More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha: Zgjedhja si forca e vetme e njeriut në fatkeqësinë tonë

    Ballsor Hoxha: Zgjedhja si forca e vetme e njeriut në fatkeqësinë tonë

    Yu Hua qe një kohë, njëri ndër shkrimtarët më të njohur në botë, dhe më me ndikim, megjithëse shkruan nga Kina e “ndryshimeve absurde” siç thotë vetë Hua në një intervistë të tij.

    Yu Hua në intervistat e tij shquan se mënyra e vetme e mbijetesës së shkrimtarit kinez është vetë sinqeriteti njerëzor. Sinqeriteti i trajtimit dhe ballafaqimit me marrëdhënien njerëzore, sinqeriteti i të shkruarit dhe të shtjelluarit të një antropologjie krejtësisht unike dhe interesante për njerëzimin, siç është ajo e Kinës. Në këtë, me sa vijon është trajtimi i romanit të tij më me ndikim, “Njeriu që shet gjak”.

    Romani “Njeriu që shet gjak” i shkrimtarit kinez Yu Hua është nga ato romane që kur i lexon thua kurrë në jetë nuk kam lexuar diçka të ngjashme. Dhe ka këso romane, ende, dhe ende shkruhen. Por, meqenëse ky roman është shkruar më 1995, për ne do të vlente të themi ende përkthehen këso romane, të paharrueshme, të papërsëritshme, të bukura deri në traumë e ndryshim të kursit të jetës së lexuesit.

    “Njeriu që shet gjak” është roman i shkruar gati se si pastich i romanit popullor dhe tradicional kinez, është realist, pa ndonjë filozofim të narratorit, dhe thurje komplekse, gjë që në kapitujt e parë, të bën të pyetesh si ndodhë që po i njëjti roman është një prej romaneve më me ndikim jo vetëm në Kinë, por dhe më gjerë në glob, në letërsinë bashkëkohore globale. Mirëpo, “Njeriu që shet gjak” i Yu Hua, është një kompozicion i jashtëzakonshëm, ndërmjet naives popullore kineze, të popullit kinez, me përditshmërinë e tyre në dhe përreth komplekseve më të thella njerëzore, që e shquajnë pikërisht pazgjidhshmërinë e të drejtës njerëzore, dhe e shpërfaqin atë vetëm si një – zgjedhje. Zgjedhje e njeriut mbi të gjitha komplekset e thella të tij, të pushtetit e të tragjedisë e fatkeqësisë njerëzore.

    Sigurisht, Kina, naivja, popullorja, dhe komplekset e thella të njerëzimit, nuk janë fenomene me të cilat lehtë mund të ndërmjetësohet zgjedhja, e njeriut, që për ne sot, apo që prej Kierkegaard, nënkupton lirinë dhe pavarësinë e njeriut. Por, në tërë historinë pesëdhjetëvjeçare që përfshinë ky roman në ngjarjen e tij, me të vërtetë, zgjedhja, dhe posaçërisht zgjedhja e jetës mbi urrejtjen, zemërimin, fatkeqësinë, ndër to edhe revolucionin Kulturor të Kinës në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, është zgjedhje e vetëdijshme, e lirë dhe rrënjësisht humane, nga vetë njeriu më i zakonshëm i popullit të Kinës periferike. Sigurisht vështirësitë e jetës janë peng i revolucioneve të shkuara shtetërore, peng i urrejtjes njerëzore dhe fatkeqësive qoftë edhe natyrore, por përbrenda tyre jeton e mbijeton gjithnjë një dhe e vetmja gjë – sinqeriteti i njeriut, i Xu Sanguanit, personazhit kryesor të këtij romani, që jeton një jetë të tërë në katrahurën e shoqërisë kineze për kohë aq të gjatë. Përafërsisht prej viteve të pas Luftës së Dytë botërore e deri diku në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar.

    Kur në roman bindemi se e tërë rrjedha e tij do të mbetet njëlloj përshkrimi dhe antropologjie e periferisë së Kinës, shpërfaqet edhe nyja e këtij romani. Djali i parë Yile (që babai i tij e emëron Gëzimi i parë) i Xu Sanguang personazhit kryesor, del të jetë fryt jashtëmartesor nga një baba tjetër. Shfaqen skena të errëta të pranimit dhe të refuzimit të djalit, Yile, nga të dy baballarët, nga personazhi kryesor babai që e ka atë në familje, dhe nga babai i tij biologjik si dhunues i nënës së tij.

    Ndodh dhe konflikti i parë rreth këtij kompleksi njerëzor, familjar e sociologjik, kur të gjithë refuzojnë të paguajnë dëmin e shkaktuar të djalit Yile ndaj djalit të një qytetari tjetër. Kjo situatë kalohet, dhe menjëherë kur çdo gjë duket se ka kaluar në qetësinë e jetës së zakonshme, ndodhin edhe mori të tëra të konflikteve, gjithnjë Yile, gëzimi i parë i personazhit kryesor, Xu Snaguan, është konflikti i të gjithave.

    Ndër të tjera, shfaqet dhe Mao Ce Duni në skenën e popullit Kinez, duhet filluar revolucioni kulturor, e në këtë, në mungesë të një prostitute për inskenimin e një shfaqjeje të këtij revolucioni merret nëna e Yiles dhe dy fëmijëve të tjerë të saj. Xu Yule gruaja e personazhit kryesor Xu Sanguan, si prostitutë, e cila degradohet në këtë status shoqëror pikërisht, si në Shqipërinë komuniste, përmes një fletërrufeje krejtësisht anonime dhe të parëndësishme.

    Ajo duhet të luaj rolin e prostitutës së gjykuar të popullit me pendimin e saj, me fajin e saj, me shfaqjen e saj kudo nëpër popull si e dënuar, e gjykuar dhe në pendim e sipër. Aq më shumë kjo nënë, Xu Yule, nëna e tre fëmijëve dhe protagonistit të romanit, duhet denoncuar edhe brenda familjes së saj, me tre djemtë e saj të cilët janë tejet të rinj për të kuptuar se çka po ndodhë, dhe me burrin e saj. Edhe kjo kalon.

    Fillon revolucioni kulturor, të dy djemtë e parë të familjes protagoniste të romanit, detyrohen të dalin “gju më gju” me popullin, të ndihmojnë popullin në prodhimin e tij bujqësor dhe zhvillimin e kulturës së re Komuniste.

    Dhe këtu edhe fillon tragjedia më e madhe e familjes protagoniste, sëmuret në gjendje tejet të rëndë, prapë, Yile, gëzimi i parë, fëmija jashtëmartesor, sëmuret për vdekje, dhe ose duhet gjetur një pasuri të tërë parash për shërimin e tij në Shangain e largët, ose ai do të vdes.

    Një prej bukurive të rralla të këtij romani, “Njeriu që shet gjak” është se e vë lexuesin përballë dhe në afërsi minimaliste, të detajuar deri në pamundësinë  daljes prej tragjedive të tyre. Secilën herë kur lexuesi, apo qoftë edhe njeriu që ka jetuar këto situata, pyetet si do të shpëtojmë, apo si do t’ia dalë këtë herë, protagonisti, shfaqet mundësia e shitjes së gjakut.

    Dhe, janë 35 yuan të gjakut të shitur të tij, secilën herë, që e ndihmojnë protagonistin e romanit, Xu Sanguan, të arrijë të gjitha festat, obligimet, tragjeditë e jetës, të ballafaqojë të gjitha fatkeqësitë, të gjitha ato që ia sjellë jeta. Me 35 yuanët e parë të shitjes së parë të gjakut arrin të martohet me Xu Yule, gruan që i pëlqen. Me 35 yuanët e dytë nga shitja e dytë e gjakut arrin të shpëtoj nga konflikti me farkëtarin e qytezës. Dhe kështu me radhë, derisa i ndodhë tragjedia e sëmurjes së Yile, gëzimit të parë të tij, për të cilin duhet të shes gjak përtej çdo shëndeti e përtej jetës së tij, duhet të rrezikoj jetën dhe çdo gjë që ka për të shpëtuar jetën e djalit të tij, e që është jashtëmartesor.

    Shitja e gjakut, si “artizanat”, që e mëson nga fshatarët e tij, për Xu Sanguan kalon në të vetmin mekanizëm mbrojtës ndaj një jete çnjerëzore të cilën e jetojnë ai dhe familja e tij, dhe gjithë populli kinez në këto kohë. Kalon në simbolikë të parasë, të vetë blerjes së jetës, vazhdimit të jetës.

    Romani “Njeriu që shet gjak” është roman i cili me shumë seriozitet kalon në romanet klasike të modernes njerëzore, si Njëqind vjet vetmi të Marquez, apo Ura me tri harqe e Kadaresë, në të vërtetë në mes të këtij romani dhe romanit të cekur të Kadaresë ka një ngjashmëri, të dy protagonistët e shitjes së gjakut/trupit për murim, Xu Snaguan dhe Murash Zenebishta, me këtë gjest shpëtojnë familjet e tyre dhe më gjerë.

    Ajo që e bën këtë roman klasik në tërë bukurinë e tij, është sidomos ky kompozicion i naives me komplekset më të thella në njerëzim. Në disa prej episodeve të tij. Ka disa episode brenda romanit “Njeriu që shet gjak” që i sigurojnë po të njëjtit vendin e një vepre të paharrueshme. Në të gjithë këta episode, pavarësisht natyrës së rrëfimit në këtë roman, që është, siç e kemi thënë më lartë, krejtësisht në rezonimin e naives së popullores, në kompozicion me – zgjedhjen, – njerëzore mbi të gjitha, ngadhënjen zgjedhja e njeriut për humanen, për jetën, për dashurinë.

    Në një moment tërë qyteza ku jetojnë familja protagoniste, është dëshmitare e një skene makabre dhe surrealiste: Yile, djali jashtëmartesor është i detyruar të thërras kthimin e shpirtit të babait biologjik para babait jo-biologjik, por që e mbanë në familje, babait që është duke e rritur me gjithë tradhtinë e gruas. Pastaj është edhe episodi i gjykimit dhe parakalimit të nënës së familjes protagoniste si prostitutë, në të cilën për çdo ditë Xu Sanguan burri i saj, megjithëse e din për tërë historinë e saj dhe për tërë padrejtësinë e këtij gjykimi, i cili atij i sjellë denigrimin më të madh, i dërgon asaj fshehurazi gjellë të gatuar pikërisht në skenat e gjykimit Kulturor të Revolucionit Kulturor të Mao Ce Dunit.

    Dhe, sigurisht nuk po e zbulojmë episodin përfundimtarë të tragjedisë dhe fatkeqësisë së kësaj familjeje, që është një ndër kapitujt më të lavdishëm të letërsisë bashkëkohore (relativisht) globale.

    Romani i Yu Hua “Njeriu që shet gjak” është diçka që rrallë lexohet, rrallë përjetohet dhe aq më shumë rrallë lind. Është roman i cili turpin më të madh në shoqërinë ku ndodh shitja e gjakut e kalon në dashuri dhe mbijetesë ndaj çnjerëzisë së kësaj bote njerëzore.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË