Është folur shumë në historinë e letërsisë, e qoftë edhe në bashkëkohësi, se ndodhë ndonjëherë që të gjenden krejt rastësisht shkrimtarë shumë të talentuar dhe aspak të imponuar e të njohur, aq më shumë të mirënjohur.
Dhurata Hoti është një nga ky lloj i shkrimtarëve, që ndër të tjera ka studiuar shkrimin e dramës në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, dhe ka botuar dy përmbledhje me tregime (ndërsa është shpërblyer për një dramë të saj me çmimin Katerina Josipi). Ajo është nga Gjakova qytet që ka të bëj shumë me tregimet e saj në fillin dhe thurjen e tij, sidomos në trajtimin e ideve në këtë kontekst, gjithnjë duke marrë filozofinë krejtësisht origjinale të njohur të kësaj ane, dhe artin brenda po të njëjtës e duke e kaluar në prozë të jashtëzakonshme.
Tregimet e Hotit janë lucide, me një kthjelltësi tejet tejet të bukur por edhe të ndjeshme që të bëjnë të kuptosh jo vetëm shfaqjen e një irracionaleje në sjelljen e njeriut, por aq më shumë të njëlloj ankthi të njeriut për të ikur/ndryshuar jetën, botën e tërë fatin e vetë.
Përmbledhja e saj “Eliza dhe tregime të tjera” është e shkruar si një përmbledhje bashkëkohore me tregime, që trajtojnë brumin e tyre në stil, tema e karakter autorial rrënjësisht të ri për letërsinë shqiptare. Përmbledhja ka po ashtu zgjidhje të thurjeve të tregimeve krejtësisht bashkëkohore, por në të njëjtën kohë janë edhe tregime me të menduar, të folur dhe me mënyrë të jetës ende shumë pak të shtjelluar tek ne.
Në një prej tregimeve të saj më të arrira, tregimi “Kukulla”, personazhja kryesore, një grua në moshën pas adoleshencës e ka të panjohur Luftën në Kosovë, e në Gjakovë. Kjo duke qenë se i takon, jo një bote tjetër vetëm, por edhe një vuajtje e me këtë edhe një përpjekje krejtësisht të re për t’ia dalë mbanë në këtë ndryshim të kohërave. Në këtë tregim megjithëse familja e saj, martire, e cila ka humbur gjatë luftës të gjithë burrat e saj, gjë që ende figurojnë të zhdukur, personazhja e tregimit shquan një dezintegrim që ka rënë dhe vazhdon të shpërbëjë po të njëjtën familje, tërë heroizmin e tyre. Përballë problemeve të cilat e kanë kapluar këtë familje, heroizmi i tyre ngjanë si një – shpërbërje solemne – një damkë e tyre për të qenë solemn në një mizori e cila ka përfshirë tërë familjen. Ndërsa, në tërë këtë, personazhja kryesore e cila asnjëherë nuk arrin të kuptojë se ç’ishte ajo katrahurë e vetë familjes së saj, është krejtësisht e tmerruar nga Çrregullimi i saj Post – Traumatik, por për të cilin asnjëherë nuk bëhet e vetëdijshme. Personazhja e tregimit endet nëpër plagët, nëpër këtë solemnitet heroik, nëpër shpërbërjen e familjes dhe të vetë qytetit heroik, por gjithnjë nën ankthin e saj të “parëndësishëm”, të pa reflektuar, dhe kudo që shkon ka në mendje që të mos harrojë xhointët e saj me marihuanë.
Tregimet e Hotit janë ngjarje në të cilat autorja nuk tenton një zgjidhje omnipotente, e as praktike dhe teknike, ata janë më shumë situata dhe ngjarje të cilat ndërthurin njeriun dhe njerëzit brenda tyre ashtu si që janë në realitet, pa një deux ex machina që i zgjidhë të gjitha, ata mbeten, kryesisht, të pandihmë në jetën që i përfshinë, e kjo duke qenë shumë më e madhe se vetë ata, të papërgatitur dhe të pajetësueshëm si që janë.
Në përgjithësi në leximin e tregimeve të saj, nuk mund të mos vërejmë ndikimin e Edgar Allan Poe, si në tregimin e parë të përmbledhjes “Lucid Dream” që ka ngjashmëri me tregimin “Lavjerrësi” të Poe; aq më shumë në fantastiken e tregimeve të saj në temat që trajton, si në tregimet “Ditët pa net” dhe “Uria”; por edhe gjithashtu njëlloj horrori i cili nuk është aq shumë i trajtuar në tregimin e prozën tonë në përgjithësi.
Ky horror, si në tregimet “Ditë pa net” dhe në tregimin “Uria” i Dhurata Hotit si autore, është një gjë krejtësisht origjinale. Ajo në këtë fuzionon horrorin me ndikim nga Poe, atë popullor dhe autorial. Në tregimin “Ditë pa net” është një përvijim krejtësisht i papërsëritshëm, ku bashkëshortja e tradhtuar ka rënë në një lidhje me një krijesë të matanshme dhe në këtë i duhet t’i sjellë po të njëjtës burra për t’ua pirë gjakun. Ndër të tjera kjo e shtynë bashkëshorten që ta sjellë për ndihmë edhe vetë bashkëshortin e saj për “pak gjak” të thithur nga krijesa. Dhurata Hoti në këtë ka fuzionuar dramën bashkëkohore të njeriut, më saktë të çifteve, gjuhën popullore të të “thithurit të gjakut” si metaforë për vuajtjen e shkaktuar nga partneri, dhe në fund edhe e realizon këtë në prozën e saj. Ndërkaq, në “Uria” ndodhë një gjë po aq komplekse dhe në fuzionim të jashtëzakonshëm, të miteve të çmendura feministe. Ajo në të vërtetë është e udhëzuar nga një personazhe e regjisorit suedez Ingmar Bergman për të ruajtur rininë e saj përmes ngrënies së zemrave të gjalla të burrave të virgjër.
Por, ky tregim ndër më të bukurit e përmbledhjes dhe më gjerë, është gjithashtu edhe një vëzhgim tejet i bukur, prekës dhe intim i mplakjes së gruas. Personazhja kryesore, dhe e vetme, e tregimit, është vazhdimisht në përpjekje për të fshehur shenjat e mplakjes së saj, gjë që e bën të kundërtën, në të vërtetë zbulon në tërësi një jetë të gruas në këtë fazë të jetës, dhe tërë kohën jemi përballë një paradoksi të përpjekjes së personazhes në ‘ndaljen’ e botës.
Ndërsa tregimi, antologjik, Kasapi i rrugës së Venedikut” është një tregim tejet tejet i rëndësishëm në këtë zhanër të letërsisë shqiptare. Për të mos zbuluar ngjarjen e tij, që doemos duhet lexuar, ky tregim krijon një situatë të pazgjidhshme dhe në këtë e lë personazhin kryesor në absurdin e tij nga i cili nuk arrin të kuptojë jo vetëm tëhuajsimin e tij, por edhe kalimin e tij nga njeri i vyeshëm dhe tejet praktik, në një jashtëkohësi pas ndryshimit të kohërave, sidomos me rritjen e vetëdijes ndaj kujdesit për kafshë.
Në përgjithësi kjo përmbledhje e tregimeve nga Dhurata Hoti është një prej portave të hapura (sikur në tregimin “Afterparty”) të panumër tëhuajsimeve të njeriut në këtë jetë të re. Në këtë shfaqet tregimi “Dashuria” dhe ai “Eliza”, tregime kulminante, që kanë të bëjnë me shprishjen dhe ndryshimin e njeriut, aq sa ajo, nuk ka si të gjejë një mënyrë për të mbajtur dashurinë që e vuan/jeton, dhe as për të ndërtuar një liman të qëndrueshmërisë, ndërsa në të njëjtën kohë ikë nga një dashuri në tjetrën, pa e pasur asnjë kuptim apo motiv, përpos që “nuk mundet më!”.