More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBashkim Kuçuku: Ari i rigjetur i një kënge çame

    Bashkim Kuçuku: Ari i rigjetur i një kënge çame

    Kënga popullore Moj bejka konispolite

    Edukimin e parë estetik, deri brezat tanë, e kanë marrë nga kënga popullore në fëmijëri- adoleshencë. Ai ishte arti i parë në kohë, gjithashtu, parësor në formim. Edhe gëzimin kolektiv po prej tij e kanë mësuar ta përjetojnë. Duke kënduar dhe vallëzuar bashkë  shprehnin njëherësh të njëjtat mendime dhe emocione të përbashkëta. Krahas kënaqësisë të të kënduarit e të vallzuarit kishin edhe kënaqësinë e njësimit me njëri tjetrin, të mbështetjes e veprimit të përbashkët. Në vogëli jam mëkuar me këngën popullore çame, sidomos të grave, në dasma, që më merrte nane Nini (Ferideja) me vete. Këngët, që këndonte ajo, me shoqet, ishin veçanërisht të bukura, se kishin bukurinë dhe ndjeshmërinë e saj. Edhe fustani, tumanet, pelshiu, skarpinat, që vishte ishin më të bukurat. Edhe vasilikoi, manxurani erëmirë, që fuste midis rrobave të veshura. Dy këngët e njohura Moj bejka konispolite dhe Zura një mike suljote më kanë shoqëruar gjithë jetën. Meloditë dhe fjalët e tyre i kisha vazhdimisht në qenien time, më jehonin në vesh si porosi intime. Me kohë vargjet i harrova, veçse, dy-tre prej secilës këngë, nuk u fshinë nga kujtesa. I thoshja me vete, herë-herë, edhe i shqiptoja. Pas shumë vitesh kaluan në pjesën pasive të  kujtesës, nuk i pëshpërisja më. Në vitet 1990-a, me gjallërimin skenik e mediatik të folklorit çam, përsëri kaluan në kujtesën aktive. I thoshja vargjet me vete, por nuk i dëgjoja askund të këndoheshin. Duke përsiatur për to, “zbulova” se Moj, bejka konispolite nuk ishte thjesht një këngë e zakonshme, as vetëm e bukur. Ajo mbartte vlerë të rrallë arti dhe etnokulturore, prandaj, duhej bërë e njohur për kënaqësi të dëgjuesve bashkëkohës, si dhe për t’u studiuar nga specialistë të fushave përkatëse.

    Nga mungesa e tekstit të shkruar, me të cilin mund të provoja, në se kujtesa ime ishte e  saktë, apo, më ishte shfaqur ndonjë shajni, pata një lloj krize psikologjike. Megjithatë, isha i bindur, se vargjet, që më vërtiteshin në mendje, ishin të njëmendëta:

    Moj, bejka, konispolite, 

    festija treqint mexhite,

    në beson/paçë Kristonë hiqe. 

    Vitin e kaluar, duke hulumtuar në veprën e Musine Kokalarit për një studim letrar, në radhën e këngëve, që ajo ka riprodhuar besnikërisht në prozën e saj, ishte dhe teksti, që nuk po e gjeja Moj bejko Kondispolite, në motërzimin e Gjirokastrës:

    Moj bejko Kondispolite

    Moj si zez’ e kaço-prerë

    Siri jot një lir’ e verdhë

    Faqija si koqe-mollë

    Del në penxhere si zonjë

    Tek potis vasilikonë.

    Dil në penxhere nga udha

    Me di qelqe si kushulla

    Si kushulla e Stambollit

    Bejk’ e malit Kondispolit.

    Moj bejko Kondispolite

    Në feste treqint mexhide

    Varur ballit kriqe kriqe

    Në beson Kristonë hiqe

    Hiqe moj se na shalltise.

        (Musine Kokalari …sa utunt jeta. , Tiranë, Mesagjeritë Shqiptare, 1944, faqet 112-113; marrë nga Musine Kokalari  Vepra e Zgjedhur 2, botim anastatik i përgatitur nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, Tiranë, 2017, faqe 112-113.)

    Pas kësaj, rishfletova tërë këngët çame të botuara. Teksti i saj, në një motërzim tjetër, është edhe në librin e Fatos Mero Rrapajt Këngë popullore nga Çamëria:

    Bejkë e malit Konispolit

    Dolli, more, shokë dolli,

    bejkë e malit Konispolit,

    me takëmet e Stambollit.

    Moj, bejka konispolite,

    në feste treqint mexhite,

    varur ballit kriqe-kriqe,

    vëthëtë me biziliqe,

    hap sepetetë me kliçe:

    vish rrobat arhondëriçe.

    Vishi, mos i griç pëllua,

    se ma plase zemrën muat.

                                                    Filat, Tiranë, 1960

    (Fatos Mero Rrapaj Këngë popullore nga Çamëria, botim i dytë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2019/1983, faqe 210.)

     Një motërzim tjetër është në librin me këngë popullore, mbledhur nga Ibrahim D. Hoxha:  

    Moj bella konispolite

    Moj bella konispolite,

    në feste treqint mexhite

    vartur ballit kriqe-kriqe,

    sikur je bilë zabite.

    Hine në divan si qiqe,

    hane senetet me kliçe,

    tërë poshe stambollite,

    kaçibash anadolliçe

    mexhite-mexhite,

    në beson Hristonë hiqe,

    mënt e kokësë m’i prrishe.

                   (Bilbila dhe thëllëza çame, mbledhur dhe përgatitur nga Ibrahim D. Hoxha, Botimet AIITC, Tiranë, 2007, faqe 297.)

    Në këtë libër, vite më parë, kisha vënë përbri shenjën për t’iu rikthyer. Ishin vargjet, që kërkoja, por i kisha harruar, që i pata lexuar dhe ishin diku.

    Dy vjet të shkuara, specialisti i kulturës në Bashkinë e Konispolit, nisjator e organizator i veprimtarive folklorike, Vangjel Taho, më pati dërguar Bejkë e bardhë e Kondispolit, të regjistruar në disk, nga këngëtari Neço Muko me këtë tekst:

    Bejkë e bardhë e Kondispolit

    Dolli, dolli, shokë dolli,

    dolli veshi [?] dhe Stambolli

    veshi vendi [?] dhe Stambolli

     Bejkë e bardhë e Kondispolit.

    Moj, bejka kondispolite,

    festija treqint mexhite,

    vartur ballit kriqe-kriqe,

    në beson Kristonë hiqe.  

              (Regjistruar në disk, në Paris, 1929/1930, nga këngëtari i njohur himariot Neço Muko në bashkëpunim me Tefta T. Koçon. Kënduar nga grupi i Himarës. Marrësi është Neço Muko. Hulumtues i diskut dhe i shpërndarjes në rrjet, studiuesi Niko Kotherja.)

    Dhe një motërzim tjetër, që ka mbledhur dhe publikuar poeti dhe studiuesi Timo Mërkuri:

    Konispolatja

    Doli more shokë doli

    Bejk’ e bardh’ nga Konispoli

    Doli more shokë doli

    Bejk’ e bardh’ nga Konispoli

    Moj bejka konispolite

    Nën shami ke gjasht’ mexhite

    Moj bejka konispolite

    Nën shami ke gjasht’ mexhite

    Moj në beson në Krishtin hiqe

    Të të shoh dritën e syve

    Moj në beson në Krishtin hiqe

    Të të shoh dritën e syve

    Moj në beson Krishtin besomë

    Të të jap dy napolonë

    Moj në beson Krishtin besomë

    Të të jap dy napolonë

    Moj dy napolona të verdhë

    Flori të gushës u derdhnë

    Moj dy napolona të verdhë

    Flori të gushës u derdhnë.

                                              Timo Mërkuri Vajz e valeve, Milosao, Sarandë, 2017, faqe 155.

    Ja, pra, vargjet e ruajtura në kujtesë nga fëmijëri-adoleshenca ishin të njëmendëta. Kënga, është, së paku, në pesë motërzime. Njëri i kënduar e i regjistruar në Konispol, në vitet 1960-a (?), tjetri motërzim i Filatit, regjistruar në Tiranë, po në vitet 1960-a. Motërzimi i Gjirokastrës është shkruar më 1944, i Grupit të Himarës, kënduar e regjistruar më 1929/1930. Motërzimi i regjistruar dhe i publikuar nga poeti dhe studiuesi Timo Mërkuri, nga zona e Himarës, më 2017. Kohësia e të kënduarit të saj, sipas këtyre motërzimeve, është afërsisht 90 vjet. Një “e tanishme” 90-vjeçare kaq aktive, hap horizotin e shtrirjes në të kaluarën, në historinë e saj disa herë më të madhe. Hapësira e qarkullimit ka qenë prej Konispolit, në Filat, Gjirokastër e Himarë. Nuk mund të thuhet, se cili është mëma, dhe cilët janë bijat. Tekstet kanë ndryshime në sasinë dhe llojin e fjalë-figurave, përzgjedhjen, theksimet, për rrjedhojë, edhe në ngritjen e zbutjen emocionale të tyre. Të përbashkëta dhe kryesore, në katër prej tyre, që përbëjnë dhe thelbin e saj, janë: madhërimi i shëmbëlltyrës së femrës, bejkës konispolite, dhe lutja përgjëruese e kënduesit, që, ajo, ta heqë festen nga balli, me stolitë e shtrenjta në formën kriqe-kriqe/kryqe-kryqe/. Arsyeja përse i lutet, lihet të kuptohet në mënyra të ndryshme. Ose, t’i duket tërë bukuria, se festija ia mbulon, ose, ta heqë, sepse, e zbukuron tej mase, pa përballueshëm, aq sa kënduesi thërret në ndihmë besimin e saj te Krishti për t’ia  lehtësuar vuajtjen prej bukurisë së saj.

      Vargjet janë një perlë e rrallë arti, në të cilët është shkrirë e ngurtësuar një pikë ari, i pazhbëshëm:

     festija treqint mexhite,

    vartur ballit kriqe-kriqe,

    në beson Kristonë hiqe.  

    Ari është hershmëria, ruajtja e shenjave të identitetit fetar të krishterë të krijues përpunuesve të parë, dhe përcjellja në breza, deri në kohët moderne të shekullit XX. Edhe pse në to janë fare të qarta dhe të forta, të shqiptuara me zë, shenjat e identitetit fetar të katragjyshëve tanë të krishterë, kënga ka pasë qenë kënduar dhe vazhdoi të këndohej një lloj, pa asnjë kompleks faji a mëkati, edhe kur pasardhësit e tyre, konispolatët, ishin kthyer në myslimanë. Për këto, është dhe dukuri historike etno-kulturore qindravjeçare, me vlerë për studimet antropologjike, psikologjike dhe psikanalitike.

    Kënduesi, sikurse e njëjtëson konkretisht, ka parasysh fshatin/qytetin e Konispolit, madje theksohet, duke u shqiptuar dy-tri herë. Moj bejka konispolite, nisur prej të dhënave tekstore, do të jetë krijuar shekuj më parë, kur konispolatët ishin të krishterë. Atëherë, kënduesi dhe e kënduara ishin të dy të të njëjtit besim, dhe, poezia ishte në përputhje e harmoni me kontekstin shoqëror, kulturor e fetar, që e pati përftuar.  Mirëpo, banorët e tij, prej disa shekujsh nga të krishterë qenë kthyer në myslimanë muhamedanë. Vajza, së cilës i kushtohet, bejka konispolite, njëmendësisht nuk besonte më te Krishti dhe nuk mbante kryqe. Besonte te Muhameti. Shkonte për t’u falur në xhami a falej në shtëpi, e kthyer nga Qibleja. Mbajtja e kryqit dhe e zbukurimeve me formë kryqi, simboli i krishterësisë, ishte e papranueshme dhe e dënueshme. Kënduesit, apo, këndueset, sipas motërzimeve të regjistruara, ishin dhe mund të ishin të krishterë e myslimanë. Vajza, në poezi, mbeti gjithmonë e krishterë, ndërkohë, që, në Konispol nuk kishte më të krishterë. Mes kësaj mospërputhjeje të identitetit fetar të shëmbëlltyrës poetike të këngës, që mishëron të krishterën, me identitetin fetar të vajzës konispolate në përditshmëri, që ishte myslimane, është përcjellë në breza e në shekuj. Me mospërputhje të tillë e kam dëgjuar dhe unë në fëmijëri-adoleshencë, në vitet 1950-a, ende pa e ditur çfarë ishte Krishti, as Muhameti. Më pëlqente shprehja e vargut në beson Kristonë hiqe, që, më shpesh, thuhej në paçë Kristonë hiqe, ngjashëm me shprehjen e të folurit të përditshëm në beson në Perëndi, në paç Perëndinë. Më habiste nga që nuk e kuptoja. Më ngjante sikur i drejtohej ndonjë Kristoje ortodoks nga Mursia, Çifliku, apo, Sopiku, fshatra aty afër, që vinte në Konispol. Pyeta nënën. Ajo nuk dinte si të më përgjigjej, i ra shkurt: “Kështu e ka kënga”. Më i rritur, pyeta nja dy gra mike të familjes. Dhe ato më dhanë po atë përgjigje: “Kështu e thotë kënga”. Dukej, se, për to, rëndësi kishte, që i këndohej aq bukur e madhërishëm konispolates me të cilën njëjtësoheshin gjatë të kënduarit e të dëgjuarit. Njëlloj ndodhte edhe në dasmat gjirokastrite të familjeve myslimane, aq më tepër në familjet e krishtera. Një gjirokastrite qe dhe Musine Kokalari, që e ka regjistruar, si pjesë të repertorit të dasmave të qytetit të saj. Gjithë dasmorët, në shtëpitë dhe familjet e tyre, të të afërmve e të fisit, të fqinjëve dhe të miqve këndonin dhe dëgjonin vargjet, që i kushtoheshin një të krishtere, besimit te Krishti, duke qenë vetë myslimane dhe myslimanë. Lirshmëria/toleranca shkonte dhe më tej. Gjedhen e saj konispolate, që më është ngulitur në kujtesë, e kam dëgjuar në dasmën e Halit Alushit, djalit të një hoxhe nga Konispoli, Mehmet Alushit, dasma çame më e plotë dhe më mbresëlënse, që kam përjetuar. Mehmet Alushi ishte mjaft i nderuar. Fliste pak dhe vetëm me burra të tjerë të respektuar. Për vizita në shtëpi, edhe te njerëzit e vet më të afërt, shkonte rrallë. Ishte i shkolluar, kishte mbaruar medresenë në Tiranë. Krahas teologjisë, kishte formim kulturor të një shkolle me programe klasike. Njihte dhe kishte dëshirë të fliste për historinë e ilirëve, Romës dhe romakëve, figura dhe ngjarje të historisë së shqiptarëve. Natyrisht, ai e dinte cili ishte Kristua/Krishti, që i këndohej në shtëpi, në dasmën e djalit të tij të vetëm.  Forca e traditës, mendësia absolutizuese e pandryshueshmërisë së gjedhes së trashëguar, pavetëdija kolektive (Jung), ka pasur epërsi mbi vetëdijen e besimit fetar të mëpasëm.   

    Motërzimi poetik, i përpunuar nga Neço Muko, krahasuar me motërzimet e tjera, ka kaluar në një përzgjedhje të hollë. Janë hequr jo pak fjalë, duke ruajtur thelbësoret, ato, që, përzgjedhësi i ka menduar të domosdoshme. I përshtatur edhe me mënyrën e të kënduarit me iso, në këtë rast, analiza do të duhet të përfshijë të dy përbërësit, tekstin dhe mënyrën e të kënduarit, që e ka zhvilluar atë ndjeshëm. Ritmi i isos, theksimet emocionale nëpërmjet përsëritjes së fjalë-figurave të caktuara i kanë pasuruar domethëniet, të cilat shpërfaqen me ndriçime kuptimesh sipas stilit të  interpretimit të tij mjeshtëror. Fjalë-figurat zotëruese, janë: dolli, bejkë e bardhë, bejka kondispolite, beson, Kristonë, kri-kriqe.

     Fjalë-figura dolli, e rimarrë 15 herë, që në vargjet e para, e paraqet daljen e bejkës konispolite, të bukurisë së bardhë si ngjarje kozmike, sikur dielli të mos ishte dukur prej kohësh, dhe ridoli sërish. Metafora është mbështetur intuitivisht te shprehja e të  folurit të përditshëm doli dielli, kur mezi pritet pas një moti  të zgjatur me shi, mjegull, a dëborë. Dalja (dolli, e përsëritur 15 herë), shfaqja, të parit e saj prei djalit, është më e rëndësishme se sa bukuria e bejkës së bardhë, bejkës konispolite (përsëritur 8 herë). Vajzat, me normat morale të shoqërisë shqiptare tradicionale, bënin jetë të mbyllur dhe komunikonin me fare pak njerëz, të afërt e fqinj. Dalja, të shfaqurit e saj ishte ngjarje për djemtë. Këtë rrethanë jetësore Neço Muko e ka dramatizuar dhe poetizuar në kulm, e ka shndërruar në kuadër filmik. Horizonti i pritjes, i kuptimit dhe i interpretimit është i gjerë dhe i hapur. Njoftimi për shokët, dolli, dolli, shokë dolli, le të kuptohet, se djali e dinte që do të dilte, madje, mezi e priste bashkë me shokët. Mezipritja e tij është shkaktuar nga pritja e gjatë, me orë e ditë, ndoshta, muaj, ndërsa, ajo, nuk ka dashur, apo, nuk ka mundur të dalë. Fjalë-figura beson (Kristonë) ka një barazrimarrje, sa fjalë-figura bejkë e bardhë (8 herë). Numerikisht janë të barabarta, prej nga mund të arrihet në përfundimin, se  bejka e bardhë /bukuria vet, dhe besimi i saj/beson (në Kristonë) poetikisht dhe muzikalisht janë, thuajse, të njëvlershme. Vajza është tepër e dashur dhe e çmuar për kënduesin, sa e ngre në shkallare sipërore. Bukuria e madhe, bëmat e saj ndalen vetëm para besimit te Krishti, prandaj, i lutet, që, në emër të tij, ta heqë festen.

     Në pjesën e parë të këngës zotëron bukuria e madhe e bejkës dhe shfaqja e saj në sytë e djalit. Në pjesën e dytë, numerikisht, me fjalë-figurat, merr përparësi e zotëron besimi te Krishti. Beson/besimi (8 herë), Kristonë (5 herë), kriqe-kriqe, simbol i Krishtit dhe i besimit tek ai (4 herë), janë një sistem harmonik prej 17 njësish figurative të rimarra për të theksuar emocionalisht domethëniet, që mbartin.

    Ky tekst, i përzgjedhur, dhe, me këtë mënyrë të kënduari, duke theksuar, gati, njëlloj bukurinë e madhe të vajzës dhe besimin e saj, ndoshta, është më i përshtatshmi dhe më i natyrshmi nga motërzimet, që kemi parasysh. Neço Muko me intuitën folklorike, sikur ka arritur në rrënjët e hershme të këngës, kur edhe konispolatët, ose, fqinjët e tyre, krijuesit e  saj të mundshëm, ishin të krishterë. Dhe, me mjeshtërinë e vet, sikur ka zbuluar atë që paraardhësit krijues-përpunues të hershëm, kanë dashur të shprehnin në kohën e vet. Të krishterë kanë pasë qenë edhe pjesëmarrësit e grupit të Himarës, prandaj, kanë arritur të hyjnë në thellësi të  këngës dhe të atij besimi, që e ka përftuar. Një mendim i tillë nuk është vetëm me arsyetim/deduksion. Mbështetet dhe me të dhëna konkrete. Në tekstet e motërzimeve të tjera, zakonisht, të mjediseve myslimane (Konispol, Gjirokastër) zotëron bukuria e femrës. Fjalë-figurat, që janë ndjeshëm më shumë, se në motërzimin e Neço Mukos, zhvillojnë edhe më paraqitjen e bukurisë. Beson në Kristonë është përbërës dytësor, zgjidhja, ndihma që pret t’i japë për të  përballuar bukurinë e saj. Zbritja në shkallare dytësore është rënie, tkurrje e domethënies, zbehje e funksionit, shndërrim i hershmërisë në rudiment. Vet të dhënat tekstore shpien në përfundimin, se, kënga Moj bejka konispolite është e hershme, para islamizimit të Konispolit. Vargu në beson Kristonë ka mbetur prej atëherë pjesë e saj, i kthyer në rudiment nga mostheksimi prej kënduesve myslimanë, pasi, nuk përputhej me besimin e tyre.

    Kënga, e njohur në gjithë Jugun shqiptar, edhe tej kufirit politik të sotëm shtetëror, në Çamërinë matanë, që madhëronte konispolaten, ka qenë e përhershme në repertorin e dasmave dhe në mjediset intime familjare, por nuk doli asnjëherë në skena festivalesh, as krahinore dhe as kombëtare. Edhe pa u prishur me dhunë institucionet fetare dhe ende pa u ndaluar feja me ligj, botëkuptimi zyrtar marksist fenë e quante opium për popullin. Vargjet me lutjen për t’i ndërmendur vajzës besimin te Krishti, që mungojnë në motërzimin e Filatit, do t’i ketë hequr censura e fanatizmit islam.

     E mbetur në kujtesën e atyre brezave, dhe e hedhur në letrën e disa librave e në disqe, të papërdorshëm, veçse nga ndonjë qëmtues profesionist, edhe sot, nuk këndohet në dasma e nuk është ngjitur në skenë, madje, në Konispol është harruar fare. Vështirë të gjendet, edhe ndonjë e moshuar, që ta riprodhojë plotësisht tekstin e melodinë e saj.

     Kënga tjetër, e përhershme në dasma dhe gëzime familjare e shoqërore, e parapëlqyer edhe prej meje, në fëmijëri-adoleshencë, ka qenë Zura nja mike suljote, në të  cilën, përsëri vajzat e gratë myslimane, burrat i këndonin suljotes së krishterë. Kjo ka, gjithashtu, historinë e vet të përcjelljes në shekuj, si dhe të fashitjes së saj, për arsye, kryesisht, politike, me qenë se Suli, suljotet, suljotët, dhe shqiptarët e tjerë ortodoksë në Çamëri, mbetën matanë kufirit shtetëror shqiptar. Politika e atëhershme, bashkë me mendësitë kufizuese, që kishte përftuar, arsyetonte, se, përmendja e Çamërisë, mund të merrej si mëtim për “ndryshimin e kufijve”! Me bukurinë e artit dhe vlerën e çmuar etno-kulturore, meriton të kthehet në repertorin aktiv të festave, festivaleve dhe në gëzimet familjare, sidomos të bashkësisë së çamëve, kudo që janë.

    Zura një mike suljote

    Zura një mike suljote

    naze, lajka puna jote,

    mes-holla posi njanjote,

    naze, nashka puna jote,

    leshverdha si kalviqote.

     Naze, nashka puna jote,

    u desha ja motë-motë,

    motë-motë një gjisëm viti,

    se ç’u deshëm njeri s’na diti.

    Dhe një plakë që na diti,

    dhe ajo s’na martërisi!

    Në Xhenet i vaftë shpirti!

    Rrëfim nga Fato Balani (Purrizo), 26 shkurt 2019.

    (Arkivi i Aranit Balanit, studio Balani, Sarandë. Dhënë nga Vangjel Taho, nisjator dhe organizator i veprimtarive folklorike e kulturore, Konispol.)

    Tiranë, tetor 2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË