi i identitetit shqiptar ishte nacionalizmi të cilin pushteti komunist e potenconte. Hoxha arri t’i imponohej tërë kombit si garanti i vetëm i mbijetesës së tij në mbrojtje nga armiqtë e jashtëm. “Hoxha nuk u bë qesharak pas vitit 1992 sepse njerëzit në përgjithësi e identifikonin me qëllimin e mbijetesës nacionale, që nxiste Enver Hoxha” (61). Mungesa e barcoletave për atë është pasojë e faktit se shqiptarët akoma mendojnë se mbijetesa e shtetit shqiptar është meritë e Enver Hoxhës dhe e politikave të tij sadoqë nga ato kishte shumë të pakënaqur në kohën kur këto politika zbatoheshin, mendon Sharoon Woodcoock.

    Ajo, në vitin 2010, nga janari deri në korrik, bëri kërkime ekstensive mbi gjendjen dhe presidepozicionin e shqiptarëve. Bëri shumë biseda me njerëzit, dhe rezultatet i’a paraqiti publikut në librin Jeta dhe lufta. Mbijetesa e diktaturës në Shqipërinë komuniste. Rezultatet e këtij kërkimi të dytë – megjithëese ai nuk orietohej për studimin e barcoletave nga koha e komunizmit – përputhen me këndvështrimet që kishte fituar gjatë kohës së qëndrimit të saj të parë në Shqipëri. Në hapësirënpublike është e dukshme mungesa e përpunimit të rasteve të atyre njerëzve që kanë qënë të ballafaquar me përndjekjet dhe vetëdëshirën e pushtetit komunist. “Pjesë e madhe e problemit është se ‘secili e di’ se familjet kanë qënë të internuara me gjenerata të tëra, ndërsa shembujt më popullorë në publik, historitë që përsëriten në televizion dhe në mediat e shkruara, kanë të bëjnë ekskluzivisht me eksperiencat e fëmijëve adoleshentë të anëtarëve të Partisë që u ballafaquan me spastrimet ndërsa ishin në pozitat e fuqisë shtetërore apo shoqërore, dhe jo historitë e njerëzve të zakonshëm” (Woodcoock 2016:143). Njerëzit që u rritën në vitet tetëdhjetë dhe të cilët regjimi i përndoqi, për shkak të përkatësisë së tyre në familjet e papërshtatshme, dëshmojnë ashpër dhe në mënyrë diskriminuese se pasardhësit direktë të përfaqësuesve të atij rregjmi janë në pushtet edhe në Shqipërinë kapitaliste.

    Woodcocku ka biseduar edhe me atë të cilët gjatë komunizmiut kanë patur biografi pozitive dhe me atë biografia e të cilëve ka qënë negative. Nga të dyja palët ka marrë pohimin mbi atë se regjimi komunist ka shfrytëzuar ndasitë tradicionale në shoqëri duke i kundërvënë kundër njëri tjetrit njerëzit nga grupimet e ndryshme. Vëmendje të veçantë ia kushtuar fateve të pakicave vllahe dhe rome që kanë qënë të diskriminuara në kohën e komunizmit, por ky diskriminim është rritur në kohën postkomuniste. Ka nënvizuar se nuk është për t’u lavdëruar pozita e grave të cilat, në kuadër të shpalljes së barazisë me burrat, kanë fituar mundësi dhe detyrime në kryerjen e punëve që deri atëherë kanë qënë të rezervuara për burrat, por nuk kanë qënë të liruara nga punët tradicionale të grave në familje. Kjo barazi, gjithsesi, nënkuptonte edhe përgjegjësi të njejtë sikurse e kishin  edhe burrat, gjë që do të thoshte zbatim të të njejtave masave shtypëse në rastin e bërjes së gabimeve, tregimit të barcoletave kundër pushtetit ose dhënies së deklaratave të pavend në publik apo në rastin kur në grup kishte informatorë të sigurimit. Pozita e grave ka qënë akoma më e vështirë sepse aborti ishte i ndaluar ndërsa kondomët apo pilulat kontraceptive ishin të ndaluara, e me këtë rast është rënduar edhe promovimi i tyre shoqëror dhe profesional. Për hir të së vërtetës, duke theksuar këto aspekte pa asnjë dyshim negative të realitet komunist, Ëodcoocku gjithsesi ka anashkaluar faktin se vetëm në Shqipërinë komuniste gratë e të gjitha besimeve fetare dhe të të gjitha moshave kanë fituar mundësinë që arsimimit dhe të marrjes se rolit, i cili, në kuadrin e lidhjeve dhe raporteve tradicionale ishte plotësisht i paaksesueshëm. Disa nga bashkëbisedueset e saj, të cilat kanë qënë të diskriminuara në kohën e regjimit të Hoxhës, gjithsesi kanë qënë mësuese ose inxhinjere me karriera të respektueshme për të cilat as nuk do të mund të ëndërronin sikur të jetonin në kohën e shoqërisë tradicionale shqiptare.

    Edhe në këtë libër, si anash, ajo është marrë edhe me barcoletat. Njëra prej tyre fliste për informatorin i cili shkruante shumë denoncime e pikërisht për këtë përfundoi në burg. Atje e pyetën nëse kishte nevojë për ndonjë gjë, e ai u lut t’i jepnin letër dhe pendë. “Kjo barcoletë përbën përgjigjen më të mirë të cilën shqiptarët japin për pyetjen përse spiunët kallzonin: sepse kjo ishte gjithçka që mund të bënin për të treguar besnikërinë e tyre dhe tregonte edhe telashet në shtetin socialist” (150). Por ajo vazhdon të mendojë se gjithsesi barcoletat në Shqipëri tregoheshin rrallë: “Pikërisht, trauma e kontrollit të vazhdueshëm shtetëror dhe numuri i madh i informatorëve të paguar, i kombinuar me dënimet për tregim barcoletash deri në tetë vite burgim në përputhje me nenin 55 të Kodit Penal, dëshmon për atë se barcoletat tregoheshin rrallë, madje edhe mes miqve ose në familje”

    Duke krahasuar me dënimin e njerëzve mbi atë sesi jetonin në kohën e komunizmit me ato që përshkruajnë gjendjen në Shqipërinë postkomuniste Woodcocku vjen të konkluzioni rrënues:

    “Nëse përfaqësuesit e shtetit do të merreshin me padrejtësitë historike, atëherë, veprimtaria postsocialiste e të dy partive politike që kanë punuar për përfitimin e tyre dhe në dëm të shqiptarëve të zakonshëm për të cilët pohojnë se i përfaqësojnë po ashtu do të njihej se e padrejtë. Shumica e njerëzve që punojnë me përkushtim dhe kujdesen për fëmijët e tyre kanë qënë të shfrytëzuar dhe të trajtuar keq edhe nga qeveritë postkomuniste pikërisht si edhe nga regjimi socialit” (205)

    Çapaliku, sikurse pamë më lart, eviton të merret me konkluzionet të cilat ka nxjerrë Woodcocku mbi bazën e studimit të saj mbi barcoletat mbi regjimin komunist në Shqipërinë postkomuniste. Po ashtu nuk ka komentuar as librin e publikuar gjashtë vjet më vonë mbi Shqipërinë postkomuniste në të cilën shumica e atyre të cilët në vitet tetëdhjetë i janë nënshtruar represionit ka përshtypjen se sot janë në pushtet trashëgimtarët e pushtetmbajtësve të dikurshëm komunistë dhe se padrejtësitë dhe raportet e vjetra ende vazhdojnë. A e pranon ai apo jo, Woodcoocku në njëfarë mënyre ka vërtetuar saktësinë e shakasë që ai ka vënë si moto të librit të tij:

     Cila ishte barecoleta e fundit e komunizmit? Tranzicioni politik shqiptar.

    Çapaliku ka ndërmarrë një hap me rëndësi për afirmimin e temave të anashkaluara nga koha e Luftës së Ftohtë. Shqipëria është një prej këtyre temave, dhe në mënyrë të veçantë kapitulli mbi barcoletat mbi regjimin komunist. Tezën se këto barcoleta kanë ekzistuar dhe se pushteti ka përndjekur egërsisht ata që i kanë treguar, ai e ka plotësuar edhe me një përmbledhje interesante të barcoletave të cilat, në sajë të botimit në gjuhën angleze, janë të arritshme edhe për publikun lexues ndërkombëtar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË