Hyrje
Përsiatjet tona mbi gjendjen dhe perspektivën e gjuhës shqipe në periudhën postglobaliste i kanë nxitur tri paradigma: a) fillimi i pandemisë së Virusit Korona dhe mbyllja globale; b) shqetësimi mbi perspektivën e trashëgimisë sonë në këtë situatë, mbështetur mbi një vlerësim të Profesor Çabejt gati një shekull më parë, se “… gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli, dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar”; c) si dhe deklarata e Profesor Jani Thomajt për merakun e tij për gjuhën shqipe dhe hartimin e një Fjalori të madh të shqipes. I shkruar si përgjigje Konferencës të Institutit Albanologjik, kushtuar 80-vjetorit të lindjes së Profesorit tim të çmuar, ky tekst le të jetë nderim për Profesor Jani Thomajn.
I
Kohë më parë studiues nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe studiues të institucioneve të tjera shkencore e arsimore në Tiranë, rikthyen në diskutim një çështje për të cilën është diskutuar, janë shprehur shqetësime dhe madje janë bërë edhe polemika, çështjen e mbrojtjes me ligj të shqipes standarde.
Autorë të këtij projektpropozimi, hartuar në vitin 2014, janë akademikët: Jorgo Bulo, Enver Hysa, Luan Omari, Eduard Sulstarova etj., që më parë se sa gjuhëtarë, juristë e studiues të letërsisë, ishin dhe janë intelektualë të përmasave kombëtare e ndërkombëtare, personalitete të mendimit shkencor e studiues me përvojë të madhe historike, në të vërtetë, studiues me vetëdije të lartë historike dhe me pikëpamje e virtyte mbarëkombëtare. Lajmi, përkatësisht projektpropozimi a iniciativa, na bëri të kuptojmë dhe besojmë se tani Tirana dhe institucionet politike, arsimore dhe shkencore urgjentisht duhet të marrin rolin prijës të ëndrrave tona për gjuhën shqipe, të cilën Prishtina nuk ka mundur ta realizonte dikur për shkaqe politike dhe nuk mund ta realizojë tani për mungesë kapacitetesh (studiuesish e institucionesh) profesionale.
Duke pasur parasysh rrethanat nëpër të cilat kaloi së fundmi populli shqiptar: tërmetet e pazakonshme në Shqipëri, pandeminë globale e Virusin Korona, si dhe lëkundjet afatgjata në jetën politike në Shqipëri e sidomos në Kosovë, nuk kemi pritur as kësaj radhe të kemi diskutime as në interes të realizimit të kësaj iniciative të përsëritur, as të kundërshtimit institucional të saj. Në këto rrethana natyrshëm nuk mund të pritej ndonjë diskutim i gjerë as aprovues as polemizues, por rrethanat nëpër të cilat po kalojmë vitin e fundit, më kanë bërë të besoj se në shkallë kombëtare pritej edhe një diskutim ndërgjegjësues rreth gjuhës, si njërën prej pasurive unike të kombit shqiptar. Kjo e dyta, pandemia globale, madje mund të ishte edhe një prej arsyeve shumë të veçanta pse për gjuhën dhe më tej trashëgiminë kombëtare, të ndërmerreshin masa të forta mbrojtjeje, sa edhe për fatet fizike, individuale e kolektive të shqiptarëve në hapësirën etnike, mërgatën dhe diasporën shqiptare.
Pa dashur të merrem me diskutimet anësore, shumë herë të zbehta dhe shumë herë irrituese, mund të them se ato u orientuan kryesisht në dy drejtime: në Tiranë me komente anësore, që të kujtojnë ankimet e shkrimtarit anglez të shekullit XVI Gjon Hart (John Hart), për “mëkatet” e alfabetit anglez, për shkak të të cilave e kishte vështirë të mësonte dhe vështirë të lexonte” (Kristal, 1997: 215), ndërsa në Prishtinë me reagime individuale, të cilat më parë se për një ligj mbrojtës të njërës prej vlerave më të rëndësishme që kemi, dëshironin që projektpropozimit t’i jepnin karakterin e një karikature, që më parë se sa të shquante gjuhën, thesarin e vetëm të popullit shqiptar, sikur do të shprehej Profesor Çabejt, donin të krijonin mjegull mbi rolin që mund të kishte mbrojtja e këtij thesari.
Gjuha shqipe është gjuhë historike, ndërsa populli shqiptar është popull historik dhe e drejta e tij për hapësirë gjeografike europiane, identitet kombëtar dhe të barabartë me vendet fqinje e me popuj të mëdhenj të Evropës, i detyrohet para se gjithash gjuhës shqipe si dhe mundësisë së saj që të funksionojë si një standard i vetëm. Më parë se vetë populli shqiptar dhe luftërat e tij, është vepra Meshari i Gjon Buzukut ajo që i bëri shqiptarët pjesë të qytetërimit europian. Më parë se populli shqiptar dhe bëmat e tij është gjuha shqipe ajo që me të gjitha përmasat kuptimore e bëri të flas Biblën në gjuhën shqipe në fillim të shekullit XIX, në të vërtetë më parë se të bëhej populli shqiptar pjesë e qytetërimit dhe trashëgimisë së përbotshme është gjuha shqipe ajo që në projektin e Franc Boppit (1854) dëshmoi të qenit e saj degë e familjes së gjuhëve indoeuropiane, madje njëra prej degëve bazë, njëra prej dymbëdhjetë degëve të trungut të saj. Struktura gramatikore e gjuhës së shkruar shqipe, në tekstet e kohës do të dëshmojë rreth dy shekuj më parë atë që së fundi do ta konstatojë Umberto Eco; “Gjuha mëmë nuk ishte një gjuhë e vetme, por tërësia e të gjitha gjuhëve” (Eko, 2008: 342).
Në këtë periudhë, kur çështja e gjuhës kombëtare ishte një nga çështjet e mëdha evropiane (Thiesse, 2004: 87), kur sikur shprehej Herder, “çdo gjuhë, është shprehje e gjallë, organikë e shpirtit të një populli, shuma e veprimit efikas të gjithë shpirtrave njerëzorë që e kanë përbërë gjatë shekujve (Thiesse, 2004: 44), gjuha shqipe iu përgjigj parimit “kombi ekziston, përderisa ka një gjuhë”, ndryshe nga parimi tjetër që vlente për popujt e mëdhenj “kombi ekziston, duhet t‘i jepet një gjuhë” (Thiesse, 2004: 86).
Për më tej, më parë se sa populli shqiptar të dëshmonte përfundimisht orientimin e tij drejt qytetërimit europian, janë shkronjat e alfabetit të Kongresit të Manastirit ato që shfaqen fytyrën europiane të këtij populli; dhe së fundmi, më parë se sa populli shqiptar, populli i ndarë në dy shtete të arrinte bashkimin a tij në një shtet, është gjuha, shqipja standarde (Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe,1972), ai që i bashkoi në komunikimin e tyre si një popull modern dhe i vetëm.
II
Në këtë rrjedhë, dua që me përgjegjësinë e folësit të gjuhës shqipe, ligjëruesit të saj universitar, të studiuesit e qytetarit të shqetësuar për secilën shkronjë e për secilën fjalë të shqipes, të propozoj një orientim të ri të institucioneve akademike dhe arsimore shqiptare, kudo janë krijuar brenda institucioneve kombëtare e ndërkombëtare:
1. Gjendja shumë serioze, që po krijohet pas mbylljes së botës, do të sjellë rivlerësime të perspektivës së popujve e të gjuhëve të tyre, e në mënyrë të veçantë fatit të gjuhëve e të kulturave të popujve të vegjël, sikur është edhe populli shqiptar. Mbyllja e sotme globale në këto përmasa, si dhe një perspektivë e mbylljes Lindje (Azi) – Perëndim në një të ardhme jo shumë të largët mund të rezultojë me një shpërthim demografik dhe lëvizje qindmilionëshe të aziatikëve drejt Europës, një përmasë që të kujton shtegtimin e popujve indoeuropianë dhe arritjes në Europë rreth 3000 vjet më parë.
2. Mënyra se si papritmas dhe në mënyrë të shpejtë u ballafaquam me një virus me mundësi të vë në pyetje fatet e popujve dhe kulturave të tyre, na bën të mendojmë edhe për projektet e gjertanishme të institucioneve shkencore dhe të merremi urgjentisht me rivlerësimin e tyre, pasi shumica e institucioneve shkencore bëjnë punën rutinore, pa projekte afatmesme dhe afatgjata, dhe për më tej, pa projekte me karakter kombëtar e mbarëkombëtar.
3. Situata të tilla shumë të rrezikshme nëpër të cilat po kalojmë, si dhe mundësitë që ato të përsëriten në përmasa edhe më tragjike, rrezikojnë brenda natës jo vetëm mosha të caktuara po edhe popuj, shtete e kultura të tyre. Shqiptarët, dy shtetet e tyre aspak homogjene, institucionet me nivel të zbehtë komunikimi, si dhe projektet e tyre shkencore shumë herë të përmasave krahinore, mund të rrezikohen si asnjë gjuhë e kulturë tjetër në rajon dhe Europë. Shqiptarët me tri e më shumë besime, me gjuhë standarde “ende të brishtë”, pa enciklopedinë kombëtare, pa thesarin e gjuhës shqipe në disa vëllime, sikur e kanë edhe popujt e tjerë, rrezikojnë të gjenden në provincën e zhvillimeve europiane. E popujt, gjuhët dhe kulturat provinciale, rrezikojnë të zhduken brenda natës ashtu sikur janë rrezikuar dhe zhdukur gjuhë me folës edhe më të shumtë se gjuha shqipe.
4. Përvoja rajonale dhe ndërkombëtare na jep shembuj brilant, të rrezikut afatgjatë, organizimit e mbrojtjes së tyre, por le të sjellim vetëm dy prej tyre. Vetëm një vit pas mbarimit të luftës ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, në Kroacinë e pavarur leksikografët kroatë arritën ta botojnë vëllimin e parë të Enciklopedisë kroate.
Tregimi i Umberto Ekos për vendosjen e një tabele me vërejtje në një shkretëtirë ku do të varroseshin mbetjet bërthamore në SHBA, janë shembulli më brilant se si duhet të mendojmë ne sot për gjuhën dhe perspektiven e saj. Më 1984, – rrëfen semiotisti dhe intelektuali i lavdishëm i gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, Umberto Eko, – Thomas A. Sebeok, hartoi një raport për Zyrën e Izolimit të Mbeturinave Bërthamore, në lidhje me vendosjen e shenjave gjuhësore në vendin ku do të vendoseshin mbeturinat. Por për ekspertin Thomas A. Sebeok situata nuk ishte kaq e thjeshtë. Vendosja e vërejtjeve gjuhësore nuk konsiderohej kaq e thjeshtë në një tabelë normative. “Qeveria Amerikane kishte zgjedhur disa zona të shkreta në ShBA për të groposur (në disa qindra metra thellësi) mbetjet bërthamore. Nuk bëhej fjalë edhe aq për të mbrojtur zonën nga hyrjet e të pakujdesshme sot, se sa për faktin që mbetjet bërthamore mbeteshin aktive për dhjetëmijë vjet”. (Eko, 2008: 177).
Në këtë proces bashkohej përvoja historike dhe manifestohej vetëdija historike. Në radhë të parë shquhej kujtesa historike. “Kemi parë perandori të mëdha dhe qytetërime të lulëzuara, që kanë perënduar në kohë shumë më të shkurtër, kemi parë se si disa shekuj pas faraonit të fundit hieroglifët egjiptas ishin bërë të pakuptueshëm”.
Për të vënë më tej në sprovë vetëdijen historike: “Mund të ndodhë që pas 10000 vjetësh toka të ketë pësuar pështjellime të tilla që të banohet nga popuj, të kthyer në kohën e barbarisë por mund të vizitohet nga udhëtarë jashtëtokësorë. Si të njoftohen jashtëtokësorët që zona është e rrezikshme (Eko, 2008: 177).
5. Cila është vepra që kemi krijuar si institucione shkencore pas Luftës Çlirimtare të Kosovës, në të vërtetë pas Çlirimit të Kosovës, dhe cilat janë veprat kolektive kombëtare të cilat janë botuar nga institucionet shkencore dhe akademike në Shqipëri, të cilat i shërbejnë një qëllimi të tillë, të largët, jo dhjetëmijë vjet, po 30-50 a 100 vjet, sa pretendojnë zakonisht botimet me karakter shoqëror? Nuk po e bëjë këtë pyetje për institucionet me karakter nacional në Maqedoni dhe Mal të Zi. Pas fjalorëve enciklopedikë, të në arritjeje modeste akademike në Tiranë dhe në Prishtinë, lajmi pothuajse i vetëm premtues që vjen është deklarata e drejtorit të Institutit të Gjuhësisë në Tiranë, Profesorit Valter Memisha, se po punohet për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, në një kohë që mendjen e kemi te Korpusi i plotë i gjuhës shqipe. Një prej etërve të leksikografisë shqiptare Profesor Jani Thomai, në fillim të këtij shekulli, pasi kujtonte momentet më të rëndësishme të trashëgiminë e leksikografisë shqiptare sillte edhe disa kërkesa të domosdoshme që dalin në këtë kohë: a) “Kërkesa kryesore (…) është rritja e cilësisë shkencore të fjalorëve, mbështetja e tyre në të gjithë përbërësit e përmbajtjes e të trajtimit leksikografik në shkencën dhe metodat e leksikografisë bashkëkohore” (Thomai, 2017: 125); b) “ngritja e një shoqate kombëtare të leksikografëve, e ngjashme me Shoqatën Europiane të Leksikografëve (EURALEX)” (Thomai, 2017: 126); c) “regjistrimi elektronik i fondeve leksikore” (Thomai, 2017: 126); d) “Hartimi i një fjalori të madh, disavëllimësh, i gjuhës shqipe përbën një kërkesë të kahershme (Thomai, 2017: 126); e) “Hartimi i fjalorëve të autorëve e i fjalorëve krahinorë në një shkallë” (Thomai, 2017: 127) etj.
6. A nuk është kjo edhe një prej arsyeve pse Akademitë dhe institucionet tona shkencore duhet të marrin detyra më të rëndësishme dhe më parësore, të cilat kanë për synim vjeljen, ruajtjen, sigurimin dhe regjistrimin e manaxhimin e korpuseve gjuhësore në hapësirën shqiptare, të trashëgimisë sonë materiale e shpirtërore (nga njësitë leksikore e frazeologjike deri te përralla dhe eposi), përgatitjen urgjente të Enciklopedisë Kombëtare, Fjalorit (thesarit) të plotë të gjuhës shqipe e doracakët e tjerë enciklopedikë të kësaj natyre etj., me ndihmën e koordinuar të të gjitha institucioneve arsimore, shkencore e kulturore të të gjithë hapësirës shqiptare. Shembuj të orientimeve të kësaj natyre vinë nga Shën Petërsburgu dhe Pekini, por jo edhe nga Prishtina dhe Tirana. Profesor Jani Thomai tashmë ka bërë edhe hapin e parë. Ka përgatitur edhe Projektin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe (2004-2007), brenda të cilit ka përcaktuar edhe numrin e përafërt të fjalëve, parimet dhe kriteret e përgjithshme, formatin dhe vëllimet, shtresat aktive dhe pasive të leksikut të shqipes, si dhe frazeologjinë, semantikën dhe kufijtë hapësinorë e historikë, makrostrukturën e fjalorit, fondin praj nga do të vjelën fjalët, semantikën leksikore, makrostrukturën, sintagmatikën e fjalës etj. Po këtu Profesor Jani Thomai ka sjellë edhe projektin e funksionalizimit të tij me institucione dhe emra konkret, si dhe metodën e punës në Fjalor. (Thomia, 2017: 165-173).
7. Brezat që do të vinë nuk kanë asnjë arsye të na kuptojnë as të na mirëkuptojnë nëse ne vazhdojmë në këtë mënyrë t’ju lëmë arritje individuale e klanore, arritje institucionale e krahinore. Brezat që do të vinë nuk do të na kuptojnë kurrë dhe nuk do të na mirëkuptojnë, kur të shohin se si kemi krijuar universitete, fakultete, institute dhe projekte, publike e private, të cilat përsërisin njëra – tjetrën me revista, konferenca jubilare, tema të shteruara ndër dekada, ide e nocione të harruara në hapësirën europiane. Brezat që do të vijnë nuk do t’i kuptojnë projektet tona, nëse prej tyre nesër nuk mund të krijohen tërësi shkencore me interesa kombëtare, dhe me të cilat nuk mund të marrim pjesë në hapësirën e dijes europiane. Brezat që vinë do të pyesin pse brezi ynë nuk ishte pjesë e projekteve rajonale, ballkanike, europiane dhe planetare, në të cilat janë diskutuar temat historike, pasuria leksikore dhe frazeologjike, zyrtarizimi i ojkonimisë në dokumentet me njohje ndërkombëtare, përfaqësimi i ngjarjeve, personaliteteve dhe njësive onomastike në leksikonët dhe enciklopeditë europiane dhe ndërkombëtare. E ne për brezin e sotëm dhe të ardhshëm ende nuk kemi krijuar ekipet, të cilat duhet të punojnë urgjentisht në këto projekte, e ne do të duhej sa më parë të krijojmë Qendrën e Leksikografisë Kombëtare, nëse nuk mund ta përshtatim ndonjërën prej këtyre që instituteve që i kemi.
III
Të rikthehemi edhe njëherë te gjendja, trashëgimia gjuhësore dhe perspektiva postglobaliste e saj.
Gjuha shqipe në Shqipëri, përkatësisht në dokumentet zyrtare sigurisht zë një vend të nderuar, por në jetën shoqërore, kulturore, fetare dhe madje akademike, nuk e ka përmasën moderne të studimit, të cilën do të duhej ta kishte. Gjuha shqipe në Kosovë jo vetëm nuk e ka vendin e duhur në dokumentet shtetërore për 90% të popullatës, e cila e përdor me shkrim dhe me gojë, po ajo gjithnjë e më shumë po e humb pozitën e saj në dokumentet ndërkombëtare, duke e vënë gjuhën shqipe si gjuhë të dytë, dhe gjithnjë e më shumë po e humb hapësirën e saj të studimit e mësimit të saj, edhe me numrin e orëve në institucionet shkollore. I është dashur një kryengritje e armatosur dhe i janë dashur shumë beteja politike kombëtare e ndërkombëtare popullit shqiptar në Maqedoni, që gjuhën shqipe ta bëjnë gjuhë të përmasave shtetërore, sikur është maqedonishtja, dhe kjo luftë vazhdon pikërisht për zbatimin e saj në raport me institucionet qendrore dhe rajonale. Një shkallë ngritjeje dhe vlerësimi e përdorimi sot gjuha shqipe ka fituar edhe në dokumentet juridike të shtetit të Malit të Zi e të Serbisë.
Pas rënies së sistemit komunist përmasa e vlerësimit dhe studimit të gjuhës shqipe u zgjerua edhe në hapësirën Europiane e Amerikane, pa humbur asgjë edhe në hapësirën Lindore të Globit, përkundrazi duke e zgjeruar përmbajtjen modeste të vendit të saj që e kishte më parë. Gjuha shqipe sot ligjërohet si dije për nxënie arsimore, përkthimi për nevoja administrative, sigurie e diplomacie, si dhe për kërkime shkencore në kontekstin kontrastiv e krahasues, në shumë shtete dhe në shumë institucione shkencore, por gjuha shqipe, Shqipëria dhe Kosova, ende nuk e ka vendin e duhur të saj në faqet e botimeve shkencore dhe enciklopedike, si kusht i domosdoshëm për pamjen e saj të sotme në botën globale, dhe si kusht i domosdoshëm për Shqipërinë dhe Kosovën në diplomacinë, sigurinë, ekonominë dhe perspektiven e përbotshme. Le të shohim shembujt e disa prej modeleve të shteteve të dala nga Kampi Socialist: Polonia, Bullgaria etj., po edhe të shteteve të tjera të rajonit, si: Greqia, Italia etj., të cilat duke ndjekur zhvillimet politike dhe strategjike të kohës, përdorën trashëgiminë institucionale në fushë të shqipes dhe zgjerimin e mësimdhënies së saj për përdorimin e tyre jo vetëm për albanologjinë, si dije shkencore po për nevojat ditore: sigurinë, ekonominë, tregtinë etj.
Nëse pamja, përkatësisht vendi i gjuhës shqipe dhe vendi i Shqipërisë dhe Kosovës në botimet enciklopedike kombëtare dhe ndërkombëtare është posaçërisht i zbehtë dhe posaçërisht i varfër e shqetësues, ky sigurisht nuk është vetëm faji i institucioneve dhe editorëve të këtyre botimeve, ky është faji i institucioneve tona shkencore, të cilat ende nuk kanë botuar vëllime enciklopedike në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja, që botuesve nëpër botë t’u ofrojnë informacione të sakta dhe të plota. Shembujt, të enciklopedive, të cilët i kam theksuar në një nga studimet e mia Shqipëria, Kosova dhe gjuha shqipe në botimet enciklopedike (2012: 89-112), dëshmojnë njëkohësisht edhe për fajet tona, pse gjuha shqipe nuk paraqitet si gjuhë e njësuar, përkatësisht standarde po si gjuhë e dy dialekteve.
A nuk është kjo edhe një prej arsyeve pse obligimet ndaj gjuhës shqipe, njohjes, dokumentimit dhe obligimeve që kemi ndaj saj t’i bëjmë të ligjshme dhe të obligueshme për institucionet tona kërkimore dhe shkencore. A nuk është kjo një prej arsyeve pse gjuha shqipe të mbrohet edhe me ligj!
Gjuha shqipe dhe korpusi i fjalësit të saj, ashtu si edhe atdheu ynë, kufijtë e tij, qytetarët dhe institucionet, janë vlerat më domethënëse që historikisht ka trashëguar populli shqiptar. Prandaj përdorimi i saj, sa më pak i cenueshëm nga gjuhët dhe fjalët e huaja, është detyrë jona dhe obligim për ta bartur atë te trashëgimtarët tanë.
Në Republikën e Kosovës dy dekadat e fundit janë miratuar nga institucionet ndërkombëtare dhe shtetërore shumë ligje dhe rregullore që të bëjnë të mendosh sikur i kemi kryer të gjitha punët dhe sikur të mos ishim shteti që ka më së paku ligje në rajon dhe Europë. Në Kosovë mund të gjesh rregullore për mbrojtjen e kafshëve nga rrahja e barinjve (Komuna e Prizrenit) dhe Ligj për bletari (shih, Kuvendi i Kosovës, Ligji Nr. 02/L-111), por gjuhëtarët e Kosovës prej shumë kohësh kapin kokën me të dy duart, duke dialoguar e duke monologuar në televizionet dhe mediat e Kosovës në lidhje me propozimin e ligjit për mbrojtjen e shqipes standarde:
Çka do të shkruajmë në atë ligj?
Si do të duket ai ligj?
Kush do të dënohet me atë ligj?
Si do të flasim pas miratimit të atij ligji apo do të kthehemi në një popull memec!
Si do të flasim në institucione, në kafene, në rrugë e sidomos në shtëpi?
A do të guxojmë të ligjërojmë ne gjuhëtarët në universitete e në shkolla me shqipen standarde apo me gjuhën e nanës!
A do të arrestohemi në rrugë nga policia tek flasim me kolegët në dialekt, në variant, në të vërtetë në slleng!
A do të na përgjojnë spiunët e gjuhës pranë dritares tek u themi nënave tona nanë e jo nënë!
Kuku nanë!
Kuku nanë!
Kuku nanë!
A nuk është kjo arsyeja pse gjuha shqipe si dhe atdheu e kufijtë e tij, duhet mbrojtur me ligj!
A nuk është kjo arsyeja që të rilexojmë një nga sintezat për standardin e shqipes, shkruar nga Profesor Rexhep Ismajli, kur shqipja standarde, gjuha shqipe dhe madje folësit e saj gjendeshin para një gjenocidi shtetëror: “Kusht për funksionimin e gjuhës standarde janë rrethanat e favorshme sociale, statusi juridik dhe socio-politik, statusi sociolinguistik i gjuhës në fjalë, mundësitë e përdorimit të papenguar në të gjitha kontekstet. E ngritur në nivelin më të lartë të mjetit të domosdoshëm të kultivuar për komunikim në përgjithësi, shqipja standarde mund të funksionojë dhe të zhvillohet më tutje atje ku është në përdorim në jetën shoqërore dhe publike, në organizatat shoqërore e politike, ku ka rregullim ligjor që i garanton këto, në marrëdhënie pune, në administratë, në shkolla dhe në institucionet e kulturës dhe të shkencës, në mjetet e informimit publik, në botime, në teatër, në film etj”. (1988: 93-122).
Me gjuhën standarde, në të vërtetë në shqipen standarde, populli shqiptar kudo dhe kurdo sot përshkruan të drejtat dhe obligimet e tij qytetare, kushtetuese dhe ligjore ndaj pasurisë materiale që e rrethon dhe ndaj pasurisë shpirtërore me të cilën mbahet përballë të tjerëve. Në të vërtetë populli shqiptar me gjuhën standarde përshkruan pasurinë materiale të institucioneve fetare, kulturore dhe të kultit, si dhe pamjen estetike të tyre. Me gjuhën standarde shqiptarët përshkruajnë ligjet dhe Komentarin e tyre, dokumentet e marrëveshjeve ekonomike, dokumentet e marrëveshjeve diplomatike dhe të sigurisë kombëtare e globale, vademekumët mjekësorë etj.
A nuk do të kërkonte ligji për gjuhën edhe zbatimin e tyre me terminologji shqipe e nocione të kuptueshme së pari për institucionet shtetërore dhe popullatën që është e obligueshme ta zbatojë marrëveshjen, në vend se të nënshkruajnë marrëveshje të kësaj natyre fillimisht në gjuhën angleze në Bruksel, në mënyrë që pas përkthimit të saj në Prishtinë, dokument, marrëveshja a protokolli, të dalë me një mesazh të tjetërsuar dhe të dëmshëm për institucionet tona shtetërore e për qytetarët e saj.
A nuk do të kërkohej pastaj që institucionet tona të pajisen me Fjalorë bashkëkohorë terminologjikë të fushave përkatëse dhe administrata jonë të arsimohej në mënyrë komplementare me dijet bashkëkohore në fushë të kulturës gjuhësore, dhe në raport me kolegët e tyre europianë në fushë të dijes bashkëkohore në fushat përkatëse, të cilët në rrethana të tilla arsimohen e pajisen me dije përkatëse në gjuhën angleze, franceze, gjermane, spanjolle, ruse etj.
A nuk do të kërkohej prej institucioneve arsimore që të përgatisnin programe profesionale për kulturën e gjuhës standarde dhe nivelin profesional të ligjërimit, si dhe përdorimit me shkrim të stilit administrativ, juridik, tekniko-shkencor, mjekësor, politik e diplomatik, prej të cilës do të krijohej edhe një dokumentacion i qartë dhe kredibil i pasurisë sonë private dhe publike.
A nuk janë këto vetëm disa prej arsyeve pse përdorimi i standardit në institucionet shtetërore dhe kombëtare duhet mbrojtur me ligj!
Gjuha shqipe është përbërësi më i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kombëtare, e trashëgimia jonë është e mbrojtur me ligj. Në Kosovë gjenden shumë institucione kryesisht religjioze dhe shumë objekte të trashëgimisë së antikitetit ilir, objekte të trashëgimisë bizantine, të trashëgimisë orientale e oksidentale, mesjetare e të kohës së re, të cilat janë të mbrojtura me ligje vendore dhe madje ndërkombëtare. Për shkak se ato institucione religjioze apo kulturore nuk i kemi identifikuar, përkatësisht emërtuar me gjuhën a terminologjinë e duhur, shumë prej tyre në dokumentet e administratës sonë dhe në dokumentet e diplomacisë, përkatësisht trashëgimisë ndërkombëtare kanë marrë konotacione të ndryshme dhe madje kanë përfituar statute të ndryshme, sikur ato të mos ishin objekte të trashëgimisë sonë, por të trashëgimisë së fqinjëve, përkatësisht popujve të tjerë, sado shqiptarët shumë herë ato i kanë konsideruar objekte të kultit të tyre pagan dhe madje objekte të një periudhe të largët të trashëgimisë europiane të tyre. Një gjuhë historike sikur është gjuha shqipe dhe një gjuhë standarde e përdorur drejt me termat e nocionet shkencore që i zotëron, sikur është gjuha shqipe, e përdorur drejt dhe saktë në komunikimin ndërkombëtar nuk do t’i linte këto objekte jashtë sistemit tonë juridik-shtetëror, përkatësisht jashtë thesarit tonë kulturor me përmasa sa kombëtare aq edhe ballkanike, europiane e globale. Duke shkruar për disa prej tipareve gjuhësore të shqipes standarde, sikur janë: njësimi, karakteri i mëvetësishëm, karakteri i shkruar dhe kodifikimi, etj., ai shkruan edhe për karakterin artificial, për të cilin veç tjerash thekson: “çdo gjuhë letrare (standarde), pra edhe shqipja, ndryshon në një shkallë nga idioma organike; ajo ndërtohet, normohet, kultivohet, prandaj duhet të nxihet nga të gjithë; për shqipen letrare, këtu ka rëndësi të theksohet se nuk mund të identifikohet me toskërishten letrare me një sasi, qoftë edhe më të madhe, gegizmash, ide që do të ishte shprehje e një koncepcioni mekanicist; të gjithë bartësit e shqipes standarde duhet ta nxënë atë, pa marrë parasysh shkallën e përputhjes së saj me idiomën e tyre organike ajo është vërtet mbidialektore”. (R. Ismajli, 1988: 93-122).
Europa sot në një mënyrë përfaqëson një entitet transnacional dhe mbinacional, përcjellë nga shumësi të rëndësishme vlerash, të projektuara nga etërit e kësaj ideje, filozofët, shkrimtarët e intelektualët anglezë, gjermanë, francezë, italianë, spanjollë etj. Ndërsa psikologu, semiotisti dhe indoeuropianisti rus V.V. Ivanov këtij parimi të njohur i jepte përmasa universale: “Çdo gjuhë është një gjedhe e universit, një sistem semiotik i të kuptuarit të botës, dhe nëse kemi 4000 mënyra të ndryshme për të përshkruar botën, kjo na bënë më të pasur. Duhet të përkujdesemi për ruajtjen e gjuhëve ashtu siç përkujdesemi për ekologjinë. (V. V. Ivanov (1992: 4; sipas Eco, 2008: 328).
A nuk është kjo vetëm një prej arsyeve pse institucionet tona shkencore dhe arsimore urgjentisht të fillojnë identifikimin, përshkrimin dhe përgatitjen e Korpusit të plotë të shqipes, ashtu sikur kanë bërë dhe tashmë përmbyllur popujt e gjuhëve të mëdha dhe madje fqinjët tanë të vegjël. A nuk është kjo arsyeja e domosdoshme pse gjuha standarde e komunikimit tonë me shkrim dhe me gojë në institucionet tona shtetërore, arsimore dhe publike duhet të mbrohet me ligj!
Zhvillimet e fundit në fushë të teknologjisë kanë bërë që të zhvillohen më shumë dhe më shpejtë disa fusha të gjuhësisë. Lëvizjet globale, emigrimi dhe turizmi, bashkëpunimi tregtar dhe kulturor ka bërë që në plan të parë të dalë zhvillimi i leksikografisë dy e më shumë gjuhësore dhe mësimdhënia e gjuhëve të mëdha, sikur është gjuha angleze, gjermane, italiane dhe franceze e spanjolle. Shqipja hyn ndër ato gjuhë që dekadat e fundit ka bërë shumë dhe ka pasur një komunikim e zhvillim të dendur në këto dy fusha, por krahas zhvillimit të teksteve e doracakëve për mësimdhënien e gjuhëve të huaja nga shqiptarët, dhe krahas zhvillimit të doracakëve dygjuhësorë e shumëgjuhësorë të shqipes me gjuhët e tjera dhe anasjelltas, koha është të zhvillojmë dhe standardizojmë përgatitjen dhe botimin e doracakëve për mësimin e shqipes standarde për brezin e ri të emigrantëve shqiptarë dhe përgatitjen e botimin e fjalorëve terminologjikë të fushave të ndryshme për administratën shtetërore të shteteve shqiptare dhe institucionet arsimore të shkollave shqipe. Shembulli më praktik i një përvoje të madhe europiane dhe më tej është seria “Anglishtja/gjermanishtja/italishtja/… e re pa mundim”, e cila tashmë ka filluar të botohet e përshtatet edhe në gjuhën shqipe. Në ndërkohë metoda të kësaj natyre krejtësisht bashkëkohore dhe të drejtpërdrejta në internet, si dhe me ushtrimet vetjake, e kanë zënë vendin e tyre në hapësirën internetike, përkatësisht globale, për secilin qytetar të botës, pa pasur nevojë të shkojnë në shkollë fizikisht dhe pa pasur nevojë për mësues privatë.
Zhvillimet e reja në vend dhe në botë diktojnë jo vetëm ekonomizim fjalësh, por edhe ekonomizim tekstesh, e kjo do të thotë tekste të shkarkuara sa më shumë nga karakteri akademik i njohjes dhe i të nxënit të gjuhës, të përshtatura për brezin e ri. Me logjikën e fajit të përhershëm ndaj sistemit politik që mbizotëronte në periudhën e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), me logjikën e fajësimit të shqipes standarde, si sistem i pamundshëm i të nxënit, ne mund të arrijmë vetëm tek koncepti i Çomskit për ndërtimin e “gjuhëve të panxëna”, gjuhë që nuk mund të kapen nga aftësia gjuhësore, sepse në çdo rast kjo e fundit do të bënte zgjidhje të gabuara (Shih, Çomski, 2007: 150). Më në fund “planifikimi gjuhësor, qoftë edhe në forma rudimentare, ka qenë pjesë e politikave globale të perandorive, të shteteve parakombëtare ose të bashkësive të caktuara gjuhësore” (Memushaj, 2012: 13), prandaj, ky proces pse duhej të ishte përjashtues edhe për popullin shqiptar, për gjuhën shqipe e për perspektivën bashkuese të tij. Brezi i ri duhet të mësojë gjuhën që i duhet dhe jo gjuhën që duhet ta dijë. Kjo do të thotë një drejtshkrim të ekonomizuar për nxënësit, studentët, qytetarët. Siç do të shprehej Martine, “Ligji, sa më pak mundim për një qëllim të caktuar vlen edhe për gjuhën” (Martine, 2020: 149). Drejtshkrimi i sotëm i gjuhës shqipe është botuar vetëm për lektorët dhe specialistët e gjuhës, por jo edhe variante të tjera për nxënësit, mësuesit, specialistët e dijeve jogjuhësore”. Shembulli i kolegëve të Universitetit të Korçës, udhëhequr nga Profesor Ali Jashari, është modeli më brilant i përshtatjes së tij për nevojat e studentëve që përgatiten për detyrën e mësimdhënies së shqipes standarde.
Le t’i referohemi së fundi një përcaktimi të Profesor Shefki Sejdiut, mbi raportet e gjuhës shqipe me zhvillimet globale në fillimet e tij: “zhvillimi i hovshëm i shkencës dhe teknikës e krijimi i marrëdhënieve të reja shoqërore në plan kombëtar e ndërkombëtar, bënë që jeta dhe sjelljet e njeriut të ndërrojnë kualitativisht. U krijuan një botë e hapur dhe shoqëri të hapura, ku komunikimi midis njerëzve, popujve dhe kulturave u bë i domosdoshëm, andaj edhe gjuha si mjet komunikimi par excellence do të duhej t’i përcillte këto zhvillime shoqërore dhe, konform dinamikës së tyre, të gjente forma shprehëse për ta pasqyruar në mënyrë sa më të përshtatshme e racionale këtë realitet. Kjo shprehje e këtij realiteti ka mundur të bëhet efikase vetëm përmes proceseve normëzuese e standardizuese të sistemeve, të nënsistemeve e të strukturave gjuhësore mbi baza të përvojës dhe kërkesave të njeriut. Këto baza, mbi të cilat njeriu e mbështet përvojën e vet janë natyra, kultura dhe civilizimi, entitete te të cilat vërehen raporte relacionale, që, shikuar nga aspekti kognitivo-kontekstual dhe semantiko-referencial, do të përkonin me natyroren, kulturoren dhe civilizuesen, kurse nga aspekti sistemor-komunikativ do të përkonin me gjuhën /në kuptimin sosyrian/, me gjuhën letrare dhe gjuhën standarde, sisteme që shprehin shkallë të ndryshme normativiteti. (Sejdiu, 2002: 107-108). Profesor Sejdiu, me këto parime në të vërtetë u përgjigjej koncepteve të psikologut zviceran Zhan Piazhe, për të cilin “gjuha është një institucion kolektiv” (Piazhe, 1979: 278).
Kryeredaktori i revistës franceze Esprit (Fryma), dhe personaliteti me ndikim në lëvizjen paneuropiane, Zhan Mari Domanek, në prag të përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së sistemit komunist, pati caktuar dhjetë parime me të cilat duhej ndikuar kultura franceze në kulturën europiane, prej të cilave pesë të parat i takonin gjuhës dhe mësimdhënies. A nuk janë konceptet e tij një model i mirë edhe për ndërtimin e koncepteve dhe parimeve se si të mbrojmë gjuhën shqipe brenda rrethanave të reja të krijuara në këtë periudhë pasglobaliste. (Domanek, 1990: 145-146). Unë po ndalem vetëm në dy nga projektet prioritare: Qendrën e Librit Shkollor dhe Qendrën Enciklopedike Shqiptare.
Bartës të këtyre dy projekteve do të mund të ishin Instituti i Librit Shkollor, një institucion i formatit të madh kombëtar, rëndësia e të cilit sot është më e madhe se rëndësia e secilit prej Universiteteve Publike që kemi hapur nga Gjirokastra deri në Mitrovicë, prandaj cilido prej tyre po të shndërrohej në Institutin e Librit Shkollor do të kishte funksionin kombëtar më të rëndësishëm se Universiteti i qenë aty. Po kështu mund të thuhet edhe për Qendrën e Enciklopedisë a Leksikografisë Kombëtare, e cila për nga rëndësia mund të tejkalonte interesat dhe vlerat kombëtare të dy akademive dhe instituteve albanologjike që kemi në Tiranë e në Prishtinë, Shkodër, Shkup etj. “Në kushtet e globalizimit që ka përfshirë tërë botën, nevojat e komunikimit mes mijëra gjuhëve nuk mund të përmbushen veçse duke krijuar secila syresh fjalë përgjegjëse të fjalëve që kanë gjuhët më të zhvilluara të botës për emërtimin e koncepteve shkencore dhe të sendeve e objekteve të reja që janë bërë pjesë e jetës së përditshme të çdo vendi të globit”. (Memushaj, 2018: 25).
Këtu, në Qendrën e Enciklopedisë a Leksikografisë Kombëtare, do ta kishte vendin edhe Thesari i trashëgimisë gjuhësore, materiale e shpirtërore të popullit shqiptar dhe Komisioni i Mbrojtjes së Shqipes Standarde me ligj. Në këtë qendër hapi i parë do të ishte përgatitja e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe. “Fjalori pasqyron dhe përfaqëson më mirë se çdo vepër tjetër shkallën e zhvillimit të një gjuhe. Ai është libri i parë për të njohur visarin e gjuhës dhe njëkohësisht mjeti më i nevojshëm për kulturën e të shprehurit. Në fjalor njeriu rrëmon tërë jetën. (Emil Lafe/Idriz Ajeti, 1997: )
Dhe, a nuk është kjo një prej arsyeve që ligji për gjuhën të miratohet e të funksionalizohet në të mirë të trashëgimisë së popullit shqiptar e në të mirë të vetë gjuhës, si thesar yni i vetëm.
Prishtinë, më 15.5.2020