More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBlerina Suta: Fishta, Kanonizimi i poetit “kombëtar” në poet të “stilit”

    Blerina Suta: Fishta, Kanonizimi i poetit “kombëtar” në poet të “stilit”

    “Miti” i poetit kombëtar ka kushtëzuar përmasën e shijes në kanonizimin letrar të Fishtës.

    Këtij miti i detyrohet vënia në qendër apo në periferi të kanonit letrar të veprës së Fishtës, si asaj epike ashtu edhe asaj lirike. Këtij miti i ka shërbyer kritika fishtiane në periudhën komuniste, brenda dhe sidomos jashtë Shqipërisë, në Kosovë dhe diasporë, por, për fat të keq edhe sot, kur sasia e pafund e punimeve dëshmon ende mungesën e ndjekjes së atij procesi që merret me transformimin e gjuhës së veprës në stil dhe rrezatimit të këtij të fundit në kuptim të shumëfishuar, ideologjikisht të konotuar.

    Teksti i Lahutës… ka vuajtur më shumë se të tjerët nga ideologjizimi i kritikës. Duke qenë se Lahuta… është një tekst që i shërben një paradigme kulturore në fazë formimi, kritika sot ka vënë vlerat artistike të poemës në funksion të ideologjisë së saj kombëtare. Duke e studiuar këtë vepër brenda paradigmës së “eposit kombëtar” mbulohen pikërisht ato vlera (me funksion jo me të paktë, përkundrazi të shumëfishuar, përkundrejt sentimentit kombëtar) që vijnë nga raporti i veprës me eposet e krijuara prej autorëve romantikë sllavo-jugorë, vlera që ndriçojnë edhe një sërë problemesh të ndërlikuara historike në Ballkan. Në mënyrë paradoksale, nacionalcentrizmi bëhet burim i izolimit të veprës nga konteksti historik i ligjërimit, vlerë të cilën kjo vepër e realizon me sukses, pikërisht nëpërmjet dialogut me veprat e shkruara nga autorët sllavë.

    Sipas stilit tipik të kritikës jorigoroze dhe impresionistike, vepra epike romantike fishtiane është qëmtuar vetëm në elementet e substancës së përmbajtjes të eposit klasik dhe popullor dhe nuk është analizuar si produkt stili me funksion në kontekstin historik ballkanik të lindjes së tij.

    Konteksti ballkanik i poemave epiko-romantike nuk mund të lihet mënjanë në kushtet e rrjetit ndërtekstor që krijon vepra e Fishtës me veprat e autorëve sllavo-jugorë të eposit, Mazuraniq, Grgaa Martiq dhe Njegosh, të cilët autori i përdori si modele poetike për t’i përmbysur në domethënien ideologjike të elementeve homonime të organizimit të gjinisë epike.

    Me fjalë të tjera, mënyra e ngjashme e përdorimit prej këtyre autorëve të eposit klasik dhe atij popullor gojor, si dhe miteve ndërtuese identitare të secilës bashkësi, rezulton me funksionon të përmbysur në përmasën artistike të poemës së Fishtës.

    Kritika ideologjikisht e konotuar nga monizmi dhe nga kategori aprioristike kritike komportohet përballë tekstit të Fishtës si përballë një teksti pa funksion, përballë një teksti që ngatërrohet me një vepër folklorike apo historike.

    Ka pasur raste kritikash kur përpjekja për ta çliruar Fishtën nga akuzat e “paarsyeshme” është bërë demonstrim i pamundësisë së çlirimit të kritikës nga arsyet ideologjike të formimit të saj. Procedimi retoriko-formal i arsyetimit të kritikut “tradhton” monizmin ideologjiko-kritik që karakterizon konceptin e tij për artin dhe artistin. Arsyetimet për ta shpëtuar Fishtën nga akuzat e bashkëpunimit me pushtuesin italian; nga vënia e fesë para Atdheut; nga karakteri folklorik i veprës, shpërbëhen shpesh në analiza që e orientojnë veprën jashtë funksionit të niveleve të ndryshme të organizimit të strukturës poetike. Ta shpëtosh Fishtën nga akuzat e mësipërme duke folur për vepër dhe shkrimtar stilistikisht të vonuar sepse, ndryshe nga rrymat që po zhvilloheshin në Europë, Fishta frymëzohet prej folklorit dhe muzave greke dhe romake, do të thotë t’i mohosh veprës funksionin më të qenësishëm: natyrën si produkt intelektual dhe mungesën e përmasës objektive të gjendjes sociale.

    Duken qartë se tipare të një kritike të tillë janë idealisto-romantike dhe nuk kanë parasysh faktin se jeta dhe historia nuk prodhohen me histori dhe jetë në art.

    Mendimi historiko-social që qarkullon në Lahutë realizohet jo nëpërmjet realitetit socio-historik në vepër, por nëpërmjet zhvendosjes, progresit të domethënies apo mendimit poetik të shprehur nga arti dhe gjuha artistike. Gjuha e historisë, e folklorit dhe e mitit i janë nënshtruar një sistemi përpunues stili duke përcjellë domosdoshmërisht edhe një përmasë të fuqishme intelektuale.

    Autonomia e Lahutës… nuk është, pra, metafizike, por historike, dhe realiteti që gjen konfirmim aty nuk është ekzistenca metafizike nacionale.

    Çdo largim, çdo orientim jashtë veprës si sistem, dëmton shenjën letrare dhe funksionimin e saj. Largimi në kohë i burimeve tekstore, i hap rrugë largimit nga funksioni dialogues i veprës, dialog që i shkon për shtat modelit heroik të këngës si “mass media” në malësi. Funksionalizimit të tiparit social mediatik të këngës epiko-heroike, i përbashkët mes Fishtës dhe autorëve sllavo-jugorë, i shtohet rrafshi i gjykimit moral nga ana e Fishtës se mesazhi që rrjedh prej poemave të autorëve sllavo-jugorë mund dhe duhet të lexohet edhe nga një këndvështrim shqiptar.

    Në raportin antonimik “heroizëm dhe lavdi” v.s “turp”, autori bazohet pikërisht në mospranimin nga ana e malësorit të së kundërtës së heroizmit, që për të do të thotë vdekje sociale. Bazuar në konceptin heroik-kolektiv për këngën dhe ata që e meritojnë atë, e tashmja e mitizuar “fsheh” këndvështrimin autorial. Koncepti fishtian i “së drejtës natyrore”, nëpërmjet vënies në plan të parë të individit, i kundërvihet “së drejtës historike”, ndërtuar mbi konceptin e unitetit religjioz të barasvlershëm me kombin tek autorët sllavë.

    Funksionalizimit të këtij kodi moral të “këngës” do t’i shërbejnë të gjitha elementet që ndërtojnë veprën: vargjet me referime metaligjërimore; përshkrimi i hollësishëm i veglave muzikore që shoqërojnë këngën; titulli. Deri edhe titulli i veprës së Fishtës, në fakt, shfaq vlera metagjuhësore që i referohen kodit të lavdisë dhe të këngës në poemat epike të sllavëve të Jugut, duke realizuar një përmbysje të kodit sllav të vlerave. Elementi i përbashkët “mal” që bashkon titullin e veprës së Fishtës me atë të Njegoshit paralajmëron, në fakt, një qëndrim krejt të kundërt të Fishtës ndaj versionit të mitizuar të historisë, treguar prej Njegoshit. Për Fishtën kënga e heroizmave malësore kundër synimeve shoviniste të fqinjëve është kënga e vërtetë e heroizmit.

    Te Fishta motivi i Gjergj Elez Alisë, motiv themeltar në bazë të shumë situatave të poemës, krijon një funksion të përmbysur përkundrejt funksionit që krijon arketipi i betejës së Fushë Kosovës te sllavët.

    Përmbysjes së kodit heroik të poemave epiko-romantike sllave do t’i shërbejë edhe rrafshi i citimeve të brendshme në tekst: në kulmin e klimaksit narrativ të Lahutës…, në episodin e Tringës ai citon Njegoshin si nxitës së luftës së padrejtë të malazezëve, dhe këtë e bën në një kontekst narrativ që kujton torturat e Ismail Agës kundër rajasë në veprën e Mazhuraniqit.

    Funksionalizmi i këtyre detajeve në veprën e Fishtës flet për një përmbysje këndvështrimi: pikërisht, atë që serbët, kroatët, malazezët kishin pësuar prej turqve po e pësonin tani shqiptarët prej serbo-malazezëve.

    Është detyrë e kritikës, pra, të përballë temat dhe domethëniet folklorike, si dhe format përkatëse instrumentale, me domethënien apo mendimin jo të zakonshëm të zhvilluar nga teksti vetë.

    Mendimet e Camajt që pohon se Fishta nuk ka ndjekur rregullat sistematike të një shkolle letrare, por pati si model të folurën e Veriut me gjallërinë dhe ngjyrimet e saj, si dhe të Çabejt, sipas të cilit vepra i kalon kufijtë shqiptarë duke u bërë në njëfarë mënyre një “epos ballkanik”, janë shembuj të qasjes objektive ndaj një objekti letrar, larg nacionalcentrizmit dhe ideologjive mitizuese.

    Për t’u kthyer te kanoni letrar, mund të thuhet se vetëm në këtë sistem raportesh mund të përvijohet nga këndvështrimi historiko-letrar një tipologji e veçantë, ballkanike, e romantizmit të vonë, në dialog të vazhdueshëm me historinë dhe të ardhmen historike. Falë raportit me poezinë popullore, këto gjini romantike do të luajnë rolin e “aktivizuesve” të vërtetë të kujtesës kulturore.

    Fishta në vitet ’30 fliste për “normatizim”, kur e ndiente se poetika e veprës së vet përbënte një devijim nga ajo çka konsiderohej “normë”, kur e ndien të nevojshme që, në Shinime estetike, Mbi natyrë t’artit (1933) të estetizojë krijimin e “shumë personazheve” si formë të paraqitjes së realitetit. Me gjithë përmasat “klasike” dhe “popullore” në “lëndë” dhe në “formë”, si të “përmbajtjes” ashtu dhe të “shprehjes”, Lahuta… do të realizohej si një vepër që qëndron larg, si klasicitetit ashtu edhe krijimit popullor.

    Larg prej normës së gjinisë klasike, “forma ideale” realizohet artistikisht duke marrë shkas nga efekti i bukurisë që krijohet nga “shumësia” e objekteve të botës reale: “si nji poet klasik, po zâmë, qi merr elementa prej poezijet popullore, per të trajtuem nji kangë letrare e artistike”.

    Vështirësia e operimit me kategori të mëdha historiko-letrare, si rrymat, që presin diakronikisht të gjitha vendet e Europës, është shtruar për zgjidhje nga komparatistët bashkëkohorë, në konceptin e “komuniteteve ndërletrare”, kategori e mesme që merr në konsideratë letërsitë e atyre vendeve që kanë bërë pjesë, për një arsye apo tjetër, në një komunitet ndërkulturor. Kjo zgjidhje bashkëkohore për letërsinë shqipe ishte propozuar shumë herët nga Çabej mbi Romantizmin në Europën Juglindore.

    Fishta i Lahutës…mund të përqaset me autorët e romantizmit serb dhe kroat që patën po atë qëndrim ndaj përbërësve klasikë dhe popullorë në veprën e tyre.

    Të çlirosh kanunin nga operacioni ideologjik i margjinalizimit, do të thotë t’i rikthesh historisë letrare vepra të rëndësishme, t’i bësh ato më të “përkthyeshme” nga këndvështrimi kritik, duke mos i konsideruar metaforikisht “kufitare”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË