More
    KreuLetërsiBibliotekë"Bosh dhe vetëm", poezi nga Günter Grass

    “Bosh dhe vetëm”, poezi nga Günter Grass

    Përktheu Fatmir Alimani

    CREDO

    Dhoma ime është erëqetë,
    e përshpirtshme, një cigare,
    kaq mistike, saqë askush s’guxon
    të ngrejë qeranë
    ose të pyes për gruan time.
    Dje kur miza vdiq,
    unë kuptova pa kalendar,
    tetorin, një mësues vallëzimi që përkulet,
    ai don të më shesë mua tablo të vogla, të ndaluara.
    Për vizitë unë pres para derës.
    Posta ngjitet te xhami,
    jashtë, shiu lexon bashkë me mua.
    Brenda, dhoma ime është erëqetë,
    asnjë grindje mbi tapet,
    puthje të përpira nga orët,
    kurrë s’pengohemi, që të godasim gjurin,
    sepse gjithçka jepet,
    e përshpirtshme, një cigare,
    vertikalisht beson ajo,
    vertikalisht merimanga, një balancë,
    e ndjek pas çdo thellësi të madhe.
    Ne nuk do të dështojmë kurrë.


    USHQIMI I PROFETËVE

    Kur karkalecat e pushtuan qytetin tonë,
    s’erdhi më qumësht në shtëpi, gazeta u asfiksua,
    madje u hap burgu, profetët i lanë të lirë.
    Kështu përshkuan rrugët 3800 profetë.
    Të padënuar, duhej të flisnin, të ushqeheshin bollshëm,
    me çdo shtresë kërcyese bojë hiri, që ne torturë e
    q u a n i m.

    Kush kishte pritur diçka tjetër. –

    Shpejt erdhi përsëri qumështi tek ne, gazeta mori frymë thellë,
    profetët mbushën burgun.


    PAGJUMËSI

    Unë numëroja armiqtë e mi
    dhe fjeta mbi numrat.
    Kur u zgjova,
    unë numërova miqtë e mi,
    ndërmjet tyre të vdekurit,
    që numëroheshin dopio.


    DASHURI NË GUSHT

    Nëse ne në bashkveprim
    ndërmjet dhe nën merimangat
    shumëgjymtyrëshe, shkojmë në rrjetën
    e bërë në shtëpi,
    për të na kapur ty dhe mua,
    sepse ne jemi
    njëri
    për tjetrin
    pre


    NORMANDI

    Bunkerët në bregdet
    s’mund ta heqin dot betonin e tyre.
    Nganjëherë vjen një gjeneral gjysmë i vdekur,
    dhe përkëdhel frëngjitë.
    Ose në to banojnë turistët
    për pesë minuta torturuese. –
    Erë. Rërë. Letër dhe urinë:
    Gjithmonë është invazion.


    QARK I SHKURTËR

    Në çdo dhomë, edhe në kuzhinë, unë ndizja dritat.
    Fqinjët thoshin: Një shtëpi festive.
    Por unë isha krejtësisht vetëm me ndriçimin tim,
    gjersa ra era e siguresave të djegura.


    NARZISS

    Për ku do ta prini qenushin,
    për ta shëtitur
    edhe pa rrip?

    Ai gërvisht te porta,
    urinon mbi parket,
    gjersa e shoh ç’po bën.

    Unë jam i bukur.
    Kështu thotë qeni im, që është gjithnjë besnik.
    Budallenj jemi ne të dy – por të pavdekshëm.


    DUEL ME HUTËN

    Jo, hutë, jo.
    Mishi im është i pastër.
    Më beso, unë s’bie erë.

    Jo, hutë, jo.
    Si mund të jem unë i ushqyeshëm për ty,
    mua më ka lindur një engjëll.

    Jo, hutë, jo.
    Lëre zorrën time dhe gurin në veshka,
    përndryshe unë duhet të këndoj për ty.

    Dhe unë këndova për një hutë,
    gjersa ajo duhej të më pështynte mua.
    Jo, hutë, jo.

    Dhe, kush don të më shfaros mua tani?


    BOSH DHE VETËM

    Pantallonat poshtë, duart si për lutje,
    shikimi im është fokusuar në një drejtim:
    pllaka e tretë nga sipër, e gjashta djathtas.
    Diarre.
    Unë dëgjoj.
    Dymijëepesëqind vjet histori,
    dije të hershme dhe mendimet e fundit
    lëpijnë njëri-tjetrin, ngrihen lart.

    Është infektimi i zakonshëm.
    Vera e kuqe e nxit këtë gjë
    ose grindja te shkallët me Ilsebill.
    Ankth, sepse koha-ora mendoj unë-
    ka një bark kronik.

    Çfarë përlyejnë: problemet e mëngjesit.
    Asnjëri s’dëshiron që jashtëqitja të bëhet kompakte,
    dhe gjithashtu dashuria bie në pafundësi.

    Kaq shumë boshnajë
    është tashmë një kënaqësi: vetëm në WC
    me prapanicën time
    Zoti Shteti Shoqëria Familja Partia…
    Jashtë. Gjithçka jashtë.
    Era që bie jam unë.
    Tani mund të qajmë.


    O NJERI!

    Edhe vetë muti yt
    bie kryeneç,
    bie erë egocentrik
    dhe s’ka asnjë krahasim.


    PËR TY

    Këpucët e mia të zbrazëta
    janë plot me plane udhëtimi,
    dhe dinë rrugë të tërthorta,
    që të gjitha të çojnë tek ti.


    NË VEZË

    Ne jetojmë në vezë.
    Në anën e brendshme të lëvozhgës,
    ne kemi gërvishtur vizatime të pacipa
    dhe emrat e armiqve tanë.
    Ne do të klloçitemi.

    Kush do të na klloçitë ne,
    do të klloçitë edhe lapsin tonë.
    Një ditë do të dalim nga veza.
    dhe ne do të bëjmë menjëherë
    një portret të klloçitjes.

    Ne pranojmë, që të klloçitemi.
    Ne përfytyrojmë një shpesë shpirtmirë
    dhe shkruajmë hartime
    mbi ngjyrën dhe racën
    e pulës, që na klloçit ne.

    Kur do të dalim ne nga veza?
    Profetët tanë në vezë
    grinden për pagesën mesatare
    mbi kohën e klloçitjes.
    Ata pranojnë një ditë X.
    Nga mërzia dhe nevoja e vërtetë
    ne kemi shpikur inkubatorin.
    Ne kujdesemi shumë për brezin tonë të ri në vezë.
    Me kënaqësi secilit që vigjëlon mbi ne,
    i rekomandojmë patentën tonë.

    Por ne kemi një çati mbi kokë.
    Zogj pule matufë,
    embrione me njohuri për gjuhën
    flasin gjithë ditën
    dhe diskutojnë akoma për ëndrrat e tyre.

    Dhe nëse ne nuk do të klloçitemi?
    Dhe nëse kjo lëvozhgë s’do të ketë një vrimë?
    Nëse horizonti ynë është vetëm horizonti
    i shkarravitjeve tona, dhe kështu do të mbetet?
    Ne shpresojmë, që ne do të klloçitemi.

    Nëse ne do të flasim vetëm për klloçitjen,
    mbetet të frikësohemi, që dikushi,
    jashtë lëvozhgës sonë, ndien uri,
    dhe na hedh ne në tigan, dhe na krip. –
    Çfarë të bëjmë ne pastaj, o ju, vëllezër në vezë?


    INKURAJIM PËR ANËN

    Mos ki frikë
    për sa kohë do të bjerë shi,
    askush nuk do të vër re,
    që kukullat e tua qajnë.

    Mos u frikëso ti.
    Unë e kam vënë revolverin nën tutelë.
    Të gjithë plumbat na përkasin ne,
    ne mundemi ta mbushim orën me to.

    Mos ki ankth.
    Unë do t’i kap zhurmat,
    do t’i mbyll në kuti të vogla,
    dhe do t’i çoj te posta.

    Mos ki frikë.
    Emrat tanë unë i kam maskuar.
    Askush nuk duhet të dijë si quhemi,
    nëse ne na thërrasin.


    GOETHE

    Ose një paralajmërim për Teatrin Kombëtar
    në Mannheim.

    Unë u frikësohem njerëzve,
    që bien erë duhani anglez me llullë
    Fjalët e tyre sinjalizuese nuk kafshojnë,
    por do të transmetohen
    nëse unë tashmë fle.

    Sa frfkësohem unë,
    nëse ata vijnë nga Frankfurti,
    sjellin duhanin e tyre,
    kundrojnë gruan time,
    dhe flasin ëmbël për librat.

    Frikë kam, ata që e pinë duhanin me llullë,
    do të më pyesin mua,
    çfarë tha Goethe dhe ku,
    si kështu, çfarë mendonte ai,
    kur thoshte që donte të kuptohej sot dhe në të ardhmen.

    Por unë, nëse humbas frikën time,
    nëse unë librin tim të madh,
    që numëron nëntëqind faqe,
    dhe përshkruan zjarrin më të madh,
    para llullave të tyre, do ta hap me furi?

    Frikë, fillon libri im,
    kur njëfarë zotëri Goethe,
    me qëllim dhe fitil,
    Teatrin e Weimar-it,
    e la në flakë. –

    tashmë si Neroni, edhe Shekspiri,
    zjarrvënës ishin dhe poetë.


    RRUAZA GJAKU

    Por lakuriq
    dhe e pranishme, vetëm në proporcione,
    ti më bën të vuaj akoma.
    Dhe unë përpiqem të zhvendos gjurin tënd.
    Kryqi yt i zbrazët më lë mua të mendueshëm.
    Unë nuk e di përse ti je kaq e shëmtuar,
    përse syri im nuk mund të rrëshqasë nga ti,
    në gjelbërim ose përgjatë lumit,
    që është i tëri prej natyre
    dhe nuk ka asnjë klavikul.

    Unë të dua,
    për sa është e mundur.
    Unë dua të mendoj një balet
    për rruazat e tua të gjakut,
    të bardha dhe të kuqe.
    Dhe nëse pastaj bie perdja,
    unë do të kërkoj pulsin tënd
    dhe do të verifikoj,
    nëse ia vleu vërtet shpenzimi i bërë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË