More
    KreuLetërsiBotime të rejaBesnik Mustafaj: Rrugëtimi shpirtëror dhe social i Pashko R. Camajt në librin...

    Besnik Mustafaj: Rrugëtimi shpirtëror dhe social i Pashko R. Camajt në librin e tij me kujtime

    Ky libër i Pashko R. Camajt ka dy tituj. I shkruar fillimisht në anglisht, ai është botuar me titullin Dreaming from the Trunk of an American Car (Ëndërrime nga bagazhi i një veture amerikane). I përkthyer më pas në shqip nga vëllai i tij e njëherësh miku im, nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, libri po vjen në gjuhën amtare të autorit me titullin Porosia e kullës. Ky titull i dyfishtë përmban në të vërtetë dy kode të ndryshme për leximin pa keqkuptime të të njëjtit tekst, në përputhje me kontekstin historik e kulturor në të cilin është brumosur lexuesi anglishtfolës apo lexuesi shqipfolës. Por, do saktësuar se kjo qasje e dyfishtë ndaj të njëjtit tekst nuk shpreh ndonjë hermeutikë të posaçme nga ana e autorit dhe as ndonjë qëllim të tij për t’i treguar lexuesit amerikan një fytyrë tjetër nga ajo që do t’i tregojë lexuesit shqiptar.

    Një sqarim i tillë bëhet i nevojshëm nisur nga fakti se libri në fjalë është autobiografik. Pra, Pashko R. Camaj na ka treguar jetën e tij nga fillimi e deri aty ku është sot, një doktor në shkencat mjekësore dhe funksionar i rëndësishëm në shtetin e Nju-Jorkut. Po ta përfytyrojmë grafikisht rrugën e përshkuar, del një udhëtim shumë i gjatë dhe me shumë ulje-ngritje, ani pse autori-protagonist është ende i ri.

    Do sjellë në vëmendje, gjithashtu, një problem moral që ka pasur Pashko R. Camaj e që duhej zgjidhur qysh para se të merrte penën. Është fjala për qëndrimin që do të merrte ai si autor ndaj vetes si protagonist i një teksti të paracaktuar për t’u botuar. Domethënë, për t’iu dorëzuar publikut.

    Më së shpeshti, kjo lloj letërsie vuan nga një prirje e autorit për ta paraqitur veten si një viktimë e madhe e rrethanave të vështira jetësore dhe e njerëzve të pashpirt, me të cilët është kryqëzuar rruga e tij. Ose prirja tjetër për ta mburrur veten si një sfidant i paepur, me një fjalë hero, i cili, me vullnet dhe mençuri të jashtëzakonshme, i rrëzon një nga një pengesat me të cilat ndeshet në çdo hap dhe triumfon. Fjala këtu nuk është për personalitete të njohura nga opinioni publik, të cilat, në një çast të caktuar të rrugëtimit të tyre, vendosin të shkruajnë autobiografinë, për ta bërë të njohur të vërtetën, sipas tyre. Fjala është për njerëz të zakonshëm, krejt të panjohur nga opinioni publik, të cilët kanë papritur shtysën për të shkruar autobiografinë, për të kënaqur kështu, me vetëdije apo pa vetëdije, egon e vet. Shumë-shumë, familjarët dhe miqtë e një autori të tillë njohin nëpërmjet këtyre shkrimeve pasqyrimin që ai ka për veten e tij.

    Një njeri i zakonshëm përkitazi me njohjen publike është edhe Pashko R. Camaj. Por ai e ka zgjidhur paraprakisht pa komplekse atë problemin moral, të përmendur më sipër. Edhe ai, natyrshëm, do të shtyhej nga egoja e vet për të shkruar një libër autobiografik. Ama, ai nuk do të synonte të ngjallte përreth keqardhje si viktimë e fatit të keq dhe as adhurim si hero që ngadhënjen mbi vështirësitë. Nuk është modesti nga ana e tij. Është tregues i asaj, të cilën Diogjeni e quante arritjen më të vështirë për njeriun: njohja e vetvetes. 

    Kështu, Porosia e kullës, njëherësh Ëndërrime nga bagazhi i një veture amerikane, është pikërisht përshkrimi i rrugëtimit të brendshëm, domethënë shpirtëror, por edhe atij të jashtëm, domethënë social, që Pashko R. Camaj ka kryer deri më sot për të njohur veten. Është një rrugëtim që vazhdon. Vetë protagonisti-autor, me mënyrën si e sheh horizontin, drejt të cilit përparon, na lë qartë të kuptojmë ne, si lexues, se ai jo thjesht për arsye të moshës, por më së pari për arsye të filozofisë udhëheqëse për jetën e vet, nuk e sheh aspak të përmbyllur as rrugëtimin e vet të brendshëm, atë shpirtëror dhe as rrugëtimin e jashtëm, atë social. Një vetëdije e tillë frymëzon energji të mëdha shpirtërore, besim të madh në vete e në mjedisin shoqëror përreth, optimizëm po aq të madh dhe vullnet të fortë për të luftuar vetëkënaqësinë, duke synuar pareshtur për të dhënë më të mirën e vet.

    Vijmë kështu te kuptimi i titullit të librit në shqip, Porosia e kullës, të cilin unë e kuptoj si “amaneti i kullës”. Në jetën e shqiptarëve të Veriut, kulla është njëherësh një simbol i rëndësisë së veçantë dhe një realitet konkret. E tillë na shfaqet ajo edhe në jetën e Pashko R. Camajt. Si simbol ajo mishëron identitetin e spikatur shqiptar, me të cilin është mbrujtur brenda familjes protagonisti i prozës në fjalë. Si realitet, kulla përfaqëson shtëpinë, çerdhen, ku edhe është lindur dhe rritur autori, ku ndërthuret përballja e përditshme me hallet ekonomike për të mbijetuar e një familjeje malësore shqiptare me përballjen edhe më të vështirë me rrethanat historike dhe politike për të siguruar mbijetesën identitare shqiptare.

    Autori i qaset me ndershmëri dhe pa patetikë përshkrimit të kësaj përballjeje të dyfishtë. Vendlindja e tij, Malësia, është e bukur sa s’ka më, por e lënë krejt jashtë rrjedhave të zhvillimit ekonomik. Për pasojë, mundimi i malësorëve për të siguruar bukën e përditshme është shumë i madh. E gjithë familja, përfshirë edhe fëmijët, është në punë nga mëngjesi në mbrëmje. Parë nën këtë dritë, përshkrimet e këtij libri përbëjnë një lëndë të dobishme edhe antropologjike për të njohur jetën e zakonshme të një familjeje malësore shqiptare në Mal të Zi gjatë viteve `60 dhe `70 të shekullit të kaluar. Po them kështu se, gjatë shkrimit, autori është kujdesur mirë për t’i dhënë tekstit të tij një dimension dëshmie, e cila e kapërceu megjën e oborrit të kullës së Camajve, duke e bërë natyrshëm kujtesën e vet individuale pjesë të kujtesës kolektive të bashkësisë etnike, ku e ka sjellë fati.

    Në përballjen tjetër, atë për të ruajtur e për të përcjellë brez pas brezi identitetin shqiptar, kulla familjare shërben si fortesa stërgjyshore, ku mbrohen dhe ushqehen traditat e lashta, zakonet e mira, virtytet morale, të cilat jashtë oborrit të saj janë gjithë kohën nën një agresion të shpallur e të pashpallur, të hapur apo tinëzar. Pashko R. Camaj është një nga shqiptarët e Malit të Zi. Malësia, prej nga vjen ai, është pjesë autentike e Malësisë së Madhe, e prerë mizorisht si me shpatë nga trungu, nëpërmjet kufirit shtetëror të vitit 1913. Jashtë vullnetit të tyre, këta malësorë shqiptarë u gjendën në shtëpinë e tyre, por në një shtet të huaj.

    Mospajtimi i malësorëve shqiptarë me këtë paracaktim fillonte brenda kullës dhe synonte të përhapej edhe jashtë, qoftë edhe duke paguar një çmim shumë të shtrenjtë, siç ndodhi me gjyshin e autorit, të cilin ushtria e shtetit të huaj e mori në pragun e shtëpisë së vet dhe e pushkatoi mizorisht. Pashko R. Camaj, me dëshirën e ndershme për ta shprehur me të gjitha nuancat të vërtetën e këtij “mospajtimi me paracaktimin”, hedh dritë edhe te shpresa që ngjalli tek ai, domethënë te brezi i tij, që ishin nipërit e të pushkatuarve nga shteti, parulla e regjimit titist për ta shndërruar Jugosllavinë në atdhe të “bashkim-vëllazërimit” të popujve. Në pamundësi për ta kthyer mbrapsht rrotën e historisë, ky brez shqiptarësh djalosharë shpresoi se ishte gjetur një mënyrë që “kulla” e tyre të merrte frymë lirisht, duke u ndier jo vetëm në truallin e vet, por edhe në shtetin e vet. Ata ishin gati ta linin pas të shkuarën e përgjakshme ndëretnike, por pa lëshuar në identitetin e tyre shqiptar, për të cilin kishin dhënë jetën gjyshërit. Paraqitja e zhgënjimit nga kjo demagogji komuniste nëpërmjet përshkrimit të fakteve të jetuara nga protagonisti dhe jo si një opinion i autorit përbën një pasuri të veçantë të librit.

    Ashtu si “kulla” në titullin e botimit shqip, edhe “bagazhi i veturës amerikane” në botimin anglisht ka një domethënie të shumëfishtë, edhe faktike, edhe metaforike. Protagonisti ka hyrë në SHBA pa letra, i fshehur në bagazhin e një veture amerikane, si emigrant i paligjshëm. Ai ishte njëzet vjeç, në moshën e shpërthimit më të bukur të ëndrrave për të ardhmen dhe po aq të shpërthimit të energjive për t’i përmbushur këto ëndrra. Ai kishte kryer shkollën e mesme si dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kishte një përvojë të mjaftueshme jetësore si dhe pjekurinë për ta kuptuar se Mali i Zi, përkatësisht Jugosllavia, nuk ishte vendi për përmbushjen e ëndrrave të djaloshit shqiptar për të ndërtuar një të ardhme. Ai kishte dy zgjedhje: ose t’i nënshtrohej fatit, të qëndronte në vendlindje, për të vazhduar luftën e mbijetesës, duke ecur në gjurmët e babait, ose të zgjidhte një vend tjetër, ku të gjente lirinë për t’i kthyer ëndrrat në vepër.

    Pashko R. Camaj zgjodhi të dytën. Udhëtimi i shkurtër, por aq i ankthshëm në bagazhin e veturës amerikane për kalimin e kufirit nga Meksika për në SHBA përmban frikën e natyrshme nga kontrollet e policisë kufitare, por jo frikë për të ardhmen e panjohur që e priste. “Kulla” e kishte mbrujtur me të gjitha cilësitë e nevojshme morale për t’u përshtatur me hapësirën e lirisë, ku po shkonte. Libri i shkruar afro dyzet vjet pas atij udhëtimi na tregon sa e drejtë kishte qenë në zanafillë ajo zgjedhje. Kthimet e mëvonshme te “kulla” janë në përmbajtje pelegrinazhe që ai bën në vendin e tij të shenjtë për t’i pohuar vetes dhe trashëgimisë së tij se rrënjët e tij janë aty ku kanë qenë gjithmonë, tek ato themele ku është derdhur gjaku i gjyshit dhe djersa e ndershme e babait.

    Pashko R. Camaj e ka letrarizuar rrëfimin e tij veridik. Në vlerësimin tim ai ka bërë zgjedhjen e duhur për t’i dhënë rëndësi gjuhës, duke ndërtuar atë që quhet “stil”. Kjo është në dobi të lexuesit, i cili do të përfshihet në lexim me një kënaqësi të shtuar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË