More
    KreuIntervistaBisedë me prof. Arben Prendin për programin e studimit të Gjuhës Shqipe...

    Bisedë me prof. Arben Prendin për programin e studimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

    nga Andreas Dushi

    Përgjithësisht degët e mësuesisë kanë pësuar një rënie të interesit që studentët tregojnë e mes tyre, sigurisht është edhe Gjuhë-Letërsia. Por kjo, përveç mungesës së mësuesve rrezikon të krijojë edhe mungesën e studiuesve duke mos ndryshuar praktikën fatkeqe të letërsisë shqipe pa kritikë përballë. Prandaj “ExLibris” do të bisedojë me drejtuesit e departamenteve të letërsisë në universitetet kryesore të vendit, për të paraqitur më saktësisht jo veç arsyet e kësaj mungese, por edhe mundësi se si ngërçi i sipërpërmendur mund të zgjidhet.

    Profesor, ju jeni drejtues i departamentit të letërsisë pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Si ka qenë tendenca e studentëve të interesuar për të ndjekur programet e studimit Bachelor GjuhëLetërsi dhe Bachelor Gazetari-Komunikim? 

    I dashur Andreas të falenderoj për interesimin tënd për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe veçanërisht për programin e studimit Bachelor në Gazetari-Komunkim dhe Bachelor në Gjuhë-Letërsi, ku edhe je diplomuar, si një nga studentët tanë të talentuar. Tek ish-studentët tanë shohim rezultatin e punës sonë ndër vite, aq më tepër tek studentët e talentuar në fushën e letërsisë. Siç e ke përjetuar edhe vetë, interesi për programet e studimit të shkencave shoqërore, në përgjithësi në këto katër vitet e fundit është në rënie. Kjo nga njëra anë është problematike, sepse kur nuk ka sasi nuk ka as cilësi mes studentëve, meqenëse mungon konkurenca dhe rivaliteti, nga ana tjetër është pozitive, sepse puna me grupe të vogla studentësh lë më shumë hapësirë për secilin. Ndërkaq edhe nga ana praktike ka më shumë hapësirë fizike dhe infrastrukturë në shërbim të studentëve. Gjithashtu numri më i ulët i të diplomuarve në fushat tona rrit shanset për një punësim më të shpejtë sesa më parë, për shkak nevojave që aktualisht ka vendi. Maturantët janë duke preferuar programet e studimit që ata mendojnë se sigurojnë vend pune në treg dhe paga më të larta.

    Megjithatë mendoj se për ta ekuilibruar këtë tendencë me nevojat aktuale të vendit, Ministria e Arsimit, sidomos për degët që kanë profil mësuesie, në rastin tonë gjuhë-letërsi, mund të ndryshojë diçka për pranimin e  studentëve të rinj. E vlerësojmë mbështetjen e deritanishme të qeverisë me bursa për studentët e këtyre programeve, por kemi nevojë për më shumë mbështetje bindëse dhe motivuese për ata që zgjedhin programet tona të studimit. Mbështetja gjatë këtij viti me bursë në masën e një page minimale mujore, për studentët me mesatare mbi 8.5  nuk u kuptua mirë nga studentët tanë, të cilët, për shkak të kriterit që lidhej me detyrimin për të punuar disa vite në vend, pas mbarimit të studimeve, hezituan të aplikojnë nga droja se nuk do të arrijnë të gjejnë punë pas mbarimit të studimeve dhe kjo mund t’i detyrojë të kthejnë pas bursën.

     Kjo mbështetje mund të jetë:

    1. Heqja e taksës së shkollimit për të dy ciklet e studimit të profilit mësuesi. Efekti financiar është minimal duke pasur parasysh se bëhet fjalë për maksimumi 20-25 studentë për secilin profil të degëve mësuesi.

    2. Mbështetje me bursë mujore sa një pagë minimale për të gjithë maturantët që vijnë me mesatare 7.5 dhe nëse e ruajnë atë në të dy ciklet e studimit. Edhe këtu efekti financiar është minimal për shkak të numrit të ulët të studentëve.

    3. Kuota të rregulluara me ligj dhe në përputhje me nevojat aktuale. Pra, kuotat e këtyre profileve mund ndahen mes universiteteve që kanë traditë të gjatë në formimin e mësuesve, siç është Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe në shërbim të nevojave për mësues të rajoneve përkatëse. Bie fjala një i diplomuar për mësuesi në Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës, por që është nga Kopliku apo nga Bushati, apo nga Shkodra, nuk gjasa të kthehet më për të punuar mësues në Koplik, në Bajzë apo në Vermosh, madje as në Shkodër. Kuptohet një i diplomuar për mësuesi me banim në Tiranë nuk asnjë motiv të punojë mësues në Pukë etj. Pra, mund të shihet mundësia që studentët nga rrethet që duan të studiojnë për mësuesi, të kenë kuota të përcaktuara dhe të ndjekin studimet pranë universiteteve rajonale, sepse aty është edhe nevoja më e madhe dhe tregu aktual i punës për ta.

    4. Miratimin e programeve të studimit edhe online. Është një përvojë e re, por kemi pasur kërkesa për një formë të tillë studimi nga studentë shqiptarë që jetojnë jashtë, por edhe nga të tjerë që për shumë arsye nuk kanë mundësi të frekuentojnë fizikisht gjatë gjithë vitit.

    5. Rritje maksimale për pagat e arsimtarëve për t’i motivuar studentët të zgjedhin degët e mësuesisë dhe punësim të tyre sipas meritës.

    Kam pasur një replikë me ju, kohë më parë për arsyet e kësaj rënieje të interesit. Përtej saj, cila do të ishte renditja juaj e arsyeve nga më ndikuesja deri te ajo që ndikon më pak?

    Arsyet janë të shumta dhe komplekse. Mendoj se nuk është thjesht rënie interesi… Është si të thuash se ka rënie interesi për të jetuar në Shqipëri… gjë e cila nuk është arsye akademike… Së pari, do të rendis arsyet sociale dhe ekonomike. Siç e thonë insituticionet e statistikave, gjatë tetë viteve të fundit, vendi, veçanërisht Veriu i Shqipërisë, po përjeton një emigracion të frikshëm, të ngjashëm me atë të mbas rënies së regjimit komunist. Veçanërisht të rinjtë dhe rinia studentore, po largohen masivisht drejt perëndimit për një jetë më të mirë dhe më të sigurtë. Ndërkaq një pjesë e mirë e popullsisë së Veriut po migron drejt Tiranës dhe Durrësit në kërkim të punës dhe perspektivës së një jete më të mirë. Pra, kemi një shpopullim katastrofik, të cilin, politika e quan “sukses” të demokracisë. Pra, liria e lëvizjes dhe e drejta për të ikur ku të duash, pavarësisht se, në fakt, shkaku i këtij fenomeni lidhet me mungesën e perspektivës së të jetuarit në fshatin apo qytetin ku banon.

    Ndërkohë, sipas të dhënave statistikore vendi po përballohet edhe me rënien drastike të numrit të popullsisë për shkak të rënies së lindshmërisë. Problem për të cilin politika shqiptare dhe shoqatat joqeveritare kanë mbi tridhjetë vite që po punojnë me të gjitha format për t’i bindur shqiptarët të bëjnë sa më pak fëmijë, a thua se Shqipëria ka një popullsi tre miliard banorë. Me këtë ritëm vendi ynë pas njëzet-tridhjetë vitesh do të përfundojë me pesëqind mijë banorë. Politika më duket ka harruar se rënia e numrit dhe plakja e popullsisë e çon një popull të vogël drejt zhdukjes.

    Pra, me pak fjalë, unë nuk e shoh problemin, si problem i programit të studimit Bachelor në Gjuhë-Letërsi apo tjetër, por si një problem madhor kombëtar: i shpopullimit të vendit dhe tendencës për të përqendruar të gjithë potencialin ekonomik dhe kulturor në 2-3 qendra urbane, ndërsa dhjetëra fshatra e qytete të periferisë do të shndërrohen në rezervate, ku pas pesëdhjetë vitesh, të apasionuarit pas gjuetisë mund të gjuajnë derra të egër.

    Realiteti i sotëm ekonomik dhe kulturor sidomos në Veriun e Shqipërisë, të cilin e njoh më mirë, është për fat të keq kështu: aty ku ka pasur një fshat tani ka vetëm 3-4 shtëpi ku banojnë disa të moshuar; aty ka pasur një qendër shëndetësore, një shkollë, një zyrë administrative etj., tani ka gërmadha ku mungon energjia elektrike me ditë të tëra dhe uji i pijshëm. Në këto fshatra, aty ku ka ende shkolla, nëse para katër vitesh ka pasur dy-tre klasa paralele për secilin vit, tani ka ose klasa kolektive, ose mezi bëhet një klasë me numrin minimal të nxënësve. E njëjta gjendje edhe në qytete. Pra, rënia e numrit të popullsisë do të thotë më pak njerëz, më pak nxënës në klasën e parë, më pak në klasën e nëntë, më pak në shkollën e mesme, sigurisht edhe më pak në universitet. Pra, është një proces zinxhir, i cili, gradualisht do të bllokojë edhe jetën sociale dhe ekonomike të vendit, sepse që tani kërkohen punëtorë, por nuk ka, nesër do të kërkohen mjekë, infermierë, mësues dhe largqoftë gazetarë, kritikë letrarë dhe studiues të letërsisë, për të cilët, edhe publiku mesatar dhe shkarrashkruesit, do të ndihen më në fund të kënaqur, sepse nuk do të ketë kush t’i bezdisë…

    Këtë shqetësim besoj mund ta kemi ne dhe pak të tjerë të fushave tona, sepse fatkeqësisht kultura dhe arsimi reflektojnë gjendjen ekonomike, sociale dhe politike të një vendi. Ka fare pak politikanë apo deputetë që shqetësohen se nuk do të ketë në të ardhmen, gazetarë, kritikë letrarë, gjuhëtarë, studiues të letërsisë apo mësues të gjuhës shqipe. Mundësisht këtë të fundit mund ta zëvendësojmë me ndonjë gjuhë të huaj, sepse gjuha shqipe në të ardhmen, me sa duket, do të jetë gjuhë e minorancës në vend…

    Po mirë, a është vërtetë bashkëkohore dhe e vleftë oferta juaj për maturantët? Pra, a mund të më tregoni mundësitë që studentët kanë kur mbarojnë gjuhë-letërsinë si dhe përfitimet e ndjekjes së këtij programi?

    Programi ynë i studimit Bachelor në Gjuhë-Letërsi, të cilin e bashkëdrejtojmë me departamentin e Gjuhësisë, është një program i konsoliduar dhe në përputhje me standardet akademike për formimin e studentit në fushën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë. Është një program në masën 80% i njëjtë me atë të universiteteve të tjera publike në vend. Lektorët e këtij programi janë me përvojë shumëvjeçare dhe të kualifikuar në fushat përkatëse, me tituj e grada shkencore. Programi ynë i studimit është në përputhje me Ligjin e Arsimit të Lartë të vitit 2015 udhëzimet e aktet që e shoqërojnë atë, në përputhje edhe me Deklaratën e Bolonjës etj.  Në këtë program studimi studentët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në Master profesional në Mësuesi në GjuhëLetërsi, hyjnë me mesatare 7.5 ndërsa ata që dëshirojnë të kryejnë vetëm Bachelorin në Gjuhë-Letërsi hyjnë edhe me mesataren 6.5. Vlen të shënojmë se për maturantët nga trojet shqiptare në shtetet e tjera, si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia (Presheva, Medvegja, Bujanovci), ka kuota të veçanta dhe nuk i nënshtrohen kriterit të notës mesatare.

    Nga ky program studimi disa mund të ndjekin studimet në Master profesional në Mësuesi në GjuhëLetërsi dhe në Master shkencor në Etnokulturë dhe letërsi shqipe si dhe “Studime të thelluara në gjuhësi”. Pra, kemi të realizuara të dy ciklet e studimit  si dhe ciklin e tretë Doktoraturë në Gjuhë shqipe. Shpresojmë të realizojmë në të ardhmen edhe Doktoraturë në Letërsi. Edhe për hyrjen në master kandidatët nga trojet shqiptare kanë kuota të veçanta.

    Gjithashtu Departamenti i Letërsisë drejton edhe programin e studimit Bachelor në Gazetari dhe komunikim që është një program që përgatit kryesisht gazetarë, specialistë të komunikimit etj., dhe ka të njëjtat standarde me sa përmendëm. Në këtë program maturantët pranohen me mesatare 6.5.

    Programet në fjalë përmbushin standardet akademike dhe janë në përputhje me legjislacionin dhe aktet rregulluese në fuqi. Ato sigurojnë njohuritë, kompetencat dhe aftësitë që duhet të ketë studenti i këtyre profileve, në këtë nivel studimi. Objekti i programeve tona të studimit është i qartë dhe i kuptueshëm sipas fushave. Programet e studimit maten nga përputhshmëria me standardet akademike në fuqi dhe jo me të qenit “bashkëkohore” dhe “jobashkëkohore”.

    Deri tani perspektiva e punësimit të studentëve tanë ka qenë dhe është teorikisht: punësimi si mësues të gjuhës dhe të letërsisë, si gazetarë, punonjës bibliotekash, punonjës administrate në nivele të ndryshme, redaktorë gjuhësorë dhe letrarë, specialistë të komunikimit dhe medias, punonjës kulture në administratën lokale dhe qendrore. Them teorikisht, sepse detyra e çdo universiteti është të pajisë të diplomuarin me dijet, aftësitë dhe kompetencat përkatëse për profesionin dhe pastaj, sipas mundësive, të jetë faktor ndihmës për punësimin dhe trainimin e mëtejshëm të të diplomuarve, në vijimësi.

    Nga ana tjetër po shohim përditë rënien e vëmendjes së shtetit dhe shoqërisë për kulturën kombëtare, për gjuhën shqipe dhe për letërsinë. Në kohët e globalizimit, kultura si kultura jonë, mund të gllabërohen gradualisht, dhe mungesa e vëmendjes do ta përshpejtojë këtë proces. Pra, çështja është madhore dhe nuk lidhet vetëm me numrin e ulët të studentëve por me mbijetesën e kulturës kombëtare. Gjuha dhe letërsia kombëtare, në tërësi studimet albanologjike, janë shtylla të identitetit kombëtar, dobësimi i tyre rrezikon vetë identitetin tonë kombëtar. Në të gjitha universitetet publike evropiane, degë të tilla, përbëjnë vlera të paprekshme për shoqëritë përkatëse. Madje nuk është e tepërt që vetë qeveria të ketë një strategji për perspektivën e këtyre degëve, sepse nuk mjafton përcaktimi degë me “prioritet kombëtar” por duhet mbështetje e fuqishme për të ardhmen e tyre.

    Profesionet e lidhura me fushat tona të studimit janë të keqpaguara. Maturantët hezitojnë të zgjedhin profesionin e vështirë të mësuesit të gjuhës dhe letërsisë kur shohin se prindërit e tyre me këtë profesion mezi mbijetojnë me pagat që marrin si dhe kanë një të ardhme krejt të pasigurtë për vendin e punës. Duhet një rritje dinjitoze e pagave të arsimtarëve dhe një strategji më e qartë nga politika se çfarë synon të bëjë për arsimin, kulturën, gjuhën dhe letërsinë kombëtare. Arsimi publik, kultura, gjuha shqipe dhe letërsia kombëtare nuk duhen parë vetëm si gjeneruese të ardhurash, por si elemente kyçe të identitetit tonë kombëtar.

     Maturantët hezitojnë të zgjedhin profesionin e gazetarit kur dëgjojnë nga të njohurit e tyre se gazetarët në rrethe marrin paga qesharake dhe ndonjëherë punojnë edhe në të zezë. Qeveria duhet të projektojë vende pune për studentët që studiojnë në degët tona, sepse nuk ka ndonjë treg të rëndësishëm për punësimin e tyre. Për shembull, vetëm me një vendim, qeveria mund të hapte dhjetëra vende pune për redaktorë gjuhësorë dhe letrarë në të gjitha institucionet lokale dhe qendrore, për studentët që kanë mbaruar Bachelorin në Gjuhë-Letërsi, kur shohim mangësitë e administratës apo institucioneve në hartimin e dokumentacionit në përputhje me normën gjuhësore të gjuhës shqipe. Universiteti, në të gjithë botën e qytetëruar, të pajis me njohuritë, dijet, kompetencat e duhura për fushën e caktuar dhe nuk të punëson, megjithatë për profesionet, siç është edhe ai i arsimtarit, shteti ka rolin e tij me rëndësi në këtë drejtim.

    Këtë pyetje kam shumë dëshirë t’jua bëj sa më shumë studiuesve të jetë e mundur e mes tyre edhe ju. Unë jam me idenë e Murakamit (e jo vetëm) se njeriu mund të jetë shkrimtar i mirë pavarësisht arsimimit të tij, cilido qoftë ai. Por gjithsesi, një shtet i tërë si Shqipëria nuk ofron asnjë degë studimi apo specializimi (master p.sh.) për creative writing ose në shqip shkrimin krijues. Sa të rëndësishme e shihni shtimin e një kursi të atillë studimi dhe sipas jush, pse mungon?

    E drejtë ajo që shtron, por duke parë rënien e interesit për shkencat shoqërore, veçanërisht për gjuhën dhe letërsinë, kam përshtypjen se do të ishte një kurs me 1-2 studentë. Pra, mendoj se do të ishte një “luks” dhe ndoshta do të na duhen të paktën edhe 50 vjet për të mbërritur te kjo diplomë. Pastaj kjo diplomë do të ishte specifike, një formim shtesë për shkrimtarin e ardhshëm, por jo një certifikim, apo profesion, aq më tepër në Shqipëri. Jam dakord se nuk ka program studimi që të bën shkrimtar, sepse shkrimtaria është diçka përtej profesioneve të zakonshme, por gjithashtu mendoj se ka përfunduar epoka e shkrimtarëve autodidaktë. Arsimimi, pavarësisht fushës, është një element i rëndësishëm dhe plotësues i talentit të shkrimtarit në kohën tonë. Bie fjala, nuk mund të jesh shkrimtar serioz nëse nuk e njeh dhe përdor me elegancë gjuhën tënde amtare. Por edhe një shkrimtar që ka studiuar në një program studimi për të njohur gjuhën dhe letërsinë, patjetër është një hap para, krahasuar me dikë që nuk i ka këto njohuri. Mund të ishte me shumë vlerë, por në kushtet tona të mbijetesës e shoh me pikëpyetje sepse çdo program studimi kërkon personel akademik shtesë, paga, ambiente, infrastrukturë etj. Dhe të paktën një certifikim për profesionin e mundshëm. Nga ana tjetër do ishte një problem shtesë me mbajtësit e kësaj diplome, të cilët, siç ndodh dendur tek ne: do të krekoseshim të gjithë si shkrimtarë të certifikuar.

    Në mbyllje, një pyetje përtej temës. Ju, përveçse studiues e pedagog, jeni edhe shkrimtar e poet. Si jetojnë dimensioni studiues me atë krijues në përditshmërinë tuaj?

    Faleminderit për konsideratën. Në një marrëdhënie kontradiktore. Gjatë viteve të fundit pjesa profesionale më pengon brutalisht të merrem me krijimtari artistike. Studimi i letërsisë, kritika letrare janë instrumente metaletrare, por të domosdoshme për interpretimin e letërsisë, krijimin e dijes dhe ligjërimit mbi letërsinë. Në fushën e studimeve letrare kam botuar tre vëllime me studime për letërsinë shqipe dhe kam në proces një vëllim tjetër: “Tekste në kontekste”, studime letrare, Naimi, Tiranë (2011) ISBN 978-9928-109-05-7; “Ndërthurja e poetikave dhe çkodimi i realiteteve metafizike në romanin bashkëkohor”, monografi, Fiorentia, Shkodër, (2015) ISBN 978-9928-191-19-9; “Probleme, autorë dhe vepra nga letërsia shqipe bashkëkohore” (2017)ISBN 9789928191632; “Fatos Kongoli”. Monografi (2020) ISBN 9789951 777353.

    Ndërsa në krijimtarinë letrare kam botuar deri tani tre vëllime poetike, një përmbledhje të krijimtarisë sime poetike në vite dhe një vëllim me tregime: “Të shtunën ndize një qiri”. Poezi, Eurorilindja, Tiranë, 1996; “Vashat nguten me u bâ gra”. Poezi, Camaj-Pipa, Shkodër, 1998; “Qirinj të ndezun për gjallët”, Poezi, Camaj-Pipa, Shkodër, 2001; “Vepra poetike I”. Poezi, Fiorentia, Shkodër, 2018; “I ra mjegulla Buenës”. Tregime, Schnell, Tiranë, 2022.

    Si kudo, fatkeqësisht nuk ekzistojnë kushtet që të jetosh duke u marrë me letërsi. Arti dhe letërsia mbeten një fushë e minuar ku mbijetojnë më të guximshmit dhe ata që sakrifikojnë gjithçka për hir të tyre. Pjesa më e madhe e shkrimtarëve shqiptarë duket se shkruajnë në radhë të parë për veten e tyre dhe janë në kërkim të lexuesit… Fati i shkrimtarit është tragjik në vetvete sepse bën diçka që askush nuk ia kërkon, dhe mundësia e vlerësimit është e barabartë me atë të mosvlerësimit apo të keqvlerësimit. Jo rrallë shkrimtari është vetëm, i braktisur nga të gjithë, nga lexuesit, nga botuesit, nga promovuesit. Kjo vlen fatkeqësisht edhe për studiuesit dhe kritikët letrarë. Madje këta kanë dalë “tepër”… sikur nuk hyjnë më në punë. Dalim kështu përsëri tek nevoja për të përgatitur brezin e ri të studiuesve dhe kritikëve letrarë, gjë të cilën universiteti, përmes programeve bachelor dhe master në gjuhë-letërsi apo doktoraturë në letërsi, mund dhe duhet ta bëjë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË