More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha: Verbëria e një shoqërie në sytë e një gruaje

    Ballsor Hoxha: Verbëria e një shoqërie në sytë e një gruaje

    Ka një gjë që është aq e vërtetë sa që të tmerron, posaçërisht në të qenit në afërsi të mëndafsheve, losionit (parfumit), të ndjenjave të pakontrollueshme, të seksit, epshit, etheve të epshit dhe aq më shumë të frymëmarrjes së një Colette, një Bovary, një Ana Karenina, Shqiptare, aq më shumë si shqiptarë, dhe atë vetëm për arsyen se e ndiejmë të gjallë, të ndodhur, dhe të patjetërsueshme, pikërisht nga letërsia, nga një roman i autorit Roland Gjoza në romanin e tij Nessun Dorma. Pikërisht sepse e ndiejmë të lindur, rilindur në afërsinë tonë një specie të harruar, bukurinë e gruas shqiptare në kohë të bujshme e tragjike, atë ndërmjet dy luftërave botërore, përmes romanit të autorit Roland Gjoza – Nessun Dorma.

    Ne, të bartur nga e përditshmja, nga e sotshmja e të përditshmes, mbetemi brenda po të njëjtës, aq më shumë i bindemi në besim dhe në vetëdije, duke e parë këtë të tashme pikërisht si fillimin dhe fundin e jetëve tona, por edhe fundin e një të kaluare, që gjithherë qe më e mirë, përkundër mizorisë në të cilën kemi qenë (dhe ende gjendemi) dhe gjithsesi përkundër mizorisë që mund të sjellë një e tashme e pa perspektivë në të kaluarën. Jacques Derrida sjell dilemën e kohës në mënyrë të veçantë, por nuk është i vetmi, ai flet për pamundësinë e ndarjes së saj në tri shkallët hierarkike siç e bëjmë ne, se është e pamundshme të ndahet ajo, se është e pamundshme të jetohet po kjo hierarki, dhe aq  më shumë që të izolohemi në një të tashme të përjetshme, pa pasur brenda saj edhe tërë të kaluarën e cila, në asnjë mënyrë nuk mund të pritet nga e ardhmja, por është vetë e ardhmja, e kaluar dhe e tashmja në të vërtetë.

    Frosina, një personazhe monumentale e letërsisë shqipe nga romani Nessun Dorma, nga autori Roland Gjoza, është pikërisht ajo gjurma, e pashlyeshme e kësaj ndërthurje të kohëve, dhe të pamundësisë së kalimit të saj qoftë në të kaluarën, apo të tashmen tonë. Frosina, apo Fros, siç e quan bashkëshorti i saj Adriano, italian, në kohën ndërmjet pas Luftës së Parë botërore dhe deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, qoftë një dëshirë e endur dhe që endet si hije e kohërave të shpërthimit të jetës së festave dhe të hapjes së Shqipërisë ndaj Perëndimit për herë të parë në këtë shkallë, megjithëse në një pozitë tejet të vështirë; dhe qoftë si një mundësi reale, e jetuar dhe e përjetuar – çan – nëpër të gjitha thurjet e Publikes sonë, shqiptare, qoftë asaj religjioze, të heroizmave të Luftës Çlirimtare dhe të patriotizmit, historisë siç e kemi të bërë Publike, dhe aq më shumë të shtjellës së Patriarkalizmit të kohëve tona, pra në këtë izolim tonin në të tashmen.

    Frosina, Fros, është një nënë, grua tejet e bukur e mbetur e ve, në një kohë tejet të rëndë të Shqipërisë së kohës së Zogut. Ajo megjithëse është nënë e tri vajzave, ato janë martuar dhe ka shumë pak përkrahje nga to, në të njëjtën kohë është edhe nënë e një djali, i cili është një çudi e natyrës, në kuptimin e tmerrit të devijimeve të saj (gjë që kah fundi i romanit na jepet të dimë se ai vuan nga një sëmundje tejet e rrallë e quajtur – Progoni). Me gjithë kujdesin e saj të pashoq, të përpjekjeve të saj për ta ngritur në një shoqëri të rënë si kjo, konservative dhe të mjerë, me gjithë martesën e saj me një doktor italian (para kohës së ardhjes së ushtrisë italiane në Shqipëri) gjë që i mundëson të dyve, Frosit dhe djalit të saj Leonardo, të kenë një jetë të mirë, ajo në fatkeqësinë e Luftës, e humb djalin e saj Leonardo, me gjithë vuajtjet që ia sjellë shëmtia e sëmundjes së tij, për shkak të fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Fatet e tyre ndahen, Leonardo, në mendjen e nënës së tij është në shërbim tek dhëndri i vajzës së saj, por ai në të vërtetë mbetet viktimë dhe hamall i punëve të pista të këtij dhëndri të tij, në moshën e adoleshencës së vonë. Në këtë Leonardo bie në kurthin e propagandës dhe të letërsisë (duke pas qenë gjithnjë i dhënë pas leximit) komuniste.

    Në anën tjetër, Fros, Frosina e mbetur peng e epshit dhe etheve të epshit burrëror të shoqërisë për shkak të bukurisë së natyrshme që ka, bën një jetë të bujshme, të çmendur, të pasur, të lakmueshme dhe të lumtur me Adrianon e saj, dhe aq më shumë me një “armatë” italiane që i shkojnë pas, prej gjeneralit më të lartë të saj e deri tek më i ulëti i saj. Megjithatë, siç i ndodh Ana Kareninave të letërsisë, dhe të reales, Frosina tragjedi pas tragjedie, humb çdo gjë, edhe lidhjen me Adrianon, burrin e saj, nga xhelozitë dhe plagët e luftës, por edhe vajzën me të cilën humb çdo kontakt, dhe aq më shumë në një nga ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, ajo sulmohet nga vetë i biri i saj derisa është në pritje tek gjenerali i ushtrisë italiane. Ndërsa Frosina e shpëton të birin nga varja në mes të qytetit, në tentativë vrasjeje të gjeneralit (dhe të nënës së tij), ai, i bindur në luftën dhe kaluar në një vrasës gjakftohtë, me të fituar luftën komunizmi dhe partizanët e saj, pra vetë biri i saj Leonardo, e dënon tre herë radhazi me pushkatim nënën e tij, e cila shpëton pikërisht nga një kyç, e kompleks, i ndërthurjes së të kaluarës me të tashmen Komuniste të kohës së pas Luftës së Dytë Botërore, dhe kjo duke qenë se vetë Adriano, bashkëshorti i Frosinës, e ka shëruar një herë më të madhin e komunistëve të Shqipërisë. Gjë që u siguron një dalje, një exit, jashtë kësaj mizorie kolektive, e cila ka filluar të përhapet me shpejtësi në tërë kolektivin.

    Endja e një Frosine, Ana Karenine, një Madamme Bovary, nëpër qarqet, festat, ahengjet, e në përgjithësi të jetës publike të kohës së ngjarjes në roman, është një endje e shpirtit të gruas shqiptare nëpër këto kohë liberale të shoqërisë shqiptare. Është një ngadhënjim i gruas shqiptare, jo me seks, e me “armatën” italiane që i shkojnë pas, në tërë ethet e tyre të epshit, por pikërisht në monumentalen e vërtetësisë dhe besueshmërisë së kësaj personazhe në këtë roman, në tërë atë që bart kjo grua.

    Aq më shumë kjo grua, Frosina, e emëruar e autorit Gjoza, është edhe një Colette, siç edhe ceket nga personazhet Mustafa Greblleshi, Gegë Marubi, e personazhi tjetër Ismail, duke qenë se ajo nxitet të shkruajë dhe të botojë letrat e veta (në pjesën më të madhe të tij romani është epistolar i përbërë nga letrat tejet feminine që ajo ia dërgon vajzës së saj Elvira) që ka ngjashmëri të madhe me shkrimtaren e mirënjohur franceze në realitet, Colette, që ka jetuar në Francë gjatë po kësaj periudhe.

    Për t’iu kthyer çështjes filozofike të kohës, të bindjes dhe besimit si në një zot ndaj të tashmes sonë, së pari të ndriçojmë atë që Kierkegaard e farkëton si Publikja, e që është tërë shtjella, e të gjitha publikeve të një shoqërie, dhe më tutje po të njëjtën që Heidegger e huazon nga Kierkegaard, në mungesë të shprehjes dhe në përkrahje të saj, e që është pikërisht ndarja, ndërmjet autentikes individuale, të Dasein në të vërtetë, me vetë Ata, që është saktësisht vetëdija kolektive e një shoqërie.

    Duke pas thënë këtë përmes asaj që Frosina na shërben këtu si – gjurmë – e thellimit dhe të – çarjes – së Publikes saktësisht, të shqiptares, për këtë kohë e tutje deri më sot, ne arrijmë nëpër fshirjet që ka bërë si ideologjia komuniste, dhe si perspektivat e tjera të shoqërisë sonë, prej asaj religjioze, e deri tek ajo Patriarkale, sot, që është fshirja, që aq bukur është sjellë e – çarë – nga po i njëjti autor, Gjoza në romanin e tij “Edhe Noe kishte frikë nga vdekja”, për të cilin është shkruar nga autori i kësaj eseje, pra fshirja e të shkuarës, të kaluarës, me të gjitha bukuritë dhe shpërthimet e saj.

    Është fshirë e kaluara, ashtu siç ka qenë, dhe ne ngjajmë të verbër para një imagjinate aq të bujshme dhe aq njerëzore, dhe humane të Gjozës, në këtë roman, jo vetëm gruaja në këtë periudhë tejet tejet libertine, dhe të hapur të shoqërisë shqiptare, por edhe tërë ajo që ka mundur të ishte një udhërrëfim për ne në këtë kohë, po aq liberale dhe po aq dekadente. Apo, në të vërtetë, përmes një romani të këtillë mund të gjejmë pikërisht këtë lidhje të humbur të shoqërisë sonë me realitetin në të vërtetë.

    Para nesh kemi një fytyrë të ngrirë të gruas – atë të nënës, kemi vetëm një fytyrë të shoqërisë – atë të familjes, dhe kemi vetëm një fytyrë për ndodhitë “underground” të shoqërisë sonë, qoftë në jetën e përditshme tonën, e qoftë në jetën e kësaj periudhe kohore, dhe kur ndodhemi në afërsi të emocioneve dhe të shpirtit të një personazhe aq monumentale dhe aq sinqertë të skalitur, ne ndiejmë se jemi po aq të verbër dhe po aq të – fshirë – nga jeta e vetë shoqërisë sonë, saqë ndodh se jemi në pamundësi për të qenë autentik në këtë shoqëri.

    Në të vërtetë, në roman ka edhe një linjë, që krijon një lloj metafore të “armatës” së italianëve që pushtuan Shqipërinë, Adriano i Frosinës, është një Edip, me kompleks të Edipit, i cili në tërë tmerrin e rrëfimit ka bërë marrëdhënie seksuale nekrofile me nënën e tij të vdekur, pa mundur të shqisë obsesionin e tij me nënën e tij italiane. Kjo, si metaforë është një lloj shërimi i plagëve të kësaj “armate” që kaloi nëpër këtë shoqëri, por edhe vetë pashkëputshmëria e njerëzores, me tërë incestin, dhe dhembshurinë e një nëne, si Frosina, qoftë me Progoninë, sëmundjen e Leonardos, dhe bukurinë e paharrueshme të gruas shqiptare, me të gjitha llojet e njeriut dhe me të gjitha të metat e tij. Në të vërtetë autori Gjoza është mjeshtër i ndërthurjes dhe pashkëputshmërisë së njerëzores nga vetja, dhe në këtë edhe botës së njerëzores, gjë që e bën të qartë se pikërisht – gjurma – për të cilën po flasim është ndërthurja dhe e pashkëputshmja e të gjitha rendeve dhe kohëve e perspektivave mbi jetën, por të cilat asnjëherë nuk mund të përjashtojnë njëra-tjetrën.

    Në këtë roman kalon një histori e tërë e shoqërisë shqiptare, por edhe asaj italiane pushtuese në Shqipëri, në këtë roman kalon një stuhi ‘shoku kulturor’ (cultural shock) siç njihet në antropologji ndërmjet dy popujve, kalon një histori e madhe e shoqërisë sonë, por e shkurtër me gjithë të bujshmen e saj, apo ndoshta ishte vetë përjetimi, liria dhe liberalja që e tmerruan njeriun e gjendur në mizerje për një kohë të gjatë në këtë shoqëri që e përmbysën të tërën në një izolim të paparë në histori të njerëzimit, siç ishte tirania komuniste në Shqipëri. Mirëpo, gjurmët të cilat janë hapur këtu në këtë roman, e bëjnë të pamundshme që njeriu të mos pyetet, ku ishin njerëzit e kësaj kohe, apo, aq më shumë ku ishin gratë e kësaj kohe?

     Për të përfunduar, Jacques Derrida thotë se nuk ka një hierarki të gjërave, ato janë një lloj manipulimi ynë me tokën, për të mundur të krijojmë rendet, Botën, dhe Publiken tonë, gjë në të vërtetë do të thotë se nuk ka një fizike të patjetërsueshme, apo një të tashme të patjetërsueshme, e aq më pak një të kaluar të tillë, në të vërtetë, aq më shumë, nuk ka një shenjë – fizike, që mbetet gjithherë e njëjtë, në të vërtetë ato gjithnjë kalojnë në shënjim të të njëjtave, duke humbur shenjat në tërësi, apo ato duke qenë vetëm marrëveshje njerëzore, në këtë duhet thënë se Frosina e Gjozës kalon në një shënjim të një verbërie tejet tejet të thellë të shoqërisë sonë, të një mungese tejet tejet të thellë të shoqërisë sonë, dhe të një mashtrimi po aq të thellë, sigurisht, për gruan shqiptare, pavarësisht hierarkisë kohore!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË