T |
huhet se “Asaj që i ruhesh, nuk i shpëton dot…”…
…Një njeri mendonte ndryshe. Edhe i shpëton. Kish kohë që ruhej si dreqi. La mjekër. Ndërroi fytyrën. Porositi e i bënë lloj lloj maska. Pajtoi e pagoi sozie që ngjisnin si dy pika uji me të. Shumë sozie. E bëri makinën me xhama të errët. Pajtoi, për ta ruajtur si askënd më parë, bodiguardët më të mirê të gadishullit fuçi-baruti e më tej. Shtëpinë e rrethoi me mure të larta e me hendeqe. Vuri roje e ngriti leqe. Mandej nuk u shfaq më në publik. Maskohej edhe në shtëpinë e madhe tek lëvizte nga dhoma në dhomë. As shërbëtorëve nuk u besonte. Të dashura e çengie nuk fuste më në shtëpi…Grua e kalamaj i çoi në kontinentin X. Nuk dihet cilin.
…Sa më shumë ruhej, aq më i “dëshiruar”. Njerëzve ju shtua shumë kurioziteti, për të ditur ç’bëhej me të. Për ta parë. Dëgjuar. U hap një lajm se nuk ish më gjallë. Ca e hidhnin poshtë. Ca “ta jepnin me firmë” që po. Askush nuk e vërtetonte dot
…Shteti riktheu bastet. Vite pasi i pat hequr. Analistët e lekut analizuan pse duheshin rikthyer. Në tv e gazeta. Me ato para do zhvillohej sporti. Pa nuk kish rëndësi morti: Kç.k u kthye në ç.q.t. Ç.q.t nënave e femijeve që merreshin në qafë nga baballarë. Etërit nisën të vinin shtëpitë, familjet, në baste.
Filluan natyrisht edhe bastet për të fshehurin. Në fillim si për qejf. Pastaj për fitim. Biznes. Shumat e basteve u rritën. Shkuan në stratosferë. Biznesi mori përmasa. U bë përbindësh. Kush arrinte ta shihte, të fshehurin fitonte. Por duhej edhe ta vêrtetonte. Po si? Si mund të bënte ta shihnin edhe të tjerë. Pas do kohe, të arrije këtë, ishte të fitoje top-bastin. Të bëheshe miliarder…Mandej erdhën zhvillime të tjera. Bast! …edhe të arrije të vërtetoje se i fshehuri kish vdekur. Vlera e asaj koke po çmendurohej. Filloi gjuetia rreth shtëpisë-kala të fsheharakut. Dhjetra gjuetarë zgjasnin kokën për të parë brenda. Kush zgjaste kokën më shumë, linte kokën. Goditej nga brenda e nga jashtë. Nga ruajtës e nga konkurentë. Nuk ish çmuar kokë, si ajo e tij deri atëhere. As koka e heroit kombëtar. As e rebelit a keqbërësit më legjendar të veriut a të jugut. Jo më kokë shkencëtari a shkrimtari, që jo e jo. As kokë-statujë antikiteti a kryevepre arti në skulpturë s’kish kapur kurrë atë vlerë. I tillë ishte ai vend. Një kokë e fshehur, i kalonte të gjitha kokat. Të gjallë a të vdekur. Vetëm një kokë. Madje edhe bosh. E gjallë a e vdekur.
Po ç’kish bërë kjo kokë njeriu që të ruhej kaq shumë. Që t’i rritej çmimi aq ë? Ndofta kurrgjë. Askush s’e diti. Dinin veç famën. Famën e njeriut që fshihej. I patën thënë…a ashtu e dinte… se do e vrisnin…Dhe kaq. Dhe fshihej. Tashmë qe i famshëm. Edhe të thuhej se fshihej kot. Ish koka që fshihej.
Sfida ish bërë e madhe. Për njerëzit e basteve. Por edhe për të. Për njeriun që fshihej. Sfida e tij, jo veç për të ruajtur jetën. I fshehuri po i vërtetonte botës se koka mund të ruhej. Të shpëtohej. Edhe sikur koka të arrinte çmimin më të çmendur në botë. Dhe po e arrinte. Po e kalonte. Si? Me një çmim akoma më të lartë. Me çmimin e ruajtjes. Sa më lart shkonte çmimi i kokës nga “kokblerësit”, aq më lart e çonte atë fshehanaku. Si? Me koston gjithnjë më në rritje të ruajtjes. Po ku i gjente gjithë këto para ky njeri? Si fillim nga pasuria. Mandej më shumë nga bastet e vëna për kokën e tij. Ai vinte baste nga brenda. Dërgonte mesazhe. Vërtetonte se ish gjallë. Humbësit paguanin. Paratë dërgoheshin brenda. Ndryshe nuk kishin më info. Dhe pa info s’ka baste. Paratë e humbësve bëheshin mullar. Ushqenin bastet. I mbanin gjallë. Shteti ende heshtte. Njerëzit, jo ata të basteve, po pyesnin ku ishte? Po thuhej se s’kish shtet? Vërtet?!
…Kur çmimi i ruajtjes së kokës, kaloi vlerën e buxhetit të shtetit, mbi shtepinë-kala të njeriut që fshihej, filluan të fluturojnë dronat. Ca thane se në kala po futeshin hajna. Ca të
tjerë flisnin për helmatisës profesionistë brenda personelit. Ca thane se brenda u hodh gaz. (Kur te vihet shteti…) Po paguhej çmimi i madh. Top çmimi. Shteti kinse i bëri thirrjen fsheharakut të dorezohej. Ky nuk pranoi. Shteti pa u ndjerë e vrau. Si? Askush nuk e diti. Shtetin nuk e heton kush. Shtetin nuk e kap ligji. Kufoma u ekspozua. Një i panjohur ekspozoi kufomën. Thuhej se ai qe shteti. Basthumbësit paguan. Shteti mbushi arkën dhe vendi lulëzoi. Basti u fitua. E fitoi shteti. Ai “inekzistenti”.
…Thuhet se gjithë këtë lojë e bëri vetë ai. Shteti. Ky ishte shkaku i vërtetë që u rikthyen bastet. Per te kapur një kokë. Apo me të edhe shumë koka. Për një qëllim “humanitar”. Për të grumbulluar a rigrumbulluar tërë paratë e bastexhinjve, drogaxhinjve, hajdutëve… (“Mirë u a bëri”, thanë indiferentët e ndershëm)
Që atëhere thuhet akoma më prerazi e me siguri( disa ta japin me firmë), se “Asaj që i ruhesh nuk i shpëton dot”.
Ndryshe në kohra të nëmura moderne, thuhet se: shteti e di mirë se ku fshihet lepuri. Madje edhe kur i prishet qerrja, shteti e ze lepurin me drona. Helme. Me gaz. Me çfarë s’e ze. Dhe thoshin disa se nuk kishte shtet. Ka që ç’ke me të. Allo soj madje…