More
    KreuHistoriBesim Fusha: Përkujtimi i ditës shqiptare të fotografisë: 23.08.1863

    Besim Fusha: Përkujtimi i ditës shqiptare të fotografisë: 23.08.1863

    Fotografia që fillnisi artin fotografik në truallin shqiptar, fikson: “Nusja Shkodrane” e Jozef Szekely, në Shkodër, më 23.08.1863. Është shkruar edhe në EXLIBRIS për këtë fillesë festive. Kemi përzënë Hamzë Kazazin, emëruar gabim për herë të parë nga Kel Maurbbi në një fotokartolinë (1936) shtypur në “Alterocca Terni” në Itali. Kështu Hamza, div i gjatë, sikur i shtriu këmbët deri në vitin 1856. Dhe u la bindshëm në gënjeshtër vite pa numërim… Deri kur u zëvendësua nga italiani (i vërteti brenda veshjes popullore shkodrane): Alessandro De Rege di Donato – konsulli italian në Shkodër (1881-1886), fotografuar nga Pietro Marubbi, në mjediset e arrira tashmë të ateliesë edhe për fotografi… Pra, mbi vitin 1880.

    Prof. dr. Ferid Hudhri, në Enciklopedinë “Shqiptarët në artin botëror”, botim i Akademisë së Shkencave Shqiptare (2019), format madhor 25×33 cm., peshërëndë me afro nja 600 faqe… – zbulon një të vërtetë që vlen të përshëndetet: “Një pamje fotografike nga Durrësi” – më 1862. Nga fotografi anglez Francis Bedford. Që udhëtoi me jahtin mbretëror “Osborne”, për të shoqëruar princin e Uellsit, rinorin Albert Edëard, që më vonë u bë mbreti Edward VII i Anglisë. Do respektuar kjo ndodhi. Edhepse nuk e ka peshën krahasuese me rastësitë e thëna këtu. Ngase, kjo rastësore sidosesi nuk e zbeh dhe as nuk e madhon veten mbi ç’bënë e ç’sollën Pietro Marubbi dhe Jozef Szekely… Jo vetëm kaq. Tregon edhepse udhëtimet për punime fotografike qëllimore, për nevoja shkencore, ase sheti turistike… qenë sipërmarrje të lodhshme, me shumë mbingarkesa. Qenë luks që shënonte veçanti rastësore… Pietro Marubbi, arkitekt, inxhinier, piktor – iu shmang përndjekjeve mbas atentatit të Kryebashkiakut të Piacencës… – përfundoi rastësisht në Shkodër… – iu ngjit Kalasë Rozafa të takonte Guvernatorin… – takoi Ismail Haki Pashën, për ndonjë mundësi “punësimi”, dhe… Kishte takuar Guvernatorin me emërim provizor dhe gjeneralin pasionant të bukurisë së artit… Guvernatori – gjeneral u krekos përpara djaloshit Pietro… Iu dorëzua si pozant i ngeshëm… Dhe në fund, kundroi i kënaqur. Pa edhese dora e djathtë qe paksa e shkurtër… – ia tha edhe djaloshit. Nuk i pëlqeu shkurtia e dorës së djathtë… – e tha qortimin, por boll… – ngase e ndau mendjen se italiani i duhej Shkodrës dhe hobit të tij.

    Guvernatori i mirë, plot bindje i dha të drejtën për një “SHTËPI ARTI”… Ndodhi në pranverë të vitit 1855. Ismail Pashën e Pietro Marubit, nafaka – s’di se si, e solli përjetësisht si pronësi të GKA.

    Në foto: konsulli Italian: Alessandro de Rege di Donato. Foto P. Marubbi: 1881-1886 – Shkodër. Thënë: fotografia e parë shqiptare – (1856). Emërtuar gabim nga Kel Marubbi. Postë-kartolinë © në fotoarkivin Fusha.

    *  *  *

    Dikur kam thënë… nëse intuita të rrek e lodh, ta mbërthen hamendësinë dhe, të ta përshfaqë dukshëm ç’fshihte, hidhesh gufant i lumturuar, fitimtar dhe Zot. Ndien gurgullimë nga brenda, një si melodi pëlqyese, një si ngopje shpirti, ta gris tymnajën dhe, në pamjen plot kthjelltësi, shpejton ta kapësh ç’kërkoje… Ja pra sesi: intuita cytëse më pat pëshpëritur paprerë: …ka ndodhur një mrekulli! Qenka ndalun çasti i ecunisë shkodrane. Me artin më të ri qenka ndalun: fotografinë… Për herë të parë qenka ndalun – në Shkodrën time. Ndër të parat herë qenka renditur – krahasuar edhe me botën tejtutje… e paska ndalun Jozef Székely… hungarezo-austriaku, vjenez, i caktuar me detyrën për ta ndalur. E paska ndalun për së pari jetësinë shkodrane, pa hile, pa mbrapakode… – kështu e paska ndalun. Pa faj e pa gabime. E paska shënuar çastin e ndalun… E paska shënuar e vulosun adresimin dhe kohën … Shkodër, fundgushti 1863. Adresime pa të cilat fotografia e humbet memorien… çorodit dhe lodh përtejkohën. E paska angazhuar AAS (Akademia Austriake e Shkencave), dhe kjo shty tutje rastësinë… kjo rrezon e duk parësinë dhe, gjithsesi, duk interesin për Shqipërinë time. Vendi dhe datimi adreson dhe saktëson kohën e ngjarjeve. Mbi truallin e shqipes, kësohere, rendit e vulos fillesat fotografike.

    Dhe, fillesa fotografike mbi truallin shqiptar ndodhi më 1863. Fundgushti, 1863. E diel, pasdreke, 23.08.1863.

    Ndodhi herët, më saktë, njëkohshëm me botën fotografike të specializuar, që pat nisun të derdhej anembanë globit… ndodhi: kur, sosi në Kinë… asohere kur, amerikani Milton Miller, hapi studion (atelienë) e parë fotografike në Hong-Kong (1860). Kur fotografia eksperimentale e nisi të ngutej edhe për në skutat e ngjarjeve, si fjala bie, punë ditësh, nja një muaj para Szèkely në Shkodër – korrik 1863 – dhe ca më pas, amerikani Tmothy H. O’Sullivan, fotografonte të pajetët e fushës së të vdekurve në Gettysburg, Pennsylvania… thënë më adresuar për shqiptarët: të vrarët e Luftës së Madhe Civile, amerikane. Luftë që e cyste e drejta e heqjes së skllavërisë. Për mbrojtjen dhe ligjin e së cilës, presidenti i namshëm Abraham Lincoln e pësoi me atentat (1865). Ca muaj më parë atentatit dhe, pak muaj mbas kohëqëndrimit të Jozef Szèkely në Shkodër, Matu Brani e fotografoi presidentit Lincoln (1864) – ndër rrallësitë e para, të ulej kohëpërgjatë burri i madh i shtetit, përballë fotografit të bezdisshëm…! – portret që e shikon sot mbarë bota, sapo merr në dorë monedhën pesëdollarëshe. Macahere pra, në kapërcyell të viteve 1850 dhe në fillesë të ’60-s kur, Rozhe Fenton – atje eksperimentoi me të vdekunit e palëvizshëm të luftës së Krimesë. Për së pari kështu në vakitë fotografike (1855), avokati anglez, që “çmendej” mbas sajesave fotografike, ngarkoi 36 pajisje të nevojshme, që peshonin mijëra kg. I hipi vaporit në Balaklava dhe, turravrap në Krimenë e Detit të Zi… Nga ku, të vdekunit e shtrirë, e ngrinë përjetshëm çastin e ndarjes nga gjallesa… pamje pa fjalë që i tmerruan njerëzit. Dhe, do thënë mëshuar edhe për tjetër gjë: të shtrirët e pafrymë… se, veprimi luftarak në lëvizje apo lëvizjen e madhe teknikisht, ende nuk e bënte fotografia. Jozef Szèkely fotografoi zyrtarisht në Shkodër edhe kur, Julia Margaret Cameron, gruaja e parë – me parësi të namshme edhe mes burrash kështu – kulmonte e ngjitej në shkallët e namit artistik me pamjet: “Mary Hilliet, Elisabeth and Kate Kuhn” apo “Paul and Virginia” (1864), apo… (?!) Jozef Szèkely fotografoi artistikisht në Shkodër, asohere kur, mjeshtri i madh Nadar (Gaspard Felix Tournanchon), guxoi të fotografonte së pari që nga ballkoni (1858), “Gruaja me kostum” (1865), portretizoi, kohëshpërndarë në ato vite, serialin e madamave parisiane: Lafange, Delna, Jeanne Harding, ku do të veçojmë Georges Sand (Zhorxh Sand)? portretizuar më 1860-n gruan e manshme burrëruar me pseudonim … Mbase për të duk lirinë e zaptuar a për të fshehun nëpër romane dashunitë vetjake, me Shopen, Alfred de Muse, a kudiunë … Dhe, dua të jeni të bindun se, mjeshtri Nadar atje në Paris, nuk i portretizoi parisienet? dhe as të veçantën Georges Sand? hiç më mirë e më bukur sesa dr. Jozef Szèkely këtë shkodranen time, këtu …

    *  *  *

    Përse duhet t’i rithoja – ç’thashë dikur?! Ngase fotografia e macahershme donte domosdo kohëgjatë të arrihej. Le të ripërmendim fotografinë e parë të presidentit amerikan Abraham Lincolm (1864), kur Matu Brani-t iu deshën pesë minuta për ta “ngrirë” palëvizshëm burrin e namshëm, mbërthyer me pafte mbrapa veshëve… Madje, edhe disa herë nga pesë minuta. Nga ku mezi u arrit i saktë vetëm një negativ i xhamtë. (Le të themi edhese, mbas stampës së parë, opaku i vtëm pozitiv, negativi i xhamtë u thye. Dhe, për t’u arritur shumimi i fotos dhe përjetësia e monumentit të presidentit, ulur patundshëm në korridorin e kryegodinës amerikane, nuk di se me ç’siklete mund të arrihej pa ate foto…)

    Sidosesi, unë, përgjegjësi për ilustrimet e botimeve Enciklopedike në Akademinë shqiptare të Shkencave duke fillnisur më 1983 – rrjedhimisht, edhe kërkesa e herëhershme e formuluesve europianë për saktësimet në ecuninë e fotografisë edhe shqiptare, më detyruan përgjatë për të ndrequr ç’qe gabim…

    Një rinor plot energji, që hedh revolen… dhe lartohet vrik nga trazimet kulm për një tjetër Itali… – përfundon në Shkodrën me plot penela arti, thuajse si bota… – vjen me duart e rrasuna në xhepa, krejt ndryshe nga Rozhe Fenton, që në njëjtën kohë (mesi i viteve 1850)… ngarkoi gjysmën e vaporrit në Balaklava për të fiksuar tmerret e heshtjes… pra, të shtrirët e vdekur në luftën e Krimesë… nga ku fotografia tronditi botën… – asohere pra, një djalosh simpatik dhe i mençur si Pietro Marubbi, nuk u kujtua t’i kërkonte Guvernatorit “SHTËPI FOTOGRAFIKE”… – por “Shtëpi arti…” – ngase qe piktor, arkitekt, inxhinier… – siç koha tregoi të shoqnohej me avranitasin Arsen Idromeno (babai i Kel Idromenos) ardhur nga Korfuzi… – dhe, koha i puqi për të ndërtuar “Pedonalen e Shkodrës”… – që edhe sot e për mot, do të mbetej veçantia e qytetit… Le të shembullojmë edhe me ç’përmend i nderuari Ferid Hudhri, anglezin Fransis Bedford, që fotografon tri objekte të fiksuara në Durrës, me plot nge e bollëk mbretëror, nja shtatë a tetë vjet mbas gjoja Hamzë Kazazit… – djaloshi simpatik Pietro Marubbi, po ta dinte këte, do ta shëmtonte keqas fytyrën nga habia…

    *  *  *

    Ja pra ç’tha scripta manent… Pietro Marubbi nuk e ka takuar kurrë Hamz Kazazin… Hamz Kazazi nuk është burri i fotografisë së servirun si emblema e fillesës shqiptare… shënuar më 1856. Jo! Hamzë Kazazi u arrestua në Shkodër dhe u burgos nga turqit në Stamboll, pa ardhur akoma Pietro Marubbi në Shkodër. “Rebeli” Hamzë, u lirua nga burgu në fund të vitit 1859. Dhe, nuk arriti në Shkodër. Vdiq në Bushat, me 07.12.1859. Është thënë se qe i helmuar… Guri madhor i varrit që identifikon Hamzë Kazazin, u gdhend ngeshëm në osmanisht, në ditët e vitit 1860. Nafaka e shtyu dhe përcolli memorialin me vlera, deri në oborrin e Muzeut Historik të Shkodrës, në ish shtëpinë e të shumënjohurit Oso Kuka. Ku, sot e përjetë “mburrecet” si i vetmi identifikim për kryepolicin rebel të kryeqendrës së vilajetit, të Shkodrës. Identifikim pa fotografinë e të Zotit – ama!… Edhe pjella e dytë, medemek: vendi i argjendtë (!?): Leonardo de Martino, nuk është fotografuar më 1859. As më 1856 dhe as më 1859… Kot!… Asnjëri! Nuk ka Adamë që rreken të shqyejnë brinjë për bijësime e vijimësi të fotografisë shqiptare… Ka Eva… Eva plot vixhut dhe sharm Shkodre, që fatnolli Pietro-n dhe tanë Marubbët vlerëflori… Shkruetarët e mençun të shqipes cytëse n’andrra t’hjedhta… – shkruetarë edhe të Shkodrës së namshme – mbase, s’do të përshpejtonin që ta thonin si e thanë, po qe se nuk do t’i trysnonte vetçensura që gatoi çensura e madhe… U tha si u tha, ashtu përngutun, dhe u la… pra: mbeti pa ndreqie edhe për shkruetarët që pasuan. Përfshirë edhe të madhin Ismail Kadare.

    Leonardo de Martino –Preng Bibë Doda. Thënë: foto: Pjetër Marubbi – 1859. Thënë: fotografia e dytë shqiptare… Në të vërtetë, jo!… Është fotografi e viteve 1870. Nga kjo plotësi është shkëputur portreti i L. de Martinos dhe ekspozuar me bujë si fillesë nr. 2 e fotografisë shqiptare më 1859: Përsëri: në të vërtetë – Jo!

    Leonardo de Martino (1830-1923)

    … nuk është e vërtetë që emblema – e argjendtë – e dyta në radhoin e fillesës së fotografisë shqiptare – mbetet Leonardo de Martino. Leonardo po, por kurrsesi jo imazhi “i cunguar” që serviret, i datuar më 1859. Më 1859… (?!) nuk është e vërtetë. As në radhën e dytë! Nuk e ka vendin aty. Jo mbas të sajuarit Hamz Kazazi se, edhe ai, vendohet pasaktë në qoshen e tjerakuj… Fotografia portretprofil e Leonardo de Martino-s, e poetit arbëresh, të palartuar ende për aqsa çka vlera dhe hak… në të tjera qoshe e fsheh të vërtetën. Ne (po them versnikët e mi), nuk do ta njihnim Leonardo-n tonë, po qe se nuk do të lindte dhe ecte gjallshëm fotografia. Po qe se Leonardo, nuk do të vulohej, gjithsesi si objekt dhe dëshmi në fillesën fotografike shqiptare. Nuk duhet thënë se kjo përmendje ose vaki, përkimi a caktimi kështu pra, synoi diçka me paramendim e dashje të qëllimtë. Nuk synoi, po themi, për të cikun dhe fshehun Loenardo-n Pra: si për ta mbajtun disi si dukshëm De Martino-n, disi si gjallë, diku në terr e pavarrosun, ndryshe nga ç’u përçudnua dhe terrësua nxënësi i tij At Gjergj Fishta, fjala bie. Me Leonardo-n ngjau paksa ndryshe. Përjetoi diça, edhe pse krejt flu e si nëpërgjumshëm, në memorjen e njerëzve të dheut që, gjithsesi, e deshën si kushedikushi..! U formësua disi pa përcaktuar, thuajse pa e njohur, veçse: ashtu nëpërtymshëm, madje edhe hiç pa pyetun se ç’qe e ç’meritonte burri nën veladon. Nën veladonin ngjyrërrafsh, pa hiç thyerje e mëdyshje, pa kurrfarë medalje, nën rrobën që sajoi paprerë pluhurnajë e fshehu vlera në heshtjen e përgjatë. Dukshëm së jashtmi, si në pasarelat e modës ku nammerr luku… modeli, fustani, rroba… ku, si për shtyllën bosht të mullarit, s’pyetet hiç për ç’e mban, kush e ç’ia cyt dukjen e bukurisë… Si në përballje me fotoaparatin, ku, thuajse lypet gjithçka tej anësore e tej synimit për të ditun se ç’është objekti. Ngjasoi gjithçka si në qenësinë e mendësisë ndërmjet kufomës së pavarrosun dhe pritjes të çelsit të cytjes për ç’meritonte: varr nderimi dhe monument lavdie…

    Por, më parë se të vijojmë me ç’e përxix e shtyn të thënën gjithsesi, le të rrekemi për të thjeshtën e ndodhisë së gabuar. Le të rrekemi të qendisim me fjalë ate çka mban fort të fiksuar hiposulfiti kimikat në kuadratin fillestar të fotografisë së hershme. Është negativ, në formatin 12x16cm., me emulsion kimikat të ngjeshun në suportin e xhamtë. Në Fototekën Marubbi, pozicionohet me nr. 239-kler (klerik). Brenda kuadratit me zgjatim së lartmi, figurohen dy njerëz, nën rroba ofiqi, të zeza, të dy meshkuj, më këmbë, pozicionuar të bindun nën udhëzimin kompozicional, zakonisht të fotografit, që kësohere po e marrim veçse kështu, pa hamendësi mëdyshjeje… Pra: kompozim i vetë fotografit. Qe ende shumë herët që fotografia të punohej me grupim apo stafe deri edhe me rregjizurë. Asokohe e përgjatë në ecuni të fotografisë, nuk mendohej për udhëzues mendor… por, veçse për ndihmës fizik. Ngase, paisjet fotografike peshonin, më së paku, 24 kg. 24 kg. minimumi peshonin edhe paisjet e lëvizshme. Për macahere themi, në kohën kur është fiksuar e jetësuar fotografia në gjykim. Jo vetëm kaq, fotografi qe vetzot në gjithçka edhe ngase, fotografia, disi ngjashëm e ndryshëm nga piktura, qe profesion që fitohej veçse i përzhytun përmes shkollarizmit të përvojës dhe pritjeve evoluive për perfeksionim. Qenë vitet 1860, kur fotografët patën braktisun Dagereotipin… nisën të braktisin edhe Kalotipin e Talbot dhe përqafën proçesin Colodium, shpikur nga skulptori anglez Frederik Skot Arshe. Ngase, colodium, si në çdo histori ecunish, qe një avancë… qe një përzierje nitroceluloze dhe eteri që ngjiste e thithte kriprat e argjendit në suportin e xhamtë. Kolodio duhet të jetë edhe negativi që mbërtheu figurimin e Leonardo de Martino-s. Që qëndron në këmbë, i “goditun” brinjas e me portretprofil, nja 30 deri 40 vjeçar – po themi mendjengutun, me qylaf të zi mbi flokë, me mustaqe të zeza dhe gojën nën to që nuk ngjason e hapun. Dmth që nuk flet. Ndryshe nga dora e majtë goxha folëse…

    Sidosesi…

    … u cungua edhe Leonardo de Martino. U copëzua. U duk paksa e u fsheh disi mbi përgjysëm… Përse?! Qe prift… qe armik… qe me armiq… qe i keq…?! Apo qe i mirë aqsa… vetëm një copëz duhej t’i dukej… Hajde gjeje sesi… përse!? Kushedi?! asohere u pa e udhës të gjysmohej e veçohej aqsa: jo të shuhej fare!? Në foton e plotë të botuar këtu, na ndesh ta kufizonim katrorin tamam siç është prerja që prezanton Leonardon albumi: “Gjurmë të Historisë Kombëtare në Fototekën e Shkodrës” (1982). Shqiptarët e ardhmë, përherë në pakuptim, paprerë do të pyesin: Përse…?!

    Ja pra sesi: asokohe (pjesa e dytë e viteve 1850) u sajua pjedestali si pakujdesshëm dhe rrena, mbeti përgjatë pashkulshëm: – trimi nammadh Hamz Kazazi dhe një përgjysëm italiano-shqiptar: Leonardo de Martino… u ulën në qoshen ku nuk u përkiste… U blinduan të stisun a shtirun në kullën e fotografisë. Fotografia, kokëulun, i mbajti në mbrojtje, si e bindun e besës… gjithsesi. U sajua edhe çelsi që kyçte me heshtje hovin e shpjegimit për më tutje… Dhe kështu, të dy, shkodrani rebel dhe gjysëmitaliani prift, medemek, jo i ngjashëm si ç’i kishim… u themelosën më 1856 dhe 1859… Dy vjetorë rreptësisht të fiksuara… Krejt pa ngjasi e krahasim me çdo punë fotografike pasardhëse, thënë me autorësi të Pietros… U themelosën edhe si për hatër, disi si një nderim përmbyllës, sido e diku… në kullën pa muze të fotografisë shqiptare… Leonardo de Martino u duk vonë. U ripoll sido i cunguar, më 1982. Në 70 vjetorin e Pavarësisë. Në albumin: “Gjurmë të Historisë Kombëtare në Fototekën e Shkodrës”. Në faqen 15. Në kohën kulm të kontrollit të botimeve. Edhepse, asohere, albumi u sajua me asi porosish që diktonin rreptësi cungune… gjithsesi, vlen ta pyes përgatitësin Kahreman Ulqini – që s’di nëse ende merr frymë mes shkodranëve të mirë – : Përse i veçuar dhe i gjysmuar kështu Leonardo, burrë vlerash…?! Përse i cunguar?! Përse i veçuar në kuadrat pa Prengë Bibë Dodën?!… Përse me cene edhe Leonardo, siç edhe i emëruari gabim Hamz Kazazi…?! Përse me gjasme dhe kohësajuar…(!?) Përse duhej truku dhe gënjeshtra edhe për Leonardo de Martino-n tonë të mirë!?…

    *  *  *

    Nën rroba ofiqi të zeza figurohet edhe njeriu apo gjallesa e dytë. Me çka veshun, duket nga rrjedh: nga familje fisni që radhohen parësore. Mban dorën e djathtë të varun në çliri, përthyer dhe gishtgreçun në mesoren që i mbërthen belin dhe shpatën – shpatë mbase privërteti – varun majëposhtë edhe me dorën e majtë. Mbërthyer fort në dasi të tehut dhe trungut. Mbi supin suprinë të kësaj dore të djaloshit, hapërdahet gishtaçlirë pëllëmba e djathtë e burrit pranë (apo gjallesës tjetër), që, me gishtin e tendosun të dorës sallake, siç tham, vijon të përplasë në asgjëkundi narrativin e fabulës që lutet papro të jetësohet dhe përligjet pa fallsitet, përtej e tëhu gojëmbylljes…

    Se… Gojëmbyllun duket. Gojëmbyllun burri, edhe djaloshi. Veçse, burri i vogël, sikur flet shumë edhe ashtu, gojëmbyllun. Është vendosun gjetshëm aty, në bosht e mesore të hapësirës kuadrative. Dhe, djaloshi bukurosh, aktron parësor mbi gjithçka për rreth. Me fytyrë tipareplotë e simpatike. Pozicionuar gjysëmprofil. I bindun edhe ky në çka e kanë udhëzuar. Me vështrimin e përplasun në anësinë e majtë të fotoaparatit. Vështrim që përplaset në asgjëkundi, gjithsesi, disi i përligjun, ngase, duket se kurdis shqisën e dëgjimit të rrokë ç’farë thuhet… Ku, e tham, ashtu gojëkycun, zëshëm nuk thuhet asgjë… E, djaloshi i mençun, gjithsesi, di ta shosisë asgjënë… Aktoresk i përkryer!…

    … për nga pamja…

    burri i vogël… duket se janë përzier vllaznueshëm bukuria dhe zgjuarsia. Përherë, gjunjëzuar në start, me nervacytun… të gatshme për në ecuni… Për të rrokun sfida dhe histori…

    … për nga veshja…

    burri i vogël… dallueshëm: qysh herët rang fisni… Me terzi përzgjedhun, me siguri: radhuar në lista shërbyesish mbretrorë. Madje, sharmi tejmoshe, vetishëm sikur thotë se, edhe mësuesi pranë, nuk mund të jetë kushdo… veçse, së pari, ndonjë burrë i zgjedhun kujdesshëm prej rrace mençunie…

    … për nga mosha…

    burri i vogël… nuk mund të jetë më i madh se 15 vjeç. As më i vogël se 13. Në një testim masiv, përrreth e mbi 13 vjeç është thënë. Antropologu shkencor Aleksandër Dhimo, aty, ca mbi 13 vjeç thotë. Edhe Ju, sapo ta shihni, nuk besoj se do të gjykoni ndryshe, veçse, rrotull e brenda asaj çka është thënë. Unë nuk desha të ndërhy, mbase për respekt të atyne që folën, por jam i detyruar të mos hesht, kuptohet: për ecuninë dhe fundin këtu, dhe, po caktoj minimumin e moshës së thënë, pra: …13 vjeç. Ngase, shkencërisht, po respektoj FESH-in (Fjalori Enciklopedik Shqiptar). Në FESH-in ribotim thuhet se ka lindur më 1859. Në FESH-in e parë (1985), shënohet se ka lindur më 1860. Kurse, në një botim goxha serioz historie që s’po di hë për hë në është botim i Akademisë së Shkencave, si dy FESH-at që cituam, burri i vogël e vitnis jetën më 1858. Burri i vogël u bë i madh dhe hyni në faqe Enciklopedie dhe Historie ku, botimet top të gjitha, e vdesin më 1919. E lindin më 1858, më 1859, më 1860… – as më para dhe as më mbrapa – dhe e vdesin më 1919. Burri i vogël këtu, që u bë i madh, quhet pra Preng Bibë Doda. Edhe nga burime të tjera fotografike bindemi se burri djalosh – ngjitun me L.D. Martino-n, i fiksuar në xhamin e negativit kolodio, me nr. 239 dhe format 12×16 të Fototekës Marubbi, – është djaloshi P. B. Doda. Fotografi krahasuese nuk jemi rrekun të gjejmë për burrin pranë, ate me portretin profil dhe gishtin tregues të tendosun deri në lodhje, burrin e përzhytun nën rrobën priftërore dhe në rolin e urtisë menddhënëse… Për shumë bindje, qoftë edhe anësore, burrin fotografik, e kemi marrë të mirëqenë. Fotografia këtu përshtrydh e plotplotson thuajse ç’do hap ecunie të Leonardo-s, pa shumë hapërndarje të fton sigurinë për bindje identifikuese. Mbase edhe ngaqë, shumë burime shkresore, gjithsesi, përputhen dhe, vetiu ftojnë intuitën t’ia përcaktojë pa mëdyshje personifikimin… Nuk jemi rrekun këtu për foto krahasuese edhe ngase, sikur, doja kësorasti kohën më parë se kokën… Dmth kohën se kur u shkreh fotoaparati… Dhe, gjithsesi, kokën, e ndamë mendjen ta quajmë edhe këtu, ashtu siç është thënë e thuhet: Leonardo de Martino. Po. Shumë hamendësi e rrethana që s’e tutin e trembin intuitën, thonë: po… Ky është pra Leonardo de Martino. Prifti poet. Poeti më i vlershëm, mësues përtej krishtërizmit për Preng B. Dodën… për At Gjergj Fishtën… për rregullsitë metrike të poezisë gegërishte që gatuan deri edhe shpirtin e Migjenit të vonë…

    Kështu! Veçse, shqiptarët e shumtë, nuk e njohin Leonardo de Martino-n për çka tham. Nuk ia njohin goxha vlera të tjera jetësore. L. de Martino vjen e shket dukshëm ndonjëherë, vjen e shket duknjënjëshëm, veçse nëpërmendjeve kur flitet a shkruhet për fillesën e fotografisë shqiptare. Leonardo-n e mençun do ta habiste vakia kështu po qe se do ta dinte pasaktësinë. Neve tani zor se na habit. Jemi mësuar të ngatrrojmë gjokse dhe të qepim medalje e merita atje ku nuk duhet. Dhe, me një shtytutje: E mò mirë!… ndodh edhe të mos i lëvizim… Apo të mos i ndreqim, edhe mbas pafundësisë me debate shterpë dhe inate zhurmante. Sidosesi, Leonardo de Martino qe me vlera… Qe meshtar? Qe edhe tej meshtarisë… Qe mësues… Mësues!… Mësues morali e arti… Se qe i mençun?!… Sepse qe poet?… I lindun poet. Madje ndër më të mirët e asaj kohe. Poet niveli, me shpirt ndjesor… Me shpirt që thirri e lëmoi shpirtra njerëzor… Dhe, thuhet zëshëm nga çmues të mençun: mirësia vlerëmadhe që solli e mbolli Leonardo… E thotë edhe Koliqi, shkodrani me vlera. Që nga përtej Adriatikut ku qe përzënë me trup e nam, Ernest Koliqi, shkroi: “Saggi di letteratura albanese” (1972), ku: … kumbarët e vërtetë të epokës së re të letrave shkodrane qenë Leonardo de Martino dhe Atë Xanoni. Sidomos i pari, dha një provë të mundësive poetike të shqipes me shembullin e vargjeve të tij, të kalitura mirë, herë me shprehje të kulluar popullore, herë me ton të ngritun klasik, modeluar mbi shembujt e shumllojshëm të metrikës italiane. Vepra e këtij poeti italo-arbëresh që shkroi në një gegërishte të përsosun, nuk është vlerësuar ende në masën e duhur. ….. Tentativa e suksesshme e De Martino-s në përdorimin e gjuhës shqipe te krijimet letrare me frymëzim dhe lëvizje elegante klasike, i dha shkas mësimdhënies…

    Dhe, vërtetë, vlerat e veçanta të mendësisë dhe ndjesisë, Leonardo De M. ia dha urtësisë mësimdhënëse… Të thjeshtën e fantazisë diti ta hulloi në frymzimin e lirshëm dhe, Leonardo, e ngriti elegante poezinë deri në vlerat fine të metrikës së përsosun… Solli edhe metrikën jambike dhe Safon gegënishte… Dhe, kur qe i namshëm kështu, botoi në Venedik (1881) L’Arpa di un italo-albanese” (Harpa e një italo-arbëreshi), nja mbi 440 faqe poezi, në shqip dhe italisht. Botoi më të përzgjedhurën apo sentencën e vlershme të artit të tij poetik. Dhe mbeti mësuesi primo i Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Pashko Vasës… Qe dhe mbeti mësues edhe i Preng B. Dodës, atij djaloshit syxixë që vijuan t’i xixnin përjetësisht rrezues edhe në foton që shohim. Dhe, fat (!) shyqyr që sosi fotografia, t’ia përjetësonte ate xixim… Se, ia nxorrën njërin sy osmanllijtë, më pastaj kur qe në internim, mbase, për ta zhbërë si vështrimqitës dhe ushtarak i zoti… Se, u shtoi telashe osmanëve si udhëheqës ushtarak i Shkodrës për Lëvizjen Shqiptare të Prizrenit… Se, Leonardo, e bëri më trim, ia shtoi atdhetarinë… Leonardo nuk qe për djaloshin mësues poezie. Qe mësues etike dhe mençunie… Se, nuk qe poetik djaloshi. Qe patriotik. Kishte ardhun në jetë për detyra tjerasoj. Qe nga derë pushke. Derë ofiqi, derë nga Kulla e Markagjonëve të Mirditës. Qe nga Kullë pari, me frëngji në sy shënjestrash… dhe ëndrra tej e më tutje… në hapësinë lirie.

    *  *  *

    Ndërtimi fotografik që strehon e mbron Leonardo de Martino-n ka vlera. Ka mangësi dhe vlera. Mangësitë numërohen shumë më pak nga ç’renditen vlerat… Në kupë të punës mangësitë sajohen nga varfëria rrethanore… Vlerat: asohere, kur truri di ta vjelë ndjesinë e shpirtit… Mangësitë i pjell ngutja, ndjesia e artistit e përze ngutjen. Dhe, pangutja këtu pat sosun. E solli ndjesia shpirtërore e Pietros fotograf… Ç’ka verehet e dukshme se: ç’nuk mundi të kultivonte në shkollarizimin figurativ… ndjesia e vetësishme e lartëson deri në prag diplomimi… E ujon njomshëm me ujem shpirti në radhoin e artistëve, diku edhe përtej nesh… Zen kreun ndër të parët, më shumë se shqiptar, më shumë se ballkanik… madje më shumë se italian, e goxha më tutje… Duke e pranuar si punë të Pietro Marubbi-t fotografinë që po zbërthejmë, vlen të mburremi kurdo se kjo vepër e kjo ndodhi shqiptare renditet ndër të parat mbarëbotrore edhe me tentime të mirëfillta arti. Më herët se atëhere, pra, para kompozimit marubbian (?!), fare rallë has gjetiu ndonjë përpjekje për ndërtime kësisoj shumëdimensionale. Kompozime që tentojnë (synojnë) rregullsi shkollarizmi me përmasa të artit figurativ monumental…

    Gjithsesi, ka zotësi në këtë punim. Që e veçon Pietro Marubbi-n. Ngase, këtu, e ka rrokun me detaje mjedisin me mungesë ndriçimi. Vërtetë sapo patën pushuar rruspat që përzunë orë e minutazhe për të copëzuar e zbritun kohën e ekspozimit emulsiv… Gjithsesi, prapseprap, ripritej punë. Ngase, ende vijonte përpjekja për të qethun sekonda dhe nënsekonda… Xixa që shkrepi mjeku anglez Richard Lench Maddox për të shuar e fshirë Kolodion më 1871… u shprush e hinos dhe u ripërndez më 1878 nga Charles Harper Bennet-i. Erdhi në fron mirësia më e dukshme: xhelatina e bromurit të argjendtë… Por, si në çdo shpikje ecej matun dhe ngadalë. Ngase, asohere, vërtetë koha solli epokën e mbarsun me pjella të mbara… por, herë e diku, shtohej lodhës dëshimi dhe vinte papritun dështimi. Ndodhte që rrugëve pa rrëfyes, hasej shpesh në zhgënjim dhe pakrye… Kështu edhe xhelatina e bromurit të argjendit – evoluive deri në një revolucion të papamë në praktikat fotografike… – u sajua për nja dhjetë vjet (deri më 1880) nga katër duar dhe dy mendje larg e veç, dhe eci përsëri avash edhe nëpër ca vite, duke kapërcyer shtigje bote deri sa sosi në Shkodrën shqiptare… Avash-avash edhe dekada e fundit e shek. XIX, nisi të shpaloste ditë e vite, me nën sqetull plot plane njerëzish, qendisun me ca ëndrra shpresash në flu të gjithësishme…

    *  *  *

    Leonardo de Martino (1830-1923), pat lindun në Greçi të Kampanjës, në Krahinën e Avelinos. Qe arbëresh, madje, pjellë e pastër arbëreshe – thënë kështu – ngase, qe ende me taban të ruajtun, me mendësi shqiptare, me tradita e gjuhë të gjyshërve… Është thënë diku se qe rrjedhë e të ikurve nga veriu shqiptar, më 1467. Por, pa siguri kështu, aq më shumë kur në vitet 1400 (1432, ’43,’48, ’61, ’67…), dyndjet shqiptare, përzënë përtej Adriatikut, u bënë ndodhi shekullore… Gjithsesi, Leonardo de Martino erdhi prift këtu, misionar i fesë. Erdhi më 1865. Që erdhi këtu më 1865, ve pikë shkencërisht dhe përbetohet besueshëm edhe prof. Vehbi Bala. Pra, vëre, misionari L. de Martino, shkeli së pari në truallin shkodran më 1865. E vërtetë shkencore kjo që jetëson argumentin fundësor se, fotografia e vitit 1859, mbetet sajesë… Po themi besueshëm edhe për ne, këtu, se… (ç’rëndësi ka…!), çka deshëm e kapëm… Ia spostuam pra, dhe gati ia saktësuam vitlindjen fotografisë së Leonardo-s… E çvidosëm nga vidosja gabim, më 1859. E shtymë në kohë, atje, ku është e vërteta, nja dhjetë vjet e ca më mbrapa, mbas 1870. Së paku, mbi 1870. Kurrsesi jo më herët…

    Në vitin 1467 apo ’68 – më me siguri kjo – një tjetër familje e madhe shqiptare, gati fisni, iku edhe ajo përtej Adriatikut. Bënë si bënë dhe u ngulën në Ribera të Sicilisë. Aty u shumuan në jo pak breza dhe asgjë nuk përzunë nga tradita amë… as nuk përqafën përngutun traditën ku vajtën. Veç ajri dhe grosha qenë përherë pashmangie edhe në hapësinën italiane. Kështu mbase edhe sot, por për të mbetun të sinqertë me Ju, nuk di nëse nga trojet shqiptare, familja apo fisnia e namshme, iku dikur me mbiemrin Krispi… apo, ky mbiemër, u sajua në ecuni, siç edhe ka ndodhun gjetiu në aq kohëgjatë… Gjithsesi, fisnia apo ecunia ciklike Krispi… në nja ca breza deri në 350 vjet mbas largimit përtej truallit amtar… dhe nja 190 vjet të shtyra që nga sot, më 1819, saktësisht me 04.10.1819, cikloi mbi tokë pjellën më të namshme të autogenit… buçkon, me emrin Françesko. Françesko Krispi. Shpirtin e porositun enkas që nga mirësia… Që u rrit në fshatin Pallazzo Adriano. Dhe u bë avokat. Madje, edhe më tej. U bë vizionar… Vizionar praktik. Me ide që parashihnin të ardhmen. Me kontribut që i vlerësohet në tempujt e Kolosëve të Italisë. Qe mendësia vetë në treshen me përanash Xhuzepe Maxini dhe Xhuzepe Garibaldi. Qe ndër më të mëdhejtë dhe më të fortët për Bashkimin e Italisë së Lirë… Qe dy herë, nga katër vjet, Kryeministër i Italisë së madhe. Ngjau kështu pak para përmbylljes së jetës, në dekadën e fundit të shek. XIX-të. Vdiq në Napoli, në të hënën e datës 12.08.1901. Dhe u varros në Palermo, në kishën Santa Domenico. Qe veçanti e madhështi ajo ceremoni varrimi. U grupuan mbarë sicilianët. Erdhën edhe shqiptarët, nga anekënd Italisë. Sepse, arbëreshi Françesko Krispi e meritonte. Sepse… (edhe sepse…) Onn D’Arco në tempullin e Parlamentit italian, i pat thënë: Crispi, tu sei un “grands” per L’Italia!… (Krisp, ti je shumë i madh për Italinë…). Ashtu sikundër, Pashko Vasa – burri që e njohti çdo shqiptar edhe i vogël, ka mëse një shekull, sepse tha: “Feja e shqiptarit asht shqiptaria…” – pat thënë edhe për Krispin: “Françesku asht ma shqiptar sesa unë…” Por, askush gjermësot nuk e dinte ç’tha macahere Pashko Vasa për Françesko Krispin… Françesko Krispi nuk u përzgjodh as për në FESH (Fjalori Enciklopedik Shqiptar), – 1985. U injorua edhe ai si Nënë Tereza, fituese e çmimit “Nobël”, 1979 – si edhe fotografi i namshëm botëror, korçari Gjon Mili… Të tre nuk u futën në Enciklopedinë Shqiptare – 1985. Tre nga ata që dëshira m’i nguli dhe fiksoi… Se, pati edhe të tjerë që botimi i injoroi. Pati plot. Jo tre, por goxha, nja tridhjetë, madje edhe mbi treqind… Dhe, justifikimi qe shkurt: nuk është shkruar për ’ta në shtypin dhe letrat e mbasLuftës… Ose, akoma më shkurt: … qe armik i popullit…

    E ringjallëm sido Françesko Krispin këtu, jo pa shkas. Ngase, përnxiti e shtyu për në Shqipëri Leonardo de Martino-n. Kushedi…(!?). S’do të vinte po të mos ngulte edhe Françesko Krispi. E them disi nga xhepi këtë, ngase, përveç fjalëve miqësi entuziaste dhe andërrtare… nuk gjejmë tjetër kyç për të zhbiruar bisedën, që u bë në javën e parë të muajit të fundit – 1864. Krispi, qe bërë deputet i Parlamentit të Italisë së Bashkuar, në zgjedhjet e 15 Nëntorit, dhe, sapo pat nisun legal dhe shtruar edhe jetën politike. Qe shtruar ndryshe tashmë, dhe, një përzgjedhje të dëshirave ëndërrtare që ia diktonte gjaku i të parëve… ia porositi Leonardo-s. Dhe, u rehatua. Se u bind që kishte gjetun pahilen… Krispi e shtoi maninë. Për një si borxhë e si shpërblesë sado, për shërbesën trimërore që bënë shqiptarët arbëresh për Bashkimin e Italisë. Kontributi i të cilëve qe vërtetë madhor. Madhor dhe i namshëm. Ashtusi beteja dy ditore e arbëreshëve në lumin Volturno, ngjalli heroizëm dhe përnxiti “Të njëmijtët” e Garibaldi-t që të shtoheshin në marshimin drejtë Napolit. Aqsa, Xhuzepe Garibaldi, mes qindra e mijëra arbëreshëve, iu drejtua plot admirim udhëheqësit të tyre Dilush Damësi: “Dames, questi tuoi arbereshet sono leoni!… (Damës, këta arbëreshët e tu janë luanë!…)

    *  *  *

    Dhe ja ç’i tha Francesko Krispi – Leonardos në takimin plot ditëdiell, në pragmbylljen e vjetit 1864:

    … Shko! Në vendin e ándrrave tona dhe të tanë arbëreshëve – Shko!… Boje mirësinë ene hudhe m’det… Më parë se mbarë njerëzimi e kemi thanë ne shqiptarët këte. E kemi thënë përherë dhe thuhet marifetshe edhe si për të mos u nëpërmendun hiç shpërblimi. Dhe, kur thuhet e kryhet me shpirt, vjen vërtetë mirësia, vjen si shpërblesë e rehati borxhliu… ndonëse askush nuk e di se ku e se kur do të mbijë ajo mirësi… Madje, as ai dikushi që e mbolli farën dikur, në më të shumtën, hiç s’e di… Sepse… asohere, edhe mund të mos jetë… e iku përgjithmonë pa e ditun… Mirësia shumohet varg në ecuni e njeriu i ardhmë dystohet ta vjelë pa hiç vramendje për ç’ia solli… Dhe, ndodh të harrohet në ku s’duhet njeriu i mirësisë… Hiçmirë kështu, vjen mënjana dhe përzehet mirënjohja… Gjithsesi, ani… në s’ta lyp ate mirënjohje bamirësi i dikurshëm, ani!… Nëpërmendu Ti, për herën e veprës tënde!… Bëje Ti mirësinë dhe hudhe në det… Ngase, gjithsesi, koha e ardhmë ka përherë nevojë për ecuninë e mirësisë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË