More
    KreuIn memoriamBesnik Mustafaj: Homazh për mikun dhe poetin Skënder Rusi

    Besnik Mustafaj: Homazh për mikun dhe poetin Skënder Rusi

    Me Skënder Rusin kam pasur një miqësi afro gjysëm shekullore, në themel të së cilës qysh në zanafillë është dashuria për letërsinë e posaçërisht për poezinë. Kemi filluar të botojmë në të njëjtën periudhë. Dhe vinim të dy nga periferitë gjeografike të vendit, ai nga Devolli, pra nga juglindja e unë nga Tropoja, që ësht verilindje. Ky fakt i origjinës më duket me dobi të mbahet parasysh kur është fjala për të kuptuar një miqësi, të cilën nuk e ushqente denduria e takimeve dhe as koha e kaluar bashkë. Me përjashtim të një periudhe rreth dy vjeçare në mes të viteve ’80, kur Skënderi erdhi në Tiranë për të ndjekur një kurs për skenarist pranë Kinostudios, ne jemi parë rrallë, një ose dy herë në vit, kryesisht në Tiranë, por edhe në Korçë. Dekadën e mbrame, kur gjendja e tij shëndetësore erdhi duke u rënduar, dhe unë, për arsyet e mia, udhëtoj shumë më pak se dikur nëpër Shqipëri, jemi parë edhe më rrallë.

    Por Skënderi kishte një magji të vetën në mënyrën si e jepte miqësinë. Pavarësisht sa kohë kishte rrjedhur qysh nga takimi i fundit, sapo gjendesha me të, më krijohej menjëherë një rehati sikur kishim qenë bashkë të djeshmen. Pak njerëz kam njohur si Skënder Rusin me këtë virtut, në kohën tonë, kur vetë miqësia po bëhet pak e më pak emocion lidhës midis njerëzve.

    Kështu ndodhi edhe herën e fundit që u pamë, fundjavën e 25 e 26 majit (2024). Isha i ftuar në festivalin “Netët korçare të poezisë”. Ky festival, më jetëgjati dhe më emërmiri në llojin e tij brenda Shqipërisë, është krijesë e Skënder Rusit dhe do të mbetet si monument domethënës i dashurisë së tij misionare për poezinë, asaj kombëtare më së pari dhe po aq asaj universale. Kështu, dashuria e tij për poezinë shkonte shumë përtej dashurisë së natyrshme të poetit për veprën e vet, çka nxirrte në pah tek ai një tjetër virtut të bukur e që ishte mungesa e egocentrizmit. Nuk ndodh shpesh kjo te poetët në përgjithësi, të cilët bien zakonisht në sy pikërisht për egocentrizmin. Do të kisha thënë me bindje se ky altruizëm i Skënder Rusit nuk buronte nga ndonjë shprehje mosbesimi apo nënvleftësimi ndaj poezisë së vet. Kurrsesi.

    Skënder Rusi ka qenë qysh në fillim, para 50 vjetësh dhe mbeti deri në fund plotësisht i vetëdijshëm për vokacionin e tij dhe i është përkushtuar atij me përparësi, me besimin dhe me vullnetin se po ndërtonte ditë pas dite një opus të rrallë për nga koherenca e stilit në poezinë shqipe. Ai na ka lënë trashëgim 25 përmbledhje me poezi. Ky fakt është më tepër se bibliografik. Ai tregon se Skënder Rusi ka synuar parreshtur të shkojë te lexuesi dhe të marrë mirënjohjen e tij. Jo rastësisht, njëri nga librat e tij të fundit ka për titull “Edhe perënditë e duan lavdinë”. Përkushtimi i tij shembullor për tridhjet vjet në fillim si drejtor i pallatit të kulturës në Korçë (1991 – 1996), mandej si drejtor i bibliotekës së këtij qyteti deri në vitin 2017, duke qenë edhe themelues dhe kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e re”, Korçë si dhe themelues e drejtues i festivalit të mirënjohur të poezisë, vetëm nxjerr në pah ekuilibrin e mrekullueshëm të mishëruar në personalitetin e tij njerëzor dhe artistik. Besoj se ky ekuilibër e bënte atë edhe individualisht mik aq të mirë. 

    Fundjavën e fundit të majit të sivjetëm ai erdhi edhe të shtunën, edhe të djelën aty, ku ishin mbledhur poetë nga Shqipëria, Kosova dhe shumë vende të Europës. Mbrëmjen e dytë, e që ishte edhe përmbyllja e festivalit, ai u detyrua të largohej pak para fundit. Kishte orën e marrjes së ilaçeve. Qëndruam bashkë në tryezë gjatë gjithë kohës. Nuk pashë asnjë shenjë që do të më shtynte drejt pandehmës se ky do të ishte takimi ynë i fundit për së gjalli. Nuk m’u duk më i rënduar se herën e mbrame kur ishim parë, një vit e ca shkuar. Më tha se vazhdonte të shkruante poezi dhe nxorri nga xhepi një të shkruar atë ditë apo të djeshmen, të shtypur në një letër të verdhë. Ai, madje, piu edhe disa gllënka nga gota me verë të bardhë, që na u shërbye. Por kishte sjellë për mua botimin e vet të fundit “Dalëngadalë po bëhem ikje”, të cilin ma dhuroi me përkushtim të ngrohtë. Nuk pata sy për të parë ndonjë paralajmërim në këtë titull. Përveç të shoqes, me të ishte edhe mbesa e vogël, vajza e Erisit, një nuselalë e bukur, që i sillej rrotull gjyshit gjithë dashuri dhe na bëri disa fotografi të paharrueshme, njërën nga të cilat po e botoj me këtë rast.

    Çmimin e madh “Kurora e poezisë”, me të cilin u nderova, unë ia kushtova Skënder Rusit.  Ai nuk ishte më aty për të më dëgjuar. Por, publiku korçar dashamirës i poezisë e duartrokiti nxehtësisht fjalën time, duke më treguar se, në të vërtetë, Skënder Rusi e kishte pushtuar tashmë zemrën e tij. Ky është shpërblimi më sipëror për një poet.

    Pusho në paqe, i shtrenjti Skënder!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË